Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Kadare sjell në shqip ‘Një grua në Berlin’ të autores anonime gjermane

Helena Kadare” Pse e solla në shqip ‘Një grua në Berlin’ 

Në fillim të viteve ’90-të ishim të ftuar për herë të parë në panairin e librit të Frankfurtit. Për të shkuar deri atje, na u desh të kalonim nga Berlini. Shoqëruesi ynë, një student i ri gjerman i fakultetit të filozofisë, gjatë një mbasditeje të vetme që ndejtëm aty, na bëri të vizitojmë disa monumente të kulturës, pa më të voglën mërzi dhe as ndonjë shenjë lodhjeje. Në darkë, të gjithë bashkë u ndodhëm në një piceri, diku, afër qendrës së Berlinit.

Ishte mbrëmje e një dite të shtunë. Salla e restorantit e mbushur ndërkaq plot, ziente e gumëzhinte nga zërat. Çuditërisht, vetëm gra. Të gjitha të moshuara. Të krehura me kujdes e të veshura me ngjyra të ndezura, ato i kishin zënë thuajse gjithë tryezat, e ndërsa prisnin t’u vinte porosia, flisnin e qeshnin plot gjallëri.

Dikush nga grupi ynë shqiptar, pasi rrotulloi disa herë kryet përqark, bëri një nënqeshje të përmbajtur, por jo dhe aq të pafajshme dhe tha diçka nëpër dhëmbë, ashtu siç flitet kur ka të huaj dhe nuk duam që ata të na kuptojnë.

-Nuk e marr vesh, vetëm gra paska këtu? S’jemi as në ditën e 8 marsit!…

Shoqëruesi ynë, i sjellshëm dhe i gatshëm për gjithçka, anoi pak kryet drejt tij:

-Dëshironi diçka? –pyeti.

-Ah, jo jo, – u zu ngushtë tjetri.- Thjesht po thosha sa shumë gra… Dhe, si të donte ta zbuste në një farë mënyre, atë vërejtje që tani, edhe atij vetë filloi t’i dukej e pa vend, shtoi duke e shpalosur plotësisht buzëqeshjen e vet, – gra dhe, për çudi,… vetëm të moshuara.

Studenti i ri i filozofisë buzëqeshi edhe ai, por pa shpoti.

-Po, – tha pastaj.- Është traditë e grave tona të Berlinit… Gjithnjë të shtunave mblidhen me njëra-tjetrën dhe shkojnë lokaleve për ta kaluar kështu mbrëmjen së bashku.

Në sallë papritur ra qetësia. Kamarieri, me një shpejtësi të pabesueshme i kishte shpërndarë picat nëpër tryeza dhe gratë e zhurmshme e kishin ndërprerë bisedën, për t’iu kushtuar atyre.

-Në të vërtetë, janë duart e rreshkuara të këtyre grave që shihni këtu që e kanë ngritur në këmbë kryeqytetin që kemi sot, – vazhdoi student i ri.- Siç mund ta dini, në fund të luftës Berlini u gjend krejtësisht i bombarduar. Gratë ishin vetëm, pa burrat e pa djemtë, që iu mbetën fronteve… Dhe ashtu, pa iu thënë kush, me nismën e tyre, i hynë punës, për ta pastruar qytetin nga gërmadhat. Një punë titanike, me thënë të drejtën…

Ne heshtëm. Ishte një çast i vështirë të gjeje fjalën e duhur. Në fakt gjithçka ishte thënë.

…Shumë vite më pas, kur më ra në dorë ky libër tronditës i anonimes së famshme gjermane, në mend më erdhën gratë e asaj nate të shtunë të largët, që darkonin të vetmuara në atë picerinë e thjeshtë berlineze. E përfytyrova anonimen midis tyre. Duhej të kishte qenë e atij brezi. Siç mora vesh më pas, kur u interesova për të, pas leximit të këtij libri, ajo kishte vdekur në vitin 2006. Gratë e pizerisë kishin bërë atë që kishin mundur për ta ringritur qytetin e tyre, të vetme, me duart e tyre. Kurse anonimja e librit kishte shkuar edhe më larg. Ajo kishte lënë një dokument të rrallë, dëshminë e gjallë të një tmerri të patreguar.

Për një kohë të gjatë, ky libër i botuar pas lufte, kaloi në heshtje të plotë, pothuajse i mohuar nga opinioni gjerman i asaj kohe. Libri u botua në SHBA e në shumë vende të Europës, i shoqëruar me bujë e me habi të madhe, por në Gjermani, jo. Ai nuk u pranua, për një arsye që nuk u tha asnjëherë haptas. Por shkaku kuptohet. Në ditarin e kësaj gruaje, ishin përshkruar ditë pas dite, tre muajt e fundit të ardhjes së ushtrisë ruse në Berlin dhe kapitullimi pa kushte i Gjermanisë naziste. Gruaja anonime, me një përpikmëri dhe ftohtësi rrëqethëse tregon jetën e saj dhe të popullatës civile në këta tre muaj. Nga statistikat doli më vonë se njëqind mijë gra gjermane u përdhunuan nga fitimtarët e Ushtrisë së Kuqe, duke përfshirë edhe autoren e këtij ditari. Ajo e vuan këtë fat bashkë me të tjerat, siç e pohon shpesh edhe vetë, e ndiente veten thellësisht të lidhur me vendin e saj, si rrjedhim deshi ta ndajë fatin e vet me fatin e popullit të cilit i përkiste.

Ajo që të habit, është se në faqet e ditarit nuk gjen asgjëkund as urrejtje, as zemërim. Është thjesht një kamera që regjistron çfarë ndodh. “A nuk kanë bërë të njëjtën gjë ushtarët tanë me gratë e tyre në Rusi”, pyet veten ajo.

Ditari  është mbajtur pa asnjë anësi. Me gjithë fatkeqësitë, urinë, përdhunimet, vdekjet e panumërta, shpesh herë tepër dramatike, në të nuk mungojnë gjykimet e sakta e të drejta, për një pjesë të ushtarakëve rusë, që pati rastin t’i njihte vetë. Bashkë me tmerrin dhe vuajtjen e shkaktuar, ajo nuk e kalon shkarazi kur gjen mes ushtarëve të armikut, tipare të humanizmit, të gjenerozitetit, të mirëkuptimit. Ajo e trajton dhe e sheh me të njëjtin sy vuajtjen e përbashkët të popujve, që iu deshën të kalojnë nëpër këtë kasaphanë botërore, për hir të ideve të çmendura të prijësve të tyre.

“Ne kështu jemi si popull, thotë ajo”. Na venë përpara ata që drejtojnë dhe ne i ndjekim pas si dele të bandura. Dhe ja përfundimi”.

Popujt kanë njohur diktatura të egra dhe historia na tregon se kujtesa njerëzore është e shkurtër dhe harron shpejt. Që tmerret të mos përsëriten, kujtesa duhet mbajtur gjallë.

Shpesh herë ndodh të dëgjojmë gjykime të shpejta, të cekëta, për ngjarje që kanë të bëjnë me popuj të tjerë apo edhe me jetë të veçanta individësh, të cilëve nuk ua njohim historitë vetiake, atë që ata mbajnë heshturazi  dhe pa fjalë mbi shpinë. Ndaj, kur duam të gjykojmë, jemi të detyruar të ndalojmë një çast dhe të bëjmë një përpjekje për të njohur të vërtetën në të gjitha përmasat e saj. Njohja e së vërtetës nuk mund të bëhet veçse pas dënimit të së keqes. Gjermania e fitoi këtë të drejtë pas aktit të saj shembullor të dënimit të bëmave naziste, pa asnjë lëshim dhe pa justifikim. Gadishulli ynë ballkanik, ka shumë për të mësuar nga kjo përvojë.

Kurdoherë në botë diku përgjon një e keqe, edhe kur ajo nuk vihet re menjëherë. Me anë të gjetjes së të vërtetës, duke ngulmuar për të parë drejt e në sy atë, njerëzit do ta kenë më lehtë t’i bëjnë pritë së keqes, pikërisht atëherë kur ende s’është vonë. Ky është misioni kryesor i historianëve të ndershëm dhe, padyshim, i dëshmive të ndershme, si ky libër që kemi përpara.

 

Një grua në Berlin

Për tetë javë gjatë vitit 1945, ndërsa Berlini ra përballë ushtrisë ruse, një grua e re, anonime, regjistroi në ditar jetën në apartamentin e saj si dhe midis banorëve të kryeqytetit, “me një sinqeritet të pastër dhe lirizëm brutal” (Elle)

“E thjeshtë dhe e paparashikueshme, e vështruar minutë pas minuti dhe krejtësisht pa asnjë keqardhje për veten”, (The Plain Dealer, Cleveland), ky ditar tregon marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet qytetarëve dhe ushtrisë pushtuese, si dhe keqtrajtimet e turpshme të cilat, gratë e një qyteti të pushtuar i përjetojnë gjithmonë – përdhunimet masive të vuajtuara prej të gjithave, pavarësisht moshës apo dobësive. Një grua në Berlin, përkthyer mjeshtërisht nga frengjishtja, nga Helena Kadare, botimet “Onufri”, qëndron si “një nga librat thelbësore mbi kuptimin e luftës dhe jetës” (A.S. Byatt, autor i Possession)

Please follow and like us: