Fritz RADOVANI: 2021, VITI I AT PJETER MESHKALLA S.J.
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XII)
DOSJA Nr. 1303: Arrestimi i parë i At Pjeter Mëshkallës.
Me 21 nandor 1946. (Arkivi i Ministrisë Brendshme Tiranë.)
Me datën 22 nandor 1946, ora 08.00, në mëngjez, At Pjeter Meshkalla fillon hetimet në Degën e Mbrendshme të Tiranës. Mbas një përshkrimi të shkurtë të biografisë dhe vendeve ku ka punue, dukët se pyetja ka fillue nga predikimet që ky ka ba, mbasi Padër Mëshkalla fillon e i përgjegjet kështu hetuesit:
“…Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimët e mija. Me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit, i kam ba thirrje nanave të dëshmorëve që mos me kerkue gjak, mbasi kjo ngjallë vetem vëllavrasje… Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuen edhe komunistët, e më që këta nuk njohin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër (PKSh) Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne. Këte propagandë e kam ba edhe ndër familjet ku kam shkue për vizita dhe raste tjera…
At Troshani asht kenë eprori em. Ai nuk merrej me politikë, edhe ai si unë, nuk e donte fashizmin…Unë kam dërgue një letër në Misionin Francez, ia kam dorëzue në dorë Briotit për me e dërgue në Vatikan. Këte letër e kam shkrue bashkë me At Frano Kirin, ku kam tregue ndalimin e lirisë së Fesë, fjalës dhe të shtypit tonë… Një letër ia shkrova edhe Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës, por nuk mora përgjegje…
Për lirinë e shtypit tonë unë kam kërkue me u takue me Nako Spiron, por ky më ka çue njeri tjetër… Për votime nuk kam kenë dakord që mos me pasë secili mendimin e vet për partinë që don… Mendimi em ishte se, në Shqipni, Pushtetin nuk duhet ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetet e Europës, mbasi atje ka vetëm Parti Demokristjane, gja që do të ishte e mirë me e pasë edhe na...Imzot Frano Gjini me ka ngarkue me shkrue një letër për Enver Hoxhën, ku bahej fjalë për përkrahjen që duhet me na dhanë shteti né dhe për padrejtësitë që na baheshin... Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “Bravo të kjoftë” dhe, i kam shtërngue dorën…Raste të tilla si ky janë kenë të shumta…
Mbas çlirimit e rihapa Rrethin e “Shën Pjetrit”, se m’u lutën të rijtë dhe unë e pashë të nevojshme me e rihapë mbasi rinia kishte fillue me u implikue me komunista…”.
Hetimet vazhdojnë nga nandori i 1946 e deri në gjysën e prillit 1947. Përpjekjët e hetuesisë për me mujtë me krijue lidhje të veprimtarisë së Pader Meshkallës, me Don Shtjefën Kurtin, i cili ishte i arrëstuem në një natë me té, dështojnë për vetë faktin se Pader Mëshkalla, në fillim të proçesit deponon se: “…Me Don Shtjefën Kurtin kam pasë mosmarrveshje, mbasi kam dënue miqësinë e tij me Musa Jukën etj…”
Kjo shkëputje e ndihmon Pader Meshkallën, ashtu si edhe Don Shtjefnin, tue mos i dhanë mundësi hetuesisë me krijue grup. Në lidhje me Imz. Frano Gjinin, Imz. Vinçenc Prennushin, At Mati Prennushin, At Frano Kirin etj., deponimet e Pader Meshkallës nuk çojnë asnjë peshë për vetë faktin se proçeset e tyne kanë probleme të tjera, që për këte rasë hetuesisë nuk i intereson me u shtri në Tiranë, gja që do të kishte zbehë makinacionët dhe trillimet e thuruna nga Sigurimi i Shtetit në Shkodër. Një fakt: Në vitin 1968, gjyqi kundër klerikëve të Tiranës, aktiviteti i të cilëve “lidhej” me ambasadat e Francës dhe të Italisë që ishin në Tiranë, u ba në Shkodër.
Pse u zhvillue gjyqi në Shkodër, kur aktiviteti i tyne nuk shtrihëj fare në këtë qytet? Atë kohë Shkodra nuk kishte asnjë konsullatë atëherë, pse duhej zhvillue gjyqi aty ku nuk ndigjohëj edhe nga “bashpunëtorët” e huej të këtyne klerikëve, që po jepnin llogari për veprat e tyne në “shërbim” të atyne ambasadave?!.. Kjo praktikë pune nga komunistët asht ndjekë gjithmonë kur Shteti nuk donte që të “përshpëritej” nga të huejt për shpifjet e trillimet që baheshin në drejtim të tyne. Kjo ishte vetëm njena anë e medaljës, mbasi ata i merrnin vesht të gjitha makinacionet e gjyqeve tona në lidhje me ta, po, edhe “atyne” asht fakt se ju kishin “shurdhue” veshtë!! E pse?! – Se “heshtja” e tyne (që ishte ana tjetër e medaljës), kishte fillue që në vitin 1945-46, kur gjyqet e “Popullit” mu në qendër të Tiranës, pushkatonin deputetët, intelektualët, politikanët e njerëz të thjeshtë, me akuza fallso dhe shpifje, si “spijunë në shërbim të agjenturave të huaja”. Këto ishin të vazhdueshme, e të përjavëshme. (Shif fletoret zyrtare të 1945, 46, 47 48!..).
Këto akuza u përdoren edhe në drejtim të Pader Mëshkallës, por nuk u besuen as nga vetë komunistët që e njihnin Ate. Vonë, vonë.., po, disa e patën guximin me thanë të vërtetën si e njohën At Pjetrin. Sot, unë kishe me thanë atë që thotë populli:
“Ma mirë vonë se kurrë!..”.
Mandej, duhet me pasë parasyshë se veprimtaria shumë e madhe atë kohë e Pader Mëshkallës, ishte e dijtun nga të gjithë sepse, veprimet janë publikue edhe ndër gazeta. Tue u nisë edhe nga pamundësia me e ngarkue Ate edhe me gjana të tjera të pakenuna, për vetë faktin e njohjes së Tij nga i gjithë populli i Tiranës për aktivitetin e Tij fetar, kulturor dhe atdhetar, në muejn prill 1947, shoqnue me një relacion shumë të ashpër dhe të rrezikshëm për jetën e Tij, Pader Meshkalla, i përcillet Gjykatës Ushtarake të Garnizonit të Tiranës për dënim.
Ja edhe materiali që u botue atëherë në organët e kohës:
Marrë nga gazeta “Bashkimi”, me 18 prill 1947, Tiranë ATSH:
“Dje Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës dha vendimin e saj kundra një grupi klerikësh, armiqë të Popullit Shqiptar, që të veshur me petkun fetarë, kanë punuar për rrëzimin e Pushtetit Popullor, duke qenë në lidhje me agjentët e huaj, nga të cilët këta kanë marrë të holla dhe udhëzime…
Në këtë grup bëjnë pjesë: Dom Shtjefën Kurti, Pader Pjetër Meshkalla, Rrok Oboti dhe Peshkopi Irené Banushi.
Në bazë të këtij vendimi, i pandehuri Dom Shtjefën Kurti u dënua me 20 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave për 5 vjet.
Pjetër Mëhill Mëshkalla u dënua me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave për 5 vjet.
I pandehuri Rrok Oboti u dënua me 8 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave për 5 vjet.
Peshkopi Irené Banushi u dënua me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave për 3 vjet.
Vëndimi i kësaj gjykatë është i formës së prerë”.
…Pjetër Mëshkalla pohon se, në muajn Kallnor të vitit 1945, me nisiativën e tij është bëri një mbledhje me klerin jezuit të Tiranës, ku merrnin pjesë: At Troshani, Padër Fausti, Gjadri, etj. Në këtë mbledhje ai përpiloi një relacion që fliste kundër Pushtetit Popullor…
Në këtë relacion jezuiti Padër Mëshkalla e cilësonte Pushtetin tonë si “terrorist” dhe si “përsekutonjës i fesë katolike”…
Melbourne, 15 Mars 2021.