Albspirit

Media/News/Publishing

Laura Skënderas: Ecuria e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 23, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore 

Ngritja e një shteti demokratik pas viteve ’90, kërkoi ndjekjen e shembujve nga shtetet e Europës Perëndimore që deri në atë kohë përbënin etalonin e demokracisë funksionale. Gjyqësori, si një prej tre pushteteve, që prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vazhdimisht ka qenë “zona” më delikate në diskutimet ndërkombëtare e për me tepër epiqendra e rekomandimeve të Bashkimit Europian, po aq, në tranzicion prej 30 vitesh. Ajo që nisi si detyrim për ngritjen e një gjyqësori mbi vlerat demokratike, të pa anëshëm, të pavaruar e dhënës efektiv të drejtësisë, tashmë vazhdon të jetë sfida e politikës e po aq e legjislativit, ekzekutivit dhe ndërkombëtarëve. Rol thelbësor duhet theksuar se ka pasur e ashtuquajtura “Reforme në Drejtësi” e hartuar nga Komisioni i Posacëm Parlamentar për Reformimin e Sistemit të Drejtësisë. Kjo e fundit ishte shumatore e një sërë rekomandimesh edhe kushtesh të vendosura nga BE-ja për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Viti 2016 ishte jubileu i këij reformimi të shoqëruar me një sërë amendamentesh kushtetuese që së shumti prekën Pjesën Nëntë  të Kushtetutës e që u pasuan me një aneks shoqërues, ku detajohet mënyra se si do të implementohen edhe funksionojnë organet e reja të krijuara në kuadrin e reformës.

Ndërmjet rekomandimeve të ardhura nga Unioni per Shqipërinë, “pika e nxehtë” është tashmë kuadrimi i detyrimeve që burojnë nga Kapitulli 23, që kërkon në vetvete reformim dhe institucione dhënëse të drejtësisë plotësisht efektive e në të njëjtën linjë, kërkon edhe garantim de facto të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve si detyrim negativ ky i shtetit shqiptar.Megjithatë në kushtet kur gjyqësori është në kolaps tashmë prek vitesh, në kushtet e mungesës së institucionit më të lartë për kontroll kushtetueshmërie, Gjykatës Kushtetuese , në kushtet kur shteti ende nuk është shprehur mbi afatin kur të drejtat e deroguara nga Konventa Evropiane Per të Drejtat e Njeriut do të restituohen, e në kushtet e nxjerrjes së akteve nënligjore shpesh në kundërshtim të hapur me ligjin themeltar të shtetit, duket se detyrimet e Kapitullit 23 , janë ende promulgim dokumentash.

Le të marrim në analizë parimet kryesore përmbushese e të cilave duhet të jetë Shqipëria. Së pari, vetë Bashkimi Evropian është ngritur mbi baza të forta të demokracisë funksionale,e një element padyshim i rëndësishëm i saj, është shteti i së drejtës. De jure, Republika e Shqipërisë, që prej 1998, me përcaktimin në preambulën e Kushtetutës, është shtet i së drejtës, ose të paktëm ky ka qenë qëllimi të jetë. A është sot R.SH një shtet i së drejtës de facto, apo vazhdon ende të jetë një shtet ligjor ? Kelzen e ka përkufizuar këtë concept me origjinë gjermane, në fund të shekullit XX, si “Shtet në të cilin normat juridike janë të hierarkizuara në mënyrë që fuqia e tij të jetë e kufizuar”.Mbi këtë përkufizim, Kelzen ka përcaktuar edhe disa kushte që duhet të plotësohen që një shtet të konsiderohet si shtet i së drejtës.

Si fillim duhet që detyrimet që lindin prej Shtetit të jenë zyrtare, pavetore, detyruese dhe me sanksione.Thënë thjesht, ligjet duhet të: 1) jenë bërë publike, 2) asnjë nuk mund t’u shpëtoj atyre, 3) ato duhet të zbatohen realisht, dhe 4) shkelja e ligjeve duhet të sjell sanksione. A i plotëson sistemi ligjor shqiptar katër elementët kumulativë të mësipërm ? Padyshim që procedura e detajuar e sanksionuar në Kushtetutë, nuk lejon shmangie nga miratimi , dekretimi dhe publikimi i tyre ne Fletoren Zyrtare, po aq njihet i sanksionuar parimi ignorantia legis non excusat e për me tepër kemi një tërësi përmbledhjesh të ligjeve me karakter penal dhe administraiv që parashikojnë sanksione në rast moszbagimi të ligjit material apo procedural. Megjithatë, sikurse shihet, zbatimi de facto ka hapësira të mjaftueshme që përbëjnë teme debati. Kjo ngase jo rrallë herë shkeljet, pabarazia në zbatimin e ligjit, korrupsioni apo ndikimi i paligjshëm ndikojnë direkt apo indirekt në zbatimin real të ligjit e për rrjedhojë edhe në dhëniën e drejtësisë. Pra, një prej pikave të caktauara nga Hans Kelzen si element kumulativë  që një shtet të jetë shtet i së drejtës, në rastin e R.SH mungon apo shkelet, për rrjedhojë edhe mirëfunksionimi konceptual i shtetit të së drejtës cënohet, duke mos e lënë atë me asgjë tjetër vec një konturi të shtetit ligjor.

Së dyti, demokracia është sistemi mbi të cilin funksionojnë të gjitha vendet anëtare te unionit. Kjo padyshim pritet nga edhe nga një shtet si i yni që ligjërisht ka të sanksionuar funksionimin si shtet demokratik. Megjithatë në prizmin e situatës konkrete, a mund të themi që sot realisht jemi një vend demokratik? Sikurse e thashë, nuk do mund ta mohoja që de jure jemi një shtet i tillë, por faktikisht jemi larg të qenit demokraci, e për këtë etalon nuk po marr demokracinë e Spartës apo Athinës , pasi në kushtet e sotme ky vetësundim i popullit nuk është më mbledhje polisesh, por shumë me tepër e ka ecur drejt përmirësimit. Momentalisht jemi ende ne kushte derogimi nga KEDNJ, dokumenti më i rëndësishëm i së drejtës ndërkombëtare e të brendshme po aq( duke qenë se marrëveshjet ndërkombëtare te ratifikuara me ligj nga kuvendi bëhen pjesë e legjislacionit të bredshëm pas miratimit dhe botimit të tyre në Fletoren Zyrtare). Kemi një draft-ligj që pret të shohë dritën e kuvendit për miratim që është në thelb antikushtetutes dhe cënon substancialisht kompetencat e kreut të shtetit. Kemi ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin e lidhur me të që dukshëm cënojnë të drejtën e votës. E natyrisht një populli që i cënohet liria pozitive dhe ajo negative për të zgjedhur, i është cënuar zemra e demokracisë. Pavarësisht se janë ndryshime që prima facie duken si sipërfaqësore, është demokracia ajo që thelbësisht preket.

Së treti, ajo qe unioni pret është garantimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Në kushtet e sipërcituara, në kuhstet e mungesës së Gjykatës së Lartë e kur pandemia ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e gjykatave të mbyllin dyert, një nga të drejtat themelore të njeriut për process të rregullt ligjor(e njohur edhe nga Neni 6 i KEDNJ) është shkelur. Po aq vonesat në marrjen nës hqyrtim të kërkesave ne Gjykatën e Lartë , përbën cenim. Vonesa tej afateve ligjore në dhënien e vednimeve apo gjykimi nga gjyqtarë të paemëruar sipas përcaktimeve ligjore po aq edhe cështjet e shumëta të cilat kanë shkuar në GJEDNJ për shkelje serioze të Konventës, bëjnë që të drejtat edhe liritë themelore të qytetareve shpesh të shkelen apo kufizohen pa asnje precedent a arsyetim të bindshëm.Në këtë situatë, Kapitullli 23 mbetet asnjë me shumës se një objektiv social për RSh një aspiratë a ndryshe një ëndërr…

 

Please follow and like us: