Taip Sulko vjen para lexuesit me librin e ri poetik “Portat e Qiellit”
Një vëllim i ri poetik sapo ka parë dritën e botimit dhe është shpërndarë në libraritë e Tiranës. Titullohet “Portat e Qiellit” dhe ka për autor Taip Sulkon, gazetar, shkrimtar dhe diplomat karriere, një nga pjestarët e komunitetit shqiptaro-kanadez të krijuesve nga fusha e letërsisë artistike.
Taip Sulko ka studiuar fillimisht gjuhë-letërsi dhe gjuhë hungareze në Universitetin e Tiranës në vitet 1977-1982. Më pas ka kryer studimet në nivel Master për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Budapest të Hungarisë (1994-1997). Nga viti 1982 ka punuar si perkthyes i hungarishtes në Radio-Tirana, 1985-1991 ka qenë gazetar në Radion e Jashtme, ndërsa në periudhën 1991-1992 ka punuar si gazetar në TVSH. Në vitin 1992 Taip Sulko pranohet në Shërbimin e Jashtëm dhe ka shërbyer si diplomat i Republikës së Shqipërisë në Hungari, Poloni dhe Kanada. Gjatë viteve në Shërbimin e Jashtëm pranë MPJ, ai ka punuar gjithashtu në Drejtorinë e Europës, ka qenë drejtor në Drejtorinë e Azise dhe Afrikes (2005-2006) si dhe Drejtor i Shtypit dhe Informacionit (2006-2010).
Taip Sulko është autor i romanit “Në anën tjetër të parajsës (2002), i vëllimit me tregime “Antologjia e shpirtrave” (2009) dhe i përmbledhjes poetike “Toka e premtuar” (2010). Publikimi i tij më i ri me 136 faqe që përmbajnë 119 poezi, “Portat e Qiellit”, ka dalë në dritë falë bashkëpunimit me Botimet “Naimi” në Tiranë. Dizajni i kopertinës është realizuar nga Taulant Sulko. Pas pak ditësh libri do të mbërrijë edhe në Kanada.
Duke e uruar përzemërsisht autorin për këtë arritje të re, Flasshqip po publikon më poshtë disa poezi nga vëllimi “Portat e Qiellit”.
BETIMI I DRITËS
Që tej, nëpër shtjella yjesh
heshtje shpirtrash vjen.
Unë dua të jem pishtari yt, si mijëra të tjerë,
që duke u djegur e kuptuan
se çka kthehet në dritë më nuk shprishet.
KËNGA E NJERIUT
Në gurë durimi jam shkruar,
në zemër të gurit
përvijuar si lule, si zog, si gjethe shprese.
Nga guri kam dalë, por jam shpirt përqafimi,
Zotit i ngjaj, sepse ai kështu më deshi…
Unë vdes dhe ringjallem, si stinët,
shembëlltyrë e Hyjit,
Grimcë që s’prishet, joshë që etja e vërvit.
Marr plagë e ligështohem,
goditem, por prapë ngrihem
E s’e prish fytyrën që më dhanë Perënditë.
DO TA BRAKTIS MAGJINË E FJALËVE
Të betohem, do ta braktis magjinë e fjalëve
veç poezinë e buzëve të tua do këndoj,
dridhmën e epshit kur dy trupat puqen,
derisa unë kthehem në dritë.
Të betohem, gjithçka është gati,
perëndimi ra si një zjarr i butë,
dëlirësia e shtratit vetëtin si ftesë.
Përqafomë dhe puthmë, gjithë këtij mali padurimi
flakë do t’i vërë shpuza e buzëve të tua.
DUA TA DI
Më thuaj, ç’më ktheu në çmendje të lojës,
gjethe e lëshuar në përqafimin e erës,
dallgë që përplaset e vdes duke qeshur?
Gjenitë s’janë ashtu, as të marrët, as të rëndomtit!
Ende kërkoj gjurmët e asaj që s’e njoh.
Ç’ishte ajo, gropa e luanëve ku më hodhi fati,
apo thesari ku do të mbush grushtet sa herë të dua?
Ti ma thuaj, s’kam tjetër kë të pyes.
Unë dua ta di para se të iki.
FJALË DREJTUAR HYUT
Qëndroj para Teje, mëkatar dhe i vogël.
Gjithçka kam e vë në dorë dhe ta zgjas.
Por skuqem dhe zverdhem si fëmijë.
Edhe dashuria ime qenka me plagë?
Kot i jam trimëruar vetes se do vdes si hero!?
Më kot shpirtin tim e doja si mëngjes me Diell!?
Qëndroj para Teje, i vogël dhe mëkatar,
Por kurrë nuk heq dorë nga dashuria ime.
FRYMA E DRIDHUR E QIRIRIT
Kërrusur rri në muzg, me duart kupë,
rreth frymës së dridhur të qiririt.
Hija në vegim tretet detit, si roje e vetmisë.
Në sy ka dridhjen e flakës që djeg kujtime të pafundme.
Flokët e gjatë i ngjyhen mbi flakërimën e allët të qiririt.
Fantazmat e frikës afrohen hijeve me pëshpërimë,
si hije të vdekjes. Por ai, mbi rërë, mblidhet i kërrusur
me pëllëmbët e buta, të shtrënguara kupë,
nëpër muzg ruan frymën e dridhur të qiririt.
KJO ËSHTË DASHURIA!
Edhe kur s’ka as zogj, as pemë dhe as frymë njeriu,
Që t’ia besoj lulet e shpresës,
Si Diell në Perëndim do ndizem.
Kur të jem larg, në asgjë, do mbetem përherë aty,
I gjithhershëm, i ftohtë, me dritë, si yjet.
Kjo është dashuria!
I VERBËR DHE LAKURIQ
I verbër dhe lakuriq është besimi im,
vetëm i verbër mund t’ia dalë.
Ecën, me duart përpara, lakuriq, si në skenë.
hedh hapat dhe vjen, jo si atëherë,
kur flatër ishte e më merrte me vete, mbi retë.
I verbër është, perëndim i lodhur,
me duart përpara ecën, lakuriq, por vjen,
afrohet, patjetër do të më takojë, do ma sjellë
mbi dorën e shtrirë, çelësin e fshehtë të lumturisë time.
ZEMRA E PLAGOSUR
Dua të rri pranë teje dritëz që sheh,
me shputat e mia të ta ruaj flakëzën.
Dua të të përkëdhel,
dhe pse e di se duart do më përskuqen,
në gjakun e vuajtjes tënde.
Diellzin e shpirtit tim dua ta bashkoj
me ato pak vetëtimëza drithëruese që të rrethojnë.
Ku ta dish, Zoti ma plotëson ëndrrën,
t’i prij ushtrisë së vogëlth, me flakadanët mbi krye
që vjen të çlirojë harenë tënde nga skutat e errëta.
ANIJA IME, EJA!
Anija ime, eja, ti zog i dëshpërimit që ujin e puth.
Eja në breg të thuash rrëfenjën tënde, stuhinë në dimër
qeshjen e Diellit mbi direkët e tu. Në çdo drejtim që të ecësh
do të gjesh bregun ku po të pres. Aty ku flenë përjetë anijet.
Atje poshtë, nën rërë, don të shtrihesh përgjithnjë?
S’do kesh më frikë nga zemërimi i dallgëve,
Nuk do shfresh, s’do ulesh e ngrihesh, të luftosh e lagur?
Eja, fëshfërima e mbrëmjes frymë do ketë fjalët e tua.
Dashuria jote si shall do më ngrohë parzmin në muzg.
Hej, e bukura ime, hej, jam këtu, më sheh?
Krahëhapur si një kryq dashurie,
këtu, në buzëdetin tënd, eja!
KU ËSHTË AJO?
Ku është ajo, trumzë e çelur? E kërkoj!
Mos u kthye në qiparis të vetmisë,
re që era e merr përtej heshtjes së kodrave?
Ku është? Eh si më puthte e më shtynte,
më përqafonte, duke qarë më përzinte,
puqeshim e xixëllonja shpërthenin kurmit të mbrëmjes.
Ku është? Vetëm janë lulet, vetëm mbrëmja,
po thërret era me gjelbërimin, por ajo nuk është.
Në vende të gabuara më ndjellin xixëllonjat,
por unë e kërkoj! Dua përsëri të çelë me lulemimozat,
me frymën e mbrëmjes të më futet në trup
dhe aty të më rrijë përgjithnjë./flasshqip.ca/
https://flasshqip.ca/komunitet/4868-publikohet-vellimi-poetik-portat-e-qiellit-me-autor-taip-sulko