Rifat Ismaili: Përballë femrës…
SACRO E PROFANO
Gratë parë nga burrat
Pa mendoni tundimet e shenjtorëve përpara bukurisë femërore, se ç’mund të bëjmë ne shpirtrat e gjorë që mendojmë se i përkasim mbase ferrit? Shën Antuani në mes të shkretëtirës kishte vegime grash lakuriq, ndërsa shën Agostini, dy mijë vjet më parë shkruante;
“Ah, nuk jam i zoti
as të fle një natë vetëm”…
Dhe duke e ditur se po mëkatonte rëndë ndaj zotit i falej atij me fjalët: “O Zot ki mëshirë për mua, unë e di që kam mëkatuar, dhe nuk e shpresoj parajsën, por di që nuk jam aq i keq sa të meritoj ferrin”.
Dhe ishte një tjetër shenjt, Xherolamo, që nuk i duronte fare gratë.
“Një vajzë- thoshte ai- mund të humbë virgjërinë edhe vetëm me mendimin”.
Por edhe midis shenjtëve kishte kontradikta dhe pika vështrimi të ndryshme.
“Çdo lloj mëkati mund të falet, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me mishin, kur të tjera mëkate duhet të na rëndojnë mbi ndërgjegjen tonë”- shkruante pak shekuj më vonë Pier Damiani.
Është një proverb që thotë;
“Do të shijosh
Net të gëzueshme
E darka të bollshme?
Atëherë shtrohu
Në tavolinë me shenjtorët
Dhe në shtrat
Me mëkatarët”.
Femra është për Bodlerin shfaqej si “qenia që na i mbush ëndrrat me ferrin më të madh e dritën më të madhe”.
Ndërsa ndonjë tjetër si puna e Apolinerit, gjen kohë mes buçimave të topave e të vrarëve në luftë, të endërrojë për dashurinë, duke i çuar letra dy prej të adhuruarave të tij në atë periudhe, Luizës dhe Madalenës. Apolineri, me thënë të drejtën më habit me ato poezitë e tij të dashurisë dhe luftës, të lartësuara nga imazhi i bukurisë femërore e nga humbja e brendshme e shpirtit që rendte mes tmerreve të kohës.
” Topat si organ gjenital
Rëndojnë të dashurën tokë
Koha ka momente të dhunshme
Lufta është e ngjashme me dashurinë”.
Por ai i drejtohet femrës, përveç atij ekzaltimit hyjnor, edhe me rreshta si këto;
” Vulva e mushkës
Është rozë si e jotja
Dhe armët tona të vajisura
Janë sikundër ti
Kur më dëshiron…”.
E kush është ai që nuk ka vuajtur sadopak për dashurinë e femrës? Ishte gjithnjë Apolineri ai që shkruante;
“Do doja në shtëpinë time
Një grua me arsyen e saj
Një maçok që kalon përmes librave
Miq në çdo stinë
Pa ata nuk mund të jetoj…”.
Ja sesi i drejtohet ai organit seksual të femrës; “O pallat më i bukur se ai i Rozamundes së Luvrit dhe Eskuriales. Atje do të futem për të kryer veprën time më të bukur. Do të jem si vetë Zoti e do të bëj nëse Zotit do ti pëlqejë një burrë, më shumë burra, një grua, më shumë gra, ashtu si bëri vetë Zoti”.
Nuk e di por te gjithë burrat mbase ndjehen pak Shen Agostin brenda vetes.
E vërteta është që dashuria dhe ndjenja për femrën dhe bukurinë e saj, na përshkon mendjen që në fëmijëri dhe shuhet vetëm kur shuhemi ne. Ajo shfaqet në gjithfarëlloj formash, dhe na godet me shigjetën e ndjenjave drejt e në zemër.
POETI PARA FEMRËS
Dhe mbeta gjithnjë
Para femrës
Si përballë detit…( R.I.)
Dhe vërtet, nganjëherë kur shkruajmë, këtë e bëjmë edhe vetëm e vetëm për hir të femrës. Madje më duket, se gjithçka që ne bëjmë, e bëjmë veç për femrën, për t’i pëlqyer asaj, për ta joshur. Për të qenë në sintoni me të. Shpesh ne bëhemi piktorë dhe poetë nga femra dhe ndonjëherë prej kësaj krijese kalojmë në lajthitje e marrëzi, ashtu si Van Gogu preu veshin e tij për t’ia dhënë të dashurës. Në mënyrë krejt të pavetëdijshme mbesim të pavdekshëm vetëm nga marrëdhënia jonë me femrën. Edhe Mark Tueni në tregimin fantastik “Ditari i Evës” simbolizonte domosdoshmërinë e femrës në jetën e burrit dhe rëndësinë e saj në përjetshmërinë e ne vetë dhe të krijimeve tona. Drakula u shndërrua në vampir sepse humbi të dashurën dhe bashkë me të edhe besimin ndaj Zotit.
Ëndrra për femrën është si një shpresë për të vazhduar jetën. Jo më kot i këndoi Dantja Beatrices dhe Pushkini e ktheu në një meteor pas vdekjes, të dashurën e tij, Ana Kernin.
Dashuria për gruan na shtyn të kryejmë punë dhe vepra, të cilat as do ti kishim bëre e menduar pa lidhjen me të. Luftarakë të mëdhenj, udhëtarë, aventurierë, princër dhe poetë, janë përulur perpara provës së dashurisë.
“Ah, zjarrin e duarve të tua
Për ujë do ta pi…
Që etjen ta shuaj
Të bëhem prapë njeri…( R. I.)
Please follow and like us: