Sotir Gjika: 28 Vjesht’e Tretë 1912
“Le të mos harrohet se kombet nuk vdesin; të poshtëruar e të shtypur, e durojnë me msherëtim zgjedhën q’u është vênë përsipër, dyke pregatitur çlirimin, e dyk’e lênë bres pas brezi një trashëgim të zì mërie e gjakmarrjeje”. Kështu thotë Papa Benedikt’i XV. Fjalë shumë të vërteta. Mê tepër se 400 vjet Kombi Shqiptar e duroj me msherëtim zgjedhën e Sulltanëvet, pa vdekur, dyke pregatitur çlirimin e dyke ngritur krye kundër shtypësit sà herë q’i mundej.
Po vojtjet kanë, natyrisht, edhè fundin e tyre, e shpërblimin e tyre. Populli Shqiptar pandehu se vojtjet e tij mbaruan më 28 të Vjeshtës së tretë 1912, ditë në të cilë ngrihej përsërì Flamuri dhe çpallej Indipendenca e tij në Vlorë. Si njeriu për shumë kohë i dergjur që, dyke mposhtur lëngatën mizore, neverit shtratin e mërrzitur e me mallëngjim gazi të thellë thotë “kaqë qoftë o Zot!” – ashtu Popull’i ynë: ato fjalë dëgjoheshin nga goja e Shqiptarëvet q’e ndjenin thellë gazin e madhërin’e asaj dite të paharruar. Për Kombin Shqiptar vojtjet nisën pa mbaruar mirë dhe po vazhdojnë, të këqia si përpara; pa e shijuar dot mirë diellin e lirisë Vêndit t’onë nisi të mos i vejë buza më gas; po mbeti shpërblimi – shpërblimi se po të mos qe ngritur Flamuri në Vlorë më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912 e po të mos qe bêrë ahere Shqipëria Shtet më vete, nuk dimë a do t’i a njihte sot Konferenca e Parisit atê të drejtë Popullit të Skënderbeut.
Përmêntmë se vojtjet t’ona s’janë mbaruar. Duhet të përmendim se fajtorë dhe shkakëtarë të vojtjevet t’ona jemi edhè vetë. Le të mejtohemi pra t’a gjejmë dhe t’a presim, t’a çkulim me gjithsej rrênjën e të ligavet. Lumtëria jonë do të nisë vetëm kur gjithë Shqiptarët të quhen e të duhen si vëllezër. Le të përpiqemi t’i arrijmë asaj dite në duam të na quaj bota dhe në duam t’a shohim Shqipërinë Zonjë si qëmoti.
Rroftë Shqipëria!
“KUVȆNDI” Romë, 30 Nëntor 1919.