Arben Braçe: Vetëm një përmbysje e madhe demokratike, mund të kthejë jetën në normalitet
Prej disa kohësh, në qarqet politike qarkullon idea e rrotacionit politik, si një domosdoshmëri, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Padyshim, që rrotacioni do të ishte një ndryshim normal, reformues, në kushte të një demokracie të konsoliduar dhe që reagon me ndjeshmëri ndaj një politike, që nuk afron parametrat e kërkuar. Do të ishte një ndryshim normal, në kushtet kur një politikë e caktuar nuk përmbush pritshmëritë e elektoratit të të dy krahëve, të cilët me votën e tyre zgjedhin alternativën e përshtatshme dhe për pasojë zgjedhin ndryshimin, të cilin e bëjnë, nëpërmjet rrotacionit të atyre, që përfaqësojnë pushtetin e pamerituar plotësisht.
Ndërsa, në kushtet e politikës së sotme shqiptare, një ndryshim i tillë, nëpërmjet rrotacionit, do të ishte një ndryshim tërësisht formal, që nuk do të shkundte as pluhurin e thesit të madh të korrupsionit dhe të arrogancës së pushtetit, do të ishte një përligje e të gjithë akteve dhe ligjeve antidemokratike, antihumane dhe korruptive të qeverisë “Rilindase” që po ç’bën edhe gurin e fundit të gjithë asaj, që ishte krijuar me shumë mund.
Qeveria “Rilindase” për tetë vjet me radhë na provoi që është një përfaqësuese e thjeshtë interesash, të një pakice shumë të vogël personash, me të cilët, nuk mund të mbahet as një shtet, por edhe as një parti e aftë për politikë. Secila parti, në cilindo cep të globit, qoftë edhe ajo “Rilindase”, që na afroi shëmbullin më të keq të përfaqësimit të interesave të një grushti të vogël njerzish, nëqoftëse duan të bëjnë politikë, në radhë të parë, duhet të përpiqen për koncepte që janë të volitshme për të mirën e përbashkët, të sa më shumë individëve e në rastin ideal, të të gjithë mjediseve dhe shtresave shoqërore. Natyrisht, kur partitë nuk janë të afta, të hartojnë të tilla koncepte, ose kur pasi i kanë hartuar, nuk kujdesen më për to, sikurse “Rilindja” socialiste, vihen në shënjestër të inatit, shpotisë dhe urrejtjes e fatkeqësisht dhe të mërive të moçme kundër politikës në përgjithësi dhe të demokracisë në veçanti.
Kur një qeveri, nuk është në gjëndje t’i kërkojë më të kamurve, një pjesë të arësyeshme të pasurisë, për financimin e detyrave publike, ky nuk është fundi i politikës, por një politikë skandaloze. Ndërsa, rasti i jonë, me qeverinë “Rilindase” që drejtoi me dorë të hekurt për tetë vjet është shumë më fatal, për vetë faktin, se ajo jo vetëm që nuk pati kurajën si një parti e majtë, të mbledhë taksa, nga biznesi i madh dhe ta fusë atë në brazdën e kontrollit dhe të uljes graduale së shkallëve të pabarazisë, por zgjodhi me ndërgjegje rrugën më të lehtë për interesat personale, atë të ortakërisë dhe ndarjes së interesave me oligarkinë financiare. Zgjodhi rrugën e ortakërisë me oligarkinë financiare, sepse të ardhurat dhe kapitalet publike, që votuesit e majtë i besuan dhe i dhuruan me delegim qeverisë “Rilindase” ishin shumë më të mëdha, se ato të të gjithë oligarkëve shqiptarë të marrë së bashku.
Nëqoftëse do të bëhej një auditim, nga një komision strikt, dalë nga kuvendi i ri, do të vërehej me shumë lehtësi, se pothuaj të gjithë pronat publike, që kanë qënë nën kujdesin e qeverisë janë tjetërsuar në duar ortakësh oligarkë me anë të PPP, janë afruar si sheshe ndërtimi, ose shitur me çmime formalë klaneve që luajnë interesa personale qeveritarësh. Mjaft të përmendim shëmbjen e Teatrit Kombëtar dhe se çfarë interesash u luajtën me territorin e tij, i cili doli në ankandin e oligarkisë së ndërtimit, për t’u shkëmbyer me interesa të ngushta, si një territor i papërsëritshëm, për faktin e vendndodhjes, duke mos marrë aspak në konsideratë trashëgiminë kulturore të vendit, si dhe interesat dhe mendimin e vetë artistëve.
Për shkak të kapjes së sistemit të drejtësisë dhe të verbërisë së votuesve, që po përgatiten të nxjerrin sytë për të tretën herë, qeveria “Rilindase” i trajtoi këto prona publike si asete vetjake dhe i futi në bursën e ankandit dhe të biznesit personal, duke denatyruar edhe trashëgiminë kulturore historike dhe identitetin shqiptar.
Vetëm në Bashkinë e Tiranës, janë dhënë deri tani 1485 leje për ndërtime kullash, ku një pjesë e tyre po ndërtohen mbi objekte historike, sheshe dhe parqe të papërsëritshme, të cilat ç’identifikojnë trashëgiminë kulturore të Tiranës dhe e nxjerrin përfundimisht kryeqytetin nga memorja e të gjithë brezave. Të vetmit persona, që përfitojnë nga këto ndërtime, janë vetëm ata, që i lejojnë dhe ata që investojnë dhe pastrojnë para ndranghetash në këto lavatriçe rrokaqiejsh.
Tek ne, po konsolidohet tipi i “lidershipit” i cili qëndrimin në pushtet, e shikon si një kohë intensive grabitjesh të pronës publike dhe të pasurisë së qytetarëve, gjëndje delirash, që çojnë në urrejtje ndaj të gjithë atyre, që mund t’i prishin punë dhe t’i dalin përpara në misionin e fëlliqur që kanë marrë përsipër. Biles edhe vetë qytetin ku janë rritur e urrejnë dhe e trajtojnë si një lavire të përdalë, e cila duhet të jetë e destinuar, vetëm të kënaqë epshet e korrupsionit të panginjur të lidershipit pervers.
Në kundërshtim të plotë, me atë lloj lidershipi, që na afron Sociologu i mirënjohur Max Weber, i cili ka studjuar në detaj, rolin e udhëheqësve politikë, të cilët në dilemat e tyre etike midis “etikës të qëllimeve përfundimtare” dhe të “etikës të përgjegjësisë”, me të cilat udhëheqësit politikë përballen herë pas here, ai vjen në përfundim, që udhëheqësit politikë demokratikë, duhet të udhëhiqen përherë nga “etika e përgjegjësisë”, sepse politika e përgjegjshme kërkon instinkt të përgjegjësisë dhe të masës, por gjithashtu kërkon edhe dedikim me plot pasion ndaj çështjeve të vetë-imponuara dhe jashtë interesave personale, si dhe kërkon karizëm, që të jetë në gjendje të përmbushë nevojat emocionale të mbështetësve …vetëm ai ka talentin për politikë, ai i cili është i sigurt se nuk do të thyhet, kur nga këndi i tij i vështrimit bota është shumë e marrë, apo shumë bazike për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai, i cili në përballje të kësaj situatë, mund të thotë “në dritën e gjithçkaje” vetëm ai e ka talentin për politikë” (Max Weber në esenë e tij të famshme “Politika si Profesion”) .
Pra, tërësisht në kundërshtim me këtë lloj lidershipi, ajo që verëjmë sot, është se lidershipi i jonë vetëm këto tetë vjet ka gëlltitur të gjithë pushtetin dhe institucionet e pavarura dhe i është përveshur etikës së tij të qëllimeve përfundimtare, të cilat nuk janë gjë tjetër, veçse interesa të ngushta personale, që mbushin vetëm disa xhepa të korruptuar dhe varfërojnë dhe përdhosin atë shtresë të gjërë që e ka mandatuar për ta qeverisur.
Modeli i “tiranisë së shumicës”, që ka fyer rregullat demokratike dhe ka shkelur rëndë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut, duhet të marrë fund një herë dhe përgjithmonë. Shkëputja e “Rilindjes” nga ideologjia e Partisë Socialiste, por edhe të gjithë platformave të qeverive të majta ku parti të tilla shfaqen në një lidhje të ngushtë me pjesë të lëvizjeve të punëtorëve, apo qasjet e tyre radikale për arritjen e barazisë sociale, heqja e pronësisë private për mjetet e prodhimit si dhe një ekonomi e udhëhequr nga shteti etj, tashmë janë realitet i prekshëm dhe për më tepër e kanë çuar “Rilindjen” në përfaqësuese direkte të interesave të një grushti të vogël njerzish të cilët rrjepin shqiptarët dhe pasurojnë nëpërmjet interesash klinteliste personat, që ndajnë interesa me kreun e qeverisë.
Një vazhdim i kësaj filozofie qeverisëse, i cili do të bëhej realitet nëpërmjet rrotacioneve politike, padyshim që do të ishte një fatalitet i madh, përligjie e korrupsionit, dhe një dështim politik, që do të zhyste vendin në mjerim dhe në kolaps politik.
Vetëm një trasformim rrënjësor, nëpërmjet një përmbysje të madhe politike demokratike, duke vënë përballë drejtësisë shkelësit e ligjit dhe të kushtetutës, të të korruptuarve dhe grabitësve të pasurisë publike dhe të sonvranitetit të vendit, vetëm atëherë do të hapej rruga e duhur që do të ringjallte shpresën./albspirit.com