Rudina Dembacaj pret një fëmijë…
Rudina Dembacaj pret një fëmijë… Zbuloni të gjitha detajet e dasmës së aktores së njohur të humorit
E enjtja e 30 qershorit, do të mbetet përgjithmonë një datë e shënuar në kalendarin e ngjarjeve të jetës së aktores së njohur të humorit, Rudina Dembacaj. Pas një historie të gjatë dashurie, Rudina dhe partneri i saj Aleksandër Varfaj vendosën t’i japin fund beqarisë në një dasmë me 250 të ftuar, ku u ve re edhe prania e disa fytyrave publike.
Ceremonia e celebrimit nisi në 19:30, ku të gjithë të ftuarit u vendosën në pjesën e jashtme të Pallatit ku u mbajt dasma. “Ami Event” që kuroi çdo detaj të dasmës kishte krijuar një altar të pazakontë me perde lejla e lule në po të njëjtat tonalitete.
Pas koktejlit të ftuarit iu drejtuan sallës ku do kërcenin e gëzonin bashkë me çiftin, deri në orët e para të mëngjesit. Arredimi i zgjedhur për sallën ishte shumë larg atij tradicionalit me lule e shandanë, duke përdorur si background të çiftit një fasadë të mrekullueshme me tullumbace. Ngjyrat që dominonin në dekor ishin e bardha dhe lejlaja.
Nusja kishte tri fustane për këtë ditë të shënuar, dy nga koleksioni i fundit i “Ami Event” dhe një të personalizuar nga stilistja Jona Muça.
Të ftuarit
Sigurisht që nuk mund të mungonin edhe personazhet publike në dasmën e Rudinës, e cila për habinë e të gjithëve nuk kishte ftuar asnjë nga aktorët e “Al Pazar”, por disa prej ish-kolegëve të saj të “Portokalli” ku ajo u bë e famshme me rolin e Jozefina Topallit. Kështu i famshmi “Ramadan Kafsha”, “Luzja”, “Bukra”, apo moderatori i “TV Erseka” ishin pjesë e këtij gëzimi krahas Arion Muçës, Ardi Asllanit, Roland Hysit, Alban Kondit, Amarda Toskës, Meridian Ramçajt, etj.
Muzika
Një tjetër detaj i kuruar me kujdes ishte edhe muzika. Krahas zgjedhjeve të DJ Ermir Mamaqi nga “Ami Event”, çifti kishte ftuar edhe disa këngëtarë për t’i dhënë më shumë emocion kësaj nate, ku vlen të përmendim Ponin, e cila këndoi disa prej këngëve më të dashura në dasmat shqiptare. Nuk munguan në dasmë as kërcimet me veshje tradicionale e daulle që krijuan shumë atmosferë tek të gjithë të pranishmit.
Së shpejti do të jenë tre
Megjithëse u shkruajt kudo për dasmën e Rudinës, askush deri më tani nuk e ka cekur faktin që Rudina dhe Aleksi së shpejti do të bëhen prindër. Brunia simpatike pret një fëmijë dhe engjëlli i vogël i ka shoqëruar mamin dhe babin e ardhshëm në çdo kërcim të asaj nate.
“Lufta e Nuseve”
Përmendëm pak më lart ndër figurat publike të ftuara në dasmë emrin e Amarda Toskës, e cila përveçse organizatore e kësaj dasme plot ngjyra është edhe moderatore e programit “Lufta e Nuseve” që do të shfaqet gjatë sezonit të ri në “Tv Klan” në edicionin e tij të tretë. Rudina ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj gare, duke luftuar me dy nuse të tjera për një udhëtim në çift. A do të fitojë apo jo ajo?! Këtë na mbetet ta zbulojmë së shpejti. /revista WHO/