Zonjusha Elena
Mezi prisja të më bëhet mësuese në foshnjore, por atë vit doli në pension, kundër dëshirës. Paraprakisht kishte fituar disa vjet bonus që të vazhdojë të jetë me fëmijët që ishin e tërë bota e saj. Gëzimi dhe ngushëllimi i vetëm. S’kishte rreze tjera hareje.
I takonte brezit të mësuesëve ardhur nga Shqipëria në kohën e luftës dhe shpërndarë nëpër shkolla fillore dhe të mesme, kryesisht në Tetovë, Gostivar, më rrallë nëpër qytetet tjera ku mësohej shqip. Jo vetëm që e plotësonin vakumin e atëhershëm të kuadrit arsimor shqiptar, por sjellnin me vete edhe frymën e qytetarisë, kultin ndaj librit dhe dijes në përgjithësi. Misionarë të vetëdijshëm për rolin madhor të mësuesit, disciplinës dhe shkollës cilësore. Tingëllima e shqipes që flitnin ata ishte më e butë dhe më e bukur, me tjetërfarë strukture dhe ritmi: benefit shtesë nga mësimdhënia e tyre.
I mësonte fëmijët përmes lojës, mënyrë më efektive për nxitjen e kureshtjes dhe dellit garues, ashtu siq diktojnë teoritë bashkëkohore dhe qasjet e sotme pedagogjike. Para gjysëm shekulli punonte siq do duhet të punoj sot një edukator në hap me kohën.
Ndonjëherë kur nëna me merrte me vete në punë shkoja drejt e në foshnjoren që ishte klasa më e hareshme. Kënaqesha duke parë mësuesen Elena se si luan me fëmijët sikur të ishte mocanik i tyre, si ulet galuç bashkë me ta, me duartrokitje dhe të qeshura. Mandej vizatime, ngjyrosje, punimet më të arrira rradhiteshin nëpër muret e klasës, poshtë tyre emrat e autorëve krenarë; i mësonte të bënin figura nga plastelina që rradhiteshin në rrafte si ekspozita të përkohshme. Zëri i saj melodik, me ritëm dhe strukturë specifike të atdheut jehonte në orët e recitimeve dhe këngëve poashtu të sjella nga atdheu. Derisa mosha e lejonte, në orët e fiskulturës vraponte tok me nxënësit, më fëmijë se vetë fëmijët, ndërsa kur vitet iu rënduan qëndronte në mes të zhurmës së hareshme duke shikuar rrotull me ngrohtësi. Këtu nuk ka kishte asnjë të vetin që ta vështrojë me sy ku lexohet dashuria.
Asnjëherë nuk kishte qenë në vizitë në Shkodër, s’i kishte parë të afërmit, as lajm as letër prej tyre. Kohë e ndarjeve të egra, kufirin e kalonin vetëm zogjtë. Kështu zonjusha Elena, siq e quante Tetova, mbeti në njërën anë të lumit Stiks, kurse matanë gjithë tjerët: familja, miqtë dhe dashuria e jetës Tomo, ushtar i vrarë kah fundi i luftës.
Filikat vetëm, ajo u qep pas profesionit, ashtu si përkushtohet njeriu ndaj të vetmes gjë që ka dhe që e do. Fëmijët kanë receptorë hipersensitivë, prandaj jorastësisht nxënësit më të vegjël të shkollës Liria ishin më të kuptueshmit, më të urtit, dhe më të lidhurit me mësuesen e vet. Edhe pas daljes nga bankat, kudo që e takonin zonjushen Elena ndaleshin që ta përshëndesin, ta përqafojnë trupin e imët thatanik. Ky manifestim publik dashurie funkciononte si një marrëveshje e heshtur e të gjitha gjeneratave, e të gjitha djemve dhe vajzave të saj.
Elena Pulati me kriter specifik i selektonte miqtë në mesin e kolegëve, kurse me veçantinë e vet i ngjyronte ndejat në ato pak shtëpi ku hynte. Vinte edhe te ne, si mysafire nderi, posaçërisht e dashur për ne të vegjëlit pasi na trajtonte si të barabartë me veten. Veç kësaj, mua më bënin përshtypje edhe kostumet as të ngushta e as të gjëra, me vija të rrepta dhe ngjyra të ngrysyra, këmishat mbyllur deri në fyt. Elegancë decente, manire qyteti dhe moral në kuptimin më klasik të fjalës.
Një pjesë të fundit të jetës e kaloi në spitalin geriatrik në Shkup, personeli dhe klientela e të cilit habiteshkan se si person pa asnjë të vetin këtu mund të ketë vizita thuaja të çdoditshme.
Vdekja e gjeti aty ku deshte: në banesën e vet të vogël në një rrugë me lisa nga të dyja anët, jo larg qendrës.
Nuk ishte vetëm.
Jo vetëm për shkak se një çift pa fëmijë u kujdes me përkushtim për të gjatë vitit të fundit, por edhe për faktin se kur e kishin përgatitur për varrim nga gjoksi i kishte rënë fotografia e zhubravitur e Tomos së saj./portalb.mk