Miho Gjini: HOMAZH PËR FAT(MIR) XHELILIN E PA FAT!
Iku edhe një aktor i mirë nga skena e nga jeta, Fatmir Xhelili i Teatrit Profesionist “Bylys” të Fierit. E njihja vetëm nëpërmjet skeçeve të Estradës së Fierit që në atë kohë kishte krijuar profilin e vet, me një grupim të këndshëm aktorësh e me një regjisor e libretist si Pëllumb Kulla, po nuk kisha rënë në bisedë ndonjëhere me të… Se në Fier nuk më thërrisnin më e akoma (nuk e di sepse), qyshkur më mallëkuan për mbrojtjen e shfaqjes së dramës “Historia e një vajze” të inxhinierit Kleanthi Dusha, po në Fier, edhe pse e kisha kryer vuajtjen e syrgjynosjen vite të tëra, më mbrapa edhe të reabilitohesha e të më varnin në gjoks edhe një Urdhër Nderi! Po ‘fati’ e solli që të takohesha me Fatmir Xhelilin e të pinim raki e verë së bashku, në një mbrëmje të gjatë e fort të lumtur, apo më mirë të themi, në darkën që shtroi Kryetari i Bashkisë së Fierit (i atëhershëm), Z. Baftjar Zeqja, me rastin e promovimit të monografisë sime “Diva shqiptare”, kushtuar Margarita Xhepës (Nder i Kombit). Pak më përtej neve qe ulur Baftjari, ai Kryetari (i vetmi në Republikë që e ‘derdhte paranë’ për kulturën e për artistët), së toku me Artistët e Popullit Margarita Xhepa e Robert Ndrenika. Më tej qenë ulur Viktor Zhusti, e ndjera Hajrie Rondo dhe aktorët e teatrit të Fierit qe do të loznin së bashku në skenën e tyre me mjeshtrat e kryeqytetit, pa tjetër edhe me të ndjerin Xhelili. Dhe Fatmir Xhelilin do ta kisha unë në krahun tim, bashkë me Shpëtim Shehun që donin t’u flisja rrishtazi për shfaqjen e ndaluar në kohën time, të denoncuar si ‘revizioniste’ me gishtin e trashë të partiakur të atëhershëm, Piro Gusho!
Po, të na rrojë ekrani i vogël që m’i sillte të gjitha shfaqjet e tyre deri në Koropi të Athinës, ku u vendosa qysh herët, prej halleve të mia. Dhe këtë Fatmir Xhelilin do ta shihja jo pak herë, tek lozte me Luftar Pajën, me Fuat Boçin, me Hajrie Rondon, me Arqile Lipen, me Shpëtim Shehun e me atë Vasil Minoritarin, që ishte e është nga më të këndshmit e asaj skene… E dija se, te gjithë këta artistë të humorit, (me përjashtim të Hajries së ndjerë), vinin nga lëvizja amatore, po ama, me humorin e tyre aq të gjallë e të mprehtë, tok me koloritin e Labërisë, të veçantë për çdo aktor tjetër tek ne. Pra, edhe ky Fatmir Xhelili, do të shkëlqente aty me rolin e Kryetarit tek “Servet Beu jep zgjidhje”, me rolin e shkrimtarit tek “Një shkrimtar në kullën e tij”, me rolin e Arixhiut tek “Plakemi me hallet e botës”, si edhe me rolin e Beut tek “Fshatari e Kadiu”. Harrova të them se, disa vite me përpara, kur ish studenti im Minella Borova, kishte ardhur nga Argjentina në Fier, me një shfaqje të tij, më kishtre telefonuar, aty ku isha degdisur dhe erdha në Fier, vetëm për të, duke hyrë edhe në sallën e këtij teatri, me biletë, si spektatorë i zakoshëm, ku do më rastiste të shihnja aty edhe shfaqjen e komedisë së Ilir Bezhanit “Sa mirë bëri që vdiq”, me Fatmir Xhelilin, përbri me Artistin e Popullit Luftar Paja, që, për habin time, ishte i barabartë me të në interpretim, bile edhe më i përmbajtur se Luftari e me një humor edhe më me finesë se ai. E, që prej atij rasti, më ishte krijuar konsiderata për të, ashtu si edhe e atij për mua dhe ndofta ishte kjo gjë, që erdhën e u ulën atë mbrëmje me mua, tok me Shpëtim Shehun!
Mirëpo, në atë mbrëmje të lumtur, ku u ‘derdhë’ edhe vera e rakia pa hesap, me mezera nga të detit, me harenë e lindur vetiu, ku u bënë fjalime e u shpërndanë fjalë të bukura e u hodhën edhe lule, ku pati muzikë të mirë e u kënduan edhe këngë të bukura, m’u dha rasti që të thoshnja edhe unë dy fjalë, po paskëtaj të zbuloja edhe shpirtin e këtij aktori që erdhi nga jeta, si elektriçist, nga ajo punë e vështirë e njeriut që ngjitet shtyllave të tensionit të ulët e të lartë, që matej me vdekjen ditën e natën, i cili synoi në jetë për t’u bërë aktor, prej shtysës vetiake të talentit dhe që do na i rrëmbente vdekja ogurzezë, ditën e djeshme, fare pa të drejtë, pas një operimi në zemër! Kur ai qe në lulëzimin e karrierës së tij dhe kur nuk i lojti të gjitha rolet që donte. Po ja, se ç’kishte edhe njëfarë brenge në zemrën e tij, të cilën do të ma thoshte paksa më vonë, pasi kishte kthyer edhe disa gota. E nga ta dija vallë, që ai vuante edhe nga zemra! Por, do të qeshte me mua që isha ‘rrumbullosur’ dhe që megjithatë u preka me fjalët e tij, sikundër e rrëfen edhe kjo fotografi e “shkrepur” nga Shpëtimi!… Pikërisht në atë mbrëmje do të mësoja që Fatmir Xhelili ishte tashmë ndër aktorët më të mirë të trupës së teatrit, i cili dinte të interpretonte në dramë e në komedi dhe se vlerësohej si një aktor karakteresh, pra një profesionist i kompletuar, nga skena e nga jeta, përmes talentit vetiak, që është e mbetet parësori për këdo që kërkon të bëhet artist. Se, po nuk ke talent, mos hyrë fare në atë Shkollën e Lartë ku përgatiten artistët, se nuk do të bëhesh kurrë i tillë! Do të mësoja pra se, kishte interpretuar rolin kryesor në komedinë greke “Një budalla e gjysmë”, Llomovin e “Fejesës ” së Çehovit, Koçin e komedisë “Vëllezër me interes”, Legenin tek “Akraballëqet”, rolin më të spikatur tek tre komeditë e Kristo Floqit, si edhe do te arinte kulminacionin e intrepretimit të tij në komedinë e Nil Saimonit ” I burgosuri i katit 15″! Dhe kështu, do më mjaftonte ajo mbrëmje promovuese për librin e Margaritës, që të bëja mik edhe Fatmirin, një njeri shumë të mirë dhe një aktor brilant, çuditërisht pa shkollë aktrimi, si ai Koço Devolja që iku para tij! Ç’farë mënxyre, bëre, o Perëndi!?… Po, thashë se do më hapte edhe zemrën dhe ma hapi, me atë trishtimin e tij për tranzicionin e gjatë dhe për peripecitë që hiqte teatri, për mostrajtimim e pabarabartë të vlerave interpretues te artistët e skenës, si edhe për mosvedosjen e normave e të ligjeve të domosdoshme në funksionimin e teatrove. Po edhe një dëshpërim që e kishte në zemrën e lënduar, me heqjen në mënyrë drastike të artit të estradës, ku ai ndriste si meteor, që populli e donte dhe e frekuentonte, ndërkohë që brengat e hallet shtoheshin pa rreshtur, Të paktën, le t’i kishte publiku ynë,-thoshte ai, disa të tilla, ashtu sikundër u afirmuan në Fier, Vlore, Sarandë, Shkodër, Durrës e Korçë, me profilin e tyre të mëvetshëm.
Vitin e kaluar do ta shihja mikun tim në një interpretim të mrekullueshëm në një komedi situatash të quajtur “Dy duzina me karafila”, në njerin prej festivaleve tona, ku ai do te shquhej, si përherë për natyrësinë e veçantë e organicitetin e lojës në komedi, mëse i besueshm, pa abuzuar asnjëherë me të qeshurën, të cilën dinte që t’ia dhuronte publikut me elegancë e kulturë interpretuase, si të kishte kryer realisht fakultetin e aktrimit… Me një siguri skenike të admirueshme e vërtetësi loje. I barabartë thuajse edhe me të vëllan, regjisorin Mehmet Xhelilin, me të cilin ruante me shenjtëri respektin e dashurinë vëllazërore. Po ja që, aktori i Teatrit të Fierit, i lindur në Selenicë të Vlorës, më 23 dhjetor 1951, Fatmir Xhelili, e la edhe të vëllan, edhe familjen e tij, edhe skenën qe e donte aq shumë, edhe publikun që e admironte shumë më tepër. Pa ‘fat’ fare, ky FATMIRI ynë, FATMIRI I QESHUR!
22 nëntor 2020.