Poezia e Kostis Palamas vjen në shqip nga Arqile Garo
Kostis Palamas: MASHTRUESI-IDHULL ËSHTË MES NESH…
Kthehu e mos u ndal aty, na hidh një gur të zi,
mashtruesi-idhull është mes nesh, duva i bëjnë plebejtë,
por e vërteta nuk gjen dot një copëz tokë të rrijë.
Dhe larg. Në skela e mbi atdhe makthi u nxi, u vrenjt.
Shteti u çmend, u torollis edhe thërret bastardë,
Mendjen dhe Fjalën, Zemrën tok më Këngën, Profecinë,
çdo shpatë, çdo pupël e kurorë, shiritin mbi konkardë,
në baltë. Bënë katedralen stallë, bodrum e bënë shtëpinë.
Nga ca dervishë xhahilë, tutkunë, nga burokratë eunukë,
nga të paskrupull partiakë Shteti është uzurpuar.
Rroftë dembelizmi! Arlekinë që s’ngopeshin me bukë!
dhe ra shqiptari prapë në gjunjë, skllav, i pa ngushëlluar.
Lart mbi Tomor s’ka më hyjni, Vjosa nuk lind më trima,
dhe plot rajenj mbi tokë gëlojnë, për një haraç të mjerë,
të shurdhër e të pa takat, gjuhën ta bënë me vrima,
tallet me ta Europë e tërë, palaço e të pëgërë.
Edhe Kleonët* demagogë, Zoilët* mendjetrashë,
tok me Mamonët*, kriminelë që himnizojnë karrizmën,
ujqër çobenj, kope, mish–mash me ca zagarë morrashë,
dhe të pacipë, që prostitutë e duan shqiptarizmën!
Shqipëroi dhe përshtati: Arqile Garo
Kleoni* – strateg grek në luftrat e Peloponezit që u cilësua si demagog dhe luftënxitës.
Zoili* – orator i lashtësisë nga Amfipoli. Cinik dhe mashtrues.
Mamoni* – personazh biblik që përshkruhet si mizor dhe barbar.