Albspirit

Media/News/Publishing

RADOVAN ZOGOVIQ: ARDHËSIT – KËNGËT E ALI BINAKUT

Gjumi i është prishur Ali Binakut dhe netët i janë bërë të rënda dhe të pafundme.
Në orët e stërzgjatura të natës ai rri zgjuar, i shtrirë në postahën e vjetër të ogiçit, derisa në qetësinë e natës dhe në agimin e hershëm rri para oxhakut, në të cilin sipas traditës së të parëve të tij, vetë e ndez zjarrin: rri, mendohet dhe numëron tespitë – mjekra e bardhë e krehur i përskuqet përballë flakës si mëndafshi i misrit të Metohisë. Pëshpërit gjethja e thatë buzëve, kërcasin tespitë; kohë të vështira kanë mbërritur, gjurmët duan t’ia zhdukin fisit të Ali Binakut nga Metohia.
Më lehtë e kanë pasur të parët e tij në aq vite sa ka ai: linin parmendën dhe kosën, linin pushkët dhe mbeten në kullë; ndezin zjarrin në vatrën e odës së madhe, drejtojnë punën e bijve dhe nipave të tyre, shkojnë në gjykimet e pleqve në shëngjergje, pajtojnë ngatërresat familjare, presin mysafirë e miq, kujdesen për nuset e reja dhe i falen allahut. Por çfarë të bëjë, çfarë të bëjë tani plaku Ali Binaku, si të mbetet në kullë, ku të shkojë prej saj – kohëra të vështira kanë ardhur, sundimtarë të vështirë: duan t’ia zhdukin çdo gjurmë atij dhe fisit të tij nga Metohia…
KËNGA E PARË
Unë, Ali Binaku, numëroj tespitë e mia të shurdhëta
dhe me çdo kokërr të var në qafë varësen me gurë.
Unë, Ali Binaku –
të mallkoj në të gjitha deri tek fara e nuses.
Përse, përse ma vrave
në çati lejlekun, zogun e shenjtë?
Në oxhakun tim i është falur Allahut,
në oxhakun tim ka puthur sqepat e bardhë
që si filiz nga copa e dheut shpuan lëvozhgën e vezës,
nga oxhaku im ka hapur në shtëpinë time degët e tij të bardha
dhe kurrë me krahë nuk e rrëzoi mollën nga dega,
dhe kurrë me sqep nuk e ka shpuar syrin e kuq të qershisë
(që të derdhet thalbi i kuq!) –
zogu i shenjtë!
Kur pushka e parë krisi mbi të –
i shenjti me sy të hapur ka shikuar çuditshëm;
kur ka krisur pushka e dytë mbi të,–
vetëm i është përdredhur qafa si lule e bardhë në erë;
kur ka krisur pushka e tretë mbi të, –
ka rënë prej oxhakut tim, i gjakosur,
mbi çatinë time…
Është natë. Hëna shikon e mërzitur mbi shqiptarinë dhe Metohinë.
Rri para oxhakut – mbi prush ka rënë hiri i gjelbër.
Gjithçka fle – dëgjohet vetëm kërcitja e tespive.
Mbi mua, në shtresën e zezë të myshkut në çati,
është shtrirë i vdekur zogu i shenjtë.
I bardhë dhe i gjakosur – i pikuar me gjak topi i borës,
i bardhë dhe i gjakosur – i shkrirë në gjak topi i borës.
Po ndjej, po dëgjoj:
nga streha
ime
pikon
gjak.
KËNGA E DYTË
I rrëzuan gardhet e mia si drithin,
i shkelën gardhet e mia si drithë i rrëzuar;
i shkelën livadhet e mia të gjelbra
si rrushin.
Livadhi pranveror është si uji i pastër i gjelbër;
– dielli të mos e turbullojë me gishtat e tij;
livadhi i lulëzuar në të bardhë është si bora e parë,
– zogu të mos lërë gjurmë nëpër të;
era të mos shtrihet mbi barin e vesuar,
që të mos e përziejë!
I rrëzuan gardhet e mia posi drithin,
shkelën livadhet e mia si rrushin.
Këmba ime kurrë nuk ndali mbi gardhin e tij,
këmba ime nuk la kurrë gjurmë në livadhin e tij
(as atëherë kur bora në të ishte deri në gju!)
as dhia ime kurrë
nuk hipi në gardhin e tij të brejë filizin e murrizit.
Në livadhin tim njëqind rrugë si mbi borën e vjetshme.
Dhe shiko, kaloi ai dje poshtë degëve të rënda të qershive,
u ndal e përdrodhi degën,
dhe në të, si në gjerdanin e këputur,
u drodhën dhe u derdhën margaritarët e kuq të qershive.
Dhe plaga ku u këput dega
u mbush plot gjak.
KËNGA E TRETË
O, natë,
a mos po kalojnë ushtritë mbi ura,
a thyen era degët e pemishtes sime,
mos thyen bora trarët poshtë çatisë?
Jo, nuk kalojnë ushtritë përmbi ura,
nuk thyen era degët e pemishtes sime,
nuk thyen bora trarët nën çati.
Por kali i tij shkatërron kallamboqin tim
Gjithë natën, gjithë natën…
E dëgjoj; po, makinat e topave po kalojnë nëpër misër;
thyhen fletët e kockave të kërcellit,
thyhen brinjët e njomë të gjetheve.
E dëgjoj – armiku i tërbuar në kthinën e bijës sime,
me gjunjë shkel mbi shtratin e saj të vajzërisë,
hungërin si qen poshtë fytit vajzëror.
Aty është; më shkel me thundër mbi eshtra!
Shkon ai përmes arës; pas tij bie kositja e parë.
Ai me buzë të lagëta prek majat e kallinjve të misrit,
këput me dhëmbë thithkën e kuqe të gjirit
dhe e kafshon;
nga dhëmbët i shkumon qumështi.
Mes darkës dhe meje shtrihet viti i mundimshëm,
ndërsa ai është gjithë natën mbi mua,
më shkel me thundër mbi eshtra!
KËNGA E KATËRT
As shirat më nuk e mbulojnë tokën, as gjumi shpirtin.
Edhe gjethet gjithë natën fëshfërijnë për zhurmën e vesës së shiut
dhe buzët e thara që ëndrra të ushtojë si rrebesh…
Gjëmo, duhi, në degën e arrës, gjëmo,
laje ndryshkun nga mollët, lagi sqetullat e misrit,
gjallëro çatitë, vaditi livadhet e shkelura,
mbushi shtambat e burimeve dhe përmbysi.
Gjëmo, o i butë! Dhe unë do të fle, ndërsa ti gjëmo
dhe luhatma deri në agim degën nën dritare,
porsi djepin ma përkund.
Por, pse të gjëmosh, përse të ma luash degën?
A thua se në mëngjes do të shoh rërën e shpëlarë në rrugë
dhe turmat e pazarit, si dyndje të gëzuara?
A do t’i shoh qetë me brirë të lagur
dhe qerret pas tyre të mbushura me fasule të bardhë,
dhe fasulet rrugës – sedefe nëpër drurë?
A do t’i shoh kuaj të bardhë shale
kur guaskat e thundrave t’i shpërndajnë nëpër zall
dhe xinglojnë me pajimet, e këmbësorët i ngacmojnë me buzë,
ndërsa pasqyrat e imta të frerëve gjakovarë
hedhin flutura të bardha
mbi degë të arrës,
në dritaret e vashave?
Si mund të fle? Çfarë të shoh zgjuar?
A pemishtet tona, ku as qengjat nuk i kemi lëshuar,
ndërsa tani i ndyjnë derrat e bagëtitë e ardhësve?
A dua në kalemat e shartuar, të cilët as juga nuk i përkuli,
ndërsa tash i thyejnë dhitë dëmtuese të ardhacakëve.
A dua në rrugët e pazarit, ku shqepojnë qetë e zbathur
dhe qerret ciasin, rrotat lëkunden?
A dua në kalorësit e rrallë e kuajt e shalës
prej të cilëve këmbësorët e zbathur fshehin këmbët në kanal?
A dua në njerëzit, armëtarët dhe kosëtarët,
me duqit rreth qafe,
me vargjet e specave në krahë?
Përse të gjëmosh, përse të ma lëkundësh degën?
KËNGA E PESTË
I frikësohem dhomës së heshtur në muzg,
i trembem kambanave të shkreta të deshve që varen në tavan
dhe me qetësi në erë jehojnë.
Dhe shkoj nën bli, kryqëzoj këmbët në lëndinë
dhe pres, pres:
që delet dhe lopët nga kullosa të mbushin sokakët e fshatit,
të sjellin gëzimin në fshat,
të sjellin nga fushat, lule mes thundrave,
të sjellin qumësht në gjinj.
I frikësohem dhomës së heshtur në muzg,
i frikësohem kambanave të shkreta që jehojnë lehtas në erë
dhe shkoj nën bli, kryqëzoj këmbët në lëndinë,
dhe pres, pres…
Nga arat e tjetërsuara, shtratit të rrugëve dhe sokakëve
muzgu i shkretë kërcëllon me thundra të vetmuara.
Maja e çikrikut ngrihet dhe ulet si zogu në litar,
muret dhe gardhet mbajnë erë hithrash.
Shkretëtirë. Vërshimi i muzgut mbyt gërmadhat e shtëpive.
Nuk duan lopët në mjelëset e gjinjve të futin qumësht në fshat,
nuk duan delet të fusin lule mes thundrave.
Tufat tona, të bardha, u rralluan si dhëmbët,
vathat dhe kullotat u lëvruan rishtazi.
A e di ti si lehin qentë tek delet në muzg,
a e di si lehjet e tyre rrapëllijnë
(rrapëllijnë!)
si zjarre të gëzuara rreth vathit?
A e di si është gjiri i plotë në buzën e qengjave të vegjël?
Eh, rritet bari përmbi rrugët tona!
Rrugët tona janë të lëruara gjerësisht.
Ju betohem,
në varre rritet patatja.
KËNGA E GJASHTË
Tufat tona të bardha u rralluan si dhëmbët,
rrugët drejt bjeshkëve i mbuloi bari.
Dhe në ditët e verës, udhëtarë të etshëm, vijnë edhe shkojnë,
ndërsa retë nuk vinë as nga deti dhe në det.
Është mesditë. Çellopeku digjet. Degët e molisura varen,
gurëve u vjen era squfur.
Tri dele të ndara nga tufa,
si të verbra dhe të lidhura njëra pas tjetrës,
ecin në rrugën që përvëlon.
Dhe kudo që ndodhesh, kudo që ulesh: ulërijnë qentë e barinjve,
dhe hapin gropa e kuisin nën dhe,
kuisin prej të nxehtit, nga malli për bjeshkën.
Dhe ditët e etura vijnë edhe kalojnë,
ndërsa re nuk ka as nga deti, as në det.
Është mesditë. Çellopeku digjet. Në bjeshkë gufojnë përrenjtë
dhe njomin barin dhe njomin bredhat deri në gjunjë.
Krojet rrahin lugjet e ujëvarës,
rrapëllijnë prej erës, stërpikin anët e lugjeve.
Dhe pishat ushtojnë si shpellat dhe stuhia,
me zërin e vetmisë
së lashtë,
të stërlashtë në bjeshkë.
Në cilin mal nuk dëgjohet bisedë? Në malin Shtedim
bisedë nuk ndihet.
Ai më qentë nuk i dëgjon, as kmesat si grremça,
as këngët, as sqeparin, as qetë e mejdanit.
Aty lëpushat ngrihen, mbulojnë stanet e shkretuara,
dhe toka bren hunjtë e vathave mbi nyje,
dhe bari del nga dërrasat e trinat.
Tufat tona të bardha si dhëmbë të rralluar
u mbuluan me bar rrugët dhe kriporet.
Në barin e bjeshkëve tona, në barin e madh me vesë
ujkonjat lajnë gjinjtë dhe ushqejnë këlyshët
dhe ushqejnë këlyshët
në kullotat e shkreta të bjeshkëve tona!
KËNGA E SHTATË
Mos qaj, o moj, Zizë Nimon’ja e Nimon Alisë,
mos qaj në gjumë, mos e mallko çobaninë tënde,
mos ëndërro bjeshkët, as kullosat me vesë deri në gju,
as mrizet mos i ëndërro, as krojet e ftohta.
Fli, çobanesha ime herake!
Dhe zgjohu herët, e lopën gurishtës teposhtë lëshoje,
pranë lumit të Bistricës që shterret.
Aty do të gjejë gjethet e hidhura në degë,
dhe vesë do të gjejë;
vesë mbi gur.
Mos lëngo në gjumë, drenusha ime e rrëmbyeshme,
mos i nëm sytë, as nëntë vitet e tua mos i mallko,
mos ëndërro likenet e zeza në shpat
ku thahet bari; ku bari prej gjakut nuk rritet.
Fli, çobanesha ime gjumëlehtë!
Po vijnë shirat e vjeshtës; shirat do ta lajnë tokën,
do ta lajnë dhe me farë do ta mbjellin.
Bari do të shpërthejë, dhe gjithçka do të mbulojë bari,
bari pranveror i harrimit.
Mos lëngo, o plep, mos u dridh nga ethet e blerta,
mos i shkul flokët e imët, mos i thyej duart e vockla majëholla,
mos u tremb prej lajthishtës, mos shih ëndërr të vdekurin, të vrarin,
që u vra te kroi, që ia mbuluan fytyrën me lëpushë.
Fli, çobanesha ime ëndërrkeqe!
Po vijnë shirat e vjeshtës; shirat do t’i sheshojnë gropat,
do t’i sheshojnë, me farë do t’i mbjellin.
Do të shpërthejë bari, dhe gjithçka do ta mbulojë bari,
bari i gjelbër i harrimit.
Fli, çobanesha ime herake!
Që të çohesh herët, që ta çosh lopën në kullotë.
Që të gjejë ushqim; së paku një gjeth të hidhur në degë,
dhe vesë të gjejë, së paku mbi gur!
KËNGA E TETË
Goditën mbi ne, tinëzisht na ranë,
në ndenjën e mëngjesit nën bli na ranë.
Dhe na rrëzuan, na zgjidhën brezin, shkelmuan
si armiqtë dorëzat e armiqve.
Na ranë nën blirin plot hije
që me degët mbulon nyjën gjashtë degëshe
e me majë rri mbi tymin e oxhakëve.
Na ranë ne, poshtë blirit na ranë
aty ku gjyshërit tanë ndenjën mëngjeseve e darkave verës,
dhe kanë folur për shëndetin, për korrjet,
kanë ndezur eshkën, shikonin retë,
duke mprehur kosat dhe zbavitur kuajt.
Dhe na rrëzuan, na zbërthyen në bar, na shkelën
aty ku në mëngjeset e hershme, në muzgjet e verës
kemi ndenjur dhe vetë, të mbledhur në nevojë,
me shata të topitur, me kosa të mbaruara –
dhe çekiçët e kosave, dhe hallet, dhe duhanin kemi ndarë,
dhe fjalën shpresë nga goja në gojë kemi përcjellë
si prushin e mbuluar të mëngjesit
nga vatra në vatër.
Tani bliri vyshket i vetëm. Ndërsa unë plaku e vizitoj
kur hija e tij mbulon rrugën përgjysmë dhe e fik
dhe rri nën degë, kryqëzoj këmbët mbi lëndinë,
komshinjtë i pyes për shëndetin, të atyre që s’ janë.
Dhe rri, rri. Me degët bisedoj
me gjuhën e gjetheve. Dhe zogjtë i kuptoj.
Dhe zogjtë thonë: nuk fryn era në degë
që zogjtë t’i vrasë, që zogjtë t’i rrëzojë nga degët,
por që degët,
por që degët t’i mbrojnë zogjtë.
KËNGA E NËNTË
Mos qaj Ibish, nxënës i brengosur në të ardhurit.
Mos këput shpirtin, mos i lodh sytë dhe mos qaj.
Po, me çantën e nxënësit të shkrimit të huaj ti je për mua
një misër i dobët nën zgjeben e plumbtë.
Kur godet me grusht, mbi libër, ti me grusht vringëllon
në gozhdët e shkronjave, të mprehta si gozhdët
në dy anët të mprehta. – Por mos qaj,
Mos qaj, Ibish!
Vuajtje dhe pikëllim – se imi je më shumë se damari në qafë,
dhe në varrin tim, nga dheu i kripur nga pikëllimi dhe urrejtja
nuk do të dalë bar – bari i gjelbër i harrimit.
Por ti mos qaj. Kur bien vuajtjet mbi njeriun,
o burrë, mos qaj. Njeri, Ibish, Ibish Nimoni,
mos qaj, dhëmbin në dhemb preje dhe mos qaj;
he burrë, Ibish,
kujto kush je dhe i kujt je!
Mbi mua të vetmin, në kohën e fiseve tek unë
kanë qenë tre perandorë, që kanë ardhur të mos shkojnë,
të cilët qytetet dhe fshatrat tona i ngritën si gotat
dhe kanë trokitur me to sipër tavolinave dhe kufijve
dhe i kanë tretur në copa, nga inati ose qejfi,
dhe kuajt me bukë i kanë ushqyer, dhe shpatat me mish,
tre perandorë që kanë ardhur të mos shkojnë,
dhe kanë shkuar,
shkatërruar janë si poçat.
Mbi ne dhe mbi mua, në kositjen e një jete,
kanë qenë tre mbretër, që kanë ardhur për të mos shkuar,
që kanë tërhequr topat në shtatë kufij dhe rrugë
dhe na kanë vrarë me zjarr dhe na kanë rrahur për të na ngrirë
dhe shkundur si pemën, dhe qethur si delen,
dhe thurur në trina, hunjtë e së cilës ndahen në pjesë,
tre mbretër që kanë ardhur të shkojnë,
dhe kanë shkuar,
shkatërruar janë si poçat.
Brazdave të këtyre arave, rrudhave të këtyre ballëve
kanë kaluar Shemsi pashët, Sav Batarët, Todor bashët tanë,
sejmenët, kalorësit, xhandarët, torollakët, shkopxhinjtë,
kamatarët dhe mitomanët, rrahësit me tambure-shkruesit…
Dhe shkuan, komandantët dhe ushtritë. Ajo e pakthyeshmja,
se lavdëroheshin si të përjetshëm. Dhe më e papritura,
kur bëheshin si më të fortët. Quhen kanë qenë dhe do të quhen,
do të quhen
çfarë janë!
Do të ‘thuhet’ kanë qenë. Kurse ne – të parët dhe të fundit,
ne si trungu, ne rrënjët e rrënjosura që ecin,
ne të prerët, ne që mbrohemi dhe përtërihemi
në dhjetë filiza, mungëllojmë në tri thika
ne jemi këtu, dhe do të jemi, që lagjet të bëhen fshatra,
dhe katundzat në katunde, që farëzat të mbijnë nën rrebesh,
që dielli të mbjellë fidanin e vet në ujërat e vërshuara në gryka,
që kuajt tanë të shalës të shkelin përrenjtë dhe cekinat
dhe të qëndrojnë në yje, dhe yjet të fluturojnë në copa,
që me këngë të dimë çfarë bëjmë, që ti të gjethosh
në tri thika, në tri fletë të gjethosh
të rritesh,
që të thuash kush je dhe i kujt je!
Dhe ti mos qaj. Kur bien vuajtjet mbi njeriun,
O burrë, mos qaj! Ibish, he burrë, ti me zemër kaloje
dhe librin dhunues – kur pra edhe libri është fuqi,
duroje dhe mësoje – kur pra edhe fuqia është libër!
Dhe në të, bash në të, të mbushur me xhandarë dhe zotërinj,
do të gjesh se ndonjëherë është më burrërore dhe më e mençur
të lëvrosh rrugët, se arat e Metohisë.
Prej diku nga ajo ka ardhur se atij, që
ligji i pushon në kondak, gjurma i qelbet nga panjerëzia.
Diku në të ka shkruar Mark Milani në Medun
që të dihet se kush jemi dhe të kujt jemi.
Prandaj mos qaj. Prandaj në vuajtje burrërohu.
Nga ai libër, dhe atyre pas tij dhe atyre,
përpiqu që të mundesh: ku libri nuk i ndihmon kokës,
dhe koka dorës, mos qofshin – as libri, as koka, –
përpiqu të krijosh, kërko që të dallosh
se kur, me kë dhe si –
që knjiga të jetë libër, glava të jetë kokë,
sloboda – të jetë – liri.
Dhe atëherë, Ibish, ti brushtulli im rreth brezit,
atëherë
lapsi në gishtat e tu që i dua të dhjetë deri në majë,
nuk do të jetë mjet torture këndor, si darë mes gishtave,
jo! – ai do të jetë më i butë dhe më i freskët
se fijet e barit mëngjesor, me të cilin fshin kosën,
se griha, e butë dhe e lagur, në dorë në agim,
në dorën që e dua, të kosëtarit që e dua,
do të jetë – mbaj mend kush jemi dhe të kujt jemi!
KËNGA E DHJETË
Ranë pyjet tona
si ushtritë e kositura.
Dheun si derrat gërmojmë
duke kërkuar rrënjët e drurëve.
Burimet tona dhe përrenjtë ikën prej nesh,
të mbjellat tona i pi toka që i ushqen.
Ujin për kopshte dhe ara
me të holla e blejmë.
Dhe ja – nga kullotat tona dhe nga pyjet
edhe në arat tona kaluan shtizat majëmprehta,
dhe në arat tona kaluan aparate këmbëmprehta.
Dhe me këmbë të verdha si zogj grabitqarë,
ecin nga brazda në brazdë
dhe matin me syrin e zi…
KËNGA E NJËMBËDHJETË
Erdhën dhengrënësit me shirokun e parë
kur dheu i bardhë u bë lara-lara
me vijat e brazdave, me shkronja për farërat.
Erdhën dhengrënësit, matën arat, shënuan vijat
dhe regjistruan e nënshkruan,
dhe vizën në vizë, sinorin mbi sinor e vunë, –
tokën tonë
si fjalën tonë
me shtatë vula e mbyllën.
Dhe ditët shkojnë. Metohia vlon me qumësht.
Le të shkojnë. Le të vlojnë. Gurrat le t’i lëvizin gurët,
le t’i sharrojnë lëndinat thneglat e tharta,
le t’i lëvizin degët bulëzat duke bulëzuar.
Ti, Nimon Alia i Ali Binakut –
duart e tepërta vendosi mbi krahë.
Dhe ditët kalojnë, si kalorësit vëllezërit e një fisi
që vrapojnë drejt vëllezërve në ndihmë dhe asnjë prej tyre nuk kthehet.
Po vjen pranvera! S’ka gjë, le të vijë,
le të mbjellin speca bijtë e Ali Binakut,
Binak Rustemit, ata që lëruan tokat
dhe njëzet brazda mbillnin me një turrë,
le të ruajnë pulat, ata që ruajtën delet
dhe u prinin tufave, dhe këndonin këngë trimërije,
dhe me pushkë kanë vrarë shenjat nëpër bjeshkë.
Le të bëhen hyzmeqarë pasardhësit e Binak Rustemit,
pasardhëset –
hyzmeqare!
Duart që lëvruan vendosi mbi krahë!
KËNGA E DYMBËDHJETË
Fusha ka pirë borën si buka e grurit qumështin.
Dhe, njerëz, betohem me bukë! –
në arat tona ardhësit kanë sjellë plugjet,
na lëvrojnë nën themele.
O njerëz të ardhur, njerëz në ara,
ndalini plugjet në brazda,
mbajeni farën ndër duar, –
dëgjoni!
Ai plug që u ngul në arat tona,
nuk është plug,
nuk është plug – (as plori nuk është plor)!
Me këtë kanë ngulur thikën mes nesh
Në mishin tonë të tokës!
Përktheu: Dimitrov Popoviq
P. S.
Dimitrov Popoviqi është quajtur ambasador kulturor midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fatet e kryqëzuara të njerëzve të Ballkanit kanë bërë që ai të ketë mbaruar gjimnazin e Durrësit, Universitetitn e Tiranës për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Ka pasur karrierë si mësues, drejtor shkolle e drejtues komuniteti deri kur ra komunizmi në Shqipëri.
U kthye në Mal të Zi. Eshtë poet, përkthyes, redaktor në entin botues të teksteve shqip në Mal të Zi, Podgoricë.
Ka një numër botimesh me shumë vlerë si perkthime në shqip të shkrimtarëve e poetëve malezes, por edhe përkthime e botime të shqiptarëve në Malin e Zi./albspirit.com
Please follow and like us: