Gratë tona trajtohen si “kukulla moderne”
“Frikësoju zotit, ule kokën, mos e kthe fjalën, mos u sorollatë rrugëve, mos rri me shokë”, besoj që janë fjalët më të shpeshta që mundesh me i dëgju prej çdo kategorie, jo veç prej burrave, por edhe prej grave.”
Me u rritë me frikën e zotit, duke e ulë kokën, duke hesht, duke mos dalë kurrë nga shtëpia, e duke u shoqëru veç me çika, automatikisht do të thotë se jeta jote është e planifikuar dhe ti s’je e vetmja, as e para, as e fundit.
Janë shkruar e ndërtuar kryevepra mbi jetën e “planifikuar” të gruas dhe për syrin magjik të shoqërisë.
Ibseni një dramatist i njohur i shekullit të 19-të, realist dhe njëri prej autorëve të parë feminist e pasuroi botën duke e grushtuar realitetin. “Shtëpi kukulle” është drama e parë feministe që njihet në botë, ku me mençuri, truri i këtij burri qysh atëherë arriti ta definonte problemin e “madhështisë” së burrit.
Subjekti i veprës ndërtohet mbi personazhin kryesor Norën, e cila gjithmonë është trajtuar si kukullë, njëherë në shtëpinë e babait, e pastaj në shtëpinë e të shoqit. Sakrificat martesore, krijimi i familjes dhe flijimi i ëndrrave krijojnë tension dinamik, deri sa Nora heqë dorë nga gjithçka për ta jetësuar ëndrrën e saj prej të qenit grua e lirë.
Duke u bazuar në analizën e kësaj vepre mund të them se edhe sot tema të tilla janë aktuale, përveç faktit që vajzat dhe gratë tona trajtohen si “kukulla moderne”.
Pse?!
Sepse ata synojnë të më bëjnë “kukullën moderne” që ngjason me naiven dhe që bie shumë lehtë pre’ e fantazive të mia të moralshme, të krijuara krejt pa qëllim.
Rrëzohem shpesh, por gjunjët e mi s’kanë shenja. Mallkoj shpesh me fjalë të mira dhe ëndrroj për një botë të drejtë.
Ndoshta kjo është arsyeja që tingëlloj kurvë kur ua përplasë gjërat në fytyrë të tjerëve dhe ua bëje me dije që s’u lejoj të më trajtojnë ashtu siç e kanë menduar. Ndoshta jam kurvë sepse trurin tim e bartë një trup femëror, apo jam kurvë sepse një individë (grua/burrë) s’arrin të realizojë synimin e saj/tij mbi mua.
“Kurvë” – fjalë për fjalë do të thotë një qen i gjinisë femër, por zakonisht është një zhargon pezhorativ për një person, zakonisht një grua, e cila është “luftë”, e paarsyeshme, me qëllim të keq, një fanatike kontrolli, e bezdisshme ose agresive. Kur kjo fjalë aplikohet tek një njeri është një term nënçmues për një vartës. Përdorimi i tij origjinal si një rëndomësi, është dokumentuar në shekullin e katërmbëdhjetë, sugjeruar si: dëshirë e lartë seksuale tek një grua, të krahasueshme me një qen me afsh. Gama e kuptimeve është zgjeruar në përdorimin modern.
Fjala kurvë është një nga fjalët më të zakonshme mallkuese në gjuhën angleze. Sipas, Dr Timothy Jay, ka mbi 70 fjalë të ndryshme tabu, por 80% të kohës vetëm dhjetë fjalë janë të përdorura, dhe fjala kurvë është përfshirë në këtë grup si e dhjeta.
Më shërben fjala “bizgosur” shpesh, më duket adekuate për ta përshkruar fatin e mjerueshëm që e ka katandisur gruan nga byk-ët. (byk- njeri pa asnjë vlerë, i padobishëm). Dhe, kush se ndryshon, madje as ata feministët e pushtetit, e as ato gra që na përfaqësojnë!
Cengiat bashkë me açiket e shoqërisë kanë çu fjalë, e besën e kanë dhanë’ se kanë me i ndryshu frazeologjitë agjitative të cytanikëve, unë i kam përvjelë mëngët se kam kohë që ju kam shikuar për seri’!
Sipas disa burrave, “kukullat moderne” ani pse s’kanë manual përdorimi, ato tjetërsohen, punojnë pa orar, blihen dhe shiten, si mall i lirë që s’kanë vlerë tjetër përveç në dhomën e gjumit. Andaj preferoj të më quajnë kurvë!? Në një kontekst feminist, fjala kurvë tregon një grua të fortë apo agresive që s’bindet para askujt që s’thyhet dhe që rrënon ëndrrat e një maskilisti.
Faleminderit që po na lejoni të hapim organizata vetëdijësuese, faleminderit që po na jepni fonde modeste sa për ta na e mbyllur gojën, shumë-shumë faleminderit që po na lejoni të na dëgjohet zëri! Por, ju vrafshin’ të mirat tona që vetëm kaq mund të bëni! – po, po me juve e kam.
(Zakonisht shkrimet e mia mund t’i gjeni në vetën e parë. Besoj që shërbehen më fuqishëm tek masa dhe secili lexues disi mund ta përjetojë emocionin e të qenit nën lëkurën e gruas).
Jeta Berisha,
06.06.2016,
Prishtinë