REALITY SHOW I DEMOKRACISË AMERIKANE DHE ANOMALIA PRESIDENCIALE
Dr. Astrit Gjunkshi
Zhvillimet sfiduese të afro dy muajve të fundit në SHBA të sjellin në mendje formatine reality showt (shfaqje e realitetit). Dihet se ai spektakël ndiqet përgjithësisht me interes nga njerëzit, gjë që spjegohet me dëshirën që ata kanë për të parë mënyrën e sjelljes së pjesëmarrësve ndaj njëri-tjetrit apo ndaj situatave që krijohen. Organizatori i tyre i vë vazhdimisht personazhet para situatave të vështira, shpesh provokuese, të cilat synojnë të zbërthejnë para shikuesve formimin e tyre, botëkuptimin, personalitetin, moralin, shprehitë e shkathtësitë, ndjenjat, gjykimin, prakticitetin, veset apo virtutet, etj, etj. Duhet thënë se, në çdo shtet ku zhvillohen këta spektakle, reagimi i publikut është i ndryshëm dhe varet nga morali dhe nga parime dominuese në ata shoqëri, madje edhe nga niveli i zhvillimit të tyre.
Ndër spektaklet më të njohura kanë qenë ata që zhvilloheshin para disa dekadash në SHBA dhe, sidomos, ata që kishin moderator z. Donald Trump. Shfaqjet e tij të reality showt ishin vërtet spektakolare, jo vetëm për nga luksi, por, veçanërisht , nga fantazia të cilën ai vinte në punë për të krijuar situata sfiduese nga më të larmishmet. Shihnim eleminimin një pas një të të gjithë konkurentëve, përveç të njërit që shpallej fitues. Të parët eleminoheshin të ndrojturit e të brishtët, ata që nuk arrinin të përballonin tensionin dhe kërkesat, shpesh të pamëshirmshme, të organizatorit. Dhe, ky i fundit, shfaqej pompoz dhe i prerë kur i eleminonte ata, pa asnjë shenjë keqardhjeje apo dobësie. Personalisht, që atëhere, nuk e pëlqeja mendjemadhësinë dhe mungesën e shpirtit të ndjeshëm njerëzor nga ky moderator i cili u katapultua si president i SHBA-ve, katër vite më parë.
Nuk marr përsipër të analizoj në detaje performancën e tij si president. E di që ai ka adhurues jo të paktë edhe në vendin tonë. Madje, disa prej tyre, janë të tillë deri në ekstrem, sepse e vlerësojnë çdo veprim e vendim të tij si të pagabueshëm e gjenial! Një vlerësim i tillë nuk bën pjesë në gjykimin tim, sepse unë mendoj se, si çdo gjë tjetër, njerëzit, madje edhe presidentët, nuk duhen vlerësuar bardhë e zi. Ata kanë meritat dhe gabimet, arritjet dhe dështimet e tyre. Kështu e vlerësoj unëedhe performancën e presidentit Trump. Duke u mbështetur në moton “Amerika e para”, ai ka merita për përpjekjet që bëri për të rritur punësimin në vendin e tij, edhe në këtë periudhë të vështirë të pandemisë; për t’i kthyer popullit amerikan fitimin e munguar për shkak të diskriminimit dhe pabarazisë në tarifat, sidomos në shkëmbimet tregëtare me Kinën; për të normalizuar marrëdhëniet me Korenë e Veriut; për të ndaluar valën e emigracionit masiv nga Amerika Latine; për të balancuar shpenzimet nga aleatët në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, etj. Ishte veçanërisht thelbësor premtimi i tij për të luftuar klientelizmin dhe mungesën e transparencës nga politika e lartë në establishmentin e trashëguar nga një president tek tjetri. Mbase kishte disa të vërteta në pretendimet e tij. Por, siç e tregoi koha, ky ishte një premtim i pambajtur dhe demagogjik i Trumpit. Madje, ai zëvendësoi establishmentin e demokratëve me një establishment akoma më problematik.
Nëse do të flisnim për problemet e presidencës së Trumpit, në krye të performancës së tij problematike vjen pikërisht ai familjaritet i hapur që krijoi në qeverisje. E bija Ivanka, dhëndëri Kushner, etj, ishin personat e tij më të afërm në qeverisje, të cilët u angazhuan pa rezerva në çështjet më të mprehta e të përfolura. Mbi të gjitha, problemet e presidentit Trump u shfaqën me institucionet legjitime amerikane, duke filluar nga krerët e agjencive që lidhen me ligjin dhe me zbatimin e tij, të cilët, kur nuk mundi t’i bëjë që t’i bindeshin pa asnjë diskutim, nuk ngurroi t’i flakë tej. Njëlloj si në reality showt e tij, ai flaku pa mëdyshje thuajse pjesën më të madhe të këshilltarëve të tij. Konflikti i presidentit me ‘to ishte gjithnjë kapërcimi i pengesave ligjore e kushtetuese me urdhëra presidencial, thjesht administrativ. Megjithatë, problem akoma më i madh i Trumpit u bë lufta e tij me rendin kushtetues.
Ishte e diskutueshme vetë zgjedhja e presidentit Tump në Nëntor 2016, ku u përfol ndërhyrja e Rusisë në deformimin e procesit të votimit në zgjedhjet presidenciale. Hetimet për këtë ndërhyrje vazhduan deri në vitin e shkuar, duke hapur një proces të zgjatur për shkarkimin e mundshëm të presidentit. Fakti që ai nuk u shkarkua ishte rezultat i akrobacive dhe i presionit të tij ndaj organeve hetimore, si dhe i mbështetjes nga senati i dominuar nga republikanët. U luftua me çdo kusht fshehja e provave dhe e së vërtetës. Si për ironi të fatit, është presidenti Trump ai që tani akuzon për deformim të zgjedhjeve presidentin fitues Joe Biden. Kjo akuzë e tij po shoqërohet me përpjekje të pareshtura për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti.
Lufta e Trumpit për të zhvleftësuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale është e paskrupullt, pasi nuk kursen asgjë për të lëkundur edhe themelet e sistemit të zgjedhjeve dhe të vetë demokracisë amerikane. Pretendimet për deformimin e votës dhe ankesat në gjykatat e shteteve janë rrëzuar një nga një, pasi Trump nuk paraqet asnjë provë për të vërtetuar manipulimin. Megjithë çertefikimin e zgjedhjeve nga thuajse të gjitha shtetet, Trump nuk ndalon luftën e tij, më tepër për të shkaktuar rrëmujë se sa për të përmbysur një rezultat që ai e di mirë se nuk përmbyset dot. Dhe këtu qëndron edhe forca e demokracisë amerikane, qëndrueshmëria e tyre, edhe pse e kërcënuarnga vetë kreu i shtetit. Megjithatë Trump nuk ndalet dhe përpiqet të mobilizojë mbështetësit e tij.
Ishte e paprecedent për SHBA-të ngjarja që ndodhi në fundjavën e shkuar, kur disa duzina adhuruesish të Trumpit, të armatosur, rrethuan shtëpinë e Sekretares së Shtetit të Miçiganit dhe e kërcënuan që të anullojë çertefikimin e fitores së Bidenit në atë shtet. Është një devijim i shëmtuar dhe i rrezikshëm i demokracisë amerikane, i denjë për vendet e botës së tretë, të cilin Trump nuk e ka dënuar. Madje, në heshtje, ai nxit akte të tilla dhe të ngjashme me to. Edhe anëtarët republikanë të senatit nuk e dënuan këtë akt në përgjithësi, pa përmendur të tillë që janë po aq agresivë sa Trump. Ishtre i frikshëm kërcënimi që bëri sot në CNN senatori amerikan Graham se “Georgia mund të shkojë drejt luftës civile” nëse nuk anullohet çertefikimi i zgjedhjeve. Natyrisht, pas përpjekjeve të ethshme të presidentit Trump për të mos lënë me çdo kusht Shtëpinë e Bardhë, qëndrojnë problemet që ai do të ketë me ligjin, kur do të jetë i zhveshur nga posti i presidentit. Bëhet fjalë, kryesisht për probleme të rënda të detyrimeve dhe të shkeljeve të tij financiare.
Jam i sigurt se sistemi i konsoliduar i demokracisë amerikane do të funksionojë deri në fund dhe rotacioni do të ndodhë në 20 Janarin e vitit që vjen. Por ajo që dua të theksoj në mbyllje të këtij opinioni është se elitat më të larta të të dy krahëve të politikës amerikanë duhet të nxjerrin një sërë mësimesh tejet të rëndësishme, si vijon:
Së pari, secili kamp i politikës duhet të bëjë shumë kujdes që të shmangë në të ardhmen nxjerrjen e kandidatëve për president, të cilët përbëjnë raste anomalie në historinë e presidentëve amerikanë. I tillë ishte presidenti Trump. Ai nuk erdhi nga një karrierë e mirëfilltë politike, por nga fusha e biznesit. Si i tillë ai nuk kishte as përvojën e duhur politike dhe as qeverisëse, por vetëm sensin e nuhatjes të një biznesmeni për të bërë politika që sjellin përfitime vetëm të palës tënde, pa analizuar si duhet të gjitha pasojat. Për më tepër, megjithë mungesën e përvojës, ai jo vetëm nuk i pyeti këshilltarët e vet, por u shqua për “flakjen” e tyre pa ngurrim kur këshillat e tyre e pengonin në realizimin e synimeve të tij.
Së dyti, cilësitë morale janë të dorës së parë në përzgjedhjen e presidentit. Statistikat e organizmave që merren me ballafaqimin e të vërtetave me ato që presidenti shet si të vërteta, dëshmojnë se gënjeshtrat e presidentit kanë qenë normë e sjelljes së tij.
Së treti, në përzgjedhjen e një kandidati për president, është thelbësor që ai të jetë i kompletuar me cilësitë e një burri shteti. Mbi të gjitha, ai duhet të jetë një figurë që punon për unitetin e kombit. Por, ne jemi dëshmitarë se sa shumë e shkatërroi Trump unitetin e popullit amerikan, duke shkaktuar ndarje të mëdha sociale, deri në urrejtje, mitingje dhe antimitingje, shkatërrime statujash e memorialesh.
Së katërti, një anomali në përzgjedhjen e presidentit sjell pasoja jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Roli udhëheqës global i një shteti si SHBA nuk mund të sigurohet me improvizime apo show si ai i takimeve Trump- Kim Yong Un, të cilat nuk ndaluan realisht vijimin e përpjekjeve korenaoveriore për zhvillimin e armëve bërthamore. Përveç kësaj, ishte dështim i politikës së jashtme amerikane anulimi i marrëveshjes 6 palëshe me Iranin, apo tërheqja e SHBA-ve nga Traktati për Klimën dhe detyrimet ndaj tij, etj.
Së pesti, vërtet rritja ekonomike ka ‘pjesën e luanit’ në sigurimin e votës së publikut, por ajo nuk është gjithçka dhe duhet të arrihet në ekuilibër me zhvillimet e tjera, si me krijimin e një klime të favorshme të marrëdhënieve ndërkombëtare, me imazhin e një shteti demokratik dhe të angazhuar për paqën, dhe me repsektimin e aleancave strategjike. Por, Trump, do të mbahet mend për ashpërsimin e marrëdhënieve të SHBA-ve me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Së gjashti, republikanët dhe demokratët duhet të nxjerrin mësime se stabiliteti dhe forca e qëndrueshme e demokracisë amerikane qëndrojnë më lart se sa fitorja e pushtetit të rradhës në zgjedhjet presidenciale. Anomali të tilla, si ajo që ndodhi me zgjedhjen e një presidenti që punoi me stilin e moderatorit të një reality show, e bëjnë të pasigurt edhe një demokraci të tillë të fortë si SHBA.
Së shtati, dhe së fundi, të dy kampet politike bashkë duhet të shohin në mënyrë kritike funksionimin e demokracisë amerikane edhe të konsolidojnë më tej disa parime dhe politika qëngrejnë një establishment më transparent dhe më të përgjegjshëm, dhe që e bëjnë Amerikën një shtet më të fortë, por edhe më social.
———————-
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash për sigurinë, integrimin dhe diplomacinë, shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes.Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit.
09 dhjetor 2020