Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: Thonë se kishe vështrim të ëmbël, Havzi!

Libri yt, ‘Shtatë fletore’, vepra e plotë me 5548 vargje, u botua. E botova unë. Jam shumë krenar dhe mburrem deri në qiell për këtë gjë. Ma sponsorizoi Flamuri, Flamur Hoxha me dashuri dhe nuk më la të endesha e të kërkoja financues të tjerë tjetërkund. Më shpëtoi nga sikleti dhe nga kandidatë sponsorët që shpesh ta cenojnë dinjitetin. Pra nuk kërkova sponsorë për librin tënd në fisin tënd apo në njerëzit e tu të cilët kanë fituar shumë të drejta e privilegje në emrin tënd, kanë përfituar azile e strehë si të afërm të tu nëpër botë dhe kanë treguar gadishmëri të kontribuojnë për lartësimin e figurës tënde.
Havzi, 28 vjet i kanë zhubravite fletoret e tua lloj lloj malukati dhe nuk i kanë lexuar, nuk i kanë prezantuar, nuk i kanë publikuar, nuk kanë treguar se sa shumë i ke kënduar Kosovës, protestave dhe lirisë së saj, se sa shumë i ke kënduar atdheut, qyteteve, zonave të hapsirës shqiptare.
Libri yt Havzi ishte pesha më e rëndë e panairit të 21 të librit në Tiranë ani se nuk u vu në peshoren e shtetit, por ndjehej në ajër se është libri më serioz i botuar këtë vit.
Figurat letrare të vendit e ndjenë dhe pohuan këtë që po të them.
Ata që i kanë mbllacitë dhe zhubravitë fletoret e tua dhe nuk i kanë botuar 28 vjet rrinë si dhelpra para rrushit dhe llomotisin si llomotitën për bustin, jo i madh, jo i vogël, jo bust në këmbë me fletore në dorë, jo bust në bythë…
Rrinë dhe përfolin revistën speciale 14 që u botua kushtuar ty dhe shkrimtarëve martirë. Përfolin librin ‘Shkrimtarët për Havzi Nelën – shpirti i lirë i Lumës’.
Ndonjë nga mutpronarët e tu që të ka mbllacitë 28 vjet si cimcakëz në gojë dhe ndonjë regjizor apo artist vatre kulture të kooperativave thonë tani se Rexhepi ka ftuar në veprimtari për Havziun komunistë, shkrimtarë komunistë, spiunë e bashkëpunëtorë sigurimi. Dhe thonë plot vuajtje e përgjërime, si të xhelatit që vajton viktimën, se ata nuk janë kundër askujt, ata nuk kanë kundërshtime me askënd, por Rexhepi duhet të pyeste Havziun, a është dakort Havziu që të ftoheshin ata në veprimtaritë për Havziun, në vendosjen e bustit të Havziut, në sesionin përkujtimor të shkrimtarëve për Havziun dhe në inagurimin e shtëpisë së Havziut që ia ndërtoi Bashkia e Kukësit në fshatin e lindjes Kollovoz. Duhet të pyeste Havziun a të botoheshin në revistën 14 dhe në librin ‘Shkrimtarët për Havziun’, fjalët e shkrimet e tyre të mbajtura në pallatin e kulturës në Kukës në sesionin përkujtimor për Havziun më 12 qershor 2018 nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Kukës Bashkim Shehu.
Se ata mutpronarët e tu Havzi dhe regjisorët apo artistët e vatrave të kulturës vuajnë se Rexhepi ka lënduar Havziun. Nuk thonë se janë lënduar se Rexhepi ua hoqi Havziun nga goja, ku e lëpinin, ua hoqi nga kthetrat ku e mbanin prej 25 vitesh dhe e shalonin sa herë të donin.
Pra komunistët e rinj që shiten demokratë aq sa gomari shitet për kalë, bijtë e komunistëve që rrinin e ruanin brigjeve të arave kush kooperativist po vidhte ndonjë misër, apo cila grua kooperativiste vidhte ndonjë kokërr fasule, komunistët që vinin nga fshati në punë në qytet si shpërblim për nderet që ia bënin partisë a sigurimit, rrinë e thonë tani se Rexhepi ka ftuar komunistë dhe duhet të kishte pyetur Havziun.
Kjo puna e komunistëve pa komunistë po ma shpif gjithë këto kohë, gjithë këto vite, ma ka shpifë që në fillimet e demokracisë, ma kanë shpifë ca spiunë e bij spiunash që thonë e nuk bëjnë asgjë, që shajnë dhe nuk dinë kur është boll, që urrejnë dhe u duket gomari i urrejtjes si kalë shale a si aeroplan. Rrinë e llomotisin fjalë dashurie për ty si të ishte kjo gjë provë devocioni për lirinë dhe kontribut për kombin. Por nga inati e marazi nuk të erdhën asnjëherë të busti, as të shtëpia që ta ndërtoi Bashkia, me iniciativë të kryetarit Bashkim Shehu. Edhe qentë e pazarit i promovojnë me fotografi nëpër rrjetë sociale por punët që u bënë në 30 vjetorin tënd për ty Havzi nuk i përmendin as promovojnë duke treguar se kanë qenë kundër dhe nuk kane dashtë të bëhen punë të bukura për ty si busti yt, shtëpia jote, që ti bëri Bashkia apo tre librat që t’i sponsorizoi Flamuri. Kanë dashtë të mos bëhet gjë për ty por veç të flitet duke thënë si 25 vjet, por nuk po bëhet gjë për Havzi Nelen.
Disa të burgosur e të përndjekur mendojnë se demokracia është pronë e tyrja, atribut i tyre, vlerë dhe virtyt vetëm i tyre dhe vetëm ata kanë të drejta dhe gjithë të tjerët tani duhet të bien në gjunjë para tyre. Disa të burgosur e të përndjekur mendojnë e duhet ta kenë gjithë pushtetet ata vetë, të jenë drejtues të gjithë pushteteve. E mendojnë demokracinë si ndërrim portash, dje komunistët sot të burgosurit a të përndjekurit.
120 mijë komunistë ka patur vendi Havzi gjatë diktaturës. Nëse do të llomotitet e mbllacitet gjithë kohën komunistët, komunistët nga të burgosur apo të përndjekur, vetëm do të vazhdohet të mbillet ndarje, urrejtje, do të vazhdohet luftë klasash me fjalë edhe 3 dekada pas shembjes së komunizmit e diktaturës. 120 mijë komunistë anëtarë partie janë shumë për një vend të vogël si yni. Janë 120 mijë familje që nuk e durojnë urrejtjen pasi kanë qenë komuniste, anëtarë partie por nuk kanë qenë Envera as Ramiza, as Marksa as Engelsa as Lenina as Stalina, por njerëz të thjeshtë mjelsa lopësh e punëtorë kooperative, punëtorë galerie, që nuk e dinë asnjëherë c’ishte manifesti. Të derdhësh urrejtje ndaj këtyre njerëzve vetëm pse kanë qenë në listë anëtarë partie është krim dhe ngjall instiktivisht kundërshti nëse i përbuz dhe i etiketon. Duhet pastaj të presësh reagimin e komunistëve anëtarëve të partisë kundër të burgosurve e të përndjekurve që thonë se 20 përqind janë fisnikë aristokratë, meritorë, 50 përqind të të burgosurve janë ordinerë, banalë, spiunë që kanë vjedhë, kanë përdhunuar, kanë bërë inceste, ndërsa 30 përqind janë komunistë që duan të mos zemërohet partia me to. Ato durojnë cdo dënim të partisë vec të mos u prishet biografia dhe këto bëhen pastaj më të sertë si mbrojtës të komunizmës, bëhen qortues të demokratikes.
Unë Havzi e kam menduar demokracinë si kohë pa urrjetje e jo luftë klanesh e luftë për pushtet. Unë nuk kam menduar se të përndjekurit politikë rehatohen nëse shkojnë e zënë zyrën e Enver Hoxhës.
Disa të përndjekur politikë urrejnë kaq verbërisht sa të kujtojnë urrejtjen e komunsitëve kundër klasave të përmbysura në 1945.
Thonë të të kisha pyetur ty Havzi.
Po, u them, e kam pyetur Havziun dhe ai më ka thënë se ka patur konflikt dhe kundërshtar Enver Hoxhën e Ramiz Alinë e asnjë morr, apo lepur, ai nuk ka patur kundërshtar rojet e kollomoqit apo polakin e katundit. Havziu e ka patur luftën me sistemin e jo me individët, e ka patur me drejtuesit më të lartë të shtetit e jo me brigadierët e koperativës apo punonjësit e paemër të komitetit ekzekutiv që janë rritë hijeve të budrumeve dhe kanë mbetë anonimë gjithë jetën dhe bijtë e tyre duan të marrin hak për anonimatin e etërve.
E kam pyetur Havziun dhe ai tani është si zoti, është lart dhe nuk ia mbërrin bolet me krye as më i miri e më i larti njeri, asnjë pronar i tij, pasi Havziu është shumë lart, është te zoti.
Havziu nuk urren, nuk ka urrye, ai gjithmonë ka qeshë me vogëlsitë e të vegjëlve.
Havzi dolën gjithë këto fjalë. Unë e kam mbyllë librin tim ‘Bisedë me Havzi Nelën’, por ja që nuk më lënë këto monstrat llomotitëse që ta mbyll kapakun e fundit.
Po të tregoja se libri yt ‘Shtatë Fletore’ ka dale i mrekullueshem. Botim luks, cilësor, shterrues, me leter speciale. 5548 vargjet e tua janë aty edhe të shkruara në kompjutër edhe të skanuara të shatë fletoret.
Ata që nuk i kanë lexuar kurrë edhe pse i kanë mbajtë fletoret e tua sirtareve të harrimit, thonë sot me zë e pa zë a thua kur i shkroi, si i shkroi Havziu. A para burgut a pas burgut
Harrojnë se pas burgut ti hype në litar. Po të lexojnë fletoret e tua e mësojnë se si e qysh i shkrove, si i nxore e kur i nxore fletoret.
Havzi, e liga nuk ka masë, peshë, mëshirë. E liga nuk ka limite. Shpirti i zi është i zi dhe e zeza e zezë që zezon. Skutave të errëta të klubeve pa nevojtore dridhen tavolina nga brryla e duar që dridhen prej urrejtjes dhe kefet nuk mbërrijnë në gojët e krejnave që dridhen prej zemërimit. Më vjen keq se një ditë do ta shohin veten në pasqyrë a në syte e femijeve dhe do ta pështyjnë veten. Më vjen keq që shtiren dhe ngërdheshen kur më shohin udhëve duke dashtë të buzeqeshin me dhëmbë të bardhë kaucuku.
Në panair kur prezantova librin tënd ‘Shtatë fletore’, isha shumë origjinal Havzi. E di këtë dhe e them për t’ua plasë zemrën atyre që nuk janë dakort dhe që nuk gëzohen. Pati shumë miq që erdhën enkas nga larg për librin tënd. Ishte befasuese dhe shumë emocionuese kjo gjë.
Unë thirra vëllain tënd Shukri Nelën që t’ia jepja librin në panair dhe thirra edhe sponsorin Flamur Hoxhën. Prezantimi i librit u bë në stendën e Shtëpisë Botuese ‘Klubi i Poezise’. U ulën pranë e pranë vëllai yt Shukriu dhe Flamuri me librin tënd në dorë. Nje fotografi historike. Do ta shohësh në libër, foto e rrallë.
Havzi unë u emocionova shumë që më në fund ti shkove para lexuesit i plotë, jo i filtruar, jo i qethur as i rruar. Ti do ta mrekullosh lexuesin me 5548 vargjet e tua të shkruara në burg. 6 fletoret i ke shkruar në burg dhe i ke nxjerrë nga burgu i Qaf Barit në vitin 1983, ia ke dhënë Shukriut. E ka parë këtë veprim një bashkëfshatar i yti që ka qenë me Shukriun por ai nuk ka folë, nuk ka treguar cfarë ka parë.
Havzi, shumë personalitete erdhën të merrnin librin tënd. Shumicës ua dhurova, disa e blenë. Unë do tua dhuroj librin gjithë shkrimtarëve që ishin në Kukës dhe shkruan për ty, duke menduar se po ua dhuron ti, duke menduar se edhe ti do të gëzoheshe si unë e do të bëje si unë. Edhe atyre që nuk besonin në veprën tënde, edhe atyre që mendonin se është shterrue vepra jote. Do t;i kesh në libër fotot e të gjithëve me librin tënd në dorë.
Nuk i numëroj dot të gjithë që erdhën për të marrë librin tënd, por i pari që erdhi pothuaj me vrap është Ahmet Prenci, Ahmet, poet nga Dibra që ka bërë ese për ty. Pastaj Lazër Stani i nisur enkas për librin tënd, mbërriti te stenda dhe u mrekullua me librin.
Mehmet Elezi erdhi në stendën time për ty Havzi, për librin tënd dhe është ndër njerëzit më falenderues për librin tënd, të cmon si rrallë njeri tjetër për qëndresën tënde në kohën kur nuk kishte kollaj qëndrestarë. Xhevahir Spahiu don të flasë dhe me mënyrën e vet me thotë qindra lavdërime kur sheh librin tënd ‘Shtate Fletore’, vepra e plotë me 5548 vargje.
Ishte shumë emocionues casti kur shkrimtari Namik Dokle erdhi te stenda ime dhe tha kam ardhë për Havziun. Mori edhe Promemorien e Muharrem Bajraktarit, një libër i zhagmitur nga të gjithë e i pabotuar kurrë si puna e fletoreve të tua që i kanë llomocitë shumë e nuk i ka botuar askush të plota për 28 vjet.
Kam ardhë nga Prizereni për ‘Shtate fletoret’ e Havzi Neles, ishte fjala e parë që tha sa erdhi në stendën time Eqrem Kryeziu, studiues e politikan aristokrat i Kosovës.
Për Havziun erdha më tha të parën fjalë Petrit Ruka dhe shtoi, edhe për ty miku im që e botove të plotë Havziun, edhe për Flamurin që e sponsorizoi.
Po kështu poeti Bislim Ahmetaj erdhi enkas për librin tënd në stendën time.
Agron Tufa që u angazhua shumë për ty në këtë vit të 30 vjetorit tënd u mrekullua me librin tënd dhe shndriti i gjithi. Mark Marku pedagogu i gazetarisë, politikani i njohur, mori librin tënd dhe më qortoi pse nuk e kam njoftuar të vinte në Kukës në veprimtarite për ty. Rezarta Reci erdhi për librin tënd dhe përcolli falenderime të përzemërta për botimin. Sadik Bejko që ka folë e shkruar për ty, që ka gjëmuar edhe në parlament për ty erdhi bashkë me Pandeli Koçi dhe Xhevat Sylën nga Prishtina.
Havzi, shumë kanë folë, shumë kanë ardhë për librin tënd, shumë janë shprehë, por po të tregoj se një vajzë drenice, që ka luftuar me pushkë në dorë në luftën e fundit për Kosovën, që ka qenë pjestare e UCK, Leonora Buçinca është shprehur me adhurim për Shukriun, për Nelët e tua dhe për Flamur Hoxhën thotë që tregoi se është Flamur…
Kur erdhi Visar Zhiti në stendën e shtëpisë botuese ‘Klubi i Poezisë’ në mbyllje të panairit me të shoqen dhe Jozef Radin dhë tha kam ardhë për librin e Havziut, përjetova emocione të forta. Visarin e njoh si poet dhe nuk ia di librat e tjerë, as historitë e burgut, pasi ai do të mbetet në histori si poet e jo si i burgosur. Donte ta blente librin tënd Havzi, por unë ia dhashë me zor dhuratë. I dhashë dy libra. Pse dy, më tha. Jepja njërën kujt të duash i thashë, pasi je i pari shok burgu i Havziut që merr në dorë veprën e plotë të panjohur të Havziut, të shkruar në burg. Donte t’ia dhuronte Jozefit. Jo i thashë, dhuroja ndokujt tjetër dhe Jozefit ia dhashë vetë një libër.
Havziu nuk ka qenë i butë, më tha Visari. Më kujtohen dialogjet me të. Ka qenë i egër, më tha.
Iku Visari dhe unë po mendoja për ty Havzi, mendova gjatë. Ti nuk ke patur llogari me të gjallët, as me ata të gjashtë që të spiunuan dhe të shtuan burg edhe 8 vjet në Rrëshen e ti nuk i përfille, as me ata që deshën të të thernin me çaki në nevojtore, nuk ke patur llogari me askënd. Ti i ke bërë llogaritë vetëm me vdekjen dhe derisa e ke sfiduar vdekjen, njerzit rreth e rrotull që janë vënë kundër teje të janë duke gogla dushku për mos më thënë kakërdhia dhish.
Thonë se kishe vështrim të butë, të pafaj, femijënor. Thonë se kishe vështrim të ëmbël dhe të qeshte loti në breg të syrit.
Havzi, të kërkoj ndjesë që shaloj inatin herë pas here dhe më lidh dorën kërpeshi i kalit të inatit e më merr pas vetes zvarrë. Por nuk do të shkruaj më, do ta mbyll librin ‘Bisedë me Havzi Nelën’, do t’i vihet kapak edhe pse gjithmonë do të më mbetet merak ndonjë gjë për tu thënë. Por një libër nuk i nxë gjithë mendimet e fjalët e njeriut.

Please follow and like us: