Albspirit

Media/News/Publishing

Kreshnik Tartari në një rrëfim tronditës: Anët e panjohura të Silva Turdiut

Ish-trajneri i famshëm i Dinamos, Kreshnik Tartari, në një rrëfim ekskluziv e tronditës, zbulon detaje nga jeta e ish-të fejuarës së djalit të kryeministrit të vetëvrarë, Mehmet Shehu…

Nga Dash Frashëri

“Drama e vajzës më të shkëlqyer të ekipit, Silva Turdiu, për ‘faj’ të volejbollit dhe absurdit politik të regjimit komunist, është një nga pengjet e mia”. Kjo është brenga e madhe e Kreshnik Tartarit, ish-trajnerit të Dinamos së famshme të viteve 1975-1990, në lidhje me ato që ai përjetoi në “vetë të parë” pas ndëshkimit të volejbollistes bukuroshe 20-vjeçare, Silva Turdiu, për shkak të fejesës më Skënder Shehun, djalin e dytë të ish-kryeministrit më jetëgjatë komunist, por dhe të gjithë historisë shqiptare, Mehmet Shehut. Lidhja e pazakontë Shehu-Turdiu, i pari pinjoll i njeriut të dytë më të fuqishëm në regjimin komunist pas Enver Hoxhës dhe e dyta, pinjolle e dy prej familjeve më të shquara shqiptare, Turdinjve (nga i ati) dhe Pipajve (nga e ëma), ishte sintezë e një regjimi sa human në dukje, aq brutal në ndëshkime shembullore. Një lidhje e nisur midis dy të rinjve të dashuruar marrëzisht në fillim të vitit 1980, e zyrtarizuar si fejesë më 1 shtator të vitit 1981; e shoqëruar me një vizitë urimi të Enver Hoxhës më 3 shtator 1981, e vazhduar me një proces të frikshëm “Hoxha kundër Shehut” dhe e përfunduar me vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu më 17 dhjetor 1981, në një nga enigmat më të mëdha të historisë 45-vjeçare komuniste, nëse ishte vrasje apo vetëvrasje. Silva Turdiu, vajza e profesorit të nderuar të matematikës, Qazim Turdiu, njëherësh edhe mbesa e gjigantit të letrave, Arshi Pipa, të arratisur në Shtetet e Bashkuara, një prej simboleve të bukurisë tiranase, volejbolliste kampione me Dinamon, përjetoi një fat tragjik jo vetëm ndarjen nga i fejuari i saj, por dhe nga pasioni i saj më i madh, volejbolli. Nga mikeshat më të mira të saj, Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Emona Gripshi, por dhe nga trajneri i saj, njeriu që e rriti dhe e bëri të famshme, trajneri Kreshnik Tartari. Pikërisht trajneri që e stërviti 5 vjet më radhë, qyshkur ajo ishte vetëm 15 vjeçe, e derisa u nda përfundimisht nga bota e sportit, rrëfehet ekskluzivisht për gazetën “Albania”. “Silva nuk u bë e famshme nga lidhja me djalin e Mehmet Shehut, ajo ishte një kampione e madhe, dhe e tillë ka mbetur”.

—***—

Silva Turdiu është bashkëkohëse e kolosëve të volejbollit shqiptar për femra si Ela Tasen dhe Mimoza Ibrahimi. Për fat të keq fati i saj lidhet ngushtësisht me një ngjarje të bujshme dhe të trishtuar. Si erdhi Silva te Dinamo dhe te volejbolli?

Silva Turdiu ishte një nga vajzat e mirëseleksionuara, siç seleksionoheshin në atë kohë nga klasat sportive, në të gjitha llojet e sporteve dhe me një organizim të përsosur. Ishte një sistem që funksiononte në të gjithë Shqipërinë. Ishte një sistem që kush nuk e di, ndoshta mund të habitet po t’i them se kështu veprohet e seleksionohet në mënyrë të natyrshme në Amerikë sot. Në kolegje ku bëhen sporte të veçanta, si basketbolli apo volejbolli në shkollat e mesme. Te ne ky sistem funksiononte në mënyrë të përkryer. Silva ishte pikërisht një nga këto vajza, në një shkollë që quhej “Fan Noli” dhe që ishte nën patronazhin e Dinamos për meshkuj e femra.

Kush e kishte stërvitur Silvën përpara se ajo të vinte te Dinamo?

Silvën e kam gjetur së bashku dhe me Emona Gripshin, më vonë edhe Alketa Doçin, te shkolla “Fan Noli”. Ishin në klasat sportive të 8-vjeçares të seleksionuara nga mësuesit, të cilët e kishin për detyrë për të marrë nxënësit më të mirë e për t’i futur në klasat sportive të klasës së pestë. Kur ajo ishte në klasën e shtatë, unë, së bashku me trajnerin Vangjel Koja, të ekipit të Dinamos për meshkuj, çdo vit kishim për të detyrë të shkonim e të kërkonim nxënësit më të talentuar e t’i rekrutonim në ekipet e paratërejave të klubit të Dinamos. Një ditë të bukur pashë Silvën, së bashku me një vajzë tjetër, në fillim të vitit shkollor. Mbaj mend që i shkëlqyen sytë kur i thashë se “t’i do të vish të luash për Dinamon”.

Si reagoi Silva?

Në fakt, vështirësia ishte se më duhej të bindja të atin e saj, profesor Qazim Turdiun, i cili, duke dashur që Silva të ishte shumë mirë me mësime, nuk dëshironte ajo që t’i përkushtohej sportit. Silva kishte dell matematicieneje dhe dallohej në shkencat ekzakte; kjo edhe për shkak të traditës familjare. U desh shumë punë për të bindur babanë e saj që ta linte. Gjeta krah të vëllanë e Silvës, Paridin, i cili luante basketboll me të rinjtë e Dinamos, e sidomos të ëmën, një zonjë e nderuar. Ajo kishte qejf që vajza të luante volejboll. Qazimi jo se nuk donte, por kishte hallin e mësimeve. Më në fund mbaj mend që premtoi se nuk do të binte nga mësimet. Në fakt ky ishte një problem i gjithë prindërve, sidomos ata që i kishin fëmijët nxënës të mirë. Kështu filloi. Dhe meqenëse më pyete direkt për Silva Turdiun, në fakt nuk ishte ndonjë seleksionim i veçantë i saj.

A spikati Turdiu si një vajzë që premtonte?

Nga ajo shkollë kanë dalë disa emra të shquar të volejbollit për femra që bënë epokë. Në atë shkollë ka qenë edhe Leonard Tase, vëllai i Elës, mësues, i cili e vlerësonte shumë aftësitë e Silvës. Pa dyshim, Dinamo kishte emra të famshëm; dua të përmend Ela Tasen, Mimoza Ibrahimin, Agi Babulin, Lulëzime Dukën. Këto sitën vetvetiu elementin e ri më të mirë. Ishte shumë e lehtë puna për të vlerësuar shkallën e mjeshtërisë. Vajzat e talentuara dalloheshin qysh me ekipin e të rejave, dhe kur vinin me të rriturat fitonin të tjera cilësi, piqeshin e bëheshin lojtare profesioniste. Silva punoi së bashku me Mimoza Ibrahimin, Emona Gripshin, Agi Babulin. Ky ishte një brez, i cili ka bërë një Ballkaniadë të të rejave. Në fakt askush nuk e kujton këtë moment, pasi u bë në vitin 1981. Kanë fituar medaljen e argjendtë. Ishin të gjitha të reja, të gjitha 19-vjeçare. Dhe dolën të dytat në Ballkan kur u ndeshën me Rumaninë, Bullgarinë, Jugosllavinë, ndërkohë që Turqia e Greqia ishin pak më modeste, pasi kishin bërë edhe një finale të Kampionatit Europian. Dhe ky ishte momenti që i nxori në elitën e sportit shqiptar këto vajza, së bashku edhe me brezin e Tases, Drenit, Dukës, Podgoricës, të cilat ishin pak më të rritura. Këto formuan më pas një Kombëtare të ardhshme të lavdishme.

A u përfshi Silva në ekipin Kombëtar?

Jo, ajo u këput përpara këtij momenti. Pikërisht në vitin 1981 filloi historia e drama e saj.

Emri i Silva Turdiut u bë i famshëm për lidhjen me djalin e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, Skënderin. Ju, si trajneri i saj, a e kishit konstatuar lidhjen e tyre, a ishte publike në sytë tuaj lidhja e saj?

Nuk mund ta them nëse ishte dashuri apo kishte simpati midis tyre. Gjithsesi, historia e lidhje së saj, besoj se kishte të bënte me dashurinë. Në fakt, unë gjithmonë i jam shmangur kësaj pyetjeje. Kjo është një ngjarje tmerrësisht e trishtueshme. I ndodhi Silvës, pikërisht në moshën 20-vjeçare. Silva ka lindur në vitin 1961. Pësoi një këputje në kulmin e saj jo vetëm në volejboll, por ç’është më e tmerrshmja, një këputje të jetës së saj për momentin. Silvës iu këput ylli i volejbollit, ose si të thuash, trajektorja e volejbollit, apo një pjesë e jetës së saj që lidhej me pasionin. Më pas iu këputën gjëra më të rëndësishme se volejbolli. Ishte diploma, ishte shkolla. Ishte një studente e shkëlqyer në Fakultetin Ekonomik. Ajo ka preferuar mos ta përmendim më këtë. Dhe ka bërë mirë. Por, mbi të gjitha, linçimi i dy familjeve shumë të nderuara që përfaqësonte Silva, të cilat kishin vuajtur jo pak në regjimin e kaluar.

A ishte kjo histori që e bëri të famshme dhe brenda grupit të vajzave?

Nuk është e vërtetë se historia e lidhjes me djalin e Mehmet Shehut e bëri të famshme Silvën. Nuk është aspak e vërtetë. Kjo është një histori e dhimbshme, ose më mirë një krim. Një tragjedi e vërtetë që i ndodhi kësaj vajze e që u bë nga sistemi i asaj kohe. Nuk duhet ta harrojmë kurrë se ajo ishte ndërkohë një kampione, madje për disa vite rresht me Dinamon ishte pjesë e formacionit kryesor. Ishte finaliste e Europës dhe nënkampione e Ballkanit. Një yll i sportit shqiptar në volejboll. Së dyti, ishte një nxënëse fenomenale, e shkëlqyer. Së treti, ishte një vajzë simpatike dhe e sjellshme në mënyrë ekstreme. E katërta, më e rëndësishmja e që duhet të vënë në krye, ishte pinjolle e një familjeje ekstremisht qytetare, e edukuar në mënyrë superiore, e bija e një profesori shumë të nderuar. Ishte e bija e një nëne me një trung familjar të kulturuar, siç ishin Pipajt, motra e një vëllai fenomenal, vajza e një fisi ndër më të njohurit në Shqipëri. Kishte një begraund familjar e individual të shkëlqyer. Kjo histori tani duket se është e tejkaluar, por duhet ta theksoj me forcë: Silva Turdiu mbetet një kampione e madhe.

Le të kthehemi te momenti i fundit i saj te Dinamo. Lajmi i fejesës bën bujë dhe po kështu dhe zemërimi i Enver Hoxhës. Silva nuk vjen më në stërvitje. Si e morët vesh ju ngjarjen nga pozitat e një trajneri që e ka stërvitur për katër-pesë vite rresht?

Ajo ishte një dramë e tmerrshme. Pas kësaj nisën linçimet te Dinamo. Edhe vajza të tjera janë goditur për shkak të lidhjeve biografike. Bashkë me to edhe unë. Ika dhe unë nga skuadra për një periudhë trevjeçare. Pikërisht për këtë arsye, pasi u akuzova për mosreagim. Sipas tyre, duhet të kisha mbajtur qëndrim. Ishte një vijë e qëndrim politik. Ma thanë qartë: “Duhet të ikësh se ke gabuar!”. Por, ajo që ndodhi me të tjerët nuk ishte asgjë përpara asaj që i ndodhi Silvës. Me parë edhe volejbollistja Zana Bekteshi ka një histori të dhimbshme. Ajo u largua e para, pasi e çuan në internim së bashku me familjen e saj në një fshat të Beratit për shkak të babait të saj, Sadik Bekteshit, i cili u konsiderua atëherë armik i partisë. Një tjetër histori e tmerrshme më vete, i një tjetër vajze të talentuar, shkaktuar nga regjimi i shkuar, e që meriton rivlerësim të figurës së saj.

Si e përballoi Turdiu ngjarjen?

Te Silva kam parë një vajzë stoike për mënyrën se si e ka përballuar ngjarjen. E thirrën zyrtarisht drejtuesit e klubit në atë kohë dhe i thanë që “ti nuk mund të rrish më te Dinamo”. Nga pamja e jashtme, më e fortë qëndroi Silva, sesa unë që e dëgjova dhe mora vesh vendimin. U bëra keq. Si e ka përballuar jetën më vonë, dua të theksoj se me të vërtetë ishte një vajzë e një familjeje të shkëlqyer, që edhe në ditët e saj më të vështira sërish tregoi madhështinë e saj. Kjo vërteton edhe njëherë formimin e saj të jashtëzakonshëm. Kaloi një moment të tmerrshëm.

Çfarë mbani mënd ndonjë detaj nga ato ditë?

Mbaj mend një natë të ftohtë kur ia komunikuan në klub. E kam çuar deri në shtëpi. Nuk e kam thënë ndonjëherë më parë që më keq isha unë për të, ndërsa ajo përpiqej që të më jepte kurajë. Mendova se ajo ishte viktima e parë, dhe ashtu ndodhi. Nuk do të doja të isha trajner ato kohë. Dukej sikur do të mbyllej ajo histori me largimin e saj. Unë mendoja për të. Mbaj mend se gjatë rrugës për në shtëpi e përballoi me shumë dinjitet. Si një kampione e vërtetë. Edhe në plane të tjera, përveç fushës.

A patët rast ta takonit Silvën pas largimit nga Dinamo?
Po, jemi parë. Gjithsesi, në vitet e para jetët tona ndoqën rrjedha të ndryshme, pasi dhe unë u pezullova nga Dinamo. Fillova të heq të njëjtat gjëra që hoqi dhe Silva. Përveç vëllezërve dhe të afërmve të mi, filluan edhe mua të më braktisnin njerëzit. Çfarë nuk më bënin. Gjithsesi, secili gjeti rrugën dhe mënyrën e tij për ta përballuar. Më pas Silva mori rrugën e jetës së saj të re dhe kjo është një tjetër vlerë e jashtëzakonshme e edukatës së saj.

A e kishit parë ndonjëherë personalisht Skënder Shehun në Pallatin e Sportit, apo të ishte i pranishëm në ndonjë ndeshje të Dinamos?

Në fakt unë nuk e njihja personalisht, pasi ai ishte një brez pas nesh. Unë jam lindur e rritur në Tiranën e Re dhe i njihnim se kush ishin fëmijët e Mehmet Shehut. Ky nuk shquhej për tifoz, kam bindjen unë. Nuk ishte një ndjekës i rregullt në sport, të paktën në volejboll. Me sa duket ai pati simpati për vajzën.

A e kishit takuar ndonjëherë atë?

Po, kur vinte më pas në ndeshjet e volejbollit. Madje ka ardhur edhe në ndeshjet që kemi luajtur jashtë. Nuk e mbaj mend saktë, por besoj në Gjermaninë Lindore, pasi ai ishte student jashtë, në Suedi mos gaboj. Rinte gjithmonë larg. Nuk arrinim ta kuptonim se ishte fjala për atë synim. Pastaj, kur më vonë fletët u hapën dhe që tani dihet historia, arritëm ta kuptonim se ishte simpatia për Silvën që e detyronte të vinte në ndeshje.

Vjen viti 1990, rrëzohet regjimi komunist e më pas Silva shkon në Shtetet e Bashkuara. A i ruani ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me Turdiun?

Silva vjen shpesh në Shqipëri. Por jo vetëm ajo, por edhe të tjera volejbolliste të miat që kanë shkuar në vende të ndryshme, gjejnë mënyra për të takuar njëra-tjetrën. Mua më vjen mirë, pasi tregon faktin se ky grup i një niveli të lartë profesionalisht ka pasur dhe një botë shpirtërore të jashtëzakonshme, vlera të cilat shoqëruan më pas vitet e lavdishme të Dinamos, një skuadër kampione emblemë. Takohen dhe më vjen mirë kur mblidhen e më thërresin dhe mua. Shihen menjëherë vitet që kanë kaluar së bashku dhe të duket se vetëm një ditë para kanë qenë në stërvitje së bashku. Ndonjëherë thonë me shaka “do të dalim në stërvitje e do të dalim sërish kampione”. Flasin shumë për atë periudhë të lavdishme të Dinamos. E kujtojnë me nostalgji, si një nga pjesët më me vlerë të jetës së tyre.

Nga Silva e vitit 1981 te Silva e vitit 2010, çfarë ndryshimesh shihni tek ajo?

Vë re që të gjitha këto vajza kampione, e këtu fus pa dyshim edhe Silvën, i ruajnë cilësitë dhe virtytet e kampionit. Për t’u bërë një kampion sistematik me gjurmë të rënda në vite nuk mjafton vetëm pasioni, si kudo në botë dhe në çdo lloj sporti. Të qenit konsekuent në karakter, në të gjitha gjërat e tjera që shfaqen te njerëzit me karakter të fortë, këto janë cilësi të një kampioni, krahas atyre natyrore, si fizike, teknike, aftësia për të absorbuar më të përparuarën. I shoh njësoj si para 30 vjetësh. Kanë të njëjtën mënyrë të foluri. Mirësinë, komunikimin dhe respektin që tregojnë. E tillë është dhe Silva. Është po ajo. Ka ruajtur një perfomancë fizike të jashtëzakonshme. Është nga ato që thotë “duhet bërë ndonjë gjë”. Kur shoh fëmijët e saj që po rriten e po bëhen sa koha kur ishte Silva kur luante me Dinamon, shoh po atë vajzë të brishtë, po atë vajzë simpatike. Koha e seleksionoi si një kampione të vërtetë.

Dinamo e volejbollit të femrave është një nga monumentet e sportit shqiptar, sidomos në arenën ndërkombëtare. Ndoshta, profesor, jeni pyetur shpesh dhe i jeni përgjigjur pyetjes se çfarë përfaqëson Dinamo…

Më vjen mirë që edhe pas 20-25 vjetësh bëhet e njëjta pyetje. Madje ma kanë bërë edhe gazetarë të rinj 20-vjeçarë, kur ai nuk kishte lindur kur Dinamo trondiste Europën. Me pak fjalë: Dinamo dhe Kombëtarja e volejbollit janë një gjurmë e rëndë kombëtare në sportin shqiptar, që transmetohet dhe nuk oksidohet nga vitet. Më duhet të gjej një shprehje të re për ta përcaktuar. Është e pandryshkur. Dinamo ka dalë jashtë përmasave të një ekipi klubi. Pjesa pas kuintave është një Dinamo magjike.

Si lindi Dinamo?
Lindi si një ide e një burri të mençur, Skënder Vilës, asokohe drejtor në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, nga viti 1966, kur nuk ekzistonte Dinamo. Unë kam qenë mësuesi i edukimit fizik. Isha edhe volejbollist në atë kohë me Dinamon, me trajner Vangjel Kojën, ku kishim edhe impenjimet tona, përfshirë pjesëmarrjet në kompeticionet ndërkombëtare. Disa vajza të Shkollës Pedagogjike dhe të Gjuhëve të Huaja morën pjesë në aktivitetet e shkollave të mesme të Tiranës. Më pas s’u promovua në kategorinë e parë me të rejat. Kanë qenë emra të tillë si Sejfulla Shtëpani, Teodor Koci, i plejadës së Petrit Murzakut, që kanë drejtuar fillimisht skuadrën. Gjurmën zyrtare ia vendosi mjeshtri Harun Dojaka, i cili tentoi në kategorinë e dytë, më pas e futi në të Parën.

Kur e morët ju drejtimin e skuadrës?
Unë e mora skuadrën në vitin 1972. Ishte në vendin e shtatë të kampionatit të kaluar dhe brenda vitit të parë doli e treta në kampionat dhe në Kupën e Republikës. Në vitin 1974 dolëm kampionë dhe fituam Kupën. Atëherë kapitene e skuadrës ishte Donika Muka, ndërsa si lojtare, midis të tjerash, kanë qenë Eva Kavaja, Semiha Sulejmani, Fatmira Dreni, Brikena Çabej, Zana Bekteshi. Ela Tase ka ardhur nga të rejat në vitin 1974 dhe, ende 15 vjeç, u integrua në skuadrën kampione. Mimoza Ibrahimi erdhi një vit më pas, por kur ishte 15 vjeçe. E më pas erdhën edhe Silva Turdiu, Fatmira Podgorica, Zana Karagjozi, Emona Gripshi. Më pas erdhi Lulëzime Duka, Agi Babuli, Jorgjeta Qirici, Darina Nishku e deri te brezi i Alketa Doçit. Janë emra të pafund. Me qindra, të cilat gjej rastin t’i përshëndes, t’i falënderoj e t’u kërkoj ndjesë që në këtë rast nuk po ua rreshtoj emrat. E meqë jemi te respekti e të falënderimi, më lejo që, pse jo, në emër të të gjitha këtyre vajzave, të shpreh mirënjohjen për mijëra e mijëra njerëz që na kanë ndjekur e respektuar për dy dekada rresht mbarë Shqipërisë, madje shumë shpesh na kanë duartrokitur kur fitonim me skuadrat e zemrës së tyre në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Atëherë ç’është Dinamo?
Sa herë që synoj të jap një përgjigje me pak fjalë se ç’është Dinamo, më duket shumë e vështirë për ta shtjelluar historinë e gjatë të saj, kontributin e dhjetëra e dhjetëra sportisteve që kanë veshur fanellën e saj brenda dy dekadash, pavarësisht se kur flitet për profesioniste rrudhet lista, sidomos të atyre që i dhanë suksese në arenën ndërkombëtare. Dinamo për mua është një çudi, që as vetë nuk arrij ta shpjegoj rritjen jashtëzakonisht të shpejtë të saj në cilësi, të shoqëruar këto me medalje.

Çfarë kujtoni si një moment kulmor?

Një moment që ka kaluar krejtësisht në hije në ato vite, një ndeshje që ishte kupa e parë Europës ku merrte pjesë Dinamo, në vitin 1976, tre vjet pasi kishim dalë kampion. Shorti i Kupës na vuri përballë me një ekip austriak, por për arsye se ai nuk erdhi në Shqipëri, pasi donte t’i luante të dyja takimet në vendin e tij, atëherë Dinamo kaloi në raundin tjetër. Në turin e dytë na ra të luanim me kampionen e Çekosllovakisë së asaj kohe, Sllavia e Bratislavës, e cila një vit më parë ishte në finalet e Europës. Mjafton të tregoj këtë histori të vogël, të pathënë ndoshta, për të kuptuar se çfarë ishte Dinamo.

Për çfarë arsye e thoni këtë?

Jemi grumbulluar për dy muaj në dhoma tmerrësisht të ftohta te shkallët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, atje ku sot ndodhen zyrat e federatave të shumësportëshit. Kaloriferët e asaj kohe ngroheshin me një kaldajë me qymyr, të cilat një sekondë po të ftoheshin, vajzat do të ngrinin së ftohti se ishte dimër. Dy muaj grumbullimi, unë me kolegun tim, Ilir Cirinaku, i cili më ka shoqëruar në pjesën më të madhe të kulmeve të Dinamos, na duhej të zgjoheshim nga një orë me zile gjatë gjithë natës për ta furnizuar me qymyr. Kanë qenë kohë të vështira, por që do të mbahen mend gjithmonë.

Përse?

Vajzat çoheshin në orën gjashtë të mëngjesit, atëherë kur nuk ishte gdhirë akoma, e në mes të të ftohtit bënin vrapime te Liqeni Artificial i Tiranës. Bënin gati pesë orë stërvitje. Kur kanë luajtur pas dy muajsh në Bratislavë, vajzat ishin shndërruar në makina lufte. Fituam 3-1 kundër një prej ekipeve më të mira të Europës në volejboll, edhe pse ishin pa eksperiencë ndërkombëtare. Në ndeshjen e kthimit kemi humbur, po 3-1, me një pikë të vetme, 111-110, dhe e kam pranuar publikisht se e kam humbur unë, jo vajzat. Po të kishim fituar shkonim në finalen e parë të Europës. Dy vite më vonë luajtëm finalen e parë të Europës, një ngjarje e madhe për volejbollin shqiptar. Vajzat kishin një patriotizëm të madh për vendin. Arrij në konkluzion se ishte një sfidë që buronte në mënyrë instiktive, besoj.

Si u krijua miti i Dinamos?

Dinamo ka fituar shumë, aq shumë sa që me gishta e dorës mund të numërohen humbjet brenda dhe jashtë Shqipërisë, në qindra ndeshje, ashtu si Partizani në basketboll për meshkuj, Tirana në basketboll për femra, apo Dinamo në volejboll për meshkuj. Dinamo ishte një ekip i madh, pasi ruajti gjatë boshtin e formacionit bazë. Dinamo arriti në perfeksion natyrshëm. Kishte një Ela Tase të pamëshirshme në lojë, e shpallur disa herë më e mira e Ballkanit. Kishte një organizatore të shkëlqyer si Mimoza Ibrahimi, e cila disa herë u shpall pasuesja më e mirë e Ballkanit. Që të dyja këto vazhduan shumë gjatë, rreth 20 vjet pa ndërprerje. E kjo është një luks për të arritur nivelin e lartë të një skuadre në kuptimin e mirëfilltë profesional të fjalës. Të dyja u pasuan në vitet e fundit, nga një kampione si Alketa Doçi, edhe kjo e cilësuar disa herë si lojtarja më e mirë e Ballkanit. Të njëjtat vlera në vite kanë edhe Agi Babuli e Lulëzime Duka. Për më tepër që kishte një dorë drejtuesi. Janë të njëjtët protagonistë për shumë e shumë vite. Në rast se lojtarët janë të një brezi, të talentuar e të devotshme, dhe kanë një dorë drejtuese nga ana teknike, plotësohen kushtet për të arritur në nivele të larta. E Dinamo i pati ato. Kur ato largohen bashkërisht në të njëjtën kohë, krijojnë vështirësinë e përsëritje së rezultateve të larta. Kjo gjë ndodhi me Dinamon në shpërbërjet e pashmangshme të ndryshimeve politike.

Zoti Tartari, pas Dinamos, në vitin 1991 shkuat në Itali për të punuar si trajner i Palermos. Keni pasur oferta të tjera?

Kanë qenë të shumta, madje shumë intriguese nga pikëpamja e nivelit të skuadrave në disa vende të Europës, aje ku shkonim të luanim dhe fitonim. Ka pasur gjithmonë oferta për mua dhe për një pjese të lojtarëve si Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Agi Babuli, Lulzime Duka, e më vonë Alketa Doçi. Më duhet të ikja në Itali në vitin 1990, madje duhej të ikja edhe më herët.

Përse thoni më herët?

Por unë duhet të ikja edhe për një arsye familjare të fortë, që lidhej me jetën e vajzës sime të madhe, e cila kishte nevojë për para për një ndërhyrje kirurgjikale, e cila ishte programuar. Më duhet ta bëja këtë me çdo kosto. Doja ta mbaroja këtë mision dhe të kthehesha, pasi më dukej e pamundur të rija jashtë Shqipërisë. Nuk u nisa për të ikur përfundimisht.

Kush ua bëri ofertën?
Në fakt, ishin drejtuesit e Palermos ata që ma kishin bërë ofertën edhe para vitit 1990. Drejtori sportiv i klubit quhej Armando Sabato dhe kishte një post hierarkik në drejtimin e volejbollit të femrave të Italisë. Më merrte rregullisht para viteve ’90, madje kisha nisur të kisha dhe frikë pasi fliste gjithmonë për kontrata e për para. I kisha premtuar se nëse do të drejtoja një skuadër jashtë shtetit do të vija pikërisht atje. Në fakt, atje fillova të joshesha edhe nga pikëpamja financiare. Edhe pse Ankona, një ekip më i mirë më bëri një ofertë, vendosa për Palermon.

Çfarë projekti ju ofruan?

Në horizont ata kishin plan të më jepnin Kombëtaren e të rejave të Italisë, me bindjen që unë do të rija në Itali dhe do të hyja në kanalet e natyralizimit si italian. Ishte me të vërtetë një projekt ambicioz. Po kështu ishte dhe një ofertë e kënaqshme financiare që vinte nga Greqia, ku do të më dorëzonin komplet volejbollin e tyre. Do të isha numri një i federatës greke. Gjithsesi, vendosa për Italinë, edhe për problemet që kisha me vajzën, por edhe për shkak të gjuhës italiane.

Palermo në përfytyrimin e parë të vjen ndërmend si një qytet i mafies. A patët frikë të jetonit në atë qytet?

Është naivitet ta mendosh këtë. Është një qytet shumë i gjallë dhe i zhurmshëm. Aty afër ndodhet Korleono, ku kanë lindur mafiozë si Toto Rina, por palermitanët edhe sot e kësaj dite mendoj se janë si shqiptarët, të dashur, të thjeshtë. Ka peshë fjala e burrit. Ushqime të mira, ambient i mirë. Te Palermo kisha çdo gjë, por me mungonte gjithçka. Atje kisha tifozët e mi, por më mungonte nga ana tjetër Shqipëria, miqtë e mi. Ruaj kujtime të mira, përveç faktit se nga ana sportive ishte një dështim i imi, pasi skuadra nuk i arriti objektivat.

Si ishte e mundur?
Skuadra nuk u bë siç e kisha projektuar unë. Erdhi vetëm Mimoza Ibrahimin. Edhe ajo vuajti atje. Nuk isha i mësuar të më fusnin hundët në punët e mia, por u grinda edhe me sponsorin, më atë që jepte paratë dhe mbante skuadrën, e jepte një shifër gati sa buxheti i qeverisë shqiptare për sportin në vitin 1997, dhe kjo për një skuadër që nuk ishte në nivelin e lartë. Ai u bë sebep që dhe unë u largova andej. Gjithsesi, mora një leksion të mirë. E vura vath në vesh, se nuk do të grindesha kurrë me njerëzit që jepnin paratë. Të isha më tolerant, më i komunikueshëm.

Dy vjet te Palermo, për të kaluar më pas te San Marino, ku kaluat jo pak, por pesë vjet…

San Marino është një perlë nga pikëpamja turistike, me ato kështjella fantastike. Një vend i vogël, por nga më të pasurit në botë, ku venë nga e gjithë bota. Gjithsesi, ishin pak të ftohtë dhe individualistë. Një shtet ku nuk futet as miza, edhe pse kanë vetëm një derë simbolike në hyrje të San Marinos.
San Marino është eksperienca e dytë si trajner i një ekipi të huaj, madje dhe arritët të fitonit titullin e kampionit europian. San Marino e të vërtetë kam punuar shumë dhe jam ndier jashtëzakonisht i kënaqur. Drejtoja si ekipin e femrave, ashtu dhe të meshkujve dhe madje u shpalla edhe kampion me Kombëtaren e meshkujve të San Marinos në Kampionatin Europian të vendeve të vogla, me një popullsi nën një milion banorë. Janë 12 shtete të vogla në Europë. Gjithsesi, flitet për një kampionat Europian. Me San Marinon kam dalë kampion i Europës me ekipin e meshkujve dhe nënkampion i Europës me ekipin e femrave. Është interesante se kjo është e vetmja eksperiencë e imja si trajner i një ekipi meshkujsh, pasi gjithë jetën time kam punuar me femrat.

—***—
Skeda
Kreshnik Tartari
Datëlindja: 21 korrik 1943

Titujt: Mjeshtër i Merituar i Sportit, Trajneri i Merituar, Nderi i Sportit Shqiptar, dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”, klasi I, II, III.

Trajner i Kategorisë I në Itali

Trajner i Kategorisë Ndërkombëtare, dhënë nga Akademia Ndërkombëtare e Volejbollit

1958-1972, volejbollist me Dinamon dhe ekipin Kombëtar

1972-1990, trajner me ekipin e femrave të Dinamos dhe ekipit Kombëtar

1991-1992, trajner me ekipin e femrave të Palermos, Itali
1992-1997, trajner i ekipeve për meshkuj e femra të San Marinos dhe i Kombëtares së këtij vendi
1997-2001, zëvendësministër përgjegjës për sportet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve
2002-2006, trajner i ekipit “Aulona”
2006 e në vazhdim, trajner i ekipit të femrave të Universitetit “Marin Barleti”, UMB

– 26 herë kampion kombëtar si volejbollist e trajner
– 18 herë fitues i Kupës së Republikës, si lojtar e trajner
– 17 herë pjesëmarrës në edicionet e kupave të Europës si lojtar e trajner, nga të cilat 4 herë si finalist, 1 herë si lojtar, 3 herë si trajner
– disa herë kampion i Ballkanit, nënkampion e vendi i tretë në gadishull
– Medalje ari në Lojërat Mesdhetare

—****—-

Rikthimi i hidhur te Dinamo

Nga viti 1997 e deri në vitin 2001, Kreshnik Tartari punoi si zëvendësministër përgjegjës për Sportin brenda strukturës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve. Pas zhveshjes së kostumit të zyrtarit veshi sërish tutat e trajnerit për të drejtuar edhe një herë tjetër Dinamon: “E gjeta në Kategorinë e Dytë. E futa më pas në të Parën, dolëm sërish kampion dhe morëm pjesë edhe në kupat e Europës, dhe nuk dolëm keq. Kishte vërtet vajza të talentuara, dhe jo vetëm te Dinamo, por dhe në rang kombëtar, siç ka edhe ende sot. Gjë që vërteton faktin e pakontestueshëm që Shqipëria prodhon kampione volejbolli. Më pas erdhi shkrirja e skuadrës, që nuk lidhet vetëm me volejbollin e femrave, por me mangësinë e trishtueshme dhe unikale shqiptare të mungesës të një vizioni politik, e për pasojë shtetëror në drejtim të sportit në këto 20 vjet”.

—***—
50 vjet në rrjetën e volejbollit

Kreshnik Tartari ka më shumë se 50 vjet i lidhur me rrjetën e volejbollit. Duke filluar qysh kur ishte sportist në vitin 1958, nën urdhrat e një tjetër trajneri të madh, Vangjel Kojës, Xhelës së famshëm të Dinamos së meshkujve. Por, kur e pyet nëse e ka ndjerë veten ndonjëherë të lodhur, të thotë: “Boll! Mjaft më! Nuk ia dal dot të jem Kreshniku i dikurshëm”.
“Shpeshherë ia bëj dhe vetes këtë pyetje, – thotë profesori, – nuk dua të llogaris ndeshjet që kam drejtuar në Shqipëri me Dinamon, Kombëtaren apo me skuadrën e Universitetit ‘Marin Barleti’, pasi janë me të vërtetë shumë. Dua të përmend vetëm një fakt. Mund të jenë mbi 400 ndeshje ndërkombëtare dhe mbi 2000 ndeshje si trajner. E kur kujtoj këto, ndonjëherë i them vetes se ka ardhur koha t’i japë fund. Është diçka normale, por sërish gjej forca, edhe pse kam kaluar moshën biologjike të pensionit. Shumë miq të mi përfshihen në këtë lloj dileme: akoma synon të vazhdosh si trajner? Kur shkoj në stërvitje dhe shoh që vajzat më duan, më pranojnë me të mirat dhe të këqijat e mia, që kërkoj të përsëris sërish podiume e suksese, e testoj këtë, atëherë e kam vështirë të ndahem. Nuk e di as unë kur do të largohem nga volejboll i luajtur. Ajo që unë e konsideroj ‘fatkeqësi’, është fakti se ndihem më i aftë edhe se atëherë kur fitoja tituj me Dinamon, pavarësisht se pjesë në atë sukses kanë dhe vajzat. Kur sukseset përsëriten me vajza të tjera, në kohë të tjera, atëherë e ndiej se kam edhe unë pjesë në suksesin e skuadrës. Instinktivisht e pranoj se jam më mirë se atëherë, mbase gaboj”.

—***—

“Më ktheu batuta e Fatos Nanos”

“Po, është e vërtetë, ia di për nder kryeministrit Fatos Nano që në vitin 1997 u riktheva në Shqipëri, në shtëpinë time, pas gati gjashtë-shtatë vitesh në Itali, pasi mund të ngelja përfundimisht larg saj. Ishte një telefonatë e rastësishme me të, kur ai ishte në Romë, më 31 korrik të vitit 1997, në një konferencë ndërkombëtare. Kisha njohje me ambasadorin shqiptar në Itali, Dhimitër Pasko, kur pas një telefonate më të ai më kaloi në anën tjetër të linjës, Nanon. ‘Akoma do të rrish në shtetin më të madh të Europës pa thënë as mirëmbrëma’, -lëshoi batutën e tij alla ‘Nano’, duke iu referuar San Marinos. E kuptova mesazhin e tij dhe u ktheva. Më pas fillova punë zëvendësministër me ish-nxënësen time të Gjuhëve të Huaja, Arta Daden. Në fakt, më parë kisha refuzuar një ofertë të ish-ministrit Dhimitër Anagnosti në vitin 1991 dhe më erdhi keq, por e kisha krejtësisht të pamundur për arsye familjare. Dua ta theksoj se Nano nuk ka ndërhyrë kurrë në punën time, po ashtu dhe zonja Dade. Por si Nano, ashtu dhe të tjerët në të gjitha qeveritë e 20 viteve të fundit, nuk arritën të servirnin një politikë prioritare të rimëkëmbjes së sportit shqiptar”.

—***—

“Dështimet e mia”

“E kam thënë shpesh se kam humbur katër vite nga jeta ime kur pranova të punoja si zëvendësministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve, pavarësisht se punova me përkushtim”, – thotë Tartari. “Dështova në dy objektivat e mia më të mëdha: privatizimin e sportit dhe ndarjen e sportit si institucion më vete”.

—***—

Kelly, një amerikane në duart e Kreshnikut

Ndërsa shumë “vajza” të “përpunuara” nga duart e Kreshnik Tartarit jetojnë e luajnë jashtë, një amerikane ka fatin të jetë nën urdhrat e mjeshtrit të palodhur 67-vjeçar e të luajë për skuadrën e volejbollit të Universitet “Marin Barleti”, UMB. “Quhet Kelly Gos, është 23 vjeçe dhe punon edhe si asistente pedagoge në universitet, – thotë Tartari, i cili ndodhet në vitin e tretë të punës si trajner me këtë skuadër. “Në fakt, jam duke zhvilluar një projekt amerikan te “Marin Barleti”, duke krijuar e stërvitur një skuadër universitare. Tipike amerikane për nga organizimi. Kur erdhi te unë mendova se do të ishte ndonjë volejbolliste e rëndomtë. Mendova fillimisht se më duhej t’i bëja një privilegj, por rezulton se është një kampione e madhe, e që vjen nga një vend si SHBA-ja, që ndoshta ka me qindra mijëra më të mira se kjo. Po ta marrësh sot dhe ta transferosh te Dinamo e viteve e 1981 do të kishte hyrë në formacion. Është nga më të talentuarat që luajnë këtë vit në kampionatin shqiptar, për me tepër që këtë edicion është e vetmja e huaj në Shqipëri”.

—***—

Kolos i trajningut

Tartari konsiderohet një kolos i trajningut të volejbollit shqiptar. Por sa e ngacmon mjeshtrin ky përcaktim? “Shqiptarët janë të lindur për të luajtur volejboll, por edhe për sporte të tjera. Është sporti absolut me skuadra, që ka fituar më shumë trofe. Faktet janë kokëforta. Shqiptarët gjithmonë të masin me sukseset që ke arritur. Letra “këndon” është një shprehje e vjetër. Për hir të së vërtetës ajo punë që kam bërë është shoqëruar me suksese të forta. Ka shumë. Nuk do të mund t’ia falja vetes të thosha se unë jam i pari”

—-***—

Pengu i madh

Me një karrierë të jashtëzakonshme si trajner e një jetë të lidhur me sportin, Kreshnik Tartari ka disa pengje e merake të mëdha. “Lidhen me meraket e të gjithë njerëzve të sportit. Të atyre që e duan më të vërtetë atë. Që kanë shkelur në shtigjet e kampionit dhe janë akoma gjallë. Nuk ka rëndësi se të kujt sporti. Pengu im është ky: si është e mundur që sporti shqiptar gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë nuk po hyn në shina? Sporti, një tren, që mund të jetë me avull, dhe jo elektrik e i shpejtësive të mëdha, duhet të hyjë në shina, pasi jashtë tyre do të thotë se kurrë nuk do të kesh të ardhme në sport. Asnjë qeveri nuk po mundohet të ndërtojë trasenë ku do të duhet të eci treni i sportit. Vetëm politika e mirë e shpëton sportin. Shqiptarët e duan atë. Duan të jenë kampionë. Sa më i varfër të jetë një shtet, aq më shumë duhet të mendojë për sportin”.

—***—

Pikantet e Tartarit

“Trajneri nuk ka moshë”

“Shohim trajnerë të suksesshëm të rinj si Hoze Murinjo i Interit në Itali, por edhe kolosë të tillë si Sër Aleks Fergusoni te Mançester Junaitid në Angli, i cili është gati dyfishi i moshës së Murinjos”

Mësuesi, kundërshtari im

“Si mund të tërhiqem unë, kur akoma në terren është ai që më mësoi mua volejbollin, trajneri Vangjel Koja. Ai aktualisht trajnon Tiranën, por nëse në fushë jemi kundërshtarë, jashtë saj jemi shumë miq”

Një libër kujtimesh

“Shumë miq më thonë shpesh, që të shkruaj një libër për Dinamon, për ekipin Kombëtar, ku ka me qindra detaje të panjohura, por gjithmonë u them se ende ka kohë për ta shkruar atë. Por është një gjynah i imi, që nuk po e bëj. Por kjo se më duket se sikur jam ende ai që kam qenë. Ende është herët. Jam mësuar të fitoj podiume, trofe. Sporti më ka bllokuar mendjen, zemrën”

Alarmi, mungojnë sheshet

Tartari shtron edhe një problem, që sipas tij është urgjent: “Fëmijët në Shqipëri nuk kanë ku luajnë. Nuk është puna e volejbollit të Dinamos apo klubeve të tjera. Mungojnë sheshet e lojës, ku fëmijët të sociolizohen. Është një dëm i madh. Është gati një krim për brezat e ardhshëm. Dobia më e madhe e sportit është edukimi përmes rregullave të lojës. Pse jo, që t’i duhen më vonë kur të rriten për të zbatuar ligjet, që siç po duket deri më sot është nëj nga defektet e shqiptarëve e veçanërisht të poltikës shqiptare në ndryshim nga të gjitha vendet e tjera ku ne duhet të integrohemi, përveç më emblematikes “mëndja e shëndoshë, në trup të shëndoshë” .

—***—
Botuar në gazetën “Albania”, më 1 shkurt 2010

Please follow and like us: