Kujtimet e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini me plejadën e parë të ndritshme të aktrimit me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Llazi Serbon, Mevlan Shanaj, Minella Borovën, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon
Intervistoi Çerçiz Loloçi
Kujtimet e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini me plejadën e parë të ndritshme të aktrimit me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Llazi Serbon, Mevlan Shanaj, Minella Borovën, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon
Larguar prej vitesh nga Shqipëria, herë pas here keni qenë në Tiranë për të promovuar monografitë për artistët, si libra mbi teatrin shqiptar. Këtë kohë ku ka qenë e fokusuar puna juaj, libri që keni mbaruar?
Miho Gjini: Ky libër titullohet “10+1”, sepse bën fjalë për 10 ish-studentët e mi në Akademinë e Arteve, (me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Mevlan Shanaj, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon), të vendosur kështu, sipas regjistrit shkollor, duke shtuar këtu edhe dy studentët e mi, aktorët Llazi Serbo e Minella Borova që janë larguar nga jeta; po kështu edhe kolegen, të ndjerën Drita Agolli, regjizoren e parë profesioniste të Shqipërisë, e cila përbënte atë shtojcën numerike: “+1”. Po ky libër, i tridhjeti i imi, mund të mos ishte shkruar, nëse nuk do të kishte ndodhur që, gjatë këtyre 44 viteve, para kësaj pandemie të mallkuar, nuk do të kishte ndodhur ai fenomen i ‘ligjit të pashkruar’ se nxënësi jo pak herë ia kalon edhe mësuesit, ashtu sikur ndodh edhe brenda familjes për djalin që ia kalon babait. Nuk kishte rast më i bukur që unë të shprehesha për këtë mrekulli të artit shqiptar, kur plejada e re e artistëve më të shquar të sotëm, kanë qenë krejt rastësisht, studentët e mi e të Dritës. Se sa ia kam arritur, këtë mund ta thonë vetëm ata, ish-studentët e mi, por edhe kritika aristike dhe artdashësit e shumtë që janë gjithmonë në kontakt me krijimtarinë e tyre. Dhe ky libër, në trajtën e një albumi shfletohet lehtë, po edhe sepse kaq e pata ‘jorganin për të mbuluar këmbët e mia’!
Jeni shprehur më herët se dashuria për teatrin nuk rresht. Këtë e keni treguar përmes disa monografive, që keni shkruar për artistët si Mihal Popi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Nikolin Xhoja, etj. Paralelisht me këto libra për korifejtë e Teatrit Kombëtar, të cilët i keni quajtur si ‘themelues’ të këtij teatri, keni botuar edhe librin me portrete krijuese ‘Jetë artistësh’ të personaliteteve tona të padiskutueshme si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Besim Levonja, Mihal Stefa, Kujtim Spahivogli, Tano Banushi, Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Yllka Mujo etj. Çfarë mund të na thoni për këto figura të teatrit shqiptar dhe kontributin e tyre në jetën artistike të vendit?
Miho Gjini: Secili prej këtyre artistëve me emër të ndritur solli ‘diçka të vetën’ që pasuroi artin tonë skenik. Dhe ndërsa disa prej tyre si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Stefa, Besim Levonja, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Marie Lagoreci, Pandi Raidhi, Nikolin Xhoja e Ndrekë Luca, për të cilët jam shprehur më tepër, vinin nga lëvizja amatore e vendit, po edhe drejtpërdrejt nga rreshtat e partizanëve, duke prurë në teatër talentin ‘e virgjër’, eksperiencën vetiake të përparuar e plot jetë; grupimi tjetër i mëpastajmë vinte nga shkollat e larta, të huaja e tonat, duke sjellë në Teatrin Kombëtar një mjeshtëri më të lartë aktrimi, të një eksperience shkencërisht të provuar në Teatrin Botëror, ku përveç atyre që radhitëm, dhanë kontributin e tyre të vyer edhe artistë të mëvetshëm si Piro Mani, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Andrea Malo e Mihal Luarasi. Këta ishin edhe pedagogët tanë që na mësuan ABC-në e artit skenik profesionist e të kinematografisë, derisa u krijua brezi i tretë, me Robert Ndrenikën, Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin, Roza Xhuxhën (Anagnostin), Ndriçim Xhepën, Reshat Arbanën, Serafin Fankon, Vangjush Furxhiun, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Fatos Selën, Roland Trebickën… Ata të dhjetët që janë përfshirë në librin tim të ri, radhiten si brezi i katërt, ndërsa ka dal në pah brezi i pestë i aktorëve me Alfred Trebickën, Vasjan Lamin, Arben Dërhemin, Alert Çeloaliajn, Ervin Bejlerin, Marsela Lenën, Olta Gixharin, Olta Dakun, Nik Xhelilin, Kristjan Koroveshin, Alesja Xhemali e me radhë, për të mos bërë ‘lista’ para kohe!… Breza të rinj do të shfaqen ende. Përtëritja e talenteve dhe e brezave të artistëve do të jetë e vazhdueshme. Teatri dhe kinematografia kërkojnë vazhdimisht ripërtëritje, freski, talente të të gjitha moshave, deri tek vogëlushët e regjizores Xhanfise Keko, të cilët sot janë bërë interpretues të gjyshërve e të gjysheve tona!
Për ju, a është bërë mjaftueshëm nga institucionet për të promovuar veprimtarinë e këtyre artistëve të njohur ndër vite?
Miho Gjini: Ka dy lloje promovimesh, ai i veprave teatrore e kinematografike që bëhen, sa herë del para publikut krijimtaria e artistëve, në trajtën e spektaklit e të filmit, pra ai i premierave të tyre si edhe ai i librave që u përkushtohen artistëve, ku radhitet botimi i dramaturgjisë më shumë e i skenarëve më pak, i monografive për artistët e karrierës, të cilët i vlerëson koha si personalitete të padiskutueshme. Për fat të keq, këto të dytat bëhen pak, ose aspak! Kam patur fatin t’i takoj artistëve të brezit të parë që u ulën në bangat e Shkollës së Lartë të Aktorëve dhe u përballëm me një boshllëk të tmerrshëm të letersisë profesionale për aktrimin e regjizurën. I nënshtroheshim praktikës së leksioneve që jepeshin nga persona të paktë që e njihnin teatrin, sikundër qe Xhamal Broja apo të vinte nga Moska një pedagoge e institutit të famshëm “GITIS” që të na jepte leksionet e “mjeshtrisë së aktorit”, sipas teoricienëve të Shkencës Teatrore Ruse, të Stanislavskit e të Dançenkos… Botimet e para tek ne përfshiheshin në disa dispenca të përkthyera e shumë kohë më vonë u duk nëpër libraritë tona ndonjë libër origjinal për Aleksandër Moisiun, edhe ato me karakter biografik e jo si studime analitike për artin e kolosit tonë të aktrimit botëror. Promovimet e librave për teatrin as që njiheshin fare në mjediset e teatrove tona, kur ato ende nuk ishin shkruar e botuar. Egzistonte vetëm një normë për të bërë 4 spektakle në vit, si edhe një shfaqje për fshatin, si ‘plan pune i detyruar’ për aktorët, regjisorët e pedagogët e tyre, të cilët njiheshin vetëm si ‘shërbëtorë të partisë’ që ishte në krye të vendit… Ndërkohë artistët tanë tmerroheshin prej këtyre ‘promovimeve’, ku vinin gjithfarësoj censorë të politikës së ashpër, me ‘gërshërë në brez’ dhe jo pak herë me ‘thikën pas shpine’.
U shprehët se keni qenë student i vitit të parë të Institutit të Lartë të Arteve, të Fakultetit të Aktrimit, që është hapur në vitin 1959. Çfarë kujtoni në ato vite?
Miho Gjini: Kujtoj një etje të jashtëzakonshme për teatrin e adhurim për artistët e parë të skenës sonë, ashtu sikundër ishin. Për Mihal Popin, aktorin e viteve ’30 të shekullit të kaluar, që italianët e kishin quajtur ‘komiku i kryeqytetit shqiptar” apo për dy aktorët që vinin drejt e nga lufta: Naim Frashërin e Besim Levonjën… Ky i fundit, atë skeçin për Prefektin e Tiranës, që e interpretonin në mal me aktorët partizanë, e bëri komedi të plotë dhe menjëherë e interpretuan aty, në godinat që gjetën si më të përshtatshme të ‘Dolpolavorës’ së ushtrisë italiane, ngritur me ngut, për dëfrimin e saj, që më pas do të merrte emrin “Teatri Popullor”. Mirëpo ndodhi që njerëzia zinte radhën para sportelit të këtij teatrit që pas mesnate, për të siguruar një biletë dhe ‘thyheshin dyert’ kur hynin për të parë në skenë komedinë e Besimit, sido që ishte ajo. Ne patëm fatin të ‘ushqeheshim’ me këtë atmosferë ngazëllyese dhe ishim me një fat dytësor: që shkolla jonë e aktorëve profesionistë të ishte pranë tyre. Po jo vetëm kaq. Ne përbënim kontigjentin e parë të këtij teatri dhe unë do të kujtoj ende, si një privilegj të madh se e gjitha klasa jonë prej 25 vetësh, do të përbënim emrat e parë të spektakleve të para, përbri këtyre themeluesve të mëvetshëm, çuditërisht edhe të aftë për të interpretuar edhe personazhet-heronj. Kështu kur u vu në skenë tragjedia e Shekspirit ‘Hamleti’ nga një regjisor rus, që edhe ai ishte me një këmbë prej druri, (humbur në Luftën e Dytë Botërore, si pjesëmarrës i ‘Ushtrisë së Kuqe’ në një betejë me gjermanët!), duke qëndruar në skenë, përbri Mbretit Klaud të Pjetër Gjokës, me një tabaka në dorë, ku ishte gota me helm, e destinuar t’ia çoja Hamletit të Naim Frashërit, sa të më jepte urdhër ai. E, ajo që do të ndodhte, me vrasjen e tij, i helmuar nga një mbret ogurzi, për t’i marrë mbretërinë e të ëmën për grua njëherësh, i shpuar edhe nga rapjera e Laertit, do të fiksohej në mendjen e zemrën time tërë jetën, aq më tepër se, nga rreshti i parë i sallës u dëgjua një klithmë e thekshme; ishte vajza e aktorit Naim Frashëri që interpretonte Hamletin, me një vërtetësi të shkëlqyer, aq sa ajo kujtoi se i vranë të atin me të vërtetë!
Për këto botime kushtuar teatrit dhe artistëve, a keni kërkuar ndonjëherë mbështetje te Ministria e Kulturës?
Miho Gjini: Ky është një kapitull më vete që, sipas meje ‘nuk ka Perëndi që ta ndreq’! Sa flitet për para, nisin të veprojnë ‘njëqind mekanizma të nëndheshme’, shpiken lloj-lloj formularësh, hapen kalendat greke për to e për atë që i kërkon paratë! Dhe jepen shumë herë sipas të njohurve, tarafeve e klaneve egzistuse. Do të përmend këtu ‘habinë e madhe’ që pati miku im në Athinë, Thanas Medi, kur iu dorëzua çmimi i parë për romanin e tij (për Sokrat Bubën), sepse po delte edhe një ‘i panjohur’ nga fisi i vllehëve të asgjëkundit (!), pra një ‘askushi”, për të rrëmbyer kështu të parin çmim, madje në rangun kombëtar, pa e parë e dëgjuar njeri! Sepse ‘shkrimtarllëku’ e tarafllëku, poshtë e lart ‘fshatit tonë të vogël’, qenë mësuar që çmimi i parë të jepej vetem midis dy-tre emrave që qarkullonin nga viti në vit. Po, le të sjellim edhe rastin e kundërt timin, kur në 30 libra të shkruara, mezi u dha minimumi i mbështetjes financiare, për ta botuar monografinë ‘Diva shqiptare’ për Artisten e Popullit Margarita Xhepa, mbi pesë vite pas botimit të këtij libri, me paratë e pensionit tim e me ‘këmbët’ e Margaritës që trokiti disa herë te ish-Ministri i Kulturës e ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës! Rasti i dytë, kishte ndodhur, me kërkesën që dikasteri përkatës të na ndihmonte të botonim për gjithë Diasporën Shqiptare të vetmen revistë për Letërsine e Artet “Pegasi”, ideuar e realizuar nga poeti Grigor Jovani e unë si kryeredaktor që arritëm të botonim 13 numra e ngecëm në vend prej “xhepave tanë të grisur” në mërgim… Shkuam vetë tek ministri ‘merhum’ i asaj kohe, i cili qe bërë qesharak edhe nga fakti i asaj ‘kërkese absurde’ të tij për të sjellur këtu eshtrat e Ismail Qemalit” kur ato preheshin, prej dekadash në vendin tonë, i cili na priti tek shkallët e dikasterit e na përcolli po aty, derisa u detyruam ta mbyllim botimin e kësaj reviste shumë te suksesshme e të domosdoshme për jetën kulturore të vendin, kur ende shohim tek mbështeten lloj-lloj botimesh pa peshë e pa ndonjë vlerë të qënësishme. No Coment! Në vend që organet egzistuese dhe institucionet e larta t’i thërrasin e t’u luten intelektualëve që merren me ‘kësi punësh’, me paradhënie në dorë që të bëjnë të tilla vepra, të domosdoshme për jetën shoqërore të vendit, për kulturën, artin, letërsinë, dramaturgjinë, historinë, përgjithësisht shkencën tonë kombëtare, shpiken lloj pengesash burokratike, klauzola, formularë ‘projektesh’ e sorollatjesh të pafundme, për t’ua ‘plasur buzën’ këtyre krijuesve të njohur e të afirmuar… Ca më tepër, kur janë fare të panjohur, si puna e Medit!
Çfarë ju shqetëson sot për teatrin në vend dhe artistët; çfarë duhet bërë më tepër nga institucionet si Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës?
Miho Gjini: Më ngjan se e ‘konsumova’ këtë pyetje me ato që thashë më sipër. Se edhe për jetën e brendshme, gjendjen, funksionin, të drejtat e ecurinë e mëtejshme të teatrove tona, ende nuk ka ligje bazike, të qëndrueshme e me perspektivë. Nga kjo lind edhe ajo gjendje e mjerueshme e artistëve tanë, të cilët japin shumë nga vetja dhe marrin fare pak, sidomos nga shteti i tyre dhe do të mbeten gjithmonë si njerëzit më të varfër e më te papaguar në vendin tonë, për punën e tyre të vështirë, të veçantë dhe me emocione të mëdha, e cila nuk kërkon vetëm talentin, po edhe një punë vetiake raskapitëse e emocione të pallogaritshme që ua shkurton atyre jetën, sikundër ka ndodhur edhe me Mihal Popin, Naim Frashërin, Kadri Roshin, Nikolin Xhojën, Bexhet Nelkun, Agim Qirjaqin, Bujar Lakon, Fatos Selën, Roland Trebickën, Llazi Serbon, Minella Borovën, Aleko Prodanin e ndonjë tjetër që na ikën para kohe, në kulmin e karrierës së tyre, ende pa i thënë të gjitha, pa u shprehur plotësisht me vlerat e tyre të jashtëzakonshme. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, pa e gëzuar as artin e as jetën, kur në vende perëndimore artistët madhorë bëjnë një jetë komode e janë njerëzit më të privilegjuar, madje më të pasur se nga një ministër e deputet së bashku. Ata janë ‘ajka’ e shoqërisë dhe e vendit të tyre. E kundërta me këta të fundit që përmendëm, të cilët, jo pak herë ngjiten deri aty, me mashtrime, korrupsion e me dëftesa shkollore false, duke u pasuruar në fare pak kohë! Përse të ndodhë kjo gjëndje?! Se, edhe në gjysmën e shekullit të diktaturës dhe as sot, ne 30 vitet e tranzicionit tmerrësisht të gjatë, nuk u vu asnjëherë në krye të dikasterit të kulturës një personalitet i Kulturës, i Artit e i Letërsisë, po vetëm partiakë të devotshëm, edhe kur këta janë tërësisht të papërgatitur, madje të painformuar, jo vetëm për gjendjen aktuale të njerëzve të shquar të vendit të tyre, po as për eshtrat e tyre?!
Një tjetër problem që kanë ngritur autorë të ndryshëm ka qenë dhe mungesa e dramës shqipe në skenat tona. Ju çfarë mund të na thoni?
Miho Gjini: Edhe kjo pyetje ka të bëjë me ato që u thanë më sipër. Duke kujtuar se tek ne egziston pandehma që gjinia e dramës është më e lehta, si një bisedë që bëhet midis dy a më shumë personazheve e jo ashtu, sikunder thoshte Shekspiri me gojën e Hamletit se: “Drama është gracka ku shpirti i mbretit zihet si Laraska”! Pra, kemi të bëjmë me një “lëndë të sofistikur”, me një mjeshtëri krejt të veçantë, me organizimin e të cilit jam marrë vetë dhe që do të përfundoja në burgun politik, së bashku me regjisorin Mihal Luarasi e dramaturgun Minush Jero! Megjithatë, le të pranojmë se atëhere punohej sistematikisht në teatër, me energji të jashtëzakonëshme krijuese. Ndryshe nuk merrje as rrogën për të ushqyer familjen! U evidentuan edhe spektakle të nivelit të lartë, sikundër qenë: “Karnavalet e Korçës”, “Halili e Hajria”, “Hijet e natës”, “Toka Jonë”, “Familja e Peshkatarit”,”Këneta”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”,”Hamleti”, “Gratë gazmore te Uinstorit”, “Dhelpra e Rrushtë”, “Xhaxha Vanja” e të tjera si këto, ku do të shkëlqenin edhe talentet e para të aktrimit shqiptar, ku do të ‘thyheshin’ dyert e teatrit për të parë një shfaqje në skenë.
Jemi në fund shtatori e fillim tetori dhe çdo vit kjo periudhë përkonte dhe me nisjen e sezonit artistik; për shkak të pandemisë ende nuk dihet se si do të vijojë aktiviteti në institucione. Në këtë situatë ju çfarë mendoni se duhet bërë për teatrin?
Miho Gjini: Pandemia e vuri teatrin para një sprove të vështirë që ka të bëje drejtpërdrejt edhe me egzistencën e tij jetësore… Se teatri është një art kolektiv, i cili harmonizon punën krijuese të artistëve të skenës me publikun që është në sallë, drejpërdrejt i lidhur me reagimin e tij e me frymëmarrjen e tij… Ndryshe nuk mund të bëhej!… Me maska?! Në distancë?! Të shkëputur nga njeri-tjetri?! Është duke u provuar edhe kjo, më thanë disa spektatorë që ishin në Korçë muajin e kaluar, ku u zhvillua një festival komedie, jashtë sallës së teatrit. Miku im, kritiku Josif Papagjoni shkruante në një gazetë para disa ditësh se, mbi taracën e Teatrit të Operës u shfaq drama e re e Çapalikut dhe u kalua “sprova e një suksesi” kundër Pandemisë. Tani unë vij nga Dibra e Madhe, në Maqedoninë e Veriut, e cila zhvilloi një festival teatri me pjesë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Dua të them se ka nevojë për më shumë investim për dramën. Dramat nuk mund te shkruhen nga njerëz që vetëm kanë dëshirën për të krijuar drama, që bëjnë edhe provat e para dhe që nuk kanë studiuar 4 vite të tëra në një fakultet dramaturgjie, që në vendin tonë as që është menduar të ngrihej ndonjëherë e as të dërgohej jashtë vendit ndonjë autorë me talent, me prirje e fantazi që të mësojnë ligjet e saj. Mbetëm në ato përjashtime të veçanta me talentet e dikurshme, të rralla të autorëve Spiro Çomora, Xhemal Broja, Kolë Jakova e Vedat Kokona që kanë jetuar e bërë jetë e shkolla analoge jashtë shtetit amë, të prirur ta njohin e dashurojne teatrin dhe dramaturgjinë, si gjininë më të vështirë të letërsisë. Pa u bërë nihilistë, edhe tek ne, në periudha të ndryshme, jane shkruar e po shkruhen edhe drama origjinale, po këto jane fare te pakta, të keqkuptuara hera-herës, nga shkrimtarë me përvojë të gjatë, si Bubani, Laço, Paçrami, Kraja, Kozeli, Çapaliku, Shllaku, Rama, Kame etj, të cilat kanë pasur vlerë në kohë e periudha të caktuara e pastaj janë ‘mbyllur’ në kohët e sotme. Zhvillimin e hershëm të dramaturgjisë kombëtare e ka penguar edhe e ashtuquajtura ‘platfomë ideologjike e politike’ që e sugjestiononte koha e rënduar e së kaluarës… Për 50 vjet, ata qe shkruanin drama e kushdo tjetër, quheshin “Shërbëtorë të Partisë” e drama duhej të qe me domosdo: “Gazetë folëse e Partisë”! Dhe luheshin në skenë ‘antidrama’ për të mbushur repertorin që kërkohej nga lartë! Më kujtohet se në konkursin e parë për Dramën Shqipe që u bë në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, ku juria përzgjedhëse përbëhej nga Ismail Kadare, Naum Prifti e Miho Gjini, nga 100 drama që lexuam, gjetëm vetëm një të saktë, të shkruar prej një autori erudit, po me ‘biografi të keqe’, A. Kasaruho nga Gjirokastra, po nga lart ky emër do të ‘shuhej’! Pra, drama e vërtetë ‘varrosej’ para se të lindte!
Si e keni parë teatrin dhe zhvillimin e tij para ’90 dhe çfarë ndodhi pas këtyre viteve, cilat ishin problemet që ndikuan në teatër sipas jush?
Miho Gjini: Para viteve ‘90 të shekullit të kaluar, në periudhën e soc-realizmit, i gjithë teatri ynë ishte i politizuar dhe i nënshtrohej një detyrimi: Të bënte 4 premiera në vit dhe të pasqyronte ‘vijën e partisë’ dhe direktivat e saj. Njiheshin në atë kohë sloganet e Enver Hoxhës për ‘heroin pozitiv’, për ‘njeriun e ri’, ‘fundin e lumtur’ dhe ‘masivizimin’ dhe që në çdo teatër, të kishte një organizatë partie, që ruante me vigjilencë “moralin proletar’ nga çdo rrëshqitje e mundshme ideologjike dhe kështu atrofizohej artisti, dramaturgu, regjizori për të shprehur botën e tij të brendshme. Nëse do të vihej një dramë në Teatrin Popullor apo në ato të rretheve, ajo do të kalonte në disa filtra: filtri i parë nga vetë institucioni, pastaj nga levat e partisë FDSH, BRPSH e BPSH, nga ‘skifterët’ e gazetave të partisë dhe në fund sektori ideologjik i Komitetit të Partisë. (Ti si artist, si dramturg, si regjisor mund të kalojr filtrin e “Zërit të Popullit’, por duhet të prisje edhe atë të gazetës ‘Bashkimi, “Puna’, ‘Zëri i Rinisë’, madje edhe nga ‘Horizonti’ e ‘Pionieri’. Por edhe po të shpëtoje prej tyre prapë do ishe ‘sy e veshë ngrehur’ se çfarë do të thoshnin gazetat lokale dhe e keqja mund të vinte andej nga nuk e prisje, nga ‘Pararoja’ apo ‘Fitorja’, nga ‘Kukësi i ri’ apo ‘Ushtima e maleve’, nga ‘Drapër e çekan’ apo nga një organ tjetër partie që ishte vrasës i jetëve njerëzore. Por edhe kur i kishe kaluar këto pengesa dhe drama shfaqej, sërish ishe në ankth se çfarë mund të thoshte një i rrjedhur nga fshatarësia kooperativiste apo një i shkarë nga klasa punëtore; mjafton një letër anonime në organet më të larta dhe shfaqja mund të ndërpritej). Për një periudhë të caktuar u ndaluan krejtësisht dramat e huaja dhe me detyrim kërkohej ‘drama e partishme’ që t’i përgjigjej ‘flakë për flakë’ realitetit politik të kohës. Kështu u forcua skematizmi e dogmatizmi, me këmbëngulje e urdhëra partie, duke ndëshkuar të gjithë ata krijues, me frymë liberale, që hezitonin e bënin të kundërtën, me ose pa dashje, me instiktin e lirisë së shprehjes në shpirtin e tyre.
Megjithatë drama shqipe nuk ka vdekur. Dhe ky sinjal domethënës na vjen nga Maqedonia e Veriut, ku një artist krejt i veçantë si Ylber Nuredini zhvilloi Festivalin Mbarëshqiptar të Dramës Shqipe në edicionin 19, në të njëjtën praktikë, jashtë teatrit të këtij qyteti, me shumë artdashës, i vetmi në botën dhqiptare që nuk ka zhvilluar asnjë festival të tij pa praninë e kritikëve të teatrit dhe pa bërë debate e analiza, jo vetëm kundër formalizmit të deritanishm që vihet re në disa vende e qytete të tjera, të infektuar nga “FESTIVALOMANIA”! Gjithashtu, këto ditë ndodhem në Elbasan, ku zhvillohet me sukses edhe Festivali Ndërkombëtar Teatror, në të njëjtat kushte, në natyrë, me publikun në distancë e me maska, me një skenografi që do ta quaja ‘të magjishme’ brenda e jashtë kalasë së lashtë. Pra, teatri ynë do të mbijetojë e do të triumfojë edhe nga flama e Covid-19!
https://www.botasot.info/kultura/1390348/miho-gjini-teatri-yne-para-e-pas-pandemise/