Behar Metohu: JETA KRIJUESE E REGJISORIT TË PARË TË RADIOS DHE TELEVIZIONIT QË FOLËN SHQIP
(Me rastin e 90 vjetorit të lindjes)
KADRI METOHU, KRIJUESI I EMISIONEVE TË PARA ARTISTIKE NË RADION DHE TELEVIZIONIN SHQIPTAR
LUMI I KRIPUR
(Dedikuar humbjes së babait tim Kadri Metohu)
Shpirti im po lundron mbi lum,
Një lum i pazakontë i kripur.
Shpirti përplaset nga furia e lumit,
Tkurret, lëndohet, vritet papritur.
Rrjedhës së rrembyer ia njoh burimin
E di prurja e kristalt
Buron nga mali i madh i dhimbjes.
Prej mali të lartë
Një trung peme u shkëput.
Mbi lumin e kripur do të lundroj butë,
Do të zbres drejt detit që e deshte aq shumë,
Tashmë, shtrati gjigand i burrit të urtë.
22 dhjetor 2020, Migena Gjoka Metohu.
————————————–
I. ËNDRRAT NË MJEGULLNAJËN E KOHËS
Shqipëria e viteve para dhe pas Luftës së Dytë Botërore e kishte tepër të vështirë zhvillimin e artit dhe medias elektronike. Madje do të konsiderohej si një Sfinks që lufton me retë e nuk din çfarë bën dhe kërkon në mjegullnajat e krijuara nga luftrat.Në atë kohë ky popull ënderronte, projektonte, shfrynte gëzimin e lirisë, hapte krahët e fantazisë dhe përpiqej të ecte përpara duke dhënë nga vetja më të mirën që trashëgonte në kulturë, art, ekonomi. Ishte koha e ndarjeve të mëdha të rrugëve për të realizuar lirinë e vërtetë të ëndërruar gjatë shkreptimave të armëve partizane. Në këtë atmosferë të përgjithshme Tirana kryeqyteti i shqiptarëve të asaj Shqipërie të mbetur, pas çlirimit iu fut me vrull një jete të re. Krahas domosdoshmërisë së zhvillimit ekonomik, i cili kërkonte përpjekje të mëdha, edhe në sferën arsimore e kulturore paraqiteshin sfida të mëdha duke filluar nga çështjet e zhdukjes së analfabetizmit e deri tek ngritja e institucioneve arsimore e kulturore, të cilat zhurmonin në mendjet dhe fantazitë e intelektualëve të kohës. Brenda kësaj atmosfere edhe brezi, në të cilin u rrit, regjisori i viteve 50-80 Kadri METOHU dha kontributin e tij të çmuar. Lindur në 31 janar 1931 dhe rritur në Tiranën e pas luftës adoleshenca përkoi me këtë atmosferë ndezëse vrullesh. Duke ju referuar kujtimeve të tij, Kadri Metohu, vinte në dukje se hapat e para të profesionit të tij, i nisi që kur ishte nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja” me Radio Tiranën.
RADIO TIRANA
Ishte vendi ku zbuloi aftësitë dhe ndërtoi projektin e ëndrrës profesionale. Ishin emisionet muziko-letrare kushtuar kompozitorëve Xhuzepe Verdi, Puçini, Maskanji etj, si dhe emisionet letrare për shkrimtarët e njohur botërorë si Hygo, Shiler, Shekspiri, Dante Aligeri etj, të cilët i realizoi me pasionin e vrullin e një djaloshari që premtonte ndjeshëm. Emrat e njohura në historinë e Radio Tiranës Zonja Plasari, Viktori Xhaçka dhe më e shquara për kohën Vera Zhejin apo folësit Haki Bejleri dhe Kiço Fotiadhi, të cilët bashkëpunuan me të në vitet 50-60 nxiti përkushtimin dhe ambicjen për rritjen profesionale. Radio Tirana hidhte hapat e saj drejt rritjes dhe përmirësimit, por bashkë me të edhe vetë punonjësit , bashkëpunëtorët bënin progresin duke u kthyer në zërin e vetëm me shtrirje gradualisht në të gjithë vendin. Ata së bashku rriteshin dhe përsoseshin në vemendjen e popullit. “JU FLET TIRANA”,- pas këtij anonçimi, që në ato vite ishte kthyer në një refren i dashur dhe i gëzueshëm për të gjithë popullin ndjehej etja e madhe për kulturë dhe argëtim. Radio u kthye në një nga instrumentat më të përdorshëm dhe të vetmin në aspektin elektronik, për të përcjellë në kohë dhe hapësirë më shpejtë dhe mjaft ndikues nëpërmjet rubrikave dhe emisioneve të para që dëgjoheshin jo vetëm individualisht nëpër shtëpia, por edhe në mjedise të hapura publike.
Pas kryerjes së studimeve në Liceun Artistik një mundësi e madhe ju hap përpara të riut të talentuar Kadri Metohut për të ndjekur studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Pragës, në degën e regjizurës. Ishin vitet e formimit profesional aq të nevojshëm duke fituar një eksperience të madhe bashkëkohore, të cilën do ta shpaloste në atdheun e tij në vitet e mëtejshme duke dhënë kontributin e tij të vyer në fushën e regjisë televizive, radiofonike dhe skenike.
REGJISORI I PARË
Sipas spikerit të njohur të radios dikur, por edhe i mediave të sotme elektronike, zotit Xhelil Aliu, në Radio Tiranën e viteve 50, ardhja e regjisorit të parë në stafin e punonjësve do të sillte krijimin e emisioneve të para radiofonike. Vështirësite për krijimin e tyre ishin si nga ana konceptuale ashtu edhe teknike. Koncepti se për emisionet nuk duhet një regjisor, por një gazetar, u përmbys shpejt pasi u pa ndryshimi dhe roli i regjisorit në ndërtimin dhe realizimin e tyre. Kadri Metohu filloi punën si regjisor në kushtet e një realiteti të trishtë me një teknikë tepër të vjetruar, pa studio të standtartit profesional. Ai do të kujtonte: “ Kur filluam të bënin regjistrimet e para me manjetofon, mikrofonë mjaft të vjetër shpesh herë ishim të detyruar të ndërprisnim punën derisa ta kalonte ndonjë karroce apo makine sepse sillnin zhurmë në mjediset e ndërtesës së “Rrugës së Kavajës”. Por dëshirat dhe synimet për një radio të kohës, që të përmbushte kërkësat gjithnjë në rritje të publikut, nuk do të stepnin e të ndalonin idetë dhe realizimin e mjaft emsioneve të reja edukuese dhe argëtuese. Aktorët e Teatrit Popullor e bën shtëpi të tyre Radio Tiranën.
Në intervistën e zhvilluar nga Xhelil Aliu, Kadri Metohu do të nënvizonte:”Dialogu në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ka filluar me emisionin “Ora gazmore”, ku u aktivizuan aktorë të Teatrit Popullor si Besim Levonja, Mihal Popi, Behije Çela, Prokop Mima, Zan Zyberi e shumë të tjerë. Ata interpretonin direkt në mikrofon dhe shpesh herë edhe improvizonin. Me kalimin e kohës mua më lindi një farë ideje për këto emisionet letrare të natyrës së poezive, të recitimeve. Aty thirreshin aktorët dhe interpretonin vargje të ndryshme që ishin botuar nga letërsia jonë ose letërsia botërore. Ato ishin më tepër programe të karakterit muziko-letrar. Përshembull, recitonte Naim Frashëri një poezi dhe ilustrohej me muzikë. Pas poezisë mund të jepej edhe një fragment sinfonik dhe pastaj fillonte poezia tjetër. Pra një gërshetim poezi-muzikë.
Në atë kohë nuk kishte televizion dhe Teatri në mikrofon ishte emisioni më i preferuar për dëgjuesit e radios. Kishte edhe kërkesa për të. Çdo të mërkurë njerëzit mbylleshin nëpër shtëpia dhe dëgjonin “Teatri në mikrofon”.
EMRIN ATA E BËNIN NËPËRMJET RADIOS
Aktorët dhe regjisorët e skenës, me pasionin për të zhvilluar artin e tyre, do të gjenin te Radio Tirana dhe programet e reja, kohë pas kohe të iniciura nga regjisori Kadri Metohu alternativën e duhur. Emisionet e para, “ORA GAZMORE”, “TEATRI NE MIKROFON” do të pasoheshin me shumë emsione të tjera brenda javës sidomos kur Radio Tirana kaloi në mjediset e reja, ku është edhe sot. Studiot e reja, standartet teknike me të avancuara me ardhjen e aparatuarave të reja, nxitën për ide dhe realizime më të pasura në radio. Kadri Metohu kujton: “Botohej një novelë, një roman dhe spikeri lexonte fragmente prej tyre. Mirëpo aty janë edhe dialogët, replikat midis personazheve, të cilat filluam që t’i bëjmë me aktorë. Kushtëzova ligjet e radiodramës dhe fillova, jo me krijimtarinë time, por me tregime. Pastaj kaluam në novela, në romane, nga autorët tanë dhe ata botërorë. Kjo është baza, zanafilla e radiodramës”.
Kështu emsionet e mbështetura në radiodramatizimin si një formë mjaft e këndëshme e të parit të letërsisë ndryshe, e cila pati edhe bumin e vet në ato vite, krijoi raporte të reja shkrimtar, skenarist, regjisor, aktor, me emisione të reja e mjaft të ndjekura si “HEROIZMI I POPULLIT TONË NË SHEKUJ”, “FAMILJA, SHKOLLA, SHOQËRIA”, “PËR NJË JETË TË KULTURUAR” … “… në përgjithësi këto emisione ishin të karakterit letrar, por që hynte edhe elementi artistik i dialogut. Domethënë, fragmente të shkurtra, me një tregimtar, me një spiker, që bënte kalimin e kohës, përshkrimin e vendit të ngjarjeve dhe pastaj zhvillohej dialogu. Atëhere unë bëja vetë, tekstet, regjinë e teatrit e të gjitha me radhë. Plus kësaj kisha edhe emisione të tjera, si Estrada në mikrofon, Fjala artistike në mikrofon etj. Pra ishte e vështirë. Kështu që fillova të kërkoj bashkëpuntorë. Mirëpo edhe me ata ishte e vështirë, sepse një dramaturg i njohur, bie fjala, si K. Jakova apo të tjerë nuk i njihnin kërkesat specifike të radios. Prandaj i thërrisja këtu dhe u bëja instruksionin e nevojshëm, që duhet kjo e kjo, pra një lloj kursi kualifikimi”.
Në kujtimet e tij Kadri Metohu do të vazhdonte: “…aktorët rrinin tre herë në javë që bënin prova me orë të tëra për një pjesë. Pastaj rrinin edhe katër-pesë orë të tjera për regjistrimin. Pra, ishte një punë e lodhëshme. Personazhi kryesor atëhere mund të paguhej 800-900 lekë për një dramë. Interesi ekonomik kishte rolin e vetë, por, tek aktorët ishte pasioni i punës. Ata ishin të interesuar të linin zërin, veprën e tyre në histori.” I gjithë ky grup artistësh emrin e tyre e bën nëpërmjet radios. Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe Televizioni Shqiptar dy qendra të mëdha artistike, ku artistët do të rriteshin nuk ishin krijuar akoma. Kadri Metohu gjithashtu do të nënvizonte në kujtimet e tij: “ …Unë kam punuar me Naim Frashërin, Loro Kovaçin, Marie Logorecin, Mihal Popin, Pjeter Gjokën, Prokop Mimën e shumë e shumë të tjerë, të cilët nuk jetojne sot. Ama, ky është një kapital i madh dhe më vjen mirë që ato janë ruajtur.”
II. THEMELIMI DHE NGRITJA E TELEVIZIONIT TË PARË SHQIPTAR
Situata ekonomike dhe kulturore ishte e veshtire, por dëshira e popullit për të patur televizionin e parë që fliste shqip ishte e madhe. Ndikimi i Televizionit Italian, Rait në këtë proces dhe prirja e pashprehur drejt frymës perëndimore ishin faktorë nxitës jo vetëm tek ata që menduan dhe u ra barra për të ngritur këtë institucion kaq të rëndësishëm, por edhe të intelektualëve në përgjithësi, që kryesisht ishin në Tiranën e viteve 60-70.
FRYMA E KOHËS… DHE PRIRJET DREJT KULTURËS QË LIDHEJ ME TË KALUARËN EVROPIANE
Era e një ndryshimi të nevojshëm apo të domosdoshëm, emancimpimi i mëtejshem u bë jo vetëm prirje dominuese, që flitej nën zë, por edhe një dukuri që tashmë shprehte atë frymë të përgjithshme brenda ekzistencializmit të shqiptarëve si një komb evropian, por që ishte futur në kthetrat e nje sistemi eksperimental ideologjik, që kishte zënë një pjesë të mirë të0 globit dhe që deri në vitet 90 mbijetoi në sakrificën e vet.
Intelektualët shqiptarë, por edhe të rinjtë donin një vizion të ri, një frymarrje të origjinës nga ata kishin prejardhjen ezistenciale. Shqiptarët nuk mund të përparonin me konceptet e vjetra dhe të prapambetura. Fryma e kohës ishte nje emancipim, që në fjalorin e qeverisë komuniste nënkuptonte zhvillimin. Por, Shqipëria dhe intelektualët e saj do të frymëzoheshin nga traditat më të përparuar evropiane, pasi ajo ishte pjesë jo vetëm gjeografike, por edhe një komunitet historik e kulturor me trashëgimi evropiane. Ku ne dhamë dhe morëm në shekuj bashkë. Kjo frymë u konvertua me shprehjen slogane komuniste “EMACIPIMI DHE REVOLUCIONARIZIMI I MËTEJSHËM I VENDIT”.
Por jashtë dhe larg sloganeve duhej përparimi i vendit. Ngritja e institucioneve të rëndësishme, si Akademia e Arteve, Akademia e Shkencave, një varg institutesh studimore në shume fusha dhe hapja e universiteteve do të shoqërohej me domosdoshmërinë e pasqyrimit të kësaj fryme edhe në gazetari e artin e medias vizive elektronike, që për kohën paraqisnin sfida të mëdha. Ngritja e Kinostudios dhe Televizionit Shqiptar ishin kërkesa imediate.
NGA SINJALI I PARË TELEVIZIV QË KUMTONTE FJALËN SHQIPE… NË QENDRËN MEDIATIKE MË TË MADHE DHE TË DASHUR PËR TË GJITHË SHQIPTARËT
“…..Transmetimet e para të një sinjali televiziv që kumtonte fjalën shqipe ishte prilli i vitit 1960, dhe që mbulonte vetëm ¼ e territorit të Tiranës së asaj kohe. Teknika ishte e vjeter dhe stafi i vogël, një operator dhe një kamera pothuajse ishte jashte perdorimit, të cilin e përdorte Beqir Derhemi. Transmetimi i programeve bëhej direkt nën kujdesin e redaktores Stoli Beli e cila ishte njëkohësisht redaktore e emisionit të femijeve në redaksinë e radios…”- kujton Kadri Metohu.
Caktimi i Kadri Metohut në grupin e specialistëve që do të merrnin pjesë në kualifikimin 6 mujor në RAI të Italisë në vitin 1971, përbënte një moment kthese dhe një shpresë që më në fund edhe shqiptarët të kishin Televizionin e tyre, që të shikohej në gjithë territorin Shqiptar, por edhe jashtë tij. Idetë dhe organizimi i punës, programimi dhe sidomos teknika e përparuar, në mjedise të mëdha, ku skenat televizive kishin hapësirat e nevojshme, për të realizuar emisone të bukura në gjuhën shqipe, përbënte tashmë jo vetëm një ëndërr, të cilën do të mundeshin ta vinin në jetë, por edhe një detyrim mbarë kombëtar dhe përgjegjësi profesionale, pasi ishin besuar të parët dhe të vetmit në ato vite të vështira për të ngritur pothuajse nga hiçi një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, nga ku do të ravijëzohej fytyra e Shqipërisë. Ishte koha e ëndrrave vërtetë të mëdha, e vizioneve tej imagjinatës, e projekteve ambicioze dhe mundësive që do të garantonin të ardhmen e një prespektive, që do ta kthente RTSH një nga vlerat më të mëdha e të dashura të kohës. Aty do të shpalosej gjithë shqiptaria, do të ndjehej frymëmarrja dhe vështrimi i një kombi të tërë që synonte zhvillimin.
Ngritja e atij që sot quhet GJIGANDI I TELEVIZIONIT SHQIPTAR, nga ku fillimisht ishin 112 punonjësit e parë teknikë, operatorë kameramanë, ndriçues dhe operatorë zëri, montazhierë e gazetarë, regjisorë e udhëheqës artistik dhe drejtues kaluan në një rrugë të gjatë përpjekjesh për të qenë bashkëkohorë dhe sa më tërheqës e edukativ. Përveç rubrikës së lajmeve që tashmë kishte marrë fizionominë e vet, lindte nevoja për sa më shumë emisione të reja. Ato duhe të pasqyronin zhvillimet politike, ekonomike kulturore dhe sportive. Të konceptuara fillimisht si organizime strukturore, në televizion ato krijuan përvojat e para me stafe që do të kualifikoheshin rregullisht. Ndikimi i përvojës së televizionit Italian RAI ishte një ndihmesë e madhe për të gjithë këta të rinj të apasionuar.
Kadri Metohu, i cili hodhi idetë e para të këtij strukturimi, e kujton si një sfidë të madhe ngritjen e kësaj strukture, madje edhe gati-gati të parealizueshme, pasi përvoja jonë në vitet 60 ishte pothuaj zero. Pra, ngritja nga hiçi në një strukturë efektive dhe mjaft të organizuar do të kërkonte jo vetëm qartësinë dhe guximin për të ndërmarë zbatime konkrete, por edhe kohën e vet duke përfshirë të gjithë stafin për të dhënë më të mirën e mundshme të krijuar dhe fantazinë e tyre për fushën që do të mbulonin. Ngritja e emisioneve kulturore – “ teatri në ekran”, “estrada në ekran” mbahen mend mjaft nga brezi , i cili u rrit me telvizionin e ri që kumtonte në shqip. Emisionet televizive si “KONCERTI I NATES SE VITIT TE RI” në vitet ’80, sollën risi dhe për mjaft vite kjo mbrëmje do të ishte një nga më magjiket pasi gërshetohej muzika dhe humori më i bukur shqiptar duke mbajtur njerëzit pranë ekranit të vetëm. Kadri Metohu ishte krijuesi dhe zbatuesi i këtyre emsioneve në rolin e regjisorit dhe udheheqësit artistik. Ai i kujtonte këto me nostalgji dhe kishte mbresat e vaçanta, që u sillet realizimi i tyre. Por, kohërat dhe do të lëviznin me shpejtësi dhe do të paraqiteshin krahas këtyre sukseseve edhe ngjarje të çuditëshme, duke të shkaktuar një buzëqeshje jo fortë të këndshme madje mund të thuhej e të hidhura.
PARADOKSET E KOHËS
Në vitet 70-80 kur hovi, por edhe roli i Klasës Punëtore do të shafqej në horizontin social-komunist shqiptar si “Prometeu” i shoqërisë shqiptare dhe do të prezumonte dukuri absurde, të cilat vetëm e penguan ecurinë e punës, në këtë institucion kaq të rendesishëm dhe delikat. Intelektualët me ndikim tashmë pothuaj perëndimorë, që ishin drejtuesit dhe realizuesit në këtë institucion, përdornin teknikën kineze dhe praktikat e menaxhimit të burimit njerzor (kuadri punonjës, siç thuhej në atë kohë) ishin lindore madje praktika regresi, mbytëse dhe absolutisht jo profesionale.
Mosnjohja e praktikës televizive dhe formimi, apo ndikimi i drejtëpërdrejte ideologjik i kontrollit të klasës punëtore do të sillte më tepër konfuzion dhe pengesa. Dhe kulmi do të arrihej me stuhinë ndaj Festivalit të 11-të të këngës në RTVSH. Në këtë dallgë egërsie e fryme absurdi, e cila do të vazhdonte për vite me radhë, do të fshiheshin nga drejtimi, kohë pas kohe, në këte institucion mjaft drejtues dhe punonjës të talentuar dhe me përvojë që kishin dhënë kontribute të shquara në ngritjen dhe ecurinë e këtij gjigandi mediatik për kohën – RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR.
Kështu do të ishte edhe rrjedhja e mëtejshme e jetës artistike e drejtuese e Kadri Metohut, regjisorit dhe njërit nga krijuesit e parë të këtij institucioni, i cili pas viteve 80 largohet nga Televizioni pa dëshirën e tij dhe punon si pedagog i mjeshtrisë së aktorit dhe regjisurës në Shkollën Mesme të Kulturës në Tiranë dhe më pas me detyrën e regjisorit në Pallatin e Madh të Kulturës deri sa doli në pension.
ËNDRRAT VAZHDOJNË…
Në fakt sot kur kujton këtë histori duket sikur ke të bësh me një kohë të largët si pa lidhje me ditët që kalojmë. Mediat elektronike megjithë problematikën sot nuk kanë të krahasuar me shtrirjen dhe llojshmërinë që ato performojnë. Shqiptarët vazhdojnë të ëndërrojnë dhe kërkojnë që televizionet shqiptare të jenë një burim sa më i saktë dhe i shpejtë informacioni, por edhe ishuj rezatues kulture që të ndriçojnë mendjen dhe të mbajnë lart shpresat për një jetë më të mire, të arsyeshme, për një shoqëri vërtetë të zhvilluar. Gjigandi mediatik RTVSH ka dialektikën e vetë të zhvillimit dhe gjithnjë e më shumë ndjek traditën kombëtare të besueshmërisë dhe vlerave më të mira që ka trashëguar që nga ditët e para kur çeli dyert për popullin e tij. Në gjirin e tij RTVSH mban themeluesit me respektin e merituar dhe rrugëtimi i së ardhmes projektohet me ëndrrat që vazhdojnë….
MIGENA GJOKA METOHU, e bija do të shprehet pas humbjes së babait nga COVID-19:
“E konsideroj veten me fat që jetova kaq gjatë pranë dashurisë dhe dhembshurisë së një babai të përkushtuar deri në detaje. Bisedat mes nesh në familje ishin pafund dhe zgjasnin me orë të tëra. Ai ishte për herë protagonist në biseda me mençurine e tij, me elegancën e mendimit dhe kulturën që të befasonte kohë pas kohe, me memorien e mbushur me kujtime, me histori personale dhe profesionale, me miqtë e shokët e ngushtë dhe njohjet shoqërore të pafund. Ai adhuronte natyrën, diellin,stinët me magjinë e tyre dhe në çdo moment gjente një pretekst për të dalë nga shtëpia.
Kishte muaj që nuk dilte nga shtëpia për shkak të pafuqisë së tij fizike. Më pyeti: – Si ështe koha? A bën ftohtë? Si për t ja shuar merakun e daljes nga shtëpia i them, – Është koha e keqe dhe do të bjerë shi. Ashtu plot humor dhe ironi më thotë,-Epo meqë do të bjerë shi s’po dal sot.
…
… Për gjyshërimin e tij të mrekullueshëm nuk kam fjalë. Fat për fëmijët e mij që u rritën pranë tij mbështjellë me dashuri unike që vetëm ai gjysh dinte ta jepte. Gjysh Kadriu rrezatonte mirësi, humor dhe shpirt aventure. I ndoqi ata në kopshte, nëpër shkolla, parqe e lodra. Supergjyshi i Eneas, Anës, Deas, Erik dhe Artit të vogël, që e njohu pak por që i shkelqenin sytë kur e shihte.
E paimagjinueshme dhe shumë e trishtë. Ai priste djalin me familjen e tij nga Italia për festat e fundvitit, por për fat të keq kjo nuk ndodhi. Ikja e tij ishte shumë e shpejt, pothuajse e befasishme dhe e rrufeshme. Vetëm një javë luftë midis jetës dhe vdekjes. Në këtë kaos ndjesish të tmerrshme, interferonin edhe detaje të rutinës së jetës së përditeshme, ku më duhej të gënjeja veten dhe atë me “lojën” e iluzioneve të vazhdimësisë.
Po rrëfej një detaj. Ndërsa prisja teknikun e lavatriçes me mirësjellje, mbrapa krahëve të tij sytë me mbusheshin me lotë, duke thënë me vete. Ah,ku je futur?! A nuk e shikon vdekjen që po të shkatërron gjithçka?! Dhe si për ti hequr pak çaste mendjen babit nga ankthi i asfiksisë së mosoksigjenimit, i them si gjoja e lehtësuar se tekniku e rregulloi lavatriçen. Ah shumë mire- më thotë, gjoja dhe ai i lehtësuar, -thuaj të rregulloj dhe kapakun e sobës, kam ca vida aty mbase i hyjnë në punë.
Po patjetër i them dhe largohem menjëherë nga dhoma duke mbajtur frymën për të mos nxjerr asnjë zë që të prishte “lojën” e iluzonit, se gjithçka do të rregullohej dhe do të vazhdonte si më parë…
E ç’mund të bëja unë ndaj mbërthimit të tmerrshëm të gjarprit?! Ai ishte i padukshëm dhe me ftohtësinë e tij e kishte pushtuar të gjithin. Ikja e babait na tronditi thellësisht. Ajo ndodhi si një tornado që përfshiu gjithçka, sa dhe ai vete s’mundi ta besonte.
Ai iku në kohë të jashtëzakonshme, në formë shumë të pazakontë,me shpejtësi të rrufeshme ku minutat kapërcenin me vrap njëra-tjetrën dhe nuk linin vend për të kuptuar c’ishte kjo befasi… çfarë po ndodhte… sikur papritur gjendesh në një mjegull të dendur dhe ti nuk di se çfarë do të sjell frika e vorbullës që krijoi mjegulla.
Unë u ndava me të në këtë mjegull. Si artist, si regjisor, ai pranoi këtë fabul për t’u ndarë nga ne. Me mjegullën na hutoi ne edhe veten dhe si në një hipnozë iluzive, kapërceu përtej mjegullës, duke lën pas dhimbje dhe hone që nuk do të mbushen kurrë.
E di që shpirti yt është tashmë në parajsë dhe e ka gjetur lehtësimin e prehjes mes shumë të afërmve të tu të dashur, miqve e shokëve që i deshe dhe të deshën aq shumë.
Një shprehje e bukur që më pëlqen ta kujtoj në këto çaste thotë: “kur një njeri i dashur i zemrës largohet nga jeta nuk do ta gjesh më kurrë aty ku ishte por, do ta kesh pranë vetes kudo ku ti të shkosh”. Kështu dhe unë do ta shoh atë të buzeqesh sa herë të lind dielli…”.
Me kolegët e televizionit.