Demokratët, optimistë për çështjen e emailleve të zonjës Clinton
Në Shtetet e Bashkuara, disa ligjvënës me zë të Partisë Demokrate parashikojnë që ndaj kandidates së pritshme të partisë së tyre për zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, nuk do të ngrihen akuza zyrtare për përdorimin e një serveri privat emaili gjatë periudhës që ajo ishte Sekretare e Shtetit.
“Kjo nuk ka për të ndodhur”, – tha Senatori i Nju Xhërsit Cory Booker në një intervistë për CNN-in.
Pasi zonja Clinton u takua për më tepër se tre orë të shtunën me hetues të FBI-së, u shtua kurioziteti lidhur me këtë çështje. Intervista mund të jetë hapi përfundimtar para se Departamenti i Drejtësisë të marrë një vendim në se duhet ngritur, apo jo aktpadi ndaj zonjës Clinton për shkelje ligjore.
“Unë e pata ofruar vetë intervistën që gushtin e kaluar dhe jam e kënaqur që pata rastin ta ndihmoj Departamentin e Drejtësisë që të arrijë në një përfundim për këtë çështje”- tha zonja Clinton në një intervistë për televizionin MSNBC.
Ndërkohë, rivali politik i zonjës Clinton, Donald Trump, komentoi për këtë çështje në Twitter, duke thënë: “Është e pamundur që FBI-ja të mos rekomandojë ngritjen e akuzave për shkelje të ligjit nga Hillary Clinton, veprimi i saj është i gabuar.”
Por aleatë të zonjës Clinton nuk mendojnë kështu. “Kjo çështje nuk përbën shqetësim”, – tha senatori demokrat Sherrod Brown në një intervistë për televizionin ABC. “Nuk kanë për t’u ngritur akuza zyrtare për këtë çështje, kjo do të thotë se ajo ka bërë atë që kanë bërë edhe sekretarë të tjerë shteti në të kaluarën.”