Rexhep Shahu: MONUMENTI I MARTIRËVE TË LUMËS
Kush e mban kryet pas nga e kaluara iu qorroftë njëri sy, kush e harron të kaluarën iu qorrofshin të dy sytë – thoshte shkrimtari i madh rus Aleksander Solzhenicin. Faleminderit të gjithëve që keni ardhë këtu. Faleminderit të gjithëve që mungojnë. Deputetëve, politikanëve dhe të mëdhejve që mungojnë se nuk e kanë konsideruar të madhe këtë ngjarje.
Mungesa e politikanëve e deputetëve dhe e gjithkujt që shitet njeri i angazhuar, në këtë ceremoni, verteton se nuk janë politikanë as deputete dhe as njerëz të angazhuar edhe pse marrin rroga e benefice si të tillë. Ngjarje të tilla si e sotmja, ndërtime e inaugurime veprash të tilla si ky memorial kujtese e nderimi për martirët, që kanë të bëjnë me kujtesën kombëtare, me shpirtin tonë, janë para së gjithash politike dhe shumë politike. Ky monoment me gurë të zi është i ndërtuar me pllanga gjaku të mbi dy mijë lumjanëve të masakruar para 105 vjetëve prej ushtrisë së Mbretërisë Serbe.
Është hera e parë që ne nuk na vjen turp me pohue se ne na kanë masakrue, na kanë shkatërrue, na kanë djegë por kemi ngelë gjithmonë duke u mburrë se kemi lanë nam. Ky memorial që është një antiserbizëm pa fjalë, flet më shumë se një mijë fjalë a libra kundër Serbisë, si busti dhe shtëpia e Havzi Nelës flet sa një mijë fjalë a pallavra nëpër kafe kundër komunizmit dhe enverizmit. Këto gurë të zinj, si pllanga gjaku të këtij Monumenti kujtese, janë mbledhë nga ana e anës për me ndërtue një gur vorri te kryet e sejcilit shqiptar të masakruar prej ushtrisë serbe në Lumë 105 vjet më parë, në vjeshtën e vitit 1913. 105 vjet ka munguar ky gur te kryet e rreth dy mijë martirëve të Lumës për fajin tonë, për frikën tonë dhe kemi shaluar telat e çiftelisë e kemi luftuar në këngë.
Ka munguar ky nderim, ky memorial sepse shpesh litari serb i lënë jashtë vende vende ka kërcënuar ndokënd dhe i ka kujtuar ndokujt ndonjë lugë çorbe të prishur serbe ngrënë nga paraardhës të hershëm kohëve të pushtimeve serbe. Ka lapidarë që përkujton masakrat ndaj martirëve në Pobreg e në Topojan në dy fshatrat që u faruan e shuan pothuaj komplet në vjeshtë 1913, por në qendër të qytetit, në qendër të bashkisë u ndërtua sivjet në 105 vjetorin e masakrave serbe ndaj martirëve. Martirë të masakruar ka në shumë zona e fshatra të Kukësit por jo si në Topojan e Përbreg për hir të të cilëve ky monument vihet në qytetin e Kukësit. Duke besuar se gjithë shqiptarëve, përveç peshqve, u vjen mirë që u ngrit kjo vepër e vogël modeste, si një njeri i përfshirë që në krye në ndërtimin e saj, ndjej se duhet ta falenderoj kryetarin e bashkisë Bashkim Shehu për vendimin e prerë pa mëdyshje për ndërtimin e kesaj vepre që është e vogël në dukje por e madhe në histori.
Duhen falenderuar punonjësit e bashkisë të cilët e kanë ndërtuar këtë vepër, arkitekti Edrion Laçi, drejtori i shërbimeve Sabajet Cengu, gjithë punonjësit, shoferët e specialistët që kanë gjetë e sjellë gurët e zij nga ana e anës, që e kanë ndërtuar e kuruar veprën, sekretari i përgjithshëm i bashkisë Bujar Muçmata për angazhimin, mbykqyrjen e ndjekjen të punimeve deri në detaje, Sef Bajraktarin që ka dhurue pllakën e granit që është vendosur të Memoriali i Martirëve të Lumës. Këtë vepër e ka ndërtuar bashkia Kukës me punonjësit e specialistët e saj. Betoni është bërë dhuratë nga firma Vega e zotit Zylfi Oruçi 3 metër kub beton. Memoriali ka kushtuar në total 1200 (njëmijëedyqind) euro.
Kjo vepër është njëlloj madhështore kundër masakruesve serbë të 1913 siç janë madhështore kundër komunizmit sllav dhe enverizmit ndërtimi i bustit dhe shtëpisë së poetit martir Havzi Nela. Anti shovinistë serbë e antikomunistë me fjalë e pallavra ka plot kafeneve e zyrave të partive e shoqatave fantazma gjobvënëse, por me vepra si ky monument kujtese dhe si busti e shtëpia e Havzi Nelës nuk pati këto 28 vite postdiktaturë në Kukës. Ka mijëra punë të vogla pa bërë, por janë tri punë të mëdha që mbeten në histori. Me ndërtimin e kësaj vepre ndoshta iu prish qejfi Serbisë së vjetër dhe komunistëve të vjetër që simpatizojnë Serbinë që nga themelimi prej serbëve të partise komuniste të Shqipërisë.
Falenderoj mikun tim Izet Duraku me të cilin kemi konsultuar dhe vendosur për çdo detaj të kësaj vepre modeste, falenderoj profesor Shefqet Hoxhën dekanin e Lumës, përsonin që ka bërë më shumë se çdo i gjallë tjetër për trashëgiminë shpirtërore të Lumës e të Qarkut të Kukësit, që kujdeset për çdo gjë që i jep vlerë dhe emër Kukësit, falenderoj disa intelektualë e akademikë të njohur të Tiranës që u përfshinë në konsultime me ne për këtë memorial të vogël me peshë të madhe në histori.
Ky memorial peshon në histori më shumë se gjithë malet e urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve, ndaj kuksianëve e lumjanëve, peshon mijëra herë më tepër edhe se urrejtja e ndonjë bir a nip spiuni serb, bir a nip enveristi kundër Lumës e lumjanëve, urrejtje të cilës nuk ia ul flakët përcëlluese as shpallja e Serbisë në listën e vendeve mike apo aleate strategjike…
Ky monument kujtese është i veçantë. Deshmitari i asaj kohe, siç e quan Izeti monumentin e vogël mbi të cilin është vendosur shkrimi i Dimitrije Tucoviqit, krahas monumentit me gurë të zij, dëshmon se për dy orë në Topojan u prenë 500 shpirta. Deshmitari spjegon shqip e anglisht për krimin e shëmtuar serb para 105 vjetëve. Ne vetëm duhet ta lexojmë dëshminë e deshmitarit dhe të mos vjellim urrejtje që helmon edhe peshqit në liqen, helmon edhe enveristët deri në Amerikë. Ja cfarë shkruhet në pllakën e dëshmitarit në krah të Memorialit: “… Kur trupat serbe e shkatërruan këtë fshat, në fshat nuk kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhër ta djegin fshatin dhe gjithçka që gjejnë në të ta vënë nën thikë, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët “të gjithë a?”, kot e njoftuan disa herë komandantin se në fshat, përpos grave e fëmijëve, nuk ishte askush tjetër. “Të gjithë!”, kjo ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit, i cili punonte në marrëveshje me nënkolonelin Miliqeviq. Të shtënat i rrëzonin gratë që i mbanin foshnjet në gjinj; skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat: trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë; gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra. Therja u ndal kur një pjesë e oficerëve bënë protestë energjike, duke e pranuar: se shqiptarët e “egjër” ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë e “kulturuar” e shekullit XX po i vret fëmijët e tyre! Por, vonë. U bë vetëm ajo që ende mund të bëhej: kufomat u futën në shtëpi e shtëpitë u dogjën – që krimit t’i fshihej gjurma…”.
Ne nuk kemi pse marrim leje askund për ta vendosë këtë monument të munguar kujtese e nderimi për martirët sepse e kemi detyrë të shenjtë që të nderojmë ata martirë që i ka pre në plumba e bajoneta ushtria mizore serbe. As nuk kemi kujt pse t’i kërkojmë ndjesë ndonjë frymori të gjallë që turpshëm i rëndon tokës dhe shënon gjurmë shëmtimi ngado që ecën me hapat dhe hijen e tij. Ky monument do të mbetet si një punë shumë serioze e bashkisë Kukës krahas bustit dhe shtëpisë së poetit martir Havzi Nela që nuk u ka pëlqyër spiunave dhe enveristëve. U kërkoj ndjesë gjithë atyre që nuk janë dakort me ne që nderojmë martirët që shpesh quhen viktima. U kërkoj ndjesë gjithë atyre që nuk dinë çfarë është ploja serbe e 1913 kundër Lumës. Le të mësojnë, le të lexojnë. Le ta dinë se këto gurë të zij janë gurë të nximë prej dhimbjes. Vështirë të mos gjendet familje a fis në Lumë e Kukës që të mos jetë prekë nga ploja serbe. Askush nuk fton askeënd të nxisë e mbjellë urrejtje për holokaustin e parë në Europë ai i ushtrisë serbe kundër kuksianëve, por askush nuk fton as nxit askënd të harrojë. Harrimi është mëkat, nderimi ndaj martirëve është detyrim madhor.
(Fjala e plotë për ceremoninë e inaugurimit të Memorialit të Martirëve të Lumës në Kukës, me 14 dhjetor 2018).