Miho Gjini: “VRASJA E ËNDRAVE” NË DRAMAT E ARIAN KRASNIQIT
Miho Gjini me prof. Nebi Islami
Duke kërkuar dramarturgët…
Dikur habitesha tek shkruaja për damaturgët e aktorët që erdhën nga lufta dhe krijuan Teatrin Popullor në Tiranë. Po bëheshin 15 vite nga koha e “mbylljes së perdes së luftës” kur u hap edhe e para shkollë e lartë teatrore, po aty dhe skena ende mbahej me disa vepra që u shkruan prej këtyre njerëzve, sikundër qenë Besim Levonja, Kolë Jakovës, Xhemal Broja, Fatmir Gjata, Shefqet Musarai, Luan Qafëzezi e ndonjë tjetër, të cilët u quajtën dramaturgët e parë tek ne dhe që u interpretuan po nga ish partizanët: Naim Frashëri e Andon Pano në Tiranë, Pandi Raidhi e Thimi Filipi në Korçë, Nikolin Xhoja në Durrës, Preng Lëkunda në Shkodër e shumë të tjerë që zbritën nga malet! Ata sollën në teater idealet dhe ëndrrat e tyre, pjesët e skicuara e disa të luajtura në kohë lufte nga vetë ata.
Disa vite më vonë u njohëm edhe me një teatër tjetër, Teatrin Qëndror të Prishtinës, pa ditur asgjë për të, edhe pse ishim e jemi i njëjti popull dhe nuk e morëm vesh se si errdhi në Tiranë shfaqja “Erveheja”, kur udhët me Kosovën qenë prerë me kohë, qyshkur Enveri u nda me Titon. Kështuqë vetiu do të ndodhte që të ndaheshim edhe ne të tjerët, për të mos ditur fare se ç’bëhej fare andej kufirit të “revizionistëve”, të atyre që “kishin marrë rrugën kapitaliste (!?), sikundër thuhej lartë e poshtë… Po gjithmonë lihet nga një “dritare e hapur” dhe ja tek ne në Tiranë mbërriti inskenimi i poemës “Erveheja” e Muhamet Çamit, realizuar mrekullisht nga artistët e Prishtinës me një sfond patriotik romantik dhe me kryerolin e interpretuar aq bukur nga Melihate Ajeti, me plot pathos, përbrenda një shtjellimi psikologjik, me theksime liriko-dramatike, që më frymëzuan edhe për të shkruar reçensën analitike përshëndetëse. Një ditë prej ditësh, na sollën në Institurin e Arteve edhe poetin e dramaturgun nga Kosova, Azem Shkreli e, kur donim ta përcillnim të gjithë, me shumë dashuri, na i bënë me shenjë se e ka shoqëruesin. Po, kur erdhi për një vizitë familjare nga Kosova, Atdhe Gashi, regjizor e dramaturg edhe ai, më caktuan mua ta shoqëroja, si regjizor e pedagog që isha, po jo vetëm, bashkë me dy studentët e mi: Gëzim Kamen dhe Nikoleta Terovën, për të vizitur Krujën e Skenderbeut. Po kushërinjtë e Atdheut më ftuan atë mbrëmje për darkë në shtëpinë e tyre, pët t’u bërë miq me të, për një kohë shumë të gjatë! Po krejt si një ëndërr na ngjau ardhja e magjisë së aktrimit nga Kosova, Bekim Fehmiu, bashkë me premierën e filmit të Franco Rosit “Aventurat e Ulisit”. Po ne kishim njëfarë frike t’i afroheshim, të rinim e të flisnim me të… Se qenë caktuar edhe shoqëruesit e artistit të madh që ne e vështronim sikur kishte zbritur Perëndia nga Qielli. Por u lumturuam kur, pasi pamë premierën e filmit, bashkë me të e ai u ngrit të falenderonte artistët tanë të pranishëm që e duartrokitën nxehtësisht për interpretimin njerëzor të figurës homerike, të cilin e kishim parë në përmasa të tjera, prej divash dhe, midis të tjerash tha se Penellopën e interpretonte aktoria greke me origjinë shqiptare, nga Korça, tani artiste e Hollivudit, Irena Papa, me të cilën tha ai, “kam fol shkip, sa jam shkep!”… dhe,-shtoi në fund se, sa kishte zbrit edhe ai në Aeroportin “Kenedi” të New Yorkut, për të shkuar edhe ai në Hollivud, kishte vënë mbi krye qeleshen shqiptare!… E ku ta dija unë atëhere që, pas arrestimit tim në Tepelenë, ku me patën internuar për “qëndrime liberale”, do të më lexohej si “akuzë agjitacioni e propogandë kundër shtetit” edhe kjo thënie ngazëllyese e shqiptarit Bekim Fehmiu, të cilin hetuesi im e quante “armik jugosllavo-titist”!
Qe si kohë lufte atëhere, luftë ideologjike e politikës ndarëse. E perdja me Kosovën mbyllet përsëri, hermetikisht! Po ca botime të njerëzve që merreshin atje me teatrin, se si hynin përsëri tek ne… Kështu më rastisi të lexojë një dramë moderne të Andon Pashkut, të clën e pëlqeva shumë, për frymëmarjen e saj e mjetet shprehëse, por që, druhesha të bëja zë se e pata lexuar. Qe mbjellur frika! Bile më kishin caktuar të shoqëroja Teatrin Kombëtar, për vizitën e kthimit, pas arrdhjes së “Ervehesë”, po për fatin tim të keq, emrri im ishte fshirë menjëherë, ngaqë pikërisht ato ditë qe arrestuar xhaxhai i gruas sime, me një “grup armiqesor”, që do të delte i pafajshëm vetëm pas 20 e ca vitesh!
Duhej të ndërronin kohrëat, të binin shumë rrufera, gjëmime e shira, të bëhej përsëri luftë e të rilindëte rrishtazi Kosova, si shtet i pavarur, që ne të kishim dy teatro kombëtare, një në Tiranë e një në Prishtinë, për të vajtur e të vinin artistët lirisht, si edhe të njiheshim nga afër e të flisnim me njerëzit që “ngrejnë trarët “e asaj shtëpie që quhet TEATËR, dramaturgët saj. Për një Teatër Shqip. Se, pa dramaturgun nuk mund të egzistojë asnjë teatër në botë. E thënë dhe e bërë kjo që nga Greqia e Lashtë, që u mbush me teatro para se të kishte godinat e rëndësishme të kultit e të funksionimit të qytetit, më pas edhe të shtetit… Duke na lënë bashkë me to si trashëgim emrat e ndritut të katërshes së famshme: Eskilit, Euripidit, Sofokliut e të Aristofanit. E, do të shiheshin edhe tek ne, si tempuj qytetërimi, anfiteatrot në Butrint, Apolloni, Bylis, Antigone e gjetkë, po edhe qindra-mijëra vite më mbrapa… Do të kalonin shekuj, do të përmbyseshin njeri pas tjetrit perandoritë e mëdha e do të shuheshin krejt emrat e perandorëve, presidentëve, kryeministrat e shteteve e do të mbeteshin si të gjallë e të pavdekshëm këto katër emra, si edhe të Shekspirit, Molierit, Çehovit, Milerit e Brehtit që erdhën shumë më pas tyre!
Po, të më falni, ju lutem, se rrëshqiti fjala. Do ta nisja, të shkretën fjalë, tek një libër me drama që më dhuroi dramaturgu i ri nga Kosova Arian Krasniqi dhe para syve të mi kaluan rradhazi emrat e dramaturgëve shqiptarë që mbetën nëpër afishet e teatrave tona, përveç atyre që përmënda më lartë edhe: Spiro Çomora, Fadil Paçrami, Ndekë Luca, Vedat Kokona, Dritëro Agolli, Ruzhdi Pulaha, Naun Prifti, Teodor Laço, Fadil Kraja, Ibrahim Uruçi, Selman Vaqari, Bashkim Kozeli, Minush Jero, Mihal Luarasi, Loni Papa, Pëllumb Kulla, Haxhi Rama, Dionis Bubani e me rradhë. E do më vinte rradha që të shkoja edhe unë në Kosovë, për herë të parë, por jo nga vendi im, po nga Greqia ku kisha mërguar pas eksodit të madh dhe do të shpinim aty shfaqjen e parë në shqip “Emigrantët”, vënë në skenë në Athinë nga ish-nxënësi im Lefter Simoni, ku nuk do na ndahej asnjë minutë, vëllai ynë i çmuar, poeti Ali Podrimja! Dhe do të shikoja nëpër postera muresh, afishe e reklamat e teatrit, emrat e dramaturgëve të Kosovës, që nga ata që na erdhën në Tirane, duke shtuar këtu Hivzi Sulejmanin, Milazim Krasniqin e Mehmet Krajën, bile edhe t’i takoja disa syresh me dashuri, si Ekrem Kryeziun, Haqif Mulliqin, Jeton Neziraj, Teki Dervishin, Enver Petrovcin, Mentor Zymberajin dhe Arian Krasniqin. Dhe me ketë të fundit do të përbënim 20 vite më mbrapa, Jurinë e Festivalit të përvitshëm ‘MONO AKT’ të Mentor Zymberaj, në muajin nëntor të këtij viti, në Pejën e mrekullueshme, për të mësuar se, miku im i ri ishte studenti i mikut tim të vjetër e po kaq të shtrenjtë, Prof. Dr. Nebi Islamit, Dekan në Fakultetitn e Arteve në Universitetin e Arteve në Prishtinë. E unë do të trishtohesha menjëherë, ngaqë ne në Tiranë, nuk e kishim ende një fakultet të tillë, edhe pse Akademia jonë e Arteve kishte më shumë se gjysmën e shekullit që ishte krijuar. Tek ne shkruheshin drama nga njerëz që e dashuronin teatrin si gjini, sikur kishte ndodhur në Elbasan me Ethem Haxhiademin fillimisht, po edhe me vonë me Thanas Borodanin, Tomor Himçin, në Shkodër me Henrik Lacaj, Andrea Skanjetin, Ton Shoshin, Serafin Fankon, Stefan Çapalikun, Muhamet Tukën, me Bruno e Primo Shllakun, në Tiranë me Sulejman Pitarkën, Andon Panon, Kujtim Spahivoglin, Ferdinand Hysin, Mimika Lucën, Sheri Mitën, në Durrës me Gjergj Vlashin, Kadri Piron, Haxhi Ramën, Spiro Urumin e Bashkim Hoxhën, në Korçë me Vangjush Zykon, Mirosh Markaj e Skender Demollin, në Kosovë me Muharrem Qenën, Niman Muçën, Agron Gërgurin e sidomos me Refik Abazin nga Tetova në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E, po prej tyre do të kishim edhe disa drama të vëna në skenë, apo edhe të mbetura ende nëpër libra e revista! Kështu pra, dashuria për teatrin, po edhe nevoja e egzistencës së një teatri me fizionomi shqiptare, do na shtynte edhe ne të treve që merremi me kritikën teatrore për një kohë të gjatë (Nebi Islamin, Josif Papagjonin e Miho Gjinin) që të sillnim edhe ne kontributin tonë në repertorin teatror, si me analiza, shkrime e kërkesa, po edhe me disa drama e komedi origjinale…
E përsëri Teatri ynë, i cili përpiqet të sigurojë nje repertor stabël, me vepra origjinale në krijimin e fizionomisë kombëtare, duhet të kujdest që të ketë gjithmonë pranë, dramaturgët e vet të afirmuar si të tillë, pranë skenës, që është e mbetet si “Vatra e Zjarrit”. Në çdo kohë. Aq më tepër tani, që na duket sikur teatri ka pushuar së egzistuari. Po Teatri duket të jetojë e të egzistojë, gjithmonë si në kohë normale, ashtu edhe në “kohë lufte”, sikundër e ndjemë edhe në këta gjashtë muaj të vështirë që ikën e që do kalojmë akoma, të përafërta, të izoluar, me maska në fytyrë, si të ishim përsëri në front, pa trupa kundërshtarësh e tanke para nesh, pa krisma armësh fare, po me shumë të vdekur, ndofta lufta më e tmerrshme e shekujve. E përsëri do të kemi një mbijetesë të Teatrit! E gjithë ajo armatë dramaturgësh që përmëndëm më lartë, do ta mbajë teatrin me “bukë” dhe me shpirtin e tyre, bashkë me aktorët, regjisoret e drejtuesit e teatrove. Veçse, duhen njerëz-artistë të përkushtuar, aktivë e pasionantë. Dhe njerëz që nuk i ndahen kurrë teatrit, që shkruajnë përsëri drama si Arian Krasniqi e artistë e organizatorë si Mentor Zymberaj në Pejë, që nuk jepet, një dramturg si Jeton Neziraj në Prishtinë që bën një tjetër festival po aty e “gozhdon” publikun e vet me dramën origjinale “Armiku i Popullit”, apo si regjisor-dramaturgu tjetër Fadil Hysaj me një “Etno-Festival” në pronën e tij në rrethinat e Prishtinës. Duke vazhduar kështu me artistin e përkushtuar Ylber Nuredini që e mbajti rrishtazi festivalin në kohën më të keqe, rrethuar nga “viruset e kohës” e moti i keq në Dibër të Madhe, apo nga Adonis Filipi në Elbasan, si të ishte ” i vetmi trim në luftë” tek ne, me spektatorë që mbushën kalanë e qytetit nga brenda me maska, po edhe me mysafirë artdashës nga Ballkani e nga Turqia, që e sfiduan Covid-19-ën…
Duke qëndruar një javë me dramaturgun e ri Krasniqi, njëherësh një njeri i mrekullueshm, me etikë e kulturë qytetare, do të mësoja se ai kishte shkruar katër drama, të cilat qenë realizuar në Teatrin “Dodona”, në atë të “Gjilanit”, ndërsa e treta, drama “Gjashtë” ishte vënë në skenën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në vitin 2005 dhe e ka prezantuar atë në Festivalin e Teatrove Eksperimentale, në Kajro të Egjyptit. Njëherësh ështe autor i katër skenareve të filmit me metrazh të shkurtër, realizuar gjatë viteve 2004-2009, si edhe të tre serialeve të radio-komedive (“Heronjtë e natës”, “Andrrat” dhe “Stinë dashurie”). Është përzgjedhur për t’u realizuar edhe skenari i tij për film artistik, me metrazh të gjatë “Histori, majë kulmi”. Ndërkohë ka botuar dy libra me drama (“Gogoli”,-dramë për fëmijë dhe librin tjetër “Dy drama”), gjatë viteve 2002-2009. Ndërsa unë kam ndër duar tani botimin e librit te ri të Arian Krasniqit me titullin “Drama”, brenda së cilës ndodhen edhe katër pjesë teatrore të reja të tij. E vështroja me kërshëri këtë person bojëpaktë, enigmatik, paksa më të shkurtër prej meje, që e kishte përherë meditacionin e shkruar mbi ballin e gjërë, peshën e mençur të fjalës tek fliste dhe maturinë e njeriut të thjeshtë. Pa e njohur asfare, ai do të bëhej menjëhere i afërt e do ta kishe si dhuratë të këndshme, ta pije me të një kafe a një gotë me verë ndër ditë e tryeza festivalesh.
Realisht Krasniqi, ish kritiku e drejtori i Teatrit Kombëtar të Prishtinës i viteve 2008-09, do të më dhuronte dy libra të tij, pra edhe një libër me reçenca shfaqjesh e dramash të kolegëve, që më duhej t’i merrja me vete e t’i lexoja në qetësinë e imponuar nga Corona Virusi në Athinë, ku edhe banoj si refugjat ekonomik. E kështu, do t’a kisha rrishtazi Arianin e dashur në tryezën time të shkrimit, për ta lexuar, edhe pse më është vështirësuar të lexuarit,,.
Po çfarë e shqetson këtë dramaturg të ri nga Kosova? Është po ajo “ëndër e vrarë” e lirisë, e pavarësisë dhe e dashurisë njerëzore,-pra e vetë jetës, e cila reflektohet gati në të gjitha veprat dramaturgjike të autorëve të Shtetit të Ri të Kosovës. Janë traumat njerëzore, plagët që flasin e që i krijoi e i trashëgoi lufta, sakrifica e vetflijimi, si edhe agimet e lirisë e të ëndërrimeve që errdhën më pas, si një realitet krejt i ri. Në disa shfaqje që kemi parë në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Podujevë, Dibër e Madhe, Elbasan e Tiranë prej dramarurgëve Haqif Mulliqi, Jeton Neziraj, Naser Shatroli, Shemsi Doda, si edhe prej regjizorë-dramaturgëve si Isa Qosja, Muharem Qena, Ekerem Kryeziu, Enver Petrovci, Fadil Hysa, Mentor Zymbera e prej ndonjë tjetri autorë që tani nuk po më vjenë ndërmend, ëshë po ky sugjestion tematiko-emocional, që e imponoi realiteti i Kosovës, si edhe lufta e paslufta, prishja e ekulirbit njerëzor dhe “vrasja e ëndrrave”.
Të katër dramat e Arian Krasniqit janë simbole të këtij realiteti të ashpër, befasues, dramatik. Shtrati i dramave të tij nuk e ka dhe aq kompozicionin klasik të atyre veprave dramatike që njohim, në strukturën e ndërtimit, me shtrirje linjash, konfliktesh e karakteresh, po e kanë në brendësi psikozën e tragjizmit që ka pësuar jeta,-shfaqur kjo përmes një dialogu të shtrirë e fortë të gjatë të atyre personazheve të mbingarkuar me strese që u është prishur ëndrra e mbartin plagët e viteve që rëndojnë. Për më tepër u takojnë dramave simboliste, të cilat janë trajtuar edhe më parë, sidomos prej vëllezërve Qosja (Rexhepit e Isës). Kështu, drama e parë “Karremi”, e thjeshtë në dukje, ka trajtën e një përralle të moçme, ku flitet për kapjen e “peshkut të artë” midis dy bashkëshortëve të rrënuar nga jeta, shpresat e ëndrrat e të cilëve janë shprishur me kohë. Mirëpo, lodhja, stërmundimi e koha i ka vrarë edhe fizikisht e “peshkun e artë” nuk po e zejnë dot, edhe pse karremin e kanë harrue pa marrë, duke vënë në “grep”, herë unazen e martesës, here syrin, veshin e pjesë të tjera të trupit, sa mbetet veç skeleti i tyre! Simbolika e kapjes së “peshkut të artë” që flitet e s’u bjenë kurrë në rrjetën e peshkimit të njerëzve të varfër, do të mbetet si një iluzion, pa dyshim. E vetëm kaq. Drama do të mbetet kështu në kornizën e përrallës e të iluzioanit. Drama e dytë “Kumbulla Amerikane”, e cila rreket të trajtojë “plagën kanunore” ende të pambyllur, e ka shtratin e dramës, paksa më ndryshe e më gjërë, po përsëri në trajtat simbolike të saj, parë nga pozitat e sotme, me digresione ndërhyrëse, përmes një narratori e spektatori , që janë e s’janë pjestarë të dramës, po që gjithsesi “e drejta kanunare” do të vihet prej tyre e vetë autorit, në “kudhrën” e debatit, si prishje e jetës normale e rrjedhës, si grahmë e së kaluarës , deri në shuarjen e plotë të jetës ndër breza, E gjitha zhvillohet në një mot të shprishur, me shira të pandërprera, në dimrin e egër, duke shfletuar “fletët e kanunit”, midis atyre që dikur kanë qenë miq shtëpije e “tash jan n’gjak”. E” jeta,-thuhet diku tjetër,-i ban njerëzit e egër, gati/ si bishat e malit, që për me metë gjallë e hajnë njani-tjetrn”! Autori e shtjellon “gjamën” e hakmarrjes së dikurshme, si një diskucion në sferën e moralit, midis së djeshmes e të sotmes, për me dalë tek normaliteti i jetës, tek ëndrra reale e gjithkujt. Tragjikia ndodhet nën rogozin ku qëndrojnë personazhet, si një eksplozion që pritet të plasë nga çasti në çast! Dhe, në vend të kafes së idhët, njeri prej spektatorëve do të shpërndaj “kumbullat e tharta” nga kopshti i shtëpisë, mbjellë qysh prej lufte, prej një ushtari amerikan! E pas këtij shtjellimi e detaji simbolik, autori do të zbuloj absurditetin e sherrit qe i ka shti të dyja familjet në armiqësi nga ndarja e pronës “Është a s’ëdhtë e jona kumbulla”(!?, e mbjelle prej një ushtari që kaloi aty, qoftë edhe rastësisht, e cila ka hedhur shtat e ka nxjerrë kokra kumbulle, bërthama e së cilës u “mbetet në fyt” personazhevet” që do ta kenë jetën e shkurtër… deri në “vrasjen e ëndrrave” e të jetës së tyre! Drama e tretë “Ifigjenia Kukull” me subjektin e vetë të shkurtër, mbetet përsëri si një simbolikë lufte paramilitare në mëndjen e një fëmije të cilës, edhe në kohë paqe i kanë mbetë jahonat e zhurmshme të luftës. Po gjithçka është e mbetet brenda këtij simboli të luftës se dikurshme, që i ka lënë fëmijës frikën, edhe kur përreth saj xhirohet një film me luftë (kundër luftës!) e ëndrrat e saj shprishen po njëlloj. Se psikoza e luftës do të mbetet e nuk do të shuhet krejt… Po edhe në dramën e katërt “Arra e sëmurë”, simbolika e luftës bëhet dhe më tronditëse, duke e ringjallur plagën e vjetër. Burri e ka varur veten tek një degë arre e oborrit, sepse nuk e treti dot krimin e miltarëve serbë, që i përdhunuan gruan para syve të vet e kjo barbari kafshërore nuk mund të tretej kursesi në vetëdijen e shpirtin e tij. Zbulimi i dramës së kaluar rëndon në psikologjinë e njerëzve të sotëm, sa kthehet tanimië si një traumë e thellë e vetëdijes. Kemi kështu një vepër dramatike të fuqishme, edhe më të plotë se të tjerat, do të thoshnja të vonuar në vënien e saj në skenë, prej ndonjë trupe shqiptare, nga më të mirat dhe me e shfaq premierën aty në Hagë, ku është hartuar simbolika e kundërt e luftës së shenjtë në Kosove, deri në këtë farë feje, sa edhe viktimat e tyre të nëpërkëmben. Prandaj e deshta fort këtë djal patriot, të pastër, të thjeshtë e produktiv të Kosovës, dramaturgun Arian Krasniqi, jo se është më i miri, po thjeshtë si ma i mbrami i gjithë asaj plejade të artë që cituam, aq sa mundëm më lart, të cilët i lindi dhe i mbajti toka e Kosovës, për ta ndritur skenën e saj, me vlerat e DRAMËS SHQIPE e për të thënë më zë të lartë: “Mos harroni, o njerëz: ËNDËRRAT NUK VRITEN”!
Athinë, Kohe LOCKDOWN. 21/12/2020
Please follow and like us: