F1, Hamilton triumfon në mënyrë spektakolare në Austri. Incident me Rosberg
Çmimi i Madh i Austrisë ka përfunduar me fitoren e jashtëzakonshme të pilotit britanik të Mercedesit, Hamilton, por për të arritur deri në këtë triumf, atij i është dashur të përfshihet në një incident në xhiron e fundit me shokun e skuadrës, Nico Rosberg.
Një parakalim që me të gjitha gjasat do të hetohet nga komisarët e pistës së Austrisë, ku edhe po zhvillohej gara, pasi në momentin që Hamilton parakalon Rosbergun, ky i fundit e godet, del jashtë piste dhe kur rifutet e godet sërish. Ky incident bëri që gjermani ta mbyllë Çmimin e Madh të Austrisë në vendin e katërt, ndërsa dy vendet e tjera në podium u plotësuan nga Max Verstappen me Red Bull dhe Kimi Raikkonen me Ferrari.
Kjo e Austrisë ishte parashikuar të ishte një garë me incidente, pasi shkëndijat e para u dhanë që në provat zyrtare të një dite më parë. Edhe Vettel nuk mundi të përfundonte garën, pasi një shpërthim i papritur dhe i pashpjegueshëm i gomës së djathtë të përparme e la atë jashtë në momentin kur po kryesonte garën në xhiron e 27, edhe pse s’e kishte kryer ende ndalesën e parë në “pit stop”.