Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa: 4 korriku, data më e rëndësishme e njerëzimit


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë, 2 dhjetor 2015

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë, 2 dhjetor 2015

Dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bashkuar zyrtarët më të lartë të politikës në Kosovë për të uruar me qëndrime pothuajse të njëjta popullin dhe shtetin amerikan.

Shefi i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa e konsideron Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara si “një prej datave më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, pasi që në këtë ditë u miratua Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara”.

Kështu është cituar Mustafa përmes komunikatës së dërguar mediave nga zyra e kryeministrisë.

“Që nga ajo kohë, kombi i madh amerikan ndërtoi shtetin më të fuqishëm në botë të bazuar në vlerat më të avancuara humane, duke e bërë atë simbol të lirisë dhe demokracisë globale”, ka thënë më tej kryeministri i Kosovës në urimin për festën e pavarësisë së SHBA-ve.

Pavarësia e SHBA-ve nga Britania e Madhe dhe mbreti i saj është deklaruar më 4 korrik 1776, në Filadelfia të Pensilvanisë, pas 442 ditë luftimesh.

Kryeministri Mustafa ka thënë se “Qytetarët dhe Qeveria e Kosovës i janë përjetë mirënjohës SHBA-ve për përkrahjen e ofruar”, ndërsa ka kujtuar se banorët e Kosovës mbesin “populli më proamerikan në botë dhe ne jemi shumë krenar me këtë fakt”.

Ditën e pavarësisë së SHBA-ve e kanë uruar edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Kosovës.

“Sa herë kujtojmë 4 Korrikun e vitit 1776, ditëlindjen e kombit amerikan, njëkohësisht kujtojmë dhe nderojmë vlerat që mishëron ky komb, demokracinë liberale, sundimin e ligjit, sovranitetin e popullit, liritë dhe të drejtat e njeriut”,citohet të ketë thënë kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai më tej ka shtuar se “janë pikërisht këto vlera, falë të të cilave bota është më paqësore, më e drejtë dhe më e lirë. Janë po këto vlera që mundësuan lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë- Kosovës”.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në urimin e tij për këtë përvjetor të pavarësisë së SHBA-ve, ka thënë se “popujt dhe vendet e vogla, që kanë luftuar gjatë për lirinë dhe pavarësinë e tyre, siç është edhe Kosova, e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër, përvjetorin e Pavarësisë së një populli dhe shteti të madh, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aq më tepër kur ky popull e ky shtet, ka bërë aq shumë për lirinë e popujve nëpër Botë, duke përfshirë edhe vendin tim!” (REL)

Please follow and like us: