Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: LAVDIA DHE RËNIA E NJË GJENERALI NË LUFTËN KOMBËTARE TË VLORËS

 

(Me rastin fitores së shqiptarëve para një shekulli, në Luftën Kombëtare të Vlorës, por edhe të dështimit të njerës prej ushtrive më të përgatitur të Italisë dyzetë milionëshe në Vlorë, si dhe të dështimit të njerit prej gjeneralëve më të aftë e të zotë siç ishte gjenerallejtënant Settimio Piaçentini i mbretërisë së Italisë në Shqipëri nën drejtimin e Osman Haxhiut në verën e 1920-ës)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Gjenerali Italian Piaçentini, përballë ortekut popullor të sulmit të kapedanëve dhe popullit të Jugut të Shqipërisë, do të ndërronte jetë vetëm një vit pas përfundimit me disfatë të kësaj lufte. Ai iku nga Vlora me një daramet në zemër, daramet që do ta çonte në “parajsë”, vetëm një vit pas kësaj lufte dhe me të drejtë bashkëluftëtarët e tij, bashkëgjeneralët, eprorët dhe vartësit, që luftuan krah tij nëse do të pyesnin: “Gjeneral, kush të mundi?”, një pyetje më e rëndë, “se plumbi”, që do të rëndonte mbi të. Lavdia e një gjenerali u shua si yll, që nuk mundi të ndriçonte kurrë sepse, sikurse shkruajtën gazetat e kohës: “gjalmëzestë e Labërisë nuk të falin kur u shkel lirinë”! Në anën tjetër lavdia e Osman Haxhiut, KMK-së, Këshillit të Luftës, çetave dhe luftëtarëve ishte një meteor lavdie që ka një shekull që ndriçon dhe do të ndriçojë përherë për lirinë dhe rikonfirmimin e pavarësisë së shqiptarëve. Fitimtarët shqiptarë erdhën në ditën e fitores më 3 shtator 1920, pas një marrëveshje të 2 gushtit 1920, që ishte shkatërruese për një gjeneral, tujet e të cilit ranë dhe u vishkën bashkë me ëndërrën e ringjalljes së legjoneve romake të “Nostra mare!”, me humbjen e hidhur përballë një “grusht rebelësh” të Vlorës dhe trevave të tjera shqiptare. Një epokë e re ishte çelur për shqiptarët.

Ballafaqim forcash në Luftës së Vlorës: “O Shqipëri, o gur e hi!”

Lufta e Vlorës ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar Osman Haxhiun. Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Lepenicën në krye, i cili pas pesë ditësh u zëvendësua nga Qazim Koculi. Qeveria e Tiranës dha ndihmesën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë. Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait dhe qindra e mijra shqiptarëve nga e gjithë Shqipëria. Lufta filloi në mënyrë kalorësiake, me kalorësin e ultimatiumit Mehmet Selim Shahaj Mallkeqi, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin për largimin nga Vlora. Në rradhët e këtij ultimatumi shkruhej: “Komiteti i Mbrojtjes Kombetare të Vlorës, i shtërnguar nga populli i Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, dëshiron që zotëria juaj t’i përgjigjet kërkesës tonë gjerë nesër më 4 qershor ora 19:00 ndryshe çdo ngjarje që mund të ngjasë, Komiteti Mbrojtja Kombëtare nuk pranon kurrë responsabilitet. Por përgjigja e gjeneral  Piançetinit ishte e prerë: “Topat e mi në Kaninë dhe në Babicë do tju japin përgjigje”. Kështu Mehmet Selimi Mallkeqi, kalorësi ultimatumit, kalëroi si zogu nëpër re drejt e në shtabin kryengritës të luftës. Beteja për Shqipërinë e përbashkuar kishte filluar. Ajo që nuk mundësohej me diplomaci kalorësiake, ishte e zgjidhur përmes luftës së vendosur, që pati shumë gjak, mund e sakrifica në tre muaj verë të përvëluar nga luftimet për jetë a vdekje për bashkimin e Vlorës me trungun mëmë me çdo kusht me çdo sakrificë. Lufta në garnizonin e Kotës dhe gjithë garnizonet e tjera ishte për luftëtarët sërish sfida e radhës përballë pushtuesve. Lufta provoi gatshmërinë dhe vullnetin e shqiptarëve deri në luftime të përgjakshme përballë çdo garnizoni deri në luftimet trup me trup me pushtuesit. Gjatë Luftës së Vlorës, edhe pse pati shumë kundërsulme nga trupat italiane, ato nuk mundën të çanin darën e rrethimit të forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. Lufta e Vlorës ishte “arritje dhe vepër historike e identitetit shqiptar dhe që siguroi vazhdimësinë tonë në hapësirat në të cilat jemi dhe kemi të drejtë etnike e historike”, thotë akademik Rexhep Qosja. Lufta vulosi bindjen e diplomacisë së Fuqive të Mëdha se faktori shqiptar ishte dhe duhej vlerësuar si element i rëndësishëm ekuilibri gjeostrategjik e gjeopolitik nga ku respektimi i pavarësisë së Shqipërisë, i riçonte ndërkombëtarët tek Konferenca e Londrës dhe vendimi i 29 korrikut 1913. Lushnja dhe Vlora ishin dy stacionet vendimtare të rikonfirmimit të Pavarsisë dhe fati historik e deshi Shqipërinë përmes një turbullire të tillë, por mbi të gjitha qëndronte vendosmëria shqiptare. Edhe Eqerem Vlora që “e shihte luftën me dylbi”, në dreka e dreka me gjeneral Piaçentinin dhe bashkëpunëtorët e tij, italianë i befasuar nga ç’po ndodhte, shkruante në Kujtimet e veta se: “Si kishte qenë e mundur?! Si kishin arritur disa mijëra fshatarë që në dy javë t’i dëbojnë italianët nga një zonë prej 2000 km², të zenë 3100 robër, 17 topa dhe një mori armatimesh, municionesh dhe ushqimesh? E gjitha kjo shëmbëllente me një çudi! Por, kush i njeh shqiptarët, nuk e ka të vështirë ta kuptojë këtë ecuri ngjarjesh… Lufta për Vlorën vazhdoi e rreptë. As ditë dhe as natë nuk rreshti zjarri i pushkëve dhe gjëmimi i topave përmbi qytet dhe fshatrat përreth”. Më tej do shprehej: “më 17 gusht trupat italiane u larguan nga qyteti dhe hypën nëpër anije, më 3 shtator 1920 “rebelët”, fitimtarë dhe krenarë me të drejtë, hynë në Vlorë dhe e bashkuan krahinën e tyre me pjesën tjetër të Shqipërisë. Ata e kishin merituar këtë sukses”. Lufta e Vlorës ballafaqoi forcat italiane dhe shqiptare, ngjarje luftarake që u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj. Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën” e shoqërisë që drejtohej nga Thoma Nasi së bashku me trupat vullnetare. Në këtë luftë shkoi edhe banda muzikore “Afërdita” e Elbasanit. Në këtë luftë u shquan me kontribut të spikatur Babai Teqes së Turanit të Tepelenës Ahmet Turhani, Baba Xhaferi Përmet, Don Mark Vasa, myftiu Osman Muka, At Shtjefën Gjeçovi, etj.

Kush ishte Osman Haxhi Muhameti – fituesi i Luftës së Vlorës më 1920-ën

Osman Haxhiu u lind në Picar të Vlorës më 28.10.1885. Mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit, nga viti 1900 deri më 1905 kreu studimet në kolegjin amerikan “Robert Kollezh”, në Stamboll, ku mësoi turqishten, gjermanishten, frëngjishten. Qysh herët zuri miqësi me djemtë e Ismail Qemalit, Ethem e Qazim Vlorën dhe me ta, që në moshë të re, u radhit në lëvizjen për pavarësi të Shqipërisë. Në Stamboll, në vazhdim të traditave patriotike familjare, u lidh ngushtë me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mulla Xhaferr Drashovicën etj. Ka qenë një djalë i shkathët, i zgjuar, sypatrembur, i ushqyer me idetë e rilindësve e u njoh si një luftëtar aktiv për ti vënë ato në jetë. Që i ri provoi edhe syrgjynosjen në Arabinë Saudite, por patriotët shqiptarë të lidhur me të nga Siria, Egjipti, Libia e Stambolli, e ndihmuan të arratisej… Më 1906 emërohet nëpunës në Vlorë, më 1908 anëtar i klubit “Labëria”; më 1909 nëpunës në Prefekturën e Janinës, nga ku arratiset me vlonjatë të tjerë. Nga Janina shkon në Korfuz, Bari, Napoli e Romë. Më 1911 Osman Haxhiu kthehet në Vlorë bashkë me Ethem bej Vlorën dhe u bë mbështetës i fuqishëm i Ismail Qemalit në organizimin e lëvizjes kombëtare. Në Vlorë nisi një aktivitet të ngjeshur atdhetar, në përfshirje të Klubit “Labëria”, por edhe bashkëpunoi ngushtë me Ismail Qemalin. Përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, komisioni i ngritur, ku merrte pjesë dhe Osman Haxhiu, krijoi një qendër ushtarake në Shkozë të Sevasterit, me fuqinë e një Komande Ushtarake, në luftë kundër agresorëve andartë grekë. Pas ardhjes së Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë, ai u rrethua nga patriotët e Vlorës, përfshi edhe Osman Haxhiu. Më 1913 u caktua Sekretar i Prefekturës së Vlorës. Edhe pse u ngarkua në këtë detyrë, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Mehmet Pashë Dërralla, bashkë me Alem Mehmetin dhe Ethem Vlorën, gjatë muajve shkurt–prill 1913, qëndruan në bregdet për organizimin e forcave në mbështetje të frontit të Janinës. Osman Haxhiu në fillim u caktua zëvendësprefekt e më vonë prefekt, detyrë që e mbajti deri në muajin shkurt të vitit 1917 në Vlorë. Prefektura e Vlorës me Osman Haxhiun ne krye, bëri të pamundurën për sistemimin dhe vendosjen e tyre në shtëpitë e fshatarëve vlonjatë të muhaxhirëve të ardhur nga krahinat e Kurveleshit, Kardhiqit, Libohovës e Rrëzomat e Delvinës. Në vitet 1916 deri më 1917 Osman Haxhiu me të ardhurat e veta, çeli shkolla fillore për fëmijët e popullit fukara në të gjitha katundet e Vlorës dhe si biri i popullit shumë shpejt hyri në zemrën e tij, kur vendosmërisht kundërshtoi pushtuesit italianë, që në administratën e prefekturës, të mos flitej italisht dhe se çdo dokument i saj të shkruhej në gjuhën tij. Italianët e pushojnë nga puna më 22.2.1917, kohë kur ju përvesh punës ilegale për çlirimin e Vlorës dhe bashkimin me trojet e tjera shqiptare. Në periudhën midis viteve 1917-1918, Osman Haxhiu nuk e ndërpreu veprimtarinë patriotike. Ai pati mjaft letërkëmbime me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Aqif Pashë Elbasanin, Vehbi Dibrën dhe patriotë të tjerë. Në këto mesazhe bëhej më e plotë situata, detyrat dhe komplotet që thureshin në kancelaritë evropiane për copëtimin e Shqipërisë. Çdo ditë që kalonte evidentonte më qartë rrezikun e madh, shkëputjen e Vlorës dhe hiterlandit të saj nga gjiri i atdheut. Atdhetari patriot Halim Xhelo kishte krijuar organizatën “Lidhja Fshatare e Labërisë”, ku kishte mbledhur rreth saj atdhetarë të shumtë, ndërkohë që më 28.11.1919 në shtëpinë e Osman Haxhiut u mblodhën të përkujtonin e festonin me flamur në dorë në sheshet dhe rrugët e qytetit. Flamuri kombëtar mbahej nga dy djem vlonjatë Rexhep Arapi e Faik Xhaferri, të cilët në çdo hap shoqëroheshin nga dy bijtë e Shqipërisë Jonuz e Myrsel Kumanova. Në krah të tyre ecnin Osman Haxhiu, Duro Shaska, Abaz Nezini, Qazim Kokoshi etj. Në këtë ditë historike për Shqipërinë, përleshja me pushtuesit ishte më e përgjakshmja në 7 vitet e pavarësisë. Në krye të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Në zbatim të Vendimeve të Lusnjës në mars të vitit 1920, u krijua një organizatë patriotike, ku Osman Haxhiu u zgjodh në krye të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” me rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e popullit të Labërisë për luftën çlirimtare.Në Kuvendin e Barçallasë, më 29 maj 1920, krahas miratimit të vendimit për luftë ndaj pushtuesit italianë, Osman Haxhiu u zgjodh kryetar i Komiteit të “Mbrojtjes Kombëtare” komandë udhëheqëse e drejtuese e veprimeve luftarake. Për këtë detyrë të besuar, ai mori dhe miratimin e njëzëshëm në mbledhjen e Beunit prej komandantëve të të gjithë çetave, që përfaqësonin më shumë se 4000 luftëtarë fillimisht. Ultimatumi i 3 qershorit  1920, i firmosur nga kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri, etj., që i drejtohej gjeneral Piaçentinit, kërkohej “…lirimi i menjëhershëm i Vlorës prej ushtrisë Italiane”. Lufta e Vlorës është një ndër kryeveprat e jetës së Osman Haxhiut, epokë të lavdishme që përjetësisht është skalitur në Historinë kombëtare të shqiptarëve e përjetuar në vargjet memorial: “Ja do tëbëhet Vlora jonë, ja do të bëhet gurë e hi”. Në këtë luftë mbarëshqiptare mbetën 157 dëshmorë, por edhe 400 të plagosur… Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” me Osman Haxhiun në krye, i mbështetur fuqimisht nga qeveria e Sulejman Delvinës, e plotësoi me nder misionin e madh atdhetar e çlirimtar, që i ngarkoi koha, liria, kombi shqiptar e historia. Osman Haxhiun, populli i Vlorës e zgjodhi deputet në Parlamentin Shqiptar në vitin 1921. Ndërsa në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924, Osman Haxhiu ishte në krah të Fan Nolit, të Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit. Atdhetari dhe patrioti Osman Haxhiu dha për Shqipërisë gjithçka, rininë, mënçurinë, dashurinë, trimërinë dhe pasurinë, prandaj edhe populli shkroi vargje lapidarë: “Lule Osman efendi/ T’ishin dy a tre si ti/ Do bëhej Shqipëri”. Osman Haxhiu u shua në moshën 51 vjeçare më 12 mars 1937. Për figurën atdhetare të Osman Haxhiut ka shkruar një monografi “Osman Haxhiu”, Prof. Bardhosh Gaçe, shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij, ndërsa në tre dekada demokraci është nderuar si drejtuesi dhe udhëhqësi kryesor i Luftës Kombëtare të Vlorës të vitit 1920.  Edhe pse kanë shkruar dhjetra shkrime për Osman Haxhiun nderimi për të sërish është i pamjaftueshëm, sepse ai ishte një figurë kombëtare dhe jo një udhëheqës lokal i një lufte lokale kur vetë Lufta e Vlorës ishte luftë kombëtare e të gjithë shqiptarëve. Figura e Osman Haxhiut ishte aq popullore dhe me vlerë në kohë rreziku për Shqipërinë sa për figurën e tij kanë shkruar shumë autorë si, Prof. Bardhosh Gaçe, Mehdi Frashëri, Muin Çami, Ago Agaj, Ali Asllani, Hamza Isaj, Jani Minga, Ibrahim Shyti, Ibrahim Kushta, Isuf Luzaj, Fatos Arapi, Lefter Çipa, Bernard Zotaj, Albert Abazi si dhe dhjetra histografë të tjerë. Në rastin e kryetarit të KMK-së vërtetohet ajo që thonë shumë shkrimtarë gjermanë se, “shqiptarët janë një popull zotërinjsh (Herrenvolk) dhe një autor francez thotë se: “..janë aristokratët e Ballkanit”. Ata më mirë ndërronin besimin se hiqnin dorë nga qëllimet e synimet drejt të cilave i shtynte parreshtur ambicioni i tyre rrënjosur thellë në shpirt. Gjithashtu arkivat e bibliotekat kanë një pasuri dokumentare për këtë figurë që nuk mundën ta shuajnë e errësojnë motet e trazuara shqiptare. Osman Haxhiu ishte dhe ngeli truri drejtues të Luftës kombëtare të Vlorës, që në një shekull dhjetra studiues janë përbashkuar në gjykimin historiografik shqiptar se, “Osman Haxhiu dhe KMK-ja ishin një elitë intelektuale, plotësisht e vendosur në fitore, e arsimuar, e pasur, atdhetare, shkruan enciklopedinë e mençurisë dhe trimërisë shqiptare të shekujve, largpamës, të fjalës peshërëndë, të besës së palëkundur, të besimit në fitore, të burrave që materializonin vendosmërinë apsolute në fitore, besim tek vetja dhe besim tek Komandantët e çetave, besim tek çdo luftëtar, një trupë elitare drejtuese luftarake që besonte në vlerat e një Shqipërie të përbashkuar, besonin plotësisht në unitetin e bashkimit e përparimit kombëtar. KMK-ja ishte e rrallë, e papërsëritshme deri më sot në historinë e shqiptarëve. Organizatorët dhe drejtuesit e luftës së armatosur të shqiptarëve për çlirimin e Vlorës ishin bij të denjë të popullit të mençur, të shkolluar, të pasur dhe me mbështetje të gjerë popullore. Prandaj në përvjetorin e 135-të i lindjes së Osman Haxhiut, këtij udhëheqësi të mencur popullor të luftës, busti i tij qëndron kryelartë i derdhur në bronz në qendër të qytetit të Vlorës! Mik i vegjëlisë dhe i parisë, politikan i matur si prefekt e deputet, zë i fuqishëm i Vlorës historike, luftëtar i rreptë i fateve të vendit duke organizuar një luftë të tërë që ndriti historinë shqiptare. Ai ishte një personazh heroik me bëma të paçmueshme dhe themele të forta të shtetit të pavarur shqiptar. Ai do respektohet e nderohet për kontribute kombëtare, në të mirë të kombit të tij si simbol përbashkues i unitetit dhe dashurisë për Vlorën dhe Shqipërinë e përbashkuar.

Gjeneral Lejtënant Settimio Piaçentini –humbësi i Luftës së Vlorës më 1920-ën

Settimio Piaçentini ishte lindur në rrethin San Polo të Tarano-s në Peruxhia, më 6 janar 1859. Karakteri i tij i vendosur dhe i zgjuar e shtyu atë ta lidhte jetën me ushtrinë mbretërore apeninase. Pasioni për ushtrinë bën që të përfshihet në radhët e kadetëve ushtarakë në Akademinë Ushtarake. Kur ishte në moshë të pjekur e madhore, në moshën 30 vjeçare, më 1909 ai u thirr për të qenë pjesë e Komisionit për shqyrtimin e propozimeve për shpërblim për trimëri ushtarake; ndërsa dy vjet më vonë më 1911 ai përzgjidhet si oficer madhor shtabnik e këshillues strategjik i mbretit italian. Në Shkollën ushtarake pranohet më 1.10.1875, kur ishte 16 vjeç, ndërsa në Akademinë Ushtarake më 1.10.1876, që e formoi si ushtarak karriere në një shkollë lufte. Në moshën 20 vjeçare më 27 korrik 1879, përfundon studimet në nivelin “ekselencë” dhe emërohet nëntoger. Dy vjet më vonë, më 12 qershor 1881, gradohet “Toger”. Promovimi i shpejtë dhe përzgjedhja si oficerë me të ardhme bëri që Settimo Piaçentini t’i ndrinte fati dhe të kishte një karrierë të shpejtë e të shkëlqyer.  Shumë shpejt do të bëhej një nga instruktorët më të njohur të së njëjtës Akademi Ushtarake, në shkollën e përgatitjes së Artilerisë dhe Inxhinierisë e më tej deri në detyra madhore në Korpusin e ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm italian. Gradën “Kapiten” e mori më 26 shtator 1886, Major më 8 Mars 1894, Nënkolonel më 9 janar 1898, Kolonel më 8 korrik 1903 dhe pas gjashtë vjetësh më 23 dhjetor 1909 i jepet grada madhore Gjeneralmajor. Në vitet 1906-1910 shërbeu edhe si këshilltar i Institutit për studime në Sabine. Grada e fundit e gjeneral lejtënantit ju dha më 3 shtator 1914, gradë që e mbajti deri më 9 Shtator 1920, vetëm një javë pasi u largua nga fronti i luftës pa lavdi. Por përgjatë jetës ushtarake Piaçentini  kreu edhe detyra shumë të vlerësuara si më 5 prill 1896 si komisioner ushtarak për hekurudhat; nga 4 maj 1911 deri më 6 shtator 1913, si gjeneral adjutant dhe gjeneral nderi i përgjithshëm i Mbretit italian nga 6.9.1913. Që prej datës 26 janar 1917, ka kryer detyrën edhe si anëtar i Këshillit të urdhrit ushtarak të Savojës. Lufta e Parë Botërore nga viti 1914 deri 1918 ishte “shansi” i tij. Ai shkëlqeu me zotësitë e tij ushtarake. Gjenerali italian përgjatë Luftës së Parë Botërore ishte mjaft aktiv, veçanërisht në Betejat e Isonzo-s. Settimio shpalosi gjithë aftësitë e tij, gatishmërinë, rreptësinë, vetdisiplinimin, korrektësinë që spikaste si elitë i trupës komanduese italiane. Në veprimtarinë e tij ushtarake u shqua si administrator i përgjithshëm i ushtrisë, dëshmon konkretisht aftësitë e tij organizative duke bërë  përshtatjen dhe  shërbimet e vendosura në kohë paqeje me rrethanat e luftës. Settimio Piaçentini do të avanconte në profesionalizëm duke marrë detyra si komandant i njësive kryesore në të gjitha fushat e betejës, nga Isonzo në Cadore. Në 1916 ai komandoi Korpusin e XVI të Ushtrisë Italiane në Shqipëri deri në maj 1916 kur u thirr përsëri në Itali për të komanduar korpusin e pestë italian në Frontin e dytë në Isonzo deri në Qershor 1917. Më 15 janarit 1918 në Monte Grappa Gjeneral Piaçenntini nderohet me maljen e argjendtë për trimëri dhe për kontributin e çmuar të trupave të tij të ushtrisë në rezistencën kundër ofensivës armike. Për zotësitë e tij si ushtarak ai është vlerësuar gjithashtu me dekoratën “Nderi i lartë i kalorësit të kryqit madhështor të urdhrit Ushtarak të Savojës”. Dekoratat ishin “si breshër mbi supe” dhe i mbuluan gjoksin përgjatë gjithë jetës si: Kalorës i Urdhrit të Kurorës së Italisë 31.5.1894, Oficer i Urdhrit të Kurorës së Italisë 27.12.1906, Komandant i Urdhrit të Kurorës së Italisë 3.6.1909, oficeri i madh i urdhrit të kurorës së Italisë 19.6.1913, kordoni i madh i urdhrit të kurorës së Italisë 26.10.1920, kalorës i urdhrit të SS. Maurizio dhe Lazzaro 24.1.1901, oficer i urdhrit të SS. Maurizio dhe Lazzaro 13.1.1910, komandant i urdhrit të SS. Maurizio dhe Lazzaro 9.6.1912, zyrtari i madh i urdhrit të Shën Maurizio dhe Lazzaro 1.6.1918, kordoni i madh i urdhrit të SS. Maurizio dhe Lazzaro, oficeri i madh i Urdhrit Ushtarak të Savojës 28.12.1916, kordoni i madh i Urdhrit Ushtarak të Savojës 24.7.1920 (ndërkohë që ishte kulmi i luftimeve në Vlorë dhe disfata e dukshme!), komandant i Urdhrit të Franz Joseph (Austri), oficeri i madh i urdhrit të Leopold (Belgjikë), Kalorës i Urdhrit të Legjionit të Nderit (Francë), urdhri i Shqiponjës së Kuqe (Gjermani), kalorës i kryqit të madh të Urdhrit të SS. Michele dhe Giorgio (Angli), kordoni i madh i urdhrit të Shën Stanislaus (Rusi). Periudha Luftës së Parë Botërore (1914-1918) dhe sidomos fushata ballkanike e vitit 1919 ishte një konglomerat e kompleksitet me përzierje komandash, trupash, armësh, lavdishë e dështimesh dhe përsëri dekorimesh që gjenerali do t’i përjetonte si “kurorë dafinash” të kryqeve të arta për vjetërsi, merita lufte; medalje argjendi për trimëri ushtarake, por në fund në mugutirën e burrërisë me “një grusht të hekurt turinjve” të marrë nga luftëtarët shqiptarë në Luftën e Vlorës.

“Lavdia” dhe nderimi i një burrështetasi italian në vendin e vet

Fakt ishte se pala italiane “u paraqit” në përballje me shqiptarët në Vlorë me mendjet më të shquara akademike ushtarake të kohës si Settimio Piançentini, Giovanni Giolitti, Enrico Gotti etj., që komandonin rreth 20 mijë trupa në Shqipëri. Por edhe pse humbja e italianëve ishte e sigurtë përsëri ata tentuan në synimet e tyre. Por duke u bazuar në në aktet përkujtuese parlamentare italiane hedhim dritë mbi atë që quhet “analiza e pasluftës”, por që pa mundur të analizohej në detaje humbja, shuhet jeta e komandantit të luftës Piaçentinit, për të cilin e shikojmë të pasqyruar në dokumentat italiane. Ja si shprehej Tommaso Tittoni, President i Senatit Italian në ditën e vdekjes së gjeneral Settimio Piaçentini: “Të nderuar senatorë! Këtë herë, për fat të keq, gjatë rifillimit të punës sonë, kam detyrën e dhimbshme të njoftoj humbjen e kolegëve të dashur. Më 2 nëntor, gjeneral lejtënant Settimio Piaçentini papritmas ndaloi së jetuari në San Polo Sabino…Një figurë e pëlqyeshme ushtarake Piacentini ia kishte kushtuar energjitë e tij më të mira vendit të tij; dhe me keqardhje të thellë njoftojmë humbjen e tij… Në Senat, kolegu ynë kishte hyrë që prej 8 qershori 1921. Ai lindi në Tarano më 6 janar 1859 dhe në një moshë shumë të re, përqafoi jetën ushtarake, i nxitur mbi të gjitha nga karakteri i tij i vendosur dhe natyra e tij e zgjuar. Pasi përfundoi me nderim kurset e Akademisë Ushtarake, në 1879 u emërua toger i dytë.. Ai pati një karrierë të shpejtë dhe të shkëlqyer. Fitoi pozicione të shumta besimi dhe promovimi. Ka qenë instruktor në të njëjtën Akademi Ushtarake dhe më pas në Shkollën e Artilerisë dhe Inxhinierisë duke ngjitur shkallët e karrierës deri në Shtabin e Përgjithshëm. Si gjeneralmajor, në 1909, ai u thirr të ishte pjesë e Komisionit për shqyrtimin e propozimeve për shpërblime për trimëri ushtarake dhe pak më vonë, në 1911, ai u zgjodh si ndihmës ushtarak i mbretit. Në luftën e fundit ai përfundoi një punë vërtet të çmuar, duke kryer në kontigjencat më të ndryshme një veprim që ishte i gatshëm dhe i ndriçuar, duke mbajtur gjithmonë një ndjenjë të rreptë të disiplinës dhe detyrës. Që në fillim të karrierës ushtarake spikati për cilësitë e organizatorit dhe drejtuesit si parashikues i luftës. Në karrierën e gjatë ushtarake meritoi vlerësime dhe dekorata të shumta, për trimëri, për kontribut të vlefshëm në rezistencën energjike kundër ofensivës së armikut etj. Në krye të komandës së trupave italiane në Shqipëri, në nderim të vendit dhe të armëve italiane, me forca të pakta në dispozicion ai ishte në gjendje të organizonte një mbrojtje të palëkundur rreth Vlorës dhe t’i tregonte Qeverisë masat e mençura dhe më të përshtatshme që kërkoheshin për të zgjidhur problemin e atij rajoni, për të cilin ai kishte marrë njohuri të thella. Nderimi shumë i lartë, i dhënë atij me atë rast, si “kalorës i kryqit të madh të Urdhrit ushtarak të Savojës”, që ishte vlerësim i drejtë i shërbimeve dhe motivim si një titull lavdie, pasi ai arriti të kryejë denjësisht detyrën dhe të meritojë mirënjohjen e atdheut dhe i destinuar të japë fryte ndër vite. Jemi të trishtuar që fati ja ndërpreu jetën e çmuar dhe i shprehim mirënjohjen në kujtesë të shërbimeve ndaj vendit si dhe i dërgojmë gruas së ngushëllimet më të përzemërta! Kujtesa vijon të jetë e gjallë edhe pas një shekulli. Gasparotto, Ministër i Luftës: “Kërkoj të flas. Presidenti: Ka të drejtë”. Gasparotto, Ministër i Luftës: “Në emër të Qeverisë dhe ushtrisë, unë kam nderin të bashkohem me fjalët e larta të thëna nga Presidenti i shquar në kujtim të gjeneral Piaçentinit… Figura fisnike e gjeneralit Piaçentini u shfaq në fushat e betejës. Ka qenë mësues në rininë e tij në shkollat ​​tona të luftës, në prag të hyrjes së Italisë në konfliktin evropian. Ai u bë promovuesi i krijimit të njësive të reja të destinuara për provën e afërt të luftës. Hapja e luftimeve e gjeti atë mbikëqyrës të përgjithshëm të ushtrisë dhe atje ai siguroi vendosmëri dhe mençuri për koordinimin e shërbimeve; Komandanti i Korpusit të parë të Ushtrisë Kadore, me veprim të vendosur komandues mbajti të vendosur pozicionet e pushtuara ndaj armikut dhe u përball, me sukses që kishte mahnitur opinionin publik italian, shqetësimin e paparashikuar të fushatës së parë dimërore. Prej asaj dite nuk kishte asnjë fushatë lufte, nuk kishte asnjë moment kulminant në historinë tonë të luftës që të mos kishte në ballë figurën e gjeneralit Piaçentini. Në mars 1916 ai ishte në Shqipëri, por kur armiku hyri në pellgun Arsiero, dy muaj më vonë, në maj të të njëjtit vit, ai ishte kthyer tashmë në Itali, …dhe sërish në Shqipëri. Por pa sukses!

Gjeneral Piacenntini që “u mbyt” në detin e Luftës së Vlorës

Piaçentini përshkruhet nga bashkëkohësit si një ushtarak me tipare të lindura, i dashuruar me disiplinën, punëtor i palodhur, modest dhe i heshtur; gjithënjë i përkushtuar dhe i zhytur dhe trupëzuar me detyrën. Nga mesi i vitit 1918, ai u kthye në Shqipëri duke u emëruar Komandant i Përgjithshëm i forcave italiane në Vlorë dhe në gjithë pjesën perëndimore të Shqipërisë. Përzgjedhja e tij ishte për një “dorë të hekurt” përballë rrebelimit dhe mosbindjes shqiptare. Në Shqipëri erdhi me bindje për të komanduar e drejtuar trupat italiane në Shqipëri dhe në fakt me forcat e pakta në dispozicion, ai arriti të organizonte një mbrojtje korrekte bazuar në kriteret e mbrojtjes përgjatë gjithë qytetit të Vlorës, por që vartësve të tij u mungonte shpirti luftarak dhe morali për të fituar. Ai drejtoi për dy vjet nga 1918 deri më 3 shtatorin e vitit 1920, ku ai në fakt dështoi në luftimet në Luftën kombëtare të shqiptarëve, të cilët bënë të dështonte një ndër gjeneralët më të mirë të kohës të Mbretërisë së Apenineve. Pas humbjes së  ushtrisë së tij në Vlorë me “një grusht rrebelësh”, përfundon edhe karriera e tij  ushtarake dhe ai tërhiqet në Tarano, në qyteti i tij të lindjes, për një jetë të thjeshtë dhe të qetë larg zhurmave të luftës. Është në këtë periudhë e vendos veten në dispozicion të një drejtësie dhe paqeje, duke ruajtur njëherësh autoritetin e rrobës ushtarake në të cilën shërbeu me një karrierë që shkoi nga njera fitore në tjetrën, por që në fundin e jetës u turpërua me luftëtarët vlonjatë. Në jetën e shkurtër civile synonte paanësi, zgjidhje të mosmarrëveshjeve midis fshatarëve dhe pronarëve me qetësi dhe maturi. Gjenerali me tre yje Settimio Piaçentini nuk pëlqente pompozitetin edhe në rastet ceremoniale, sikurse ishte nderimi për për Ushtarin e Panjohur. Ai nuk shkon në Romë me autoritetet e para të shtetit, por dëshiron të nderojë ushtarin në tokën Sabine, në mënyrë të thjeshtë e të qetë me përfaqësuesit e Komunave dhe Shoqatave të Sabinës së Poshtme. Më 2.11.1921 sëmuret dhe ndërron jetë një gjeneral fitimtar, që humbi vetëm një betejë: “Betejën për Vlorën”. Ai nuk mundi t’i mbijetonte stresit që i krijoi lufta, bijtë italianë të humbur në luftra, si dhe momentet kur gjeneral Piaçentini detyrohej t’u përcillte familjeve trupat e vrarë në një luftë të pakuptimtë që edhe vetë se kuptoi dot në kohë. Sipas Dr. A. Hitoaliaj, sipas “pasqyrës së humbjeve të njësive italiane në operacionet në territorin e Shqipërisë”, rezulton se “të vdekur të plagosur të humbur”, për vitin 1916 ka pasur 815 trupa; në 1917 – 93 trupa; në 1918 – 626, në 1920– 680 trupa; që në total humbjet në trupa italiane shkonin në 2877 trupa. Nga të cilët të vdekur kanë qenë 454 vetë. Vlora u shndrrua në barikadë e palueshme për italianët që edhe vetë nuk besonin në fitore. Edhe pse ata kishin 7500 ushtarë, 500 oficerë dhe 12 gjeneralë në Vlorë. Por trupa luftuese në front përbëhej nga 4400 trupa, 300 oficerë kurse pjesa joluftuese (mbështetëse)  përbëhet nga rreth 200 oficerë dhe 3100 trupa. Malarja bënte kërdinë dhe numri ulej përditë, ku 2/3 ishin malarikë si dhe 1/3 e trupave me ethe malarike ose me ethe të humbjes së luftës. Trupa drejtuese pushtuese italiane kërkonte 1000 trupa funizime të reja edhe pse u premtuan 500 dhe erdhën 200. Ndërkohë 4400 ushtarë mbanin Vlorën të shrënguar. Por “litari u mblodh” dhe nderin e Settimio Piacentinit e shpëtoi Protokolli shqiptaro-italian i 2 gushtit 1920, ku në tetë pika gjeti zgjidhjen e tërheqjes nga Vlora, që ishte një brengë në zemër e Gjeneralit për dështimin në prag të moshës së tretë. Ndërkohë që pika “VIII”, ishte një “thikë me dy presa” për nënshkruesit, pasi, “Përmbajtja e këtij protokolli paraprak as nuk do të botohet as nuk do të komunikohet të huajve, përveçse akordit mes palëve”. Në atë kohë kur çështja shqiptare do të çohet për diskutim në Konferencën e Paqes në Versajë, para përmbylljes së protokollit përfundimtar, palët nënshkruese mund të përdorin në konferencë aktin prezent. Për kohën tërheqja ishte zgjidhje, edhe pse Sazani ngeli “tokë nën zotërimin italian” edhe për 23 vjet të tjera. Piacentini e “kishte bërë detyrën” karshi politikës që i thuri lavde, u denigrua nga opozita e shtetit të vet, si dhe u ndie i dërrmuar ushtarakisht nga humbja reale e luftës, pavarësisht dekoratave që ndonjëherë shërbejnë edhe si dekor apo stoli xhingla-minglash. Nisur nga dokumente e relacione që Komanda e Trupave Italiane në vendin tonë dërgonte mbajnë nënshkrimin e gjenerallejtënant Setimo Piaçentinit, që janë në fakt një ekspoze lufte me materiale arkivore italiane që pikëshruajnë ngjarjet, që fundosën italianët dhe ngritën lavdinë e shqiptarëve në Luftën kombëtare të Vlorës të 1920-ës. Megjithëse historiografët italianë e vlerësojnë gjenerallejëtnantin Settimio Piacentinin, që u shua në moshën 62 vjeçare, si një personalitet ushtarak gjeneralist të Tarano-s së Peruxhias. Tetë vite pasi kishte ndërruar jetë Piacentini, më 1929, Prefektura ku banonte miratoi vendosjen e një pllake për nder të tij në pjesën e jashtme të shtëpisë “Settimio Piaçentini”.

Lufta e Vlorës si “leksion internacional” për kombet e shtypura

Por Lufta e Vlorës ishte edhe si “leksion internacional” për kombet e shtypura, për t’i treguar botës se liria rrënjët e veta në kohë paqeje i vadit me djersë dhe në kohë lufte me gjak. Pra “Lufta”, nuk është vetëm një tragjedi për truallin e pushtuar, por dhe një tragjedi kombëtare dhe për vendin pushtues, sepse humbet bijtë e vet për interesa të imperializmit, sikurse ndodhi me “bijtë” e gjeneral Piaçentiniit, i cili në momentet kur ishte i rrethuar nga kryengritësit shqiptarë, të cilët sa vinin dhe i shtrëngonin darën e rrethimit, të ndodhur para një fenomeni të pashmangshëm me urgjencë i kërkonin Ministrisë së Luftës Italiane dhe kryeministrit Nitti mbështetjen me trupa dhe armatim. Në fakt jehona e Luftës së Vlorës i kishte kaluar kufijtë dhe jo vetëm populli i thjeshtë italian, por dhe vetë brenda për brenda ushtrisë italiane, masa e zemërimit dhe urrejtjes ishte rritur së tepërmi. Arsyet ishin të ligjshme: Italia ishte tejlodhur nga luftërat, e sfilitur nga humbjet e një pas njëshme gjatë Luftës së Parë Botërore. Populli italian gjakderdhjen bijve të saj në Vlorë, kur ishte deklaruar se, “lufta kishte mbaruar”, në fakt lufta vazhdonte për interesa të kapitalit italian. Nuk kishte oficer apo ushtar italian që nuk e kishte kuptuar se në Vlorë kishin shkuar për qëllime koloniale dhe jo “për të sjellë civilizimin romak në interes të dy popujve” dhe ishte krejtësisht e kundërta e përbetimit se “Italia përgjërohej për dashurinë e madhe që kishte për Shqipërinë”, që në fakt ishte një grykësi dhe oreks i shtuar jo vetëm për Vlorën por për gjithë ultësirën shqiptare me objektiva e synime të shtrirjes në kufijtë e Romës së vjetër. Qytetet e Italisë, në Ankona, Trieste, Brindisi u përfshinë nga revoltat mes ushtarëve barselierë e karabinierë, kundërshtuan dërgimin e trupave në Vlorë, që në historiografinë italiane njihet si “La rivolta degli Arditi” ( Rebelimi i trimave guximtarë) . Parrullat e qershorit 1920, “Via da Vlona”! (Largohuni nga Vlora)! Ishin vendimi i ushtarëve për të kundërshtuar urdhrin e ministrit të Luftës që të imbarkoheshin në anije për t’u nisur në Shqipëri. Ata në fakt ishin solidarë me Shqipërinë, sepse popujt përbashkohen në kohë rreziku dhe viktimat italiane ishin paralajmërimi i dytë i humbjes pas uraganit të luftëtarëve shqiptarë këtej Adriatikut. Kur anija “Molfeta”, planifikonte të nisej nga Brindizi një nënë u ngjit në shkallët e anijes dhe u bëri thirrje të gjithëve që të mos niseshin për në Shqipëri; në Ankona përleshjet midis forcave të rendit me popullatën civile dhe barsolierve që nuk pranonin të shkonin në Shqipëri, kishte bërë që situata të agravohej. Protestat për tërhiqje të trupave pushtuese nga Vlora, u bënë të përgjakshme, ku humbën jetën gati 20 ushtarë e qytetarë. Kryeministri Giolitti, kishte zëvendësuar Francesko Nittin, që gazetat shkruanin se “Nitin e rrëzuan vlonjatët”, por parrugëzgjidhje. Rrugëzgjidhja u gjet vetëm me nënshkrimin e paktit të 2 gushtit 1920, pakt që njohu sovranitetin e plotë të Shqipërisë. Rafaele Ofidani me pseudonimin “Spartakus” u këndonte ushtarëve italianë, që niseshin për në Shqipëri: “O ushtari proletar që e le nënën tënde, /Si skllav shkon të vrasësh njerëz,/Armikun se ke atje mes malesh dhe detin e bukur,/Mos e kërko larg, tiranin e egër e ke këtu,/Të ikim sa nuk është vonë nga dielli Shqipërisë,/Ta lemë malarien, masakrën dhe urinë,/Vdekje qeverisë së pangopur që drejt ferrit po na çon, po na çon…”. Ishte një thirrje që del nga gjoksi i popullit me tingëllim të përhershëm aktual. Ndërkohë që në malet shqiptare këndohej një tjetër këngë: “O djem na iku vatani,/Vlorën me gjak ta lani,/Të na njohë italiani…”. Por në fakt popujt nuk e donin dhe nuk e duan luftën. Politika ishte pro saj, nxitëse dhe frymëzuese. Qarqet reaksionare dhe shoviniste kur hyping në pushtet sjellin gjëma për kombin e tyre dhe fqinjët. Qëllimet dhe synimet e vjetra shoviniste e ultra shoviniste pavarësisht se si kamuflohen me lumë oratorik fjalësh të bukura, për të paralizuar dhe helmatisur përkohësisht ndërgjegjen kombëtare, nuk mund të kenë shërim dhe as të gjejnë melhem për plagët që u hapin popujve. Është maksimë e njohur e shumë popujve se në një përplasje luftarake njera palë thyhet dhe tjetra triumfon, po varet se si me çfarë çmimi. Dhe cmimi i një lufte është gjaku i derdhur përpara se të shkohet tek fitorja. Prandaj pas cdo lufte shkruhen konkluzionet dhe konsideracionet për luftën sikurse u shkruan dhe vijojnë të shkruhen edhe pas një shekulli si “Fitorja shqiptare e “Luftës së Vlorës”. Diplomati italian Pietro Quaroni, i cili ka shërbyer në Shqipëri në vitet 1931-1932, në librin “Valixhia diplomatike”, në lidhje me konfiktin ushtarak shqiptaro-italian, në verën e vitit 1920, i referohet Musolinit, i cili e quante  “mynxyra jonë shqiptare! dhe…katastrofa jonë në Shqipëri”. Gabriele D’Anuncio “asgjësimi i fitores tonë, …një tjetër delikt i shëmtuar… kundër atdheut (Italisë)”, Quaroni konkludon: “…të çapërlehesh për të shtënë në dorë mandatin mbi Shqipërinë, ta arrish këtë, duke siguruar edhe pëlqimin ndërkombëtar dhe pastaj duke patur armët në dorë, të na përzënë një grusht rebelësh shqiptarë, kjo i kapërcen kufijtë e imagjinatës”. Fakt është se për shqiptarët lufta e Vlorës ishte krenari e ligjshme kombëtare, kurse për italianët, një disfatë e dhimbshme dhe e turpshme, pothuaj e pashpjegueshme. Gjenerali Luigi Cadorna, ish-kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë italiane në Luftën e Parë Botërore, gjykonte: “kurrë nuk është parë ndonjë shembull i tillë që qeveria e një shteti fitimtar të pësojë një ofensivë kaq të turpshme në dinjitetin kombëtar. Tërheqja jonë nga Vlora u bë në rrethana të turpshme!” Ky “defincicion” ishte një këmbanë e turpshme në radhë të parë për komandantin e luftës. Ushtritë e një mbretërie me dyzetëmilionë banorë, të armatosura me mjetet luftarake më moderne, të komanduara nga gjeneralë të sprovuar në beteja, u mundën nga çetat shqiptare, të armatosura në mënyrë modeste, me armë të zakonshme, madje edhe me sëpata e hanxharë. Këtu italianën nënvleftësuan vlerën e “moralit në luftë”. Heroizmi i luftëtarëve shqiptarë, gjaku i dëshmorëve shqiptarë rrëzoi mirin e pathyeshmërisë italiane, ndërkohë që “Traktatin e fshehtë të Londrës” dhe gjithë planet e tjera përfunduan në tre muaj luftë në koshin e historisë. Epopeja e Vlorës u zhvillua në Vlorë, por ajo do të kishte po atë ngjashmëri kudo në çdo krahinë apo troje që të shkelte pushtuesi, sepse shpirti i shqiptarit për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar nuk ka reshtur, por ka ngelur flakadan gjer në yjet, pra është epope e gjithë Shqipërisë me të kuqen e flamurit të Vlorës. Pa një ide të qartë politike, pa zjarrin e atdhedashurisë, pa masa të sigurta organizative ushtarake pa guxim e trimëri sikurse dhe pa gjak dëshmorësh nuk ka e s’mund të ketë fitore dhe Lufta e Vlorës dhe shumë heronj e dëshmorë, të cilët u varrosën në kodrat e Babicës për të mos u harruar kurrë.  Lufta e Vlorës është epope historike, stacion i gravitetit të patriotizmit dhe nderit kombëtar, në jetën e kombit tonë. Halim Xhelua me të drejtë thoshte: “Vlora u kthye në “termopilet” e Shqipërisë”, sepse krisma e saj u dëgjua fort në kancelaritë e perëndimit. Zgjimi shqiptar, ishte i vonshëm, i vrullshëm ja vlejti para një shekulli, duke i folur kancelarive të Europës me gjuhën e forcës. Epopeja ka emrin “Lufta e Vlorës”, ka emrin lavdi, ka emrin Shqipëri, ka emrin Pavarësi, ka emrin shpëtim përfundimtar për Shqipërinë nga rreziku i copëtimit dhe zhdukjes nga harta politike e botës. Shqiptarët u treguan italianëve, Europianëve dhe më gjerë se ditën ta gjen vetë rrugën e mbrojtjes së vendit të tyre me gjakun e dëshmorëve. Për lidershipin politiko-ushtarak italian të para një shekulli, Lufta e Vlorës ishte një grusht të hekurt nga shqiptarët turinjve të Gjeneral Piaçentinit dhe ushtrisë së komanduar prej tij. Ky ishte një mësim historik i papërsëritshëm që lartësoi Osman Haxhiun dhe fundosi, pse jo dhe groposi gjeneral Settimio Piaçentinin, ndërkohë që në pikëpamje historiografike Piaçenntini është gjenerali që “u mbyt” në detin e Luftës kombëtare të Vlorës.

 

 

Please follow and like us: