Ilmi Kasemi Beati: BELVEDERE DY MIJE E DYMBËDHJETË
Ishte njëqind vjetori i pavarësisë.
Ishin të gjithë të pavarur.
Atë ditë të nëntorit të njëqind, u nisa për në studion e madhe, jo i gëzuar si të “gjithë”, sepse Shqipëria më dukej ende e varur.
Nuk më bëhej të gëzoja sëbashku me shumë të tjerë, të ndarë në grupe festimi, sipas orientimeve politike, por edhe qoftë me ata që promovonin libra dhe vepra skulpturore të bëra enkas, apo më keq të vjetra të ricikluara nga muzetë. U vendosën dy “vepra arti”, e para memoriali i “letrës së pavarësisë me firma në dollapin e hapur” prej pllakash bronzi me xhixha, që thonë se u bo nga një gjermon, në një vend ku dikur nën të, kanë qenë banjot publike dhe tjetra, statuja modeste e Ismail Qemalit, e autorit O. Paskali, në një vend ku dikur nën tokë kanë qenë llagëmet e bllokut famëmadh të udhëheqësve të Shqipërisë më të “pavarur” se kurrë ndonjëherë.
E para për koncept formal ka marrëdhënie e të kundërtave, të bosh-es dhe plot-es, e kam fjalën për principet e Zenit japonez në art. Ky memorial i propozuar dhe pozuar për të dëshmuar modernizmografinë e vonuar, të ndaluar dikur nga soc-realizmollogët, është objekti më i varfër në vizitorë të obliguar dhe pamorë kalimtarë.
Tani nga frika e agresionit të urinës, e kanë bërë me një pellg uji, që as urinorët, as pamorët kalimtar dhe as vizitorët zyrtar, vendor apo qendror, të obliguarit për të qenë prezent në boshllëkun e dollapit apo sëndukut gjigand, të bëjnë një koncentrim nirvanik, në botën e asgjësë, duke lexuar firmat e firmëtarëve, ca me mollza gishti e ca me gërma arabe e latine, të disa njerëzve që asokohe u quajtën përfaqësues legjitim.
Por ata qenë pak, shumë pak për të firmosur verdiktin e gjindjes nacionale.
Andaj Shqipëria mbeti pak në hartën e firmosur nga të tjerët, që qenë jashtë Kombit Shqipëtar. E shumta u tret dhe avulloi ndër hartat e kojshive, e pakta është kjo që kemi, kjo e mjera Shqypni, pa Epir, Dardani e Makedoni.
Por më mirë pak se aspak, thonë pesimistët pragmatistë dhe pikërisht kjo sentencë e fabrikuar, na është ngulur prapa kokës, në kockën e oksipitalit.
Dy herë në shekullin e XX thuhet me krenari nga fitonjësit, se në luftën e dytë, për fat u rreshtuam mirë, në krahun e duhur, se do qemë coptuar rishtas dhe në herën e dytë në luftën absurde të 1997-ës, do kishim marrë fund fare. Çfarë idjotësishë qarkullojnë ndër folësit politakë dhe shkronjësit historakë!
Po ne u bëmë copë në njerëz, u masakruam nga çdo anë, nga vetja më shumë, por edhe nga të huajt pushtues e zaptues.
Nga vetja do të thotë inatet e rreshtimit, inatet e vjetra të feudalizmit, otomanitetit mental dhe religjioneve. Ndërsa të huajt, sidomos fqinjët e shekullit XX, kanë bërë jo luftë frontale në besë dhe kode, por luftra të pabesa.Vetëm në trupat femërorë janë përdorur violenca paranojake, si mund të pranohen, durohen, përdhunimet, këto mjete lufte seksuale, në fillim, në mes dhe në fund të shekullit XX.
Çfarë janë shqiptarët për Europën, kafshë, apo kavie eksperimentale?
Por të kthehem tek vetja, për pavarësinë kombëtare, ka gjithmonë ekzaltime të natyrshme, por kuptimi i saj ende nuk ka dalë si dhe sa duhet, ajo nuk është vetëm një gjest i ngritjes solemne të flamurit kombëtar dhe tubimit të disa njerëzve që firmosin në një letër vullnetin e shqiptarëve, për t’u ndarë politikisht dhe administrativisht nga ish-perandoria Otomane, me seli në atë Bizantine, Romane të Orientit, në Kostandinopol.
Ajo është një univers vlerash që duheshin ngritur në piedestalin e duhur, nuk bëhet fjalë për atë ditë që sido të jenë bërë punët, ajo mbetet e shenjtë, por fjala është për më tej, në kohrat e paqes deri sot.
Kjo nuk ndodhi ashtu si duhej, prandaj themi nga e kemi pavarësinë, cili na ndihmoi më shumë dhe cili na dërrmoi më shumë, me harta dhe harrojmë hartografët tanë, që për interesa politike pushteti, bëhen firmëtarë në mallin e botës, firmojnë pa teklif e plot zell, sikur të jenë në bahçen e babës.
Po kthehem prapë tek vetja, tek idolatria në veprimtarinë e memorialistikës volumore pamore.
E bëri monizma në Vlorë monumentin gjigand të pavarësisë, me tonelata bronzi, por veçse ilustroi e zhvilloi skenat dhe skemat e fitimtarëve, si ato të paradave socialiste, që i shohim sot nëpër dokumentarët bardh e zi, me njerëz realë, si në sfilatat e karnevaleve, që mbanin flamuj, armë, e vegla pune nëpër duar, mbi makinat e mbetura të Luftës së Dytë Botrore, si dhe lokomotivave e traktorëve butaforikë më vonë. Me kate njerëzit mbi këto makina dhe në krye fare, lart e më, lart fitimtari flamurtar.
Të gjithë burra në monumentin e pavarësisë në Vlorë. A thua se gratë nuk kanë kontribuar në mëvetësi dhe kjo nënkupton ose dum babën, ose prej fanatizmit islamkomunist nuk duhej pasqyruar gruaja, sidomos në momente pavarësie, se prishet dynjaja dhe paskëtaj, bo ligjin ajo para burrit.
Por meqë ay qe i sos-realizmës, duhej bërë dhe në kryeqytet një tjatër, në opozicionizmin demokratues dhe duhej bërë natyrisht ndryshe krejtësisht.
Dhe ashtu ndodhi, nga figurativizmi vulgar më i mundshëm, në afigurativizmin më skematik të mundshëm, të botës abstraktoformale të marrë nga artet oksidentorjentale kontemporane.
Tjetri monument, i dyti për nga rëndësia qe statuja e Ismailit, e marrë nga sallonet e muzeut historik. Për këtë skulpturë nuk dua të ndalem për respekt të O. Paskalit, por me të vendimarrësit e kohës i lanë duart si Pilati.
Asokohe u bë një konkurs për monumentin e njeriut-simbol të ngritjes së flamurit, Ismail Qemalit, por juria me ‘mëlçitë e varura në qafë’, nuk gjeti ndonjë variant apo ndonjë skulptor të hajrit. Por për mos ta qelbur fare, zgjodhën një të parë nga Kosova, pak më afër Alemanjës dhe ai qe piktor.
Megjithatë kaq mirë e studiuan, me këtë zgjidhje që bënë, saqë njerëzit mos të kishin gojë me folë, pasi ai qe kosovar, dmth “i jashtëm” dhe kosovarët deri në atë kohë, qenë në modë për pavarësira e patriotizma dhe duke qenë të tillë, sidomos jashtështetsa, nuk qenë monista si skulptorët e Tironës.
Kopila dhe kopukë në të njëjtën kohë këta kadilerë, të preferuar nga të gjitha krahët politikë. Çfarë pavarësie mund të ndërtosh e të festosh me këta?!
Kisha bërë dhe unë një bocet në atë garë, por juristët shtruan gostinë e fitores me mëlçi në zyrat e shtetit, duke thënë se s’kemi kuadro, si në vitet e pas Luftës Dytë Botnore.
Statuja të njerëzve me vlera të larta nacionale, duhen marë seriozisht, por serioziteti në shtetin tënë, sidomos në këtë opozitar, quhet mbeturinë monistike dhe shfaqje dekadente e motivuar nga alergjia që krijoi, mbështetja në forcat tona.
Sepse ky shteti demokratikopozitar vazhdon referencat e fitorjeve me ish fitorjet e pararedësit. Njësi tjetër krahasimore nuk paska, përveç se me soc-realizmit, sikundër këta të fundit krahasimet i bënin me vitin 1938. Andaj me monumentin e parë shkuan deri në Alemanjë dhe me të dytin në muze ku shpëtuan prej emrit të Paskalit dhe kosovarin që e deklaruan fitues, e përdorën si karrem të grepit pa peshk, duke mos ia dhanë atë realisht dhe duke mos e bërë statujën në njëqind vjetor. Shkurt u tallën.
Mos gaboj në atë konkurs kombëtar, qenë edhe projekt idetë (bocetet) edhe të A. Zogut e H. Prishtinës, të cilët u realizuan nga dy dekanë, pasardhës të dekanizmit dekadent dogmatik soc-bugiardist. I lanë duart edhe me monarkun edhe me armikun e tij prishtinas dhe kësisoj e marrë sëbashku memorialistika dhe statueria e Tiranës, duke përfshirë të tjerat pararendëse dhe pas rendëse, dominohet vetëm prej patetizmit heroik nga Shkumbini e lartë. Kur them kështu ndjej keqardhje për pavarësinë dhe më keq akoma ndjehem në këtë konstatim real të dasisë krahinore, të cilën me imponim të padukshëm ideologjik e politik së jashtëmi, po e bëjmë me duar tona, me forcat tona së brendshmi.
Dikush mund të irritohet me të drejtë nga ky konstatim dhe ta quaj pozicionim të gabuar e antikomtar, por jo kjo është thirrje për pankombëtarizëm dhe për pavarësi të vërtetë.
Kjo gjendje disekuilibri dhe trysnie vorioshkumbinore në Tiranë, mund të jetë edhe pasoj e trysnisë notoshkumbinore, me shumë statuja dhe monumente të ngritura në dy epokat mono, respektivisht monarki e monizëm, kujtojmë këtu listën e gjatë të luftëtarëve të njohur e panjohur në Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj.
Për të qenë bindës për Tiranën e demokracisë ja lista: Gj. Kastrioti, A. Zogu, H. Prishtina, D. Gjonluli, A. Jashari, Bargjini, Hoxha tek Medreseja, A. Hajdari tek Qyteti Studenti, si dhe një Partizan i panjohur etj.
Ndërsa në shkallën më të ulët përfaqësimi rezultojnë; një “statujë” capodhiste (as cjap as dhi) e F. Nolit tek Akademia e Shkëncave dhe një dyzinë bustesh lulishtore dhe mortore, të heronjve të luftës dytë, në qytet dhe sidomos në periferinë e quajtur te liqeni, në varreza të veçanta, pranë varrezave të të huajve që kanë luftu në tokën tonë. S’po e zgjas më tej, fakti është fakt dhe në fakt kryeqyteti ynë Tirana, i shtetit të mosvarur, është i vetmi qytet në botë, që nuk ka statujat e shkencëtarëve, poetëve, dijetarëve, të atyre individëve që kanë ndërtuar historinë dhe sensibilizuar në kohëra gjuhën shqipe dhe gjuhën universale të kulturës. Për të mos folur për “mëkatarët”, figurat mitike dhe legjendare, të dala nga ky komb nga antikiteti.
Ishte dita e fundit e një shekulli që u vendosën këto monumente dhe mbaj mend, që duke shkuar në studion e madhe për të filluar statujën e shën Valentinit, kalova bulevardin entuziast nga flamujt kuq e zi dhe me fytin e zënë nga angusa barbarike, fillova në pjesën e mbetur të rrugës të imagjinoja portretin real të statujës tashmë imagjinare, të Ismail Qemalit.
E hodha atë mbasdite me shtysën e një frymëzimi absurd, i cili qënka i vetmi mekanizëm krijues në këtë vend.
Inatizmi është bërë moto dhe modë në bërjen dhe çbërjen e gjërave në këtë bukurinë tonë të pakrahasueshme natyrore, që quhet Shqipëri. Çfarë Belvedere të mrekullueshme kemi!
E derdha në allçi dhe i hodha një velatur balte, që të më dukej gjithmonë i pa përfunduar dhe të më afronte të punoja sërish, por kanë kaluar tetë vite dhe ai portret është si në njëqind vjetor. Sot bëra një fotografi me të në oborrin e studios, edhe pse ka një javë që e nxora në natyrë t’a shihja dhe t’a punoja, por jo ende si ka ardhur koha.
Megjithatë së brendshmi u përpoqa ta përkujtoja këtë figurë dhe ditën e flamurit.
Pavarësia e shtetit të vogël, në fakt është e varur nga hekuri i vendosur në kolonat dhe trarët e betonit, të derdhur në fillim të shek.XX. por çdo shufër hekuri është prodhim i fonderive të fondamentalistëve etnik e teritorial, të shteteve ballkanike e më gjerë, që e rrethojnë këtë ndërtesë më vete e të vetmuar, idealisht krenare e të gjerë, por realisht e kërcënuar nga rrënimi dhe ngushtësia.
Albania në fakt është një Belvedere. Kush e ka parë s’ka mundur të shprehet ndryshe, përveç dashakeqësve patologjik, jashtë dhe brenda saj, të cilën realisht po e mbajnë pis, pa infrastrukturë moderne dhe më tragjikja pa rrugë hekuri. Jemi i vetmi vend në botë pa hekurudhë.
Dymbëdhjeta.
Numër apostujsh, por i trembëdhjeti numër erdhi pas një viti. Trembëdhjata qe numri i vitit fatal, jo ai i shpëtimtarit, por i ndarjes, jo i bashkimit por i coptimit, jo i kombit por i ç’kombit, jo i shtetit por i vasalitetit.
Pikërisht në këtë vit ne, pak vend me pak formë esenciale, në ngjashmërinë dhe madhështinë e Torsit të Belvederes dhe në pamundësinë e gjetjes së identitetit të humbur në thellësinë e kohës, u ulëm mbi gurë si kjo statujë e fuqishme muskuloze, e një ish heroi i trojeve të luftës së gjatë e të mërzitëshme të Trojës, por pa kokë e gjymtyrë. Ato u ndanë nga ky trup kushedi nga cili, kush e di nga cila dorë hajduti apo fanatiku religjioz. Ndoshta edhe nga ndonjë tërmet, por jo, sepse koka dhe këmbët, sëpaku do gjendeshin pranë trungut.
Kjo skulpturë gjendet në Romë, nuk dihet si dhe kur ka mbërritur aty dhe për treqind viete ka shëtitur nëpër oborre e sallone të ndryshme deri edhe në Luvër për pak kohë, për tu vendosur përfundimisht në Muzetë e Vatikanit.
Mori këtë emër, pasi për një kohë të gjatë u vendos në oborrin e Belvederes dhe thuhet se Papa Giulio ll, thirri Mikelanxhelon për ta kompletuar skulpturën, ti shtonte kokën dhe gjymtyrët, por ai e rrëzoi këtë kërkesë duke thënë se, Torsi… “është shumë i bukur për ta ndryshuar” dhe sygjeroj ngritjen dhe vendosjen dinjitoze të tij. Mikelanxhelo e gjeti atë me shpinën për tokë, në mes të kopështit me portokalle dhe rosmarina, në të cilin Papa Giulio II, kishte vendosur aty disa skulptura në kujtim të Eneidës së Virgjilit.
Kaq i bukur ishte ky mermer, kjo gjysëm figure, apo figurë sakate, saqë influencoi në manierën e gjeniut fiorentin, sidomos në afreskun e Kapelës Sikstine, gjë të cilën ai edhe e ka pohuar, duke u shprehur se… është dishepull i kësaj skulpture.
Kjo influencë shkoi deri tek neoklasicizmi i Canovës, shpëtimtarit të fundit, i cili ndikoi që skulptura që qe në Luvër, e marrë prej Napolonit, të kthehej në Vatikan. Për të u ngritën komisione ekspertësh e diplomatësh dhe në një moment vendimtar pati rrol të rëndësishëm Canova. Nga diskutimet dhe vendimarjet e shumta, kundër ishte Franca dhe Rusia. Kjo lloj vendimarrje, e fuqive të mëdha dhe diplomacive respektive, kur e pata lexuar vite më parë historinë e kësaj vepre madhështore, më kujtoj mëvetësinë shqiptare, andaj e integrova sot, këtë skulpturë të bukur si Albania në kontekstin e ditës së flamurit.
Thuhet përgjithësisht nga ish studiuesit, duke parë vetëm dukjen, botën apparente, se ajo ndikoi në të gjithë botën e stileve, manierave, teknikave të artit por edhe kulturës universale Europiane. Nga ky Tors doli dhe Mendimtari i Rodonit e shumë të tjera. Gjithçka pas Rilindjes Italiane, në fakt është rilindje e epokës së ndritshme të antikitetit dhe Pellasgët pa dyshim kanë qenë pjesë integrale kulturore, e botës dhe vizionit estetik të saj, e cila tashmë është ish bota e përhumbur, e bukurisë dhe vlerave homerike në këtë rast.
Toskanët Fiorentin, Dante, Donatello, Verrochio, Da Vinci, Michelangelo e shumë të tjerë u bënë “klasikët” e ri të rindërtimit të pavarësisë së artit. Ata qenë nostalgjikët e kësaj bote, sepse origjina e tyre e përhumbur, e cituar nga Virgjili, s’kishte rrugë dalje tjetër përveç mëvetësisë së dritës së humanizmit, e cila pësoi një “vdekje klinike” thuajse njëmijë vjeçare, brenda së cilës arti u shdërrua në një gjendje profaniteti ekzemplar dy dimensional, dekorativ, pikërisht në vendin ku dikur arti romak rindërtoi vepra madhështore, mbi principet e shkollave të klasikëve Fidia, Praksitel, Miron, Poliklet e Lisipo më vonë. Një nga shembujt është dhe ky Tors, për të cilin thuhet se figura e plotë qe në bronz, në varrin memorial të heroit Ajaks, më të fortit pas Akilit, por Marc Antoni e kish çuar në Egjipt dhe prej andej, Augusti e pati rivendosur në Aiantheion, në Rodi përball Trojës.
Siç e kishin zakon romakët, edhe për këtë bronz origjinal u bë kjo kopje mermeri. Kjo mund të jetë teza më afër origjinës.
Epoka e artit paleokristian e pikturimit të sepeteve dhe afreskeve të ngrira të kishëzave, si në epokat primitive, duhej të ngrihej në lartësinë e vërtetë të ilustrimit biblik, të rivendoste pavarësinë dhe dinjitetin e shprehjes artistike. U desh njëmijë vjet tallje, përkundrejt statujave të bukurisë hyjnore të klasikëve, të trupave nudo të hyjnive dhe perandorëve apo edhe portreteve të njerëzve të zakontë, të realizuar me realizmin e “tmerrshëm” të shkollës romake, që kristianizmi në art të rikapte majat e perceptimit të imazhit të kapte pavarësinë nga injoranca dhe profaniteti.
Shumë hipoteza janë ngritur për personazhin e gdhendur në këtë mermer. Po thuaj se gjith emrat e hyjnive, nga Herkuli e deri tek ato më minoret si Satiri apo Marsia apo luftëtarit Homerik Filottete, i cili u braktis nga akejtë, në ishullin Lemnos, për shkak të plagëve që kundërmonin një erë të papërballueshme.
Por Ajaksi mbetet hë për hë emri më i besueshëm i këtij torsi, heroi Homerik, në momentin e vetvrasjes.
A është e bukur Albania kështu siç është torsi i gdhendur nga skulptori Apollon i Athinës. Po është shumë e bukur edhe pa kokë e gjymtyrë. Po sa e bukur do ishte sikur të qe e plotë, e tëra dhe e pikturuar, ashtu si ka qenë në origjinë, kjo skulpturë mermeri e shek. të parë para Krishtit ndoshta.
Thuhet se statujat e mermerit në antikitet i pikturonin dhe imagjinata jonë është e mangët për këtë shprehje estetike.
Jemi mësuar me to duke i parë pa ngjyrë, por edhe të tilla, ato janë të mrekullueshme.
Por në fakt gjykimi mbi to, në kuptimin e vërtetë të vlerës estetike të epokës antike, është i mangët, ashtu si ky tors edhe pse është shumë i bukur për ti shtuar ende bukuri, mbetet i gjymtuar dhe i varur nga hipotezat e shumta.
Kështu është dhe Shqipëria.
Kështu është dhe pavarësia e saj.
Kur ajo u zbulua pas pesëqind vjet nga dherat dhe erërat otomane, koiçidoi pikërisht pesëqind vjet pas diskutimit të Papës me Mikelanxhelon për Torsin e Belvederes.
Albania e veshur me Lis. Che belvedere.
28. 11. 2020.