Albspirit

Media/News/Publishing

4 korriku, festë kombëtare edhe në hapësirën shqiptare

Image result for suzana tahiri

Suzana Tahiri

Çdo 4 korrik amerikanët kremtojë kryefestën e tyre të Pavarësisë, që daton nga viti 1776. Pikërisht atëhere shtetet kryengritëse mundën Britaninë e Madhe duke shënuar betejën e parë të kolonive për pavarësi.
Kuvendi i Filadelfias hartoi kushtetutën bazë, e cila më 17 shtator 1787 i bëri shtetet e ndara pjesë të një republike të vetme me një qeveri qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791.
Në shekullin e XIX, SHBA fitoi të tjera hapësira nga Franca, Spanja, Anglia, Meksika dhe Rusia, si dhe u bashkuan me të Republika e Teksasit dhe ajo e Hawait. Mosmarrëveshjet mes dy pjesëve të vendit (Veriut të industrializuar dhe Jugut agro-bujqësor) çuan në Luftën Qytetare Amerikane të viteve 1860.
Fitorja e Veriut parandaloi ndarjen e përhershme të vendit dhe çoi drejt përfundimit të skllavërisë së ligjshme në SHBA. Lufta Spanjollo-Amerikane dhe Lufta I Botërore konfirmuan statusin e vendit si fuqi ushtarake, ndërsa më 1945, ajo doli nga Lufta II Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB si dhe themeluese e NATO-s.
Shqiptarët, më proamerikanët në planet
Nuk është sekret të pohohet se shqiptarët njihen aktualisht si populli më proamerikan në planet. Dhe pikërisht këtë gjë e ka sintetizuar më 1 nëntor 2012 Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillari Klinton, ku u shpreh në Tiranë se “SHBA qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, edhe për 100 të tjera pas tyre, edhe ato pas këtyre”.
Përkrahja e SHBA nuk u ka munguar shqiptarëve në çastet më të rrezikshme për ta dhe sidomos me mbarimin e dy luftrave botëre, kur diplomaci të tjera e vinin në dyshim edhe atë pak shtet të cunguar, të gllabëruar egërsisht prej fqinjëve. Ka merita të padiskutueshme në mbrotjen shqiptare Xhorxh Fred Uilliams, ish-përfaqësues diplomatik i SHBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi. Ai erdhi në 1914 në Shqipëri si i pari misionar diplomatik amerikan pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Po ashtu një diplomat i shquar amerikan Uilliam Uoker, në cilësinë e kryevëzhguesit të OSBE-së në Kosovë në 1998, do të sensibilionte opinionin mbarëbotëror për masakrat serbe në mes të Europës.
Janë të njohur përpjekjet e tre presidentëve të fundit amerikanë Bush dhe Klinton në dimensionin e ri që mori faktori shqiptar në Ballkan, çka popullsia autoktone e këtyre viseve do t’i jetë përjetë mirënjohës. Në këtë kuptim 4 korriku i amerikanëve është de fakto kryefestë për shqiptarët në Kosovë, më Shqipëri, më Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri, në Preshevë dhe në çdo shtet tjetër ku ka përkatësi shqiptare.

Please follow and like us: