Albspirit

Media/News/Publishing

Autori amerikan sjell një libër për Stalinin

Gazeta britanike “The Guardian” shkruan për publikimin e një libri të ri me temë nga Lufta e Dytë Botërore me autor historianin amerikan, Sean McMeekin që konsiderohet se jep një perspektivë alternative mbi ato ngjarje.

Volumi është 800 faqe dhe mban titullin: Lufta e Stalinit. Është një titull- konkluzion, e që pretendon vlerën e faktit historik dominues për atë luftë, pra se Stalini ishte qendra e saj.

Arsyetimi është i thjeshtë: me termin luftë botërore, Stalini përligjet si aktor kryesor për shkak se përhapja e trupave sovjetike nga Europa në Mançuri dhe Paqësor e bën atë një lider me prezencë përcaktuese.

Më përcaktuese se sa Hitleri.

Nga ana tjetër, lufta gjykohet për nga bilanci dhe LIIB prodhoi mitin e Stalinit dhe mitin e keq të Hitlerit.

Përtej kësaj, autori sjell një element historik me rëndësi: më 15 maj 1941, pra diçka më shumë se një muaj para nisjes së sulmit gjerman mbi Bashkimin Sovjetik përfaqësuesit ushtarakë sovjetikë kërkonin nga lideri i tyre, Stalin, që Ushtria e Kuqe të sulmonte trupat gjermane në kufi sa pa u dislokuar këto trupa nën urdhër luftimi, pra pa u organizuar për përhapje luftarake në front.

Mesazhi në fjalë ka rëndësi për të kuptuar më mirë atë që në histori njihet si hezitimi sovjetik për të kuptuar se lufta po afronte; një si kaos fillestar të Ushtrisë së Kuqe. Ka patur autorë që e akuzojnë Stalinin për panik dhe paaftësi, për moskuptim të situatës etj.

Por nëse ky mesazh në librin e fundit provohet si i vërtetë atëherë kemi një rast të dokumentuar për ta parë ish-liderin sovjetik të rikonfirmojë veten si kokë e ftohtë në një situatë shumë të ndërlikuar. Të vjen ndërmend këtu udhëtimi i tij politik, likujdimi i Trockit me akuzën për bonapartizëm, asgjësimi i elitës ushtarake që kishte zhvilluar koncepte moderne për luftën ofensive. Episode që e vendosin Stalinin në kontekstin e dikujt që kërkon të shmangë Lufën, por jo betejat dhe ndërhyrjen për përfitim territorial. Po ai cinizëm që hasim në Marrëveshjen e Munihut p.sh apo edhe heshtjen e Perëndimit ndaj pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Por edhe në lidhje me aktualitetin politik, ky mesazh ka rëndësi sepse në një farë mënyre thelbi i militarizmit rus në Ukrainë dhe Krime, apo edhe në Gjeorgji lidhet me perceptimin se Perëndimi po mësyn drejt Lindjes dhe nuk i pranon si definitivë kufijtë e Rusisë të cilën kërkon ta izolojë.

Kordoni Sanitar është një term i Perëndimit që aktualizohet kaq mirë sot dhe që bën të kuptojë se strategjitë e komunikimit që vijnë nga Perëndimi vazhdojnë me të njëjtën teknikë: i Keqi në Lindje, i Miri në Perëndim. Edhe pse libra dhe autorë si McMeekin sugjerojnë se një strategji e mirë, edhe në komunikim, është ajo që e konsideron perspektivën e Tjetrit. Jo që e injoron atë.

 

Skerdilajd Zaimi / ResPublica

Please follow and like us: