Traktat kundër mercenarëve/Naum Veqilharxhi për kombin
Ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, illuminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me Shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës. Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve. Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.
LETRA ENCIKLIKE E NAUM VEQILHARXHIT, DËRGUAR NIPIT TË TIJ NË VJENË
Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena, i dashur nip, dhe menjëherë pas përshëndetjes sate, shoh se ke filluar të më qash hallë keq, sepse punët me të cilat merrem dhe që ti i di, më sjellin dëm dhe material dhe moral. Më poshtë më ke bërë fajtor pse kam njohje dhe miqësi me Dhimitër Marinin, të cilin ti e neverit si të çkishëruar, duke u shprehur me habi të madhe dhe me tri pikëçuditëse! Ti pastaj çuditesh, duke thënë: “Cila vallë nga tri perëndeshat, që përcaktojnë fatin e njerëzve, deshi që të mos dalë ndonjë tjetër, por xhaxhai im shumë i shtrenjtë, për të lidhur ato që s’lidhen, të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufe myslimanët fanatikë, të krishterët ortodoksë superticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera, të krijojë një trup homogjen nga kombi shqiptar? Mallkoj atë orë, xhaxhai im i nderuar, kur ju u dhatë pas një ideje të tillë himerike. Me gjithë këtë le të ndjekim fjalën e urtë italiane. “Më mirë vonë se kurrë”. Ç’u bë, u bë, mori fund, po dhe në të ardhmen hiqni dorë nga planet që nuk mund të realizohen, duke përbuzur lajkat e të huajve, besoni në fjalët e nipit tuaj, i cili ka informata…”
Duke i shkruar fjalë për fjalë vërejtjet dhe këshillat e tua, po përgjigjem me të njëjtën radhë, siç janë parashtruar dhe në letrën tënde.
Dhe së pari kujtoj se dëmtim material pëson ai që sheh dëm sidomos në trup të tij, por një dëm të tillë e pësojnë pa përjashtim të gjitha krijesat organike të krijuesit në tokë. Pra, as edhe ti vetë, me gjithë përpjekjet e tua, nuk ke për të shpëtuar nga një dëm i tillë. Po në qoftë se ti me këtë kupton, pa i përdorur mirë fjalët, dëmin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, akoma ca më keq; sepse këto nuk bëhen kurrë pronë e përhershme e askujt dhe në qoftë se nuk do të rrojë në një shoqëri njerëzore, do të mund të rreshtojë shembuj të panumërt, të vjetër e të tanishëm njerëzish të panumërt, të cilët duke e quajtur veten të sigurt nga të gjitha prapësitë e fatit u bënë menjëherë fare të varfër, dhe të tillë ke jo vetëm tregtarë të mëdhenj, por edhe mbretër: dhe ti e konsideron veten në siguri – sheh ëndrra, o nipi im. Nuk dini çdo të pjellë dita e nesërme. Kjo është një e vërtetë e përjetshme.
Së dyti, dëmtim moral pësojnë në përgjithësi njerëzit që i sjellin dëm shoqërisë, dhe të tillë janë ata që dëmtojnë familjet dhe shoqërinë, si gënjeshtarët, batakçinjtë, çprishësit, turbulluesit, vjedharakët, hajdutët…dhe të tillë a do të mësosh, o nipi im, cilët janë?
Ata që e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen në veten e tyre, duke mos treguar asnjë interes për të tjerët. Këta, duke e kuptuar keq fjalën interes, përdorin çdo mjet të lejuar dhe të palejuar vetëm për të shtuar dhe për të grumbulluar argjend dhe ar, që t’i kenë gati mjetet e çprishjes.
Unë pra, me punën time kujtoj se nuk mund të vihem në radhën e të tillëve, ndryshe të gjithë ata që para meje pak a shumë kanë qenë shpikësh shkronjash, do t’ua kenë sjellë dëm kombeve të tyre: si shembull Thefshi i finikasve, Kadmi i tebanëve, Pallamidi i peloponezëve, Qirili i sllavëve…
Së treti, më bëre fajtor se kam lidhje me Dhimitër Marinin si njeri i lik, po në botë krejt të liq janë ata që u përmendën më lart, kurse ata që rastësisht, për shkak të ndonjë rrethane të pashpjegueshme, kanë humbur pasurinë e tyre në të holla dhe që nuk kanë qenë në gjendje t’ua kthejnë huadhënësve, nuk mund të quhen njerëz të këqij, veçse relativisht. Mua, ndershmëria e tij jo vetëm që nuk më dëmtoi, por më ka sjellë e më sjell dobi: sigurisht po të ish njeri krejt i dëmshëm, as administrata vetë nuk do ta mbante në gjirin e shoqërisë njerëzore.
Vij tani në pjesën më thelbësore, duke t’u përgjigjur them se njerëzit dolën nga duart e krijuesit thjesht qenie me arsye të pajisura me nevoja të ndryshme fizike, për shërbimin e të cilave shtrëngoheshin të përdorin fuqitë e tyre mendore e fizike. Këta vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta mundën të lidhen e të bashkohen dhe të formojnë mbi tokë shoqëritë njerëzore të vogla dhe të mëdha: d.m.th. racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha.
Kështu pra njerëzit, që në kohë më të lashta filluan lëvrimin e gjuhës së tyre, duke u zhvilluar dora dorës, duke u nisur nga gjëra të vogla dhe dalëngadalë lidhën ato që s’lidhen, u dhanë formë atyre që nuk kishin formë dhe bashkuan në një komb antropofagë të egër e barbarë. Si pra? Cili ishte kombi grek para ose dhe në kohën e Omerit, gjatë shekujve mitologjikë ? Çfarë ishte fisi romak në kohën e Romulit dhe më përpara ? Amerikanët në kohën e Kolombit ? Englezët në kohën e Krishtit? Rusët para Pjetrit të Madh? Qysh këta dhe të tjerë si këta u zhvilluan menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot?
Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan!
Mësimet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq.
Duket se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…
“U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…
O nip! Vetëm kafshët nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël. Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij? Por u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…
Shpikësit e shkronjave nuk sjellin dëm, por përparim!…
Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës: Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos. Unë, i dashur nipi im, mund të zgjatesha më shumë akoma dhe të bëja më shumë sqarime, por kujtoj se edhe këto janë të mjafta, nga të cilat kuptohet edhe pikëpamja ime edhe sistemi im, a është një ëndërrim i thjeshtë, apo ka edhe ky bazat e tij duke pasur për të ardhmen të mirat e tij që shpresojmë. Të uroj shëndet, mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë, vetëm të dobishmet.