Albspirit

Media/News/Publishing

Dëshmorët e ditës së parë të pushtimit dhe ditës së parë të LANÇ-it

 

(Kushtuar dëshmorëve të Atdheut të rënë në ditën e parë të LANÇ-it, më 7 prill 1939 në Durrës dhe të dokumentuar në arkivat shqiptare, por edhe në librin zyrtar të dëshmorëve: Mujo Ismail Cakulli (Ulqinaku), Hamit Liko Dollani, Haxhi Mustafa Tabaku, Hysen Koçi (Kallço), Isak Selim Metalia, Ramazan Halil Velia, Ismail Isuf Reçi, Ibrahim Ramë Osmani, si dhe dëshmorëve Hamit Veshko (Vlorë), Mitro Vaso Dhimërtika (Sarandë), Tonç Gjon Toma (Shkodër), Zenel Abedin Bllana (Berat), Izet Hysen Shahu (Ersekë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

Luftëtarët e rënë në Durrës më 7 prill 1939

Durrësi i lashtësisë, i historisë, i qytetërimit dhe kulturës shqiptare ka përjetuar edhe ditë pushtimi, sikurse e premtja e zezë të 7 Prillit 1939. Shqipëria u sulmua pabesisht nga Italia fashiste. Ishte pikërisht vendi që sipas marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (me 58 vende antare) në vitin 1921 ishte “vendi garant” për pavarësinë e Shqipërisë. Italia jo vetëm që nuk përmbushi as vendosjen e paqes, as korrigjoi parregullsitë, por e çoi edhe më thellë problemin me agresioni fashist të 7 prillit, që kërkonte vendosjen e varësisë politike, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj Italisë, që në fakt ishte një realitet që kishte ndodhur sa nga domosdoshmëria e shtetit shqiptar për të mbijetuar ekonomisht, por dhe nga nevoja e klasës udhëheqëse shqiptare të kohës që kërkonte të gjente përkrahje nga Italia. Dhe Italia erdhi, por me trupa ushtarake, sepse i kishte ngelur “daramet” që më 1920-tën. Por djemtë e popullit ishin patriot dhe atdhetarë që me pushkë kishin pritur çdo pushtues, që dinin “t’ua skuqnin kokën” pushtuesit. Prandaj ata nuk e kursyen gjakun edhe këtë herë. Prandaj edhe sheshi i parë i pushtimit, skela e Durrësit do të skuqej nga gjaku që në genin arbëror rronte zgjuar liria dhe antifashizmi. Dëshmorët e Atdheut të rënë në ditën e parë të LANÇ-it, në Durrës janë: Mujo Ismail Cakuli (Ulqinaku) (1896-7.4.1939) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 1749 datë 9.9.1946; Hamdi Liko Dollani (1903 Jançë-Sulovë, Gramsh – 1939 Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 36 datë 9.5.1974; Haxhi Mustafa Tabaku (1909 Durrës-1939 Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 212 datë 17.10.1981; Ismail Isuf Reçi (1917 Krujë – 1939 Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 194 datë 23.07.1984; Ramazan Halil Velia (1915 Homesh, Dibër -1939 Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 50 datë 30.06.1972; Hamit Selman Veshko (1917 Gumenicë, Vlorë -1939) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 97 datë 22.9.1972; (vrarë tek Skela dhe tek shkolla e marinës ka pasur edhe një pllakatë); Isak Selim Metalia (1878 Strikçan, Dibër -1939 Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 50 datë 30.06.1972; Ibrahim Ramë Osmani (1918 Bllacë, Dibër -1939 Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 50 datë 30.06.1972;  Hysen Koçi (Kallço) (Durrës) shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim të ish-komitetit Ekzekutiv të Këshillit popullor. Ndërsa nga Saranda, Berati e Shkodra kanë rënë në fushën e nderit: Mitro Vaso Dhimërtika (1915 Nivicë Sarandë – 1939 Sarandë),  shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 166 datë 27.12.1977; Zenel Abedin Bllana (1905 Mbolan, Berat -1939 Breshovë, Berat), shpallur “Dëshmor” me vendim nr. 110 datë 16.12.1972), Tonç Gjon Toma  (1913 Shkodër – 1939 Shkodër), shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 139 datë 3.4.1993, Izet Hysen Shahu (1897, Kozel – 1939, Ersekë) 42 vjeçar shpallur dëshmor me Vendim të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” nr. 44 datë 30.12.2004. Që të gjithë ranë për Atdhe në ditën e parë të LANÇ-it që është dhe dita e parë e Luftës Antifashiste europiane, që historia i ka dokumentuar si të rënët e parë antifashistë në Shqipëri por këta janë edhe dëshmorët e parë europianë. Mosha mesatare e tetë dëshmorëve të rënë në Durrës në ditën e parë të pushtimit ishte mjaft e re. Nga tetë dëshmorë, që ranë në Durrës, një ishte nga Ulqini, një nga Kruja, një nga Gramshi, një nga Vlora, dy nga Durrësi,  tre dibranë, punëtori Isak Metalia 61 vjeçar, Ibahim Osmani 21 vjeç dhe Ramazan Velia 24 vjeç. Isak Metalia nga Strikçani i Dibrës kishte lënë në fshat tre fëmijë dhe gruan e tij dhe prej vitesh punonte si hamall në Portin e Durrësit. Më 7 prill u rindez sërish kënga patriotike: “O djem rrëmbeni pushkët,/ Ja vdekje, ja liri..” dhe “armë, armë…” ishte refren i ditës.  Isak Metalia u deklaron shokëve: “Unë e kam nda mendjen me luftue, për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë”, që ishin edhe fjalët e tij para se të ndërronte jetë. Idealet e tyre atdhetare u quajtën ashtu sikurse ishin në të vërtetë të shenjtëruara dhe u përmbushën me fitoren e luftës nga partizanët shqiptarë, që u renditën në anën e duhur të historisë, me amerikanët, britanikët e rusët, që bënë të përgjunjej fashizmi dhe nazizmi dhe bota të merrte frymë e lehtësuar. Për këtë tematikë të ditës së parë të luftës kanë shkruar mjaft autorë si: Arben Puto, Bernd Fischer, Mojkom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Xhevdet Shehu, Gjergj Velo, Dalan Buxheli, Bernard Zotaj, Dorian Koçi, Blerim Kore, Abedin Bici, Merenglen Kasmi, Bashkim Qeli, Bardhosh Gaçe, Skënder Spahiu, Izet Shahu, Thanas Gjika si dhe studiues, historianë e gazetarë të tjerë.

Pushtimi që paralajmëroi fillimin e Luftës së Dytë Botërore

Më 7 Prill 1939, rreth orës 4:30 nisi sulmi ushtarak për pushtimin e Shqipërisë. Kronikat e kohës flasin që rreth 40 mijë trupa ushtarake, 400 aeroplanë lufte, 300 tanke të lehtë, 173 luftëanije, të cilat sulmuan në katër drejtime strategjike: Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë. Drejtimi kryesor i mësymjes u përqendrua me më shumë trupa nga qyteti i Durrësit si një qytet strategjik nga ku mund të kalonin më me lehtësi trupat e tjera që do të zbarkonin më vonë, por edhe se kryeqyteti Tirana ishte pak km larg Durrësit. Italianët pushtues me zjarr dhe hekur u përpoqën të nënshtrojnë shqiptarët për herë të dytë brenda një shekulli, por edhe këtë qëllim se arritën asnjëherë. Qyteti i Durrësit me luftën e tij hyri në analet e historisë si vendi i parë në Evropë që luftoi dhemb për dhemb me pushtuesit fashiste dhe që i dha edhe Evropës dëshmorët e parë të kësaj lufte. Por rezistencë pati edhe në gjithë bregdetin e qyteteve të tjera. Shqiptarët nuk e kishte humbur tiparin themelor të mbrojtjes së identitetit dhe lirinë, por nga ana tjetër Benito Musolini në mënyrë ironike do shprehej: “Nuk e meriton lirinë një popull, që nuk është gati të vdesë për të!”. Por Duçja do ta provonte në shtatorin e 1943-shit se “sa i vlente lëkura” në shtator të 1943. Shqiptarët, nuk ishin sikurse deklaronte Musolini: “një ishull i vogël njerëzish me zakonet e tyre të lashta, që hanin bukën e thekrës, pinin qumështin e dhive, këndonin luginave baladat e të parëve të tyre”, por pas humbjes së Piaçentinit më 1920-tën, humbja e shtatorit 1943 do të ishte akoma më e idhur për ushtrinë italiane. Më 7 prill italianët deklaronin 12 të vrarë, ndërkohë që historiografia jonë në pesë dekada fliste për rreth 200 italianë të vrarë e të plagosur në Durrës dhe 700 në të gjithë Shqipërinë (që nuk është e dokumentuar).

Nga ana tjetër edhe numri i shqiptarëve të vrarë në ditën e parë të luftës ndoshta ka qenë edhe më i madh. Në fakt që të katërt “brezat e mbrojtjes” në mënyrë sektoriale nga Shkumbini në Milot nga nënkolonel Shaban Bega, nga Miloti në Shkodër nga nënkolonel Kyçik Ullugaj (oficer biellogardist), nga Shkumbini deri në brigjet e Vjosës nënkolonel Faik Quku, nga Lumi Vjosa deri në Sarandë kolonel Ali Riza Topalli dhe me përqëndrim vetëm në Durrës nga Major Abaz Kupi (komandant i xhandarmërisë në Durrës) dështuan në të gjithë frontet. Ndërkohë që “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shkruhet që: “zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të mëngjesit dhe vetëm mbas orës nëntë të mëngjesit italianët hynë në Durrës. Qëndresat e paorganizuara në Rrashbull, tek Shkëmbi i Kavajës, pa folur saktësisht me shifrat e të vrarëve dhe të të plagosurrve në ditën e parë të pushtimit. Nga ana tjetër në Shëngjin, luftëtarët shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar. Po ashtu dhe gjatë rrugës për në Lezhë, në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës, pushtuesit ndeshën në një qëndresë sikurse edhe në Koplik. “Në Vlorë u vra një komandant kompanie dhe një ushtar si dhe disa të plagosur. Rezistencë pati edhe në Panaja dhe Bestrovë…”, por në fakt i dokumentuar është  dëshmori Hamit Veshko. Fakt është se në ditën e parë të pushtimit brigjet shqiptare u lanë me gjakun e bijve patriotë të Shqipërisë. Rezistencë fashizmi deri në këtë kohë kishte ndeshur vetëm në Abisini, Spanjë dhe Shqipëri. Për sfidën e parë të rezistencës në Evropë ndaj nazifashizmit që bënë këta bij, shkruan edhe faqet e shtypit demokratik në Angli e gjetke. Ato paralajmëruan popujt e botës për tragjedinë në afrim që i priste dhe treguan se si luftohet mënxyra fashiste. Të rënët e 7 prillit 1939 janë: Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi, Isak Metalia, Ramazan Velia, Ismail Reçi, Ibrahim Osmani, si dhe dëshmorët Hamit Veshko, Mitro Dhimërtika, Zenel Bllana, Tonç Toma dhe Izet Hysen Shahu. Nga dëshmorët e ditës së parë të luftës në tekstet e historisë së Shqipërisë përmendej Mujo Ulqinaku, të cilit iu dha titulli i dëshmorit dhe heroit dhe ju ndërtua një monument pranë portit të Durrësit, por shtatë dëshmorët e tjerë ngelën anonimë duke i renditur tek “e të tjerë”. Në bazë të dokumenteve brenda datës 10 prill, gjithçka mbaroi. Në çdo qytet shqiptar, në çdo qendër administrative, mbi rrënojat në tym, u shqaq flamuri italian tricolor, si “ngadhënjim lavdie”. Skenat që fëmijët të qajnë mbi kufomat e nënave të mbuluar në gjak, duke vrejtur gjithë urrejtje “ushtarë trimosha”, me pendë me ngjyra majë kapeleve, ishin në fakt skena tronditëse. Era e tymit të barotit të 101 të shtënave me topa në Tiranë më 5 prill, që lajmëronin ardhjen në jetë të princit trashëgimtar, paskishin qenë “sinjali” i largimit të “udhëheqjes”, copë-copë, që la mbrapa gjëmimin e topave të Duçes që ofronin për shqipëtarët, “jetë të lumtur”, që kishin “çliruar popullin shqiptar nga zgjedha e një mbreti anadollak shtypës dhe despot”. Në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë, pati jo vetëm rezistencë por edhe gjak shqiptarësh, që është e njohur dhe e vërtetë, sepse e vërteta dhe e drejta shkëlqen si meteor lirie të ardhmen, prandaj dëshmorët janë me vlerë të njëllojtë dhe të barabartë në panteonin kombëtar.

Pushtimi, Diplomacia e mekur dhe reagimi mediatik

Durrësi me luftën e bijëve të Shqipërisë hyri në analet e historisë si vendi i parë në Evropë, i cili luftoi dhemb për dhemb me pushtuesit fashiste dhe që i dha edhe Evropës dëshmorët e parë të kësaj lufte. Urdhëri i pushtimit të Shqipërisë ishte lëshuar që më 31.3.1939 për trupekspeditën fashiste të kryesuar nga Gjeneral Alfredo Guzzoni. Për fazën e parë të pushtimit, ai kishte një divizion këmbësorie, katër regjimente bersalierësh, tri batalione të mekanizuara, të mbështetura nga pesë batalione këmbësorie me artilerinë dhe repartet e shërbimit. Trupat mbështetëse ishin baraz me një divizion. Në mbështetje të sulmit qe skuadra ajrore A, e përbërë nga tre divizione ajrore të cilat i komandonte gjeneral Prikolo. Një division me 4 regjimente aero transportuese, një division me tre regjimente aeroplanësh bombardues, një regjiment bombarduesish tokësorë dhe një regjiment gjuajtësish të shoqëruar nga hidrovolantë e aeroplanë të tjerë plotësues. Diplomatikisht fqinjët ishin dakort me pushtimin. Edhe të mëdhenjtë e planetit ishin të përgjumur. Ambasadori gjerman në Romë, Makenzen, i ka lënë të kuptojë Musolinit se “Gjermania ështe e gatshme të njohë çdo veprim ushtarak të Italisë ndaj Shqipërisë”, bisedë kjo e zhvilluar më 17.3.1939. Nismës diplomatike të fashistëve italianë për pushtimin e Shqipërisë u është përgjigjur pozitivisht edhe diplomacia e mbretërisë së Beogradit. Ambasadori italian në Beograd më 5 prill kishte zhvilluar një bisedë me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave, ku “Jugosllavia mbështeste interesat italiane në Shqipëri dhe se italianët do të dërgonin kontigjente të mëdha trupash në afërsi të kufirit shqiptaro-jugosllav. Fuqitë e tjera të botës ishin një zë i shuar në errësirën e luftës që po afronte. Sipas Bernd Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklaruar: “Sikur shqiptarët të kishin pasur një brigadë të armatosur mirë, do të na kishin hedhur në Adriatik”. Nga ana tjetër 1939-a ishte vit i zhvillmeve politike e diplomatike të vrullshme ballkanike dhe europiane. Në planin diplomatik Britania e Madhe si fuqi botërore dhe diplomatike, ka udhëhequr sipas parimit të shumëcituar nga Çërçilli: “Nuk ekzistojnë miqë tanë të përhershëm, as armiqë tanë përhershëm; ekzistojnë vetëm ineresa tona të përhershme”. Dhe Shqipëria ishte periferike për nga interesat. Nëse analizojmë detajet e pragpushtimit dhe pushtimit të Shqipërisë, plani ishte miratuar më 8.1.1939 nga kryetari i Qeverisë fashiste, Benito Musolini. Ndërkohë që Adolf Hitleri e kishte miratuar pushtimin nga ana e Musolinit, që ta hidhte një këmbë në Ballkan. Plani ishte përgatitur nën drejtimin e Çianos për pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Ahmet Zogu mori disa masa kundër planeve italiane. Ambasadori italian në Tiranë protestoi për këto masa, ndërkohë, në Italinë e Jugut u përqendruan forcat ushtarke që do të realizonin pushtimin. Më 25 mars 1939 Ahmet Zogut iu paraqit një projekt traktat nga qeveria italiane që synonte nënshtrimin e Shqipërisë, por mbreti i kohës e la në heshtje, por plani u përsërit më 2 prill, si ultimatum deri më orën 12, të datës 6 prill. Më 5 prill 1939 Qeveria Shqiptare i paraqiti ministrit italian në Tiranë opsionet kundër pushtimit, ku u kërkua që të përfundohej një konventë ushtarake përfshi edhe rastet dhe rrethanat se kur ushtria italiane mund të vendosej në tokën Shqiptare. Një ditë më pas më 6 prill mbasdite, parlamenti shqiptar e hodhi poshtë ultimatumin e Musolinit, dhe populli shpërtheu në demonstrata dhe i kërkoi qeverisë të organizonte qëndresën, shkuan përpara pallatit mbretëror në Tiranë për të kërkuar armë. Data 6 Prill 1939 ishte e “kopsitur” sipas italianëve, sepse Musolini i dërgon një mesazh personal Mbretit Zog ku i bente të ditur se ultimatumi skadonte në mesditën e po asaj date. Nga ana tjetër të gatshëm ishin edhe kosovarët për t’ju përbashkuar mbrojtjes së Shqipërisë, por qeveria jugosllave iu kundërvu me mbylljen e kufijve të mbretërisë së saj. Mbreti shqiptar kishte bërë të ditur se, “do të vishte opingat për të luftuar në mal”, por në fakt mbathi opingat e modës italiane dhe së bashku me familjen e qeverinë e tij e la atdheun në mëshirë të fatit, që të bëhej vendi i parë që pushtohej në Europë. Ditën e pushtimit të vendit më 7 prill 1939 mbreti i shqiptarëve ndoqi planin e Pandeli Evangjelit, për të organizuar një qëndresë jashtë Shqipërisë, edhe pse të gjithë intelektualët dhe shtresat e shoqërisë shqiptare nuk ishin të një mendje. Ka ngelur proverbial, fjalimi i Mehdi Frashërit në radio “Tirana” në disa gjuhë të botës, fjalim që denoncoi propagandën fashiste që synonte ta pasqyronte pushtimin si “një dëshirë e vet shqiptarëve”!. Interesat strategjike të italianëve ishin të njohura: shfrytëzimi i pasurive natyrore të lakmueshme dhe pozita strategjike, kyçe mes lindjes dhe perëndimit, prandaj edhe pushtimi i Shqipërisë ishte një ndër aktet e para agresive fashiste në gjithë botën. Asambleja e 12 Prillit 1939 dhe çdo masë tjetër ishte një format i përligjies së pushtimit 4 vjeçar e 5 muaj (7.4.1939 deri më 8.9.1943). Në këto situata rreth 1000 atdhetarë shqiptarë e “kishin vendin”në burgjet dhe në ishujt e Italisë. Kishte filluar konfigurimi i hartës gjeopolitike që fuqitë e boshtit dëshironin t‘i jepnin botës, prandaj edhe pushtimi i vendit tonë nuk solli kundërshtime të ashpra diplomatike. Kryeministri anglez, Charmberlen (Çembërleni), u shpreh në Dhomën e Komunave se “Anglia nuk kishte interesa në Shqipëri” dhe shkoi ta kalonte fundjavën në Skoci. Fuqitë e tjera të mëdha e njohën pushtimin fashist, me përjashtim të SHBA, Turqisë dhe Egjiptit, shtete që vazhduan të mbajnë hapur ambasadat e vjetra të shtetit shqiptar dhe nuk e njohën shtetin e ri kuisling shqiptar, të përfaqësuar nga mëkëmbësi i mbretit të Italisë, Jakomoni, dhe kryeministri shqiptar. Në këto situata shtypi i huaj për qëndresën shqiptare dhe rezistencën antifashiste ishte vetëm disa zëra në të shuar si gazeta franceze “La Croix”, që shkroi: “Stërnipërit e Skënderbeut zmbrapsin trimërisht pushtuesin dhe deri tani kanë ndaluar çdo zbarkim…, shqiptarët i treguan gjithë botës se si e mbrojnë lirinë e tyre”. Gazeta “Pravda” e Moskës dënonte sulmin prej banditi të Italisë fashiste kundër Shqipërisë, si prologu i “zgjerimit të agresionit fashist në Ballkan”. Ngjarjet patën jehonë edhe Algjeri, Siri, Liban, Francë, ku qarqe përparimtare e krahasonin pushtimin e Musolinit në Shqipëri me pushtimet e Adolf Hitlerit. Vatikani përkrahu sulmin dhe kur ushtria italiane shkeli tokën shqiptare, Papa Piu XII, i “bekoi” për misionin e tyre “çlirimtar”. Papa drejtoi lutje “për paqen”, “për mbrojtjen e katoliçizmit”, lutje që ja drejtonte zotit, por pa dënuar agresorët. Fuqitë e mëdha e sakrifikuan Shqipërinë në prag të LIIB, mbyllën sytë përpara bishës fashiste shtypjes së demokracisë së qytetërimit europian, që ishte një njollë e zezë dhe një turp për “europianët e civilizuar”. Gazeta angleze “The Daily Telegraph”: “Shqipëria foli me një gjuhë të cilën Evropa e kishte humbur zakonin ta dëgjonte. Shqiptarët refuzojnë të nënshtrohen dhe vazhdojnë luftën…”. Francezi Hubert Bouchet: “E pashë të vdesë Shqipërinë”, por gjaku i dëshmorëve dhe lufta e madhe antifashiste në fakt nuk e la vendit të vdiste në rrobëri por triumfoi në liri. Edhe pse pushtimi “u pranua”, gjaku u derdh nga atdhetarët dhe idealistët që Shqipërinë e donin me zemër. Hamit Selman Veshko, 22 vjeçar nga Gumenica e Vlorës, do lëshonte kushtrimin: “Kush e do Atdheun, të vijë në Vlorë, se po del Italia !”, për të mbetur lapidar nderi i përjetshëm; ndërsa Mitro Dhimërtika 24 vjeçar nga Nivica që ra në Sarandë, me amanetin për brezat: “Mua mos më qani; unë bëra detyrën si atdhetar!” Kështu ranë edhe shumë shqiptarë të tjerë në gjithë brigjet e Shqipërisë dhe në thellësi të tokës mëmë sikurse ishte Izet Hysen Shahu, që shpalosi vrullshëm temperamentin e shqiptarit në ato ditë prilli të 1939, që me gjakun e tij, palosi katër armiq dhe mbeti dëshmor i besës dhe qëndresës shqiptare në Ersekën e lavdisë dhe mençurisë shqiptare. Edhe “pensioni patriotik” i qeverisë shqiptare nën pushtimin gjerman ishte tymnajë “përkujdesjeje”, për të justifikuar “atdhedashurinë” e qeveritarëve shqiptarë nën pushtim, por që u nxorri mjaft probleme familjeve të dëshmorëve të 7 prillit, menjëherë pas çlirimit, për “shpërblimin e pensionit patriotik” të marrë prej kusilingëve dhe gjermanëve. Në vijim po ndalemi në biografitë e dy prej dëshmorëve të parë të ditës së parë të pushtimit dhe të luftës antifashiste:

Nënoficeri nga Ulqini që shkroi epope trimërie e qëndrese!

Mujo Ulqinaku ishte njëri ndër luftëtarët e parë më të shquar, i cili më 7 prill 1939 organizoi qëndresë të armatosur kundër pushtimit fashist italian. Kush ishte Mujo Ulqinaku? Ai ishte lindur më 1896 në Ulqin në familjen e një detari të varfër, por me tradita atdhetare. Që në moshë të vogël hyri ishte ndihmës detar he më vonë punoi si detar në Shkodër e në Durrës. Me gradën e nënoficerit në  një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut, më 7 prill 1939 duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie. Në mëngjesin e 7 prillit, ushtria fashiste italiane, me rreth pesëdhjetëmijë ushtarë sulmoi vendin tonë, duke zbarkuar në Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë. Në Durrës, ushtria e vogël shqiptare e drejtuar kapteri i marinës Mujo Ulqinaku i bëri qëndresë pushtuesit. Ushtarët italianë zbarkuan në bregun e Durrësit, por u detyruan të zmbrapseshin në det mbasi në breg i priti mitrolozi i Mujo Ulqinakut që mbronte trojet e veta. Ushtarët italianë zbarkuan disa herë në breg dhe po aq herë edhe u zmbrapsën. Por ushtria italiane ishte e shumtë në numër dhe Mujua nuk mund t’i bënte ballë për shumë kohë veçse sa qe gjallë, ata nuk kaluan dot. Në këtë mbrojtje të truallit të vet Mujo Ulqinaku ra heroikisht dhe u bë kështu dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Burimet e kohës bëjnë të ditur se qytetarët e Durrësit thonin se italianët kishin lënë disa dhjetara vetë edhe pse në dekada flitej se pati një numër të konsiderueshëm me të vrarë. Italianët deklarojnë se kishin vetëm dymbëdhjetë të vrarë (nuk ishte hera e parë e lojës me shifrat që bëjnë ushtritë ndërluftuese). Sikurse numri i shqiptarëve të vrarë ka qënë mbase më i madh. Në portin e Vlorës nuk pati ndonjë qëndresë të madhe, por trupat motoçikliste italiane ranë në pritë në rrugën jashtë qytetit, ku pësuan humbje në njerëz. Zbarkimi në Shëngjin u kundërshtua nga një grup jo më shumë se dyzetë vetësh, gjatë luftimeve dhe pati disa të vrarë. Rruga për në kryeqytetin e Shqipërisë ishte e lirë në gjithë drejtimet. Rezistenca popullore antifashiste, e 7 prillit, e braktisur nga mbreti, ngeli spontane dhe në ditën e parë të luftës dhanë jetën duke luftuar në atë ditë historike për kombin, Mujo Ulqinaku dhe shtatë dëshmorë të tjerë. Akti heroik i tij është tashmë i dokumentuar dhe memorizuar në kujtesën e kombit shqiptar. Fjalët e tij janë burim atdhedashurie: “Tradhtia e ka mbuluar vendin tonë! Ne na takon të luftojmë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë…. të betohemi vëllezër, se s’do të kursejmë as gjakun, as jetën tonë për mbrojtjen, e Atdheut!”. Mbrojtjen e truallit arbëror në portën e parë të Adriatikut e skuqën me gjakun e dëshmorëve që shkruan “liri” në flamurin e kombit. Në kuadrin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut, më 1969, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH me dekret nr.4600 datë 22.11.1969, i dha Mujo Ulqinakut titullin e lartë “Hero i Popullit”. Me vendim nr. 1749, datë 9.9.1946, të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Durrës, Mujo Ulqinaku është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me motivacionin: “Duke luftuar me armë në dorë deri sa dha jetën për mbrojtjen e truallit shqiptar kundër pushtimit fashist Italian, më datën 7 prill 1939”. Me vendim nr. 15, datë 31.10.2003 Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, i ka njohur Mujo Ulqinakut statusin “Dëshmor i Atdheut”. Në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut Presidenti i Republikës me dekretin nr. 8826, datë 28 nëntor 2014 i ka akorduar “Medalja e Artë e Shqiponjës”; ndërsa me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut Presidenti i Republikës me dekretin nr. 11366, datë 24.11.2019 ka dekoruar Mujo Ulqinakun me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar“, me motivacionin “Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të sovranitetit territorial të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, si shembull monumental i patriotizmit dhe atdhedashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, si model i ushtarakut që i qëndron deri në fund betimit para Flamurit Kombëtar”. Aktit heroik të Mujo Ulqinakut (emri “Mujo” rrjedh nga emri qëndror i Eposit Shqiptar të Kreshnikëve) i kushtohet busti i vendosur pranë kullës së kalasë së Durrësit, emrin e tij e mbajnë rrugë, anije, shkolla etj. Emrin e tij e mbajnë një shkollë në Durrës, një rrugë në Tiranë, një në Fier; që prej vitit 2005 me vendimin e Kuvendit Komunal një rrugë në Ulqin mbart emrin e tij dhe një rrugë në Prishtinë. Në vitin 1979 Kinostudjua “Shqipëria e Re” i kushtoi një dokumentar “Lufton Mujo Ulqinaku”, që i kushtohet mbrojtjes së Durrësit.

Dëshmori gramshiot Hamit Dollani në barikadën e parë të luftës antifashiste

Djemtë e Gramshit kanë qenë prezent në të gjitha ngjarjet madhore të kombit, në të gjitha luftrat për mbrojtjen e truallit, lirisë dhe pavarësisë. Një ndër djemtë që ka hyrë në histori si pjesë e dëshmorëve të ditës së parë të pushtimit është edhe Hamit Liko Dollani, që në fakt është ndër të parët dëshmor të Luftës së Dytë Botërore në Europë. Ai ka rënë para 82 vjetësh dhe është dëshmor i qëndresës së madhe antifashiste të 7 prillit 1939. Ai ishte lindur më 1903 në fshatin Jançë, në Sulovë të Gramshit. Fëmijërinë e kaloi në varfëri të madhe, por në një familje patriotike. Kur ishte 9 vjeç, në vitin e pavarësisë më 1912-ën, nëna e tij ndërroi jetë, ndërsa kur u bë 14 vjeç, bashkë me babain Likon, endej si argat nëpër dyert e familjeve të pasura për të siguruar bukën për familjen e tij. Kur mbushi 17 vjeç kërkoi të gjente punë krahu si punëtor. Me anë të një miku të familjes punësohet në furrat e gëlqeres afër qytetit të Korçës. Pas 3 vitesh aty u bë njeriu më i dashur për shokët dhe me ato pak të holla që siguronte mbante të atin dhe vëllezërit e tij më të vegjël. Kjo i shtoi respektin tek fisi e bashkëfshatarët. Në 1923 do të gjendej ushtar. Tashmë 20 vjeçar ishte rritur, forcuar dhe burrëruar më shumë. Në 1924 me garnizonin e Shkodrës dhe shokët e tij marrshojnë drejt Tiranës për mbrojtjen e Revolucionit Demokratik të Qershorit në përkrahje të Fan Nolit. Pas kthimit nga ushtria do ta gjejmë përsëri në Korçë në shoqëri të ndryshme punëtore. Në 1928 e marrin përsëri në ushtri si rezervist në një kurs në qytetin e Vlorës ku njihet e bëhet shok me Mujo Ulqinakun. Pas kësaj më 1931 e pranojnë si xhandar në armën e xhandarmërisë. Më vonë Hamiti do të njihej me patriotë, nacionalistë e demokratë të shquar, si Riza Cerova etj. dhe shpesh do të gjenden dhe do të ecin në një rrugë të përbashkët. Në Tiranë do ta gjejmë në një nga grupet antizogiste të Lëvizjes së Fierit 1935 që vepronte aty për hapjen e burgjeve, por me gjithë dyshimet kjo nuk u vërtetua. Më vonë transferohet në një postë të xhandarmërisë në Bërzhitë të Tiranës ku dhe këtu nuk i ndërpreu lidhjet me shokët, veçanërisht me Mujo Ulqinakun. Në fillim të 1939, Hamiti do të sjellë nëntë armë në familje në fshatin e vet, për armatosjen e një skuadre. Ai e ndjente rrezikun e pushtimit fashist dhe përgatitej për rezistencën. Veprimet atdhetare të Hamitit dhe të patriotëve të tjerë gramshiotë bënë që populli i këtij rrethi në ditët e para të prillit të grumbullohej në fshatra e komuna pranë postave të xhandarmërisë dhe në qendër të nënprefekturës për të protestuar fuqishëm ndaj asaj që po përgatitej klika zogiste me fashistët italianë. Nga Bërzhita ku shërbente u nis me një mitraloz në krahë dhe municionet e nevojshme për të zënë pozicionin e tij në Durrës atë prill 1939, ku Hamiti aty do të takonte përsëri shokun e tij Mujo Ulqinakun. Kur heshti mitralozi i Hamit Dollanit, Mujo e kuptoi rënien e shokut, por pas pak heshtën dhe armët e tij. Krahas Hamitit në Durrës atë ditë të pushtimit luftuan dhe djem të tjerë gramshiotë, si Hysen Bengasi nga Prrenjasi dhe Selman Dyli nga Lubinja. Hamiti tashmë është pjesë e nëntë dëshmorëve të ditës së parë të luftës në Europë në Luftën e Dytë Botërore. Bashkia e Durrësit dhe e Gramshit e kanë shpallur “Qytetar Nderi” dhe mban titullin me motivacionin “Për patriotizmin dhe sakrificën sublime në qëndresën antifashiste të 7 prilli 1939”, mban dhe titullin “Mirënjohja e qytetit” nga Bashkia dhe Shoqata “Durrësi”, por dhe unaza e qytetit të Gramshit ka emrin “Hamit Dollani” dhe sigurisht që meriton edhe një bust. Dhe Komuna Tunjë e ka shpallur “Nderi i Komunës”, në fshatin Katërlis është vendosur pllaka përkujtimore në nderim të tij si dhe është dekoruar me medaljen e Trimërisë. Në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të Atdheut është nderuar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” një figurë emblematike dhe të shquar të rezistencës Antifashiste shqiptare, që jeton në memorien tonë kolektive si histori e sakrificave sublime të dëshmorëve tanë. Motivacioni për “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, është sinjifikativ: “Për veprimtarinë e tij patriotike dhe trimërinë e treguar gjatë luftës kundër pushtuesve fashistë, si luftëtar i orëve të para, duke sakrifikuar edhe jetën për lirinë e vendit”. Hamit Dollani është pjesë e ndërgjegjes së kombit, sepse ra ndër të parët në llogoren e parë të luftës, prandaj edhe populli e përjetësoi në këngë: “Re deshmor i orës së parë/ O Hamit, o legjendar! /Të nderon Sulova trime,/ Që të rriti me thërrime”. Hamit Dollani është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 36 datë 9.5.1974. Shqiptarët dhe mbarë shqiptaria nderojë dëshmorët e të gjitha kohërave, që meritojnë përkujtim e nderim pa dallim kohe, besimi, krahine, ideje, sikurse janë ata që derdhën gjakun të parët për mbrojtjen e truallit shqiptar, që në ditën e parë të luftës. Djemtë që ranë në Durrës nuk ishin viktima të pushtuesit, por vetë ndërgjegjia e kombit shqiptar ashtu sikurse ishte Lufta Nacionalçlirimtare një legjendë e gjallë në çdo fshat, lagje, rrugë, qytet, ku ka lënë fuqishëm gjurmat e saj të gjakut dhe të trimërisë. Ishin luftëtarët e saj e në radhë të parë ata që e pritën me pushkë armikun që në breg të detit, që e bënë luftën të shenjtë dhe heroike të popullit tone, që e bënë luftën të përjetëshme në memorie të kombit me gjakun e derdhur. Është detyrë dhe detyrim i çdo shqiptari që në çdo vënd që të kalojë, të thotë: “Këtu është luftuar fuqishëm për truallin shqiptar nga antifashistët shqiptarë! Këtu është derdhur gjak për lirinë e Shqipërisë!”. Sakrificat e mëdha të shqiptarëve për të fituar lirinë mbeten një ideal i pavdekshëm dhe i trashëgueshëm sepse kështu mbrohet gjakun i dëshmorëve të shtatë prillit dhe qindra të tjerëve që jetën e falën për Atdheun, për Shqipërinë.

*

Please follow and like us: