Albspirit

Media/News/Publishing

Dashnor Kokonozi: Paradoks në paradoks

Mësoj se ka ikur nga kjo jetë znj. Th. Thomai, ministre e bujqësisë në një nga kohërat më të vështira të diktaturës. Paradoksalisht, për atë funksionare të lartë të një regjimi që shkëlqeu në marrëzitë e tij, ruaj mendim të mirë.
Kjo i detyrohet një konference shtypi që ajo organizoi, fill pasi mori funksionin e saj. Por që nga ky çast, për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, del nevoja për shpjegime shtesë. Sot konferenca e shtypit është diçka krejt e rëndomtë, madje nëse do të çinformohesh, shko në një konferencë shtypi. Por atëherë një konferencë shtypi nuk ekzistonte, nuk bëhej kurrë. Kishte vetëm një mbledhje të përjavshme në Komitetin qendror (zyra e shtypit), ku shefat e medieve të kohës merrnin “orjentimet”. Diku nga fundi i pyesnin nëse e kishin kuptuar mirë atë që duhej të bënin dhe gjithnjë dilte që ata i kishin kuptuar mirë.
Sot e kësaj dite unë nuk e kuptoj se në cilën stallë kooperative të Myzeqesë Themie Thomai kishte dëgjuar për konferencë shtypi. Dhe si të mos mjaftonte, me të ardhur në Tiranë kërkoi vetë të organizonte një të tillë aty nga fundi i viteve ’70.
Takimi u bë te Klubi i Gazetarëve, që ndodhej diku përballë Zërit të Popullit. Aty zakonisht gjatë gjithë vitit vegjetonin gazetarë të brezit të vjetër si Çoti Papuli, gjysmë të dehur e gjysmë të përgjumur (Por me pak shans ne më të rinjtë, mund të takonim edhe Petro Markon, që nganjëherë zbriste edhe ai aty për ndonjë kafe).
Unë nuk e di si u ndodha në atë konferencë shtypi sepse isha redaktor i Teatrit në mikrofon në Radio Tirana dhe pjesën tjetër të kohës i bija vërdallë Shqipërisë për veprimtari kulturore, takime në studiot e piktorëve, festivale folklori etj..
Dhe ato që tha Themie Thomai aty përbëjnë një fenomen enigmatik. Qe një paradoks i vërtetë brenda një regjimi paradoksal.
Dy gjëra nuk më shqiten nga mendja. Duke folur për gjendjen e përgjithshme të bujqësisë ajo tha copë: “prapambetja është e madhe dhe gjendja është e rëndë, parku i mekanikës bujqësore është primitiv”.
Por nuk mbyllet këtu. Brezit tim i kujtohet se në të gjitha fjalimet e drejtuesve të kohës, “përparimet” e vendit shpjegoheshin e bëheshin më të dukshme nëpërmjet krahasimit me vitet tridhjetë, kryesisht referencë ishte viti 1939. Fraza tip ishte: Në krahasim me vitin 1939 rendimenti i x produkti është rritur 27 herë, 300% etj..
Këtë bëri edhe Themie Thomai atë ditë, por inversoi shifrat. Duke folur për ullinjtë ajo tha: Ai e dini ju se në vitin 1939 një ulli në Shqipëri prodhonte mesatarisht 20 deri në 40 kg., ndërsa sot nuk i kalon të 2 deri 3 kg? Ja, pra cila është gjendja!
Vras mendjen të kuptoj si ndodhi kjo. Them se mbase ajo besonte sinqerisht se gjërat do të ndryshonin, mbase donte të linte një gjurmë duke thënë: ja gjendje si e gjeta unë vendin dhe shihni si do ta bëj, mbase ishte naive, mbase ende nuk kishte provuar dhëmbët e diktaturës…
Ajo që di më me siguri është se unë nuk e imagjinoj dot sot që një ministre e z. Rama të ngrihet e të thotë se ullinjtë tanë prodhojnë dhjetë herë më pak se ullinjtë e kohës së z. Berisha dhe aq më pak të përfytyroj që një ministër i këtij të fundit të thotë publikisht se ullinjtë e kohës së z. F. Nano ishin ç’ishin, jo këta tanët!
Del pyetja kemi bërë para apo kemi bërë mbrapa? Pa dyshin që kemi bërë përpara, asgjë nuk ka të krahasuar (këtë ua them unê që vij një herë në shtatë vjet aty dhe shoh ndryshimet), por disa fenomene atipikë siç ishte rasti i znj. Thomai krijojnë konfuzion, si të ishte një grimcë rëre në ingranazhet mjaft precizë të diktaturës.
Ajo, në dijeninë time ishte e vetmja konferencë shtypi e gjithë asaj periudhe. Pasardhësja, një konferencë e vërtetë shtypi, ku gazetarët e vendit dhe të huaj kishin të drejtë të bënin pyetje, u organizua nga Ramiz Alia në selinë e Presidencës diçka mbas ardhjes së Peres de Kuelarit.
Pata rast t’i drejtohem presidentit, por me pyetjen e dikujt tjetër. Isha përkthyesi i Karlo Bolinos, një gazetar italian që punonte si korrespondent i Gazzetta del Mezzogiorno -s (dhe të cilit i duhen njohur fillimet e gazetarisë moderne në Shqipëri), por që po shihte edhe mundësinë për riçeljen e Gazetës Shqiptare. Kur gazeta u riçel vendin e tij si korrespondent i “ Gazzeta del Mezzogiorno” nga Shqipëria e mora unë. Por jo për shumë kohë. Karlo do të më komunikojë më vonë vendimin e shefit të tij për pushim tim nga puna, meqë në një reportazh për një gazetë tjetër italiane, kombëtare këtë herë, kisha denoncuar vjedhjen e tokave që po i bëhej fshatarëve të Myzeqesë nga një familje e dyshimtë pronarësh italianë (I fratelli Ninivaggi) që për më tepër ishin në një proces gjyqësor në gjykatën e Barit, të akuzuar për vrasjen e një gazetari. Kjo mbase ishte arsyeja, qe disa miq gazetarë italianë (ata që më sillnin informacionin), ndonjëhere duke qeshur me telefononin dhe pyesnin: ende gjallë je? Isha aq i dhënë pas punës sime sa nuk e kuptoja përse më pyesinin ashtu.
(Ata, vëllezërit Ninivaggi, në një rast tjetër m’u desh t’i denoncoj në shtyp sepse sollën miell dhe makarona të bëra me miellin e infektuar të Çernobilit në Shqipêri dhe e shitën me ndihmën e bashkëpunëtorve të tyre të brendshëm, sot politikanë dhe biznesmenë të niveleve të larta).
Kishte qëlluar që ata paguanin jo pak te Gazzetta del Mezzogiorno për reklamimin e prodhimeve të fabrikave të tij të shumta… Dhe reportazhi im kishte bërë të kërcisnin dhëmbët e ndokujt.
Të paktën Karlo kështu më tha.
Please follow and like us: