Albspirit

Media/News/Publishing

Brexit – po pas tij Dexit, Danxit, Sloxit?

Pas Brexit janë rritur zërat në vende të tjera të BE-së për më shumë pjesëmarrje qytetare. Në një sondazh 45% e 6000 europianëve të pyetur duan që edhe vendi i tyre të mbajë referendum.

Politikanët e djathtë në Francë dhe Danimarkë kërkojnë referendume në vendet e tyre. Edhe partia populiste e djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” kërkon që të zhvillohet një referendum, nëse ajo hyn në Bundestag në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Franz Wiese, deputet i AfD-së në landin e Brandenburgut thotë se “vitin e ardhshëm AfD do të jetë në Bundestag. Dexit do të jetë prioritet në axhendën tonë“.
Edhe e Majta kërkon një ristartim të BE-së dhe kërkon diskutim dhe referendum për të “ardhmen europiane“.

Demokracia direkte vetëm në nivel landi në Gjermani
Por sipas kushtetutës gjermane nuk lejohen referendumet që pasojnë me zbatimin e rezultatit në nivel federate. Gjermanët mund të votojnë për qëndrim apo shkëputje nga BE, vetëm nëse ndryshohet kushtetua, thotë eksperti për çështjet kushtetuese, Uwe Lipinski në intervistë me Deutsche Wellen. “Demokracia direkte“, sipas tij, duhet të futet së pari në nivel federal. Ndërkohë në 16 landet gjermane ekzistojnë rregulla të ndryshme për referendumet. Në nivel federate referendumi është i lejuar, vetëm kur ndryshohet kushtetuta apo në rast rikonfigurimi të landeve gjermane.
Theodor Heuss, presidenti gjerman nga viti 1949 deri 1959, e cilësonte demokracinë direkte “si bonus për demagogët”.
Kjo shpjegonte gjendjen pas Luftës së II Botërore. Më shumë se 70 vite pas saj, ka ardhur koha të mendojmë për të ndryshuar kushtetutën, thotë juristi i çështjeve kushtetuese, Lipinski.

Gjermanët proeuropianë
Një sondazh i Forsa-s para referendumit britanik ka treguar se gjermanët do të votonin ndryshe nga britanikët në rast referendumi. 79% e të pyeturve do të kishin votuar kundër shkëputjes nga BE. 17% do të votonin pro, dhe 60% e tyre janë mbështetës të AfD-së. Kur në vitin 2012 Europa u ngërthye nga kriza e euros, Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave tha se gjermanët duhet të vendosin për një kushtetutë të re. Sipas tij ligji kushtetues arrin limitet e tij, nëse Gjermania gjithnjë e më shumë vendime ia dorëzon BE-së. Eksperti për çështjet e kushtetutës, Uwe Lipinski vëren se ky moment tanimë ka ardhur. /DW/

Please follow and like us: