Edison Ypi: Martiri Sadik Bejko!
Sadik Bejko nuk është vetëm ai qytetari i urtë që njohim, ai bashkëbiseduesi i këndshëm, poeti i ndjeshëm, studjuesi rigoroz, pedagogu perfeksionist.
Sadik Bejko është ku e ku më tepër.
Sadik Bejko është një vuajtës i paepur, një martir i pamposhtur që mes flakëve të Ferrit ka kaluar për së gjalli.
Më 1972 martiri Sadik Bejko nuk bëri poezi për garat socialiste, traktorat që çanin ugaret, kapitalistat dhe revizionistët që Shqipërinë e zheleve dhe bunkerave e kishin halë në sy.
Martiri Sadik Bejko, 50 vjet të shkuara shkroi një poezi kushtuar një femre, “Ditët Everest të jetës sime”. Pra ditët më të larta, ditët më të lumtura, ditët e ekstazës së jetës, ato ditë kur një të dashuruari i duket sikur ka hipur mbi Everest dhe prej majës më të lartë të botës i flet njeërzimit.
Ndërkohë që ushtria e poetëve dhe regjimentet e shkrimtarëve ditët më të lumtura dhe ekstazën e jetës nuk ia kushtonin asnjë femre, por vetëm Diktatorit, martiri Sadik Bejko bëri të kundërtën. Bëri atë që nuk duhej ta bënte. Ra në prehër të armikut. Brodhi pas fustaneve të zuskave. Harroi kauzën. Fjeti mbi dafina. Me këto kujtoi se na e hodhi. Vgjilencën e proletarëve, syçelësinë e spiunave, cmirën e inatçinjve, zilinë e intrigantëve, kujtoi se e mposhti. Pra i tha belasë bujrum.
E çë? E ç’e gjet’ Shqipërinë krenare nga rebelimi i një poeti? E ç’u bë?
U bë ajo që në errësirën e bodrumeve të Bibliotekës Kombëtare, një arkivist, një zhuls, një anonim, një Ebu Qerim nga lukunia e lakejve të papërtuar të regjimit, një që poezinë në fjalë nuk e lexoi (e ç’rëndësi ka poezia, femrat me fustanet e shkurtra dhe breçkat e tyre të ngushta, moda dhe të tjera, ato janë sende të kota, rëndësi ka partia, vigjilenca, revolucioni) skuthit të bodrumeve iu duk e pabesueshme që një poet, jetën e tij, ditët e jetës së tij, t’i lidhte me një mal të lartë diku në Indi. Ky titull nuk ka kuptim. Ai titull nuk bën sens. Kemi të bëjmë me një absurd, një lajthitje të këtij të lojturit që e ka shkruar, tha pisi me vete, poeti ditët nuk ia fal një mali sado të lartë. Poeti dhe populli ditët ia falin udhëheqësit që jeton më gjatë se mali më i lartë. Kështu, Ebu Qerimi i bodrumeve të Bibliotekës, me iniciativë proletare dhe zell revolucionar, për ta bërë ‘Everestin’-‘Enver’ dhe ‘Enverin’-‘Everest’ titullin e ndryshoi. Nga “Ditët Everest të jetës sime”, në përputhje të plotë me përfytyrimin e vet haluçinant të një spiuni bodrumesh, e bëri “Ditët Enverit të jetës time”. Pra ditët dhe krejt jetën time, ia fal Enverit. O tmerr!
Kaloi gjysëm shekulli.
Për të tilla dhe të tjera, martirin Sadik Bejko e detyruan të punojë nëpër kantiere dhe miniera ku spiunët dhe vigjilentët nuk iu ndanë asnjë çast.
Nuk i ra ferrit pash m’pash Migjeni. Nuk punoi Migjeni nëpër miniera sovjetike dhe kantiere kineze. Migjeni lindi shëndetlig. Vajti në Pukë për ajër të pastër. Iku në Itali me u shëru. Lula t’Vocërr dhe femra që shiten duke thirr rrugëve “A do qymyr Zotni”? ka pa numërim sot e ksaj dite Londra, Parisi, Roma. Ferrit milimetër për milimetër, kryq e tërthor e rrethepërqark, i ra me dhjetra vite martiri Sadik Bejko.
Gjatë gjysëm shekulli martiri Sadik Bejko dhe askush tjetër nuk dinin çfarë kishte bërë Ebu Qerimi në errësirën e Bodrumeve të Bibliotekës Kombëtare. Makabriteti grafologjik i Ebu Qerimit nuk do ishte marrë vesh kurrë.
Kur një ditë të bukur, një tjetër dishepull i krimit, censurës, deformimit, një lloj Lej Feni lindur në vitet ’80, një majmun me shtresa si qepë me cipën e sipërme oksidentale, një më bosh se boshi, një Horror Vacui rrethuar me konferenca, katedra, takime, një çapaçul modern, një gjym llamarine që godet veten e vet për me bo sa më tepër zhurmë dhe me ra sa më tepër në sy, një gjydyrym ngrehaluc nga ata që ke frikë tua përmendësh emrin se i bën të famshëm, bëri të njëjtën gjë si Ebu Qerimi.
Lej Feni revolucionar shqiptaresk, si i betuar para varrit të Diktatorit për të mos e lënë martirin Sadik Bejko asnjë çast të qetë përgjatë gjithë jetës së vet, në mënyrë të paramenduar, i futet të gërmojë e të gjejë një krim kompromentues bërë në të kaluarën. Rrëmoi e rrëmoi Lej Feni ynë, gjeti titullin e ndryshuar të kontrafigurës së vet, inkuizitorit mesjetar Ebu Qerim. Vetëm titullin. Poezinë nuk e lexoi. Nuk ka rëndësi leximi. Rëndësi ka kallximi, spiunimi, denoncimi. Me ngutin karakteristik prej spiuni të lindur, atypëraty e akuzon martirin Sadik Bejko për hiç më pak se ka shkruar një poezi për diktatorin.
E të tjera e të tjera. Boll me ndyrësira se vjen e vjella.
Nga Ebu Qerimi te Lej Feni, në një vend të bukur, të pasur dhe të mallkuar, e tmerruar në çdo çast të saj, jeta e martirit Sadik Bejko nuk mund të rrëfehet veçse me sy të përlotur.