NJË LIBËR I VOGËL ME VLERA TË MËDHA KOMBËTARE E QYTETËRUESE
Albert Zholi
Në këtë vëllim prej 348 faqesh, ribotohet për herë të parë edhe Kanonizma (statuti) e Shoqërise
Ngjarje historike, ribotohet në Stamboll “Alfabetarja” e Shoqërisë së Stambollit
Vëllimi përmban studimet shkencore të Aleks Budës, Dhimitër Shuteriqit, Mahir Domit, Kristo Frashërit, Shaban Demirajt, Kristaq Priftit, Zija Xholit…
Themelimi i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip në Stamboll më 12 tetor 1879 është një nga ato ngjarje që për shqiptarët dhe Shqipërinë përbëjnë një vend kujtese (siç i ka quajtur ngjarje të tilla historiani francez Pierre Nora në veprën e tij të mirënjohur Les Lieux de Mémoire,1984–1992, 3 vëll.). Ajo Shoqëri atdhetarësh, që miratoi një alfabet kombëtar të gjuhës shqipe me 36 shkronja (i njohur si alfabeti i Stambollit ose alfabeti i Sami Frashërit) u bë nismëtare e lëvizjes së madhe për lëvrimin e gjuhës e të letërsisë shqipe, për mësimin e gjuhës shqipe në shkolla, për botimin e libraveshkollorë shqip, për zhvillimin e shtypit e të botimeve në gjuhën shqipe. Veprimtarët e kësaj shoqërie e dinin mirë se ç’rëndësi kishte drita e diturisë për të ngritur një popull në luftën për liri (Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë, përpara drejt lirisë! – Naim Frashëri). Ndonëse autoritet osmane e ndaluan veprimtarinë e Shoqërisë, flaka e atdhetarisë dhe e zellit për të mësuar shkrimin e leximin e gjuhës shqipe, për të botuar libra, gazeta e revista shqip u përhap kudo në kolonitë shqiptare të mërgimit jashtë perandorisë, veçanërisht në Rumani dhe në Egjipt.
Veprimtaria e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe e degëve të saj është trajtuar e pasqyruar në veprat themelore të Universitetit të Tiranës dhe të Akademisë së Shkencave, si Historia e Shqipërisë, Historia e popullit shqiptar, Historia e letërsisë shqipe, si edhe në punime të posaçme shkencore e në artikuj studimorë-përkujtimorë në revistat shkencore e në shtypin masiv në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni. Shoqëria e të Shtypuri Shkronja Shqip ka qenë përkujtuar herë pas here në përvjetorë të ndryshëm të saj. Por në tridhjetë vjetët e fundit kjo ngjarje kishte mbetur jashtë vëmendjes së institucioneve tona shkencore. Prandaj meriton të përgëzohet nisma e fondacionit ALSAR dhe e disa studiuesve të gjuhësisë që e risollën në vëmendje këtë ngjarje madhore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Para një viti Fondacioni ALSAR botoi librin “Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip dhe veprimtaria e saj. Përmbledhje studimesh dhe artikujsh. Me rastin e 140-vjetorit të themelimit 1879–2019)”. Në këtë vëllim prej 348 faqesh, të përgatitur me kujdes të veçantë nga gjuhëtarët Emil Lafe dhe Xhevat Lloshi, ribotohet për herë të parë edhe Kanonizma (statuti) e Shoqërisë në faksimile të origjinalit dhe e tejshkronjëzuar në alfabetin e sotshëm. Vëllimi përmban studimet shkencore të botuara më parë rreth veprimtarisë së Shoqërisë së Stambollit nga studiues të mirënjohur si akademikët Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Kristo Frashëri, Shaban Demiraj, Kristaq Prifti, Zija Xholi, Rexhep Qosja, si edhe nga një numër studiuesish të tjerë të shquar, si Justin Rrota, Injac Zamputi, Nexhip P. Alpan, Hasan Kaleshi, Jup Kastrati, Tomor Osmani etj. Një pjesë e mirë e librit përmban një varg shkrimesh të botuara në shtypin masiv. Me rastin e daljes së librit Fondacioni ALSAR organizoi edhe një konferencë shkencore, ku krahas studiuesve shqiptarë referuan edhe studiues të ardhur posaçërisht nga Universitete të Turqisë.
Fryti i parë shkencor i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip qe libri “Alfabetare e gjuhësës shqip” (136 fq.), i botuar në Stamboll më 1879 me një tirazh prej 20.000 kopjesh, që u përhapën anembanë dhe u përpinë nga shqiptarët ashtu siç përpin shiun e shumëpritur një tokë e djegur nga thatësira. Libri hapet me një paraqitje didaktike të alfabetit të ri të miratuar nga Shoqëria dhe më tej vijojnë pjesët: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë shqip” (nga Jani Vreto), “Gjuha shqip” (nga Sami Frashëri), “Shqypnija e Shqyptart” (nga Pashko Vasa), “Dheshkronjë” (nga Sami Frashëri), “Për Gjithëçishtënë (‘universin’) dhe për Zon’ e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë” (nga Jani Vreto), “Porsit e Tovitit mbë të birë” (nga Koto Hoxhi), “Numerëmësonjë” (‘aritmetikë’) (nga Jani Vreto). Siç e tregojnë edhe titujt, në këto pjesë jepen njohuri për gjuhën shqipe dhe lëvrimin e saj, për historinë e shqiptarëve e të Shqipërisë, për gjeografinë e kontinenteve, për gjithësinë, për njeriun si qenie shoqërore, për moralin dhe fenë. Është për të shënuar se autorët e këtyre shkrimeve, që patën më tej një rol të madh në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, nisën të botojnë shkrime shqip pikërisht me këtë “Alfabetare”.
Megjithëse kanë kaluar 140 vjet, shkrimet e tyre edhe sot të tërheqin për thjeshtësinë e qartësinë e shprehjes dhe për përpjekjet e autorëve për ta ngritur shqipen popullore në shkallën e një gjuhe që të përmbushë kërkesat e shprehjes në trajtimin e temave shkencore e kulturore. Edhe më parë këto pjesë kanë qenë ribotuar në përmbledhje veprash ose studime të veçanta, të përshtatura deri diku për lexuesin e sotshëm. Për herë të parë pas 140 vjetësh “Alfabetarja” e Stambollit na vjen sot e plotë. Përgatitësit e këtij vëllimi, prof. Enver Hysa, prof. Emil Lafe, prof. Seit Mansaku, kanë synuar dhe realizuar me sukses një ribotim me kritere filologjike akademike, d.m.th. i kanë qëndruar besnikë teksit origjinal, të cilin e kanë riprodhuar me faksimile, dhe e kanë pajisur me shënime gjuhësore e redaktoriale atje ku ka qenë e nevojshme. Libri është shtypur në Stamboll dhe me cilësi të lartë, ashtu si edhe botimet e tjera të ALSAR-it, që po jep një ndihmesë shumë të vyer në pasurimin e bibliotekës albanologjike me ribotime veprash themelore të së shkuarës, krahas botimeve me studime bashkëkohore.
Në fund të librit përgatitësit dhe botuesi (drejtori i ALSAR-it, z. Mehdi Gurra) i drejtohen lexuesit me një Pasthënie, të cilën po e sjellim më poshtë për vlerat njohëse që përmban lidhur me librin dhe kohën e tij.
NJË LIBËR I VOGËL ME VLERA TË MËDHA KOMBËTARE E QYTETËRUESE
Zgjimet intelektuale të një populli janë shenja të vetëdijësimit për qenien e tij. Brumosja me këtë vetëdije nis prej lëvrimit të gjuhës, mjetit nga spikatin dallueshmëria e veçantia në shumësinë e popujve dhe të etnive të tjera njerëzore.
Sfida e shkrimit të duhur të shqipes dhe e përhapjes së tij në masat e gjera të popullit, veçanërisht mësimi i gjuhës shqipe në shkollë, i pati munduar veprimtarët e Rilindjes sonë Kombëtare që kur ata nisën të përvijojnë në mendje rrugën që duhej të ndiqnin shqiptarët për të dalë më vete dhe për të zënë vendin e tyre në histori. Në këtë perandori tejet të gjerë, të shtrirë në tri kontinente, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kishin gjetur hapësirë për të shfaqur aftësitë e tyre në fushën ushtarake, politike, si edhe shkencore, kulturore e letrare, dhe jo rrallë ishin ngjitur në elitën e shoqërisë osmane. Me fillimin e perëndimit të fuqisë së dikurshme ushtarake e ekonomike të kësaj perandorie, së cilës i kishin shërbyer, shumë nga anëtarët e elitës shqiptare e ndien se kishte ardhur ora të merrnin mbi vete përgjegjësinë e shtrimit të një rruge të re. Kjo elitë e formuar në atë perandori, dhe që ende punonte në të dhe për të, do të duhej ta përgatiste popullin e vet për një të ardhme të re. Stambolli, kryeqendra e Perandorisë Osmane, shërbeu shpesh dhe si qendër e veprimtarisë së figurave të shquara kësaj elite.
Formimi i Lidhjes Shqiptare në Prizren (qershor 1878) u shoqërua me zhvillime në frontin kulturor. Në vjeshtën e vitit 1879 u themelua në Stamboll e para shoqatë legale kulturore e shqiptarëve, e quajtur Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip. Detyrat dhe synimet e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja shqip i ka përcaktuar shkurt e qartë kryetari i saj, Sami Frashëri, me këto fjalë: Puna e vëllazërimit të Shqipëtarëvet dhe e bashkimit e e ngjalljes së Shqipërisë është punë e Lidhjes (së Prizrenit), që e ka zënë punën shëndoshë edhe po vete gjithënjë mbarë; puna e të ngjallurit të gjuhësë shqipe edhe të bashkuarit e dialekteve të saj e të ndritësuarit të kombit tonë, që është një punë shumë e vjejtur e e shenjtëruar, është punë e shoqërisë sonë. Pra, kjo Shoqëri, e njohur edhe si “Shoqëria e Stambollit” ose “Shoqëria e Shkronjezave” ishte krahu kulturor i Lidhjes Shqiptare.
Krijimi i një alfabeti të përbashkët dhe shtimi i shpejtë i botimeve në gjuhën shqipe, si edhe krijimi i mjeteve për nxënien e shkrimit e të leximit në gjuhën amtare për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për të rinjtë, ishte një detyrë e mprehtë dhe e ngutshme për Rilindjen Shqiptare. Le të kemi parasysh se që nga viti 1555 i “Mesharit” të Gjon Buzukut e deri në vitin 1879 (324 vjet) ishin botuar vetëm 84 libra në gjuhën shqipe dhe kishte dalë vetëm një gazetë (L’Albanese d’Italia e J. De Radës, 1848).
Jani Vreto (1822–1900), Pashko Vasa (1825–1892)dhe Sami Frashëri (1850–1904),të ushqyer nga kjo frymë e kohës, botuan në shkurtin e vitit 1879 një libër me titullin “Alfabetare e gjuhësë shqip”, duke zbatuar në të një alfabet të vetëm, i njohur edhe si alfabeti i Stambollit, që do ta miratonte pas disa muajsh Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip si alfabet të përbashkët kombëtar.“Alfabetarja e gjuhësë shqip” nuk ishte vetëm një libër i thjeshtë për të mësuar alfabetin e ri të përbashkët, pra për të mësuar shkrimin dhe leximin në gjuhën shqipe. Autorët e “Alfabetares” ishin njerëz me dije të gjera, si e gjithë ajo elitë shqiptarësh të asaj kohe. Frytit të parë të kësaj përpjekjeje të përbashkët intelektuale ata i dhanë dhe një karakter enciklopedik për Shqipërinë e për shqiptarinë, po edhe për botën, për gjithësinë dhe për njeriun.“Alfabetarja” e tyrepërmban shkrime për gjuhën shqipe, për origjinën dhe historinë e shqiptarëve, për gjeografinë e Shqipërisë dhe të botës, për moralin njerëzor e shoqëror, si edhe njohuri të thjeshta për aritmetikën, si një dije e domosdoshme për gjithkënd.Lashtësia e fisit shqiptar është vënë në dukje shpesh nga rilindësit si një mbështetje shkencore për gjallërimin e ndjenjës së krenarisë kombëtare dhe si argument për të drejta të plota e të barabartatë shqiptarëve me popujt e tjerë. Pashko Vasa, autor i pjesës historike “Shqypnija e Shqyptart”, u shpjegon lexuesve të vet se ato pak fjalë i kishte shkruar me qëllim që “djelmnija e Shqypnis të msohet me ligjerue (me lexue)e me marrun vesht në gjuh të veht farën e fisin, prej të cillit kan rrjedhun.”
Ky libër i vogël, fryt i mendjeve të ndritura të popullit tonë,u hartua me një mision të lartë për qytetërimin e për kulturimin e shqiptarëve, me bindjen se drita e diturisë përpara do të na shpjerë, përpara drejt lirisë, – siç do të shkruante më pas Naim Frashëri.“Alfabetarja” është libri i parë i kësaj natyre në gjuhën shqipe.Dhe jo vetëm kaq. Le të kemi parasysh se autorët e saj deri në vitin 1879 nuk kishin botuar ndonjë shkrim në gjuhën shqipe, pra ky libër i bashkoi për të nisur udhën e lëvrimit të gjuhës amtare në botimet e tyre të mëvonshme.Në këtë vështrim “Alfabetarja” është edhe një gur kilometrik e një pikënisje e re në rrugën e shkrimit të gjuhës shqipe tashmë si përpjekje kolektive me synime të qarta për t’iu përgjigjur rrethanave e zhvillimeve të reja në skenën politike të perandorisë e të rajonit, që rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Vepra e përbashkët e Sami Frashërit, Pashko Vasës dhe Jani Vretos qëndron në themelet e shqipes që njohim dhe shkruajmë ne sot. Ajo u botua me një tirazh shumë të madh për kohën (20 mijë kopje) dhe u përhap gjerësisht si në mërgatën shqiptare (Turqi, Egjipt, Rumani, Bullgarietj.), ashtu edhe në vilajetet shqiptare. Ajo u drejtohet të gjithë shqiptarëve, e veçanërisht të rinjve. Autorët e saj, që vinin nga krahina e besime të ndryshme fetare, u bashkuan dhe u frymëzuan për të hartuar këtë vepër nga ideja e lartë e vetëdijësimit kombëtar dhe e kulturimit të popullit të vet.
Ndonëse e botuar në kohën e vet me një tirazhi të madh, “Alfabetarja” është bërë sot një rrallësi bibliografike. Pak kopje origjinale të saj (te të cilat koha dhe përdorimi kanë bërë punën e vet) gjenden në Bibliotekën Kombëtare (Tiranë), në Bibliotekën “Marin Barleti” (Shkodër) dhe në ndonjë bibliotekë të koleksionistëve privatë. Por libri ka qenë gjithnjë në duart e studiuesve. Rreth tij dhe rreth Shoqërisë së Shkronjezave janë shkruar artikuj e trajtesa dhe pjesë të ndryshme të librit janë botuar herë pas here në disa antologji, si dhe në përmbledhje veprash të autorëve, si Sami Frashëri, Pashko Vasa e Jani Vreto, por pa ruajtur me besnikëri gjuhën e origjinalit, sepse përgatitësit kanë pasur parasysh lexuesin e kohës sonë. Pra ka munguar një botim besnik, me kritere që zbatohen në botime kritike të veprave të tilla për publikun shkencor. Në prag të 140-vjetorit të themelimit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, me mbështetjen e Fondacionit ALSAR, i hymë punës për ta risjellë në bibliotekën shqiptare këtë përmendore gjuhësore e kulturore të Rilindjes sonë në formën origjinale të saj (anastatike) dhe të tjeshkruar me alfabetin e sotshëm, duke dhënë herë-herë herë edhe disa shënime të nevojshme për lexuesin. Fondacioni ALSAR u bë nismëtar edhe i përkujtimit të 140-vjetorit të themelimit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, me një veprimtari shkencore të denjë (1 nëntor 2019), në të cilën u përurua edhe një vëllim i posaçëm: “Shoqëri e të Shtypuri Shkronja Shqip 1879. Përmbledhje studimesh dhe artikujsh” (350 f.) i botuar gjithashtu nga ALSAR, ku është përfshirë edhe “Kanonizma” (statuti) e Shoqërisë në faksimile dhe e tejshkronjëzuar (transliteruar) me alfabetin e sotshëm.
Ky botim i dytë i “Alfabetares” u drejtohet kryesisht studiuesve e studentëve të fushës së shkencave humanitare dhe do t’u shërbejë për të njohur botëkuptimin, idetë, synimet kulturore të autorëve, si dhe përpjekjet e tyre të para të mbara për ta bërë gjuhën shqipe gjuhë të diturisë e të shkollës, për ta pasuruar me fjalë të reja e për të përzgjedhur format gramatikore e drejtshkrimore më të përgjithshme e më të drejta.
Fatmirësisht kohët e fundit u zbulua një kopje e “Alfabetares”, e përgatitur me lidhje të posaçme, që i ishte dhuruar nga autorët Sulltan Abdyl Hamitit II në shenjë falënderimi për lejen e botimit të librit dhe të themelimit të Shoqërisë të Shtypuri Shkronja Shqip. Fondacioni ALSAR bëri të mundur që nga kjo kopje e ruajtur mirë e “Alfabetares” të nxirret një fotokopje e pastër, që shërbeu për riprodhimin e origjinalit në botimin e pranishëm, që ua blatojmë si peng nderimi autorëve të ndritur të kësaj vepre.
Duke përmbyllur këto fjalë, sqarojmë lexuesin se gjatë tejshkronjëzimit të veprës me alfabetin e sotshëm jemi përpjekur t’i përmbahemi pikë për pikë origjinalit, duke përfshirëshënimet në fundfaqe prej autorëve. Është ruajtur pikësimi dhe shkrimi i shkronjave të mëdha sipas origjinalit. E kemi quajtur të panevojshëm shënimin e theksit mbi zanoren e theksuar te çdo fjalë si në origjinal (báshkë, qytéte, dítë, zakónetë, zúni etj.), me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë si emri dhé për t’u dalluar nga lidhëza dhe. Për të lehtësuar leximin, pjesëza u e trajtave pësore-vetvetore është shkruar ndaras nga folja dhe jo njësh ose me vizë lidhëse me foljen (ubënë, uhapnë, u-ba, u-fik,u-lëkundetj.); pjesëzat do të në trajtat e së ardhmes janë shkruar ndaras dhe jo njësh (dotë) –në origjinal ka luhatje për këto mënyra shkrimi, d.m.th. herë njësh e herë ndaras.
Paralajmërojmë lexuesin se në këtë libër do të gjejë jo rrallë përzierje trajtash dialektore te po ai autor. Madje edhe titulli i librit në kapak është shkruar Alfabetare e Guhësë Shqip, kurse te ballina Alfabetare e Gluhësë Shqip, ndërkaq brenda në tekst përdoret trajta gjuhë – gjuha. Mendojmë se autorët kanë vepruar kështu me vetëdije për të dëshmuar se ky libër u drejtohet gjithë shqiptarëve, edha atyre që thonë gjuha, edha atyre që thonë guha (të folmet e anës verilindore, si Kosova etj.). edhe atyre që thonë gluha (çamërishtja dhe disa të folme juglindore). E rëndësishme ka qenë që shqiptarët të mësonin të shkruanin gjuhën amtare me shkronjat e kësaj Allfabetareje, me një alfabet kombëtar. Detyra e parë ishte alfabetizimi sa më i gjerë i popullit në gjuhën e vet; formimi i një gjuhe shkrimi të njësuar e të përbashkët ishte një detyrë për më pas.Por duke hedhur në shkrim sa më shumë nga larmia dhe nga pasuria e gjuhës shqipe, edhe kjo detyrë do të vihej në udhë të mbarë për t’u zgjidhur.
Për të lehtësuar të kuptuarit e pjesëve të këtij libri, janë shtuar një varg shënimesh sqaruese. Gabimet vëna re nga autorët(shih “Drejtim i të lathituarvet”, f. 134–136) i kemi ndrequr në tekst. Për raste të tjera gabimesh kemi tërhequr vëmendjen e lexuesit me shënime në fundfaqe. Dorëshkrimin e librit e vështroi përfundimisht dr. Thoma Qendro, të cilit i shprehim një falënderim të veçantë për gatishmërinë dhe për ndihmesën e vyer që ky libër të jetë sa më i paqortueshëm.