Éric Faye: Kadare, dy vepra homazh për Shekspirin dhe Servantesin
“Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të stinës” formojnë një diptik krejtësisht të veçantë në veprën e Ismail Kadaresë. Janë dy romane vëllezër (të bashkuar nën të njëjtin emërtim, “Koha e grindjes”), që kanë shumë pika të përbashkëta, pa qenë, megjithatë, binjakë.
Duke qenë të një përmase të pakrahasueshme me pjesën tjetër të veprës së tij, këta gurë monumentalë, që në vështrimin e parë mund t’i marrësh për romane historike, ndërtohen mbi një sfond të përcaktuar: në një anë, përçarja me bllokun sovjetik dhe, më pas, grindja me Kinën. Kadareja bën një depërtim të thellë në historinë shekspiriane të botës komuniste. Më pas, ai nuk do t’i rikthehet më kësaj vene, veç me një tregim për Kosovën dhe, në një mënyrë më fluide, në romanet “Hija” dhe “Spiritus”.
Fryma e “Dimrit të vetmisë së madhe” në mënyrë të pakundërshtueshme ka mbarsur “Koncert në fund të stinës”. Këto dy epope i binden së njëjtës skemë: ngritjes pak nga pak të tensionit, derisa ai shpërthen haptazi në një grindje ideologjike, ngritje që shoqërohet nga shenja pararendëse; një ndërthurje kapitujsh të vendosur në Shqipëri dhe në vendin me të cilin Tirana po prishet, ngjarje të ndjekura nga pasoja dramatike pas tërheqjes së specialistëve të huaj: përmbytje shkatërrimtare te “Dimri i vetmisë së madhe”, aksidente vdekjeprurëse në kombinatin metalurgjik të Elbasanit, të braktisur nga kinezët, në “Koncert në fund të stinës”.
Të gjitha këto janë treguar duke përdorur njëkohshmërinë, gjë që i jep shkrimtarit mundësinë e një ambiguiteti, për të paraqitur në të njëjtën kohë dy situata të ndryshme, duke bërë kështu edhe më thellë radiografinë e shoqërisë shqiptare, për të arritur gjer në sferat më të larta të pushtetit.
Jemi kështu përpara një poeme të gjerë epike, një “Iliade” e një “Odiseje” të botës komuniste, plot me referenca nga heronjtë dhe zotat antikë. Ne nuk kalojmë më nëpër universin tradicional kadarean, por gjendemi nëpër qytete ku shkruhet, por edhe pësohet fati i një perandorie, kufijtë e së cilës kanë nisur të shkërmoqen. Autori nuk vë në lëvizje qenie imagjinare, por përdor si personazhe burra shteti: Enver Hoxha, Mao Ce Dun, Çu En Lai, Lin Biao, Hrushov, si edhe plot të tjerë pa emra.
Ndonëse akrobacitë gjuhësore të “deviatorëve” dhe “revizionistëve” janë gjithnjë të pranishme në prapaskenë të romaneve të tij, nuk janë ato që kanë rëndësi për Ismail Kadarenë. Kryesorja qëndron në përmasat tragjike e absurde të këtyre perandorive të kuqe. Tabloja e parë e kësaj sage fillon më 1960 dhe e dyta përfundon më 1978, një copë shekulli e mjaftueshme për të krijuar një mikrokomedi njerëzore, të vendosur në dy gjenerata.
Dhe çdo herë tërmetet e historisë tronditin jetën private dhe sociale të personazheve, midis të cilëve nja pesëmbëdhjetë prej tyre kalojnë të vdekur apo të gjallë nga një roman në tjetrin. Secili, sipas mënyrës së vet, i paguan një haraç të rëndë historisë, përveç njërit prej tyre, dhe jo më të parëndësishmit, Enver Hoxhës, por që është e nevojshme ta ndjekësh deri në fund të “Koncert në fund të stinës”, për të kuptuar se me çfarë nuancash shkrimtari ia vë në pah figurën.
Ajo që e afron më shumë “Dimrin…” me “Koncertin…” është, ndoshta, përmasa e tyre planetare, ndërtimi i tyre si një “roman total”, një kompozim polifonik, i përshkuar nga rishfaqja në forma të ndryshme nga mediat, satelitët spiunë, vëzhguesit etj., e të gjitha këto, me të njëjtin funksion që kanë kori dhe korifeu në tragjeditë antike. Të trajtoje përçarjet ideologjike dhe në të njëjtën kohë të bëje portretin e shoqërisë shqiptare të viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, nuk ishte e lehtë dhe pa rreziqe, gjë që i solli shkrimtarit jo pak kokëçarje.
Por në këtë ndeshje ai gjeti edhe mundësi lirie të papritura, siç qe armiqësia e regjimit të Tiranës për revizionistët sovjetikë e, më pas, për kinezët, gjë që i lejoi shkrimtarit të shprehte pothuajse hapur, mu në qendër të diktaturës, pikëpamje që ishin më se “jokorrekte” në një regjim që, në thelb, nuk ndryshonte nga ai i Moskës apo i Pekinit.
Ky diptik, në fund të fundit, pasqyron një ankth të thellë, atë të një vendi, banorët e të cilit besojnë se në një çast të caktuar të historisë së tyre do të mund të dalin nga orbita komuniste.
Autori i shkroi këto dy romane, kur një iluzion i tillë dukej i realizueshëm. Historia tregoi se e gjitha kjo s’ishte veç një kimerë e pamundur. Shqipëria nuk do të mund të shqitej nga ky sistem, veçse kur ai të rrënohej më së fundi kudo në Europë.
+++
Shkrimtari e fillon “Koncert në fund të stinës” më 1978 dhe e mbaron atë tre vjet më vonë. Ai do të bëhet shpejt viktimë e historisë shekspiriane të Shqipërisë. Dorëshkrimi ishte dhënë në shtëpinë botuese, kur, në vjeshtë të vitit 1981, kryeministri Mehmet Shehu, numri dy i regjimit, i rënë në fatkeqësi, gjendet i vrarë në dhomën e gjumit.
Ndërkaq, në faqet e “Koncertit…” Kadareja përmend mënyrën me të cilën Maoja, dhjetë vjet më parë, kishte zhdukur zëvendësin e tij, mareshalin Lin Biao. Duke riinterpretuar “Makbethin”, ai shtron pyetjen nëse zëvendësi i rënë nga fuqia, në fund të fundit, nuk i ka duart me gjak po aq sa tirani…
Vetëm për këtë arsye, por, natyrisht, pa u thënë hapur, dalja e “Koncertit…” u gjykua menjëherë si e rrezikshme. Në kohën që romanit (në gjendje dorëshkrimi, siç ishte zakon në Shqipëri) iu dha, në nëntor të vitit 1981, çmimi i parë kombëtar, Kadarenë e thërresin në një mbledhje për t’i njoftuar se, me urdhër të Komitetit Qendror, romanit i ndalohej botimi. Libri cilësohej si “antisocialist, i mbushur me sulme kundër Partisë dhe figurës së Enver Hoxhës”. Ai quhej “sarkastik, racist dhe me një nivel artistik mediokër”.
Censorët nxirrnin si shkas faktin që Hoxha ishte i parë nga një kënd negativ (një telefonatë e tij në fund mbrëmjeje, ngrin atmosferën e një darke), ata e kritikojnë Kadarenë (por ky s’është veçse një pretekst) për faktin që një nga personazhet e romanit bën një pyetje për gjendjen shëndetësore të udhëheqësit në një kohë kur ai ishte vërtet sëmurë për vdekje.
“Koncert në fund të stinës” do të rrijë gati shtatë vjet në purgator, para se të shohë dritën e botimit më 1988, tre vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës. Gjatë kësaj kohe, Kadareja nuk do ta prekë tekstin, përveç disa poezive që do t’i fusë aty-këtu. Dalja e “Koncertit…” në vëllimin VIII të veprave nga “Fayard” në Paris, nuk ka, gjithashtu, ndryshime të rëndësishme: janë bërë disa prerje në pjesën e mikrofonave (temë që ka kaluar në romanin “Spiritus”), si dhe disa shkurtime të hamendësimeve për vrasjen e Lin Biaos. Pjesët ku shfaqet Enver Hoxha, duke rilexuar “Shënimet për Kinën”, kanë mbetur ashtu siç ishin.
Kapitujt për Kinën maoiste ushqehen nga mbresat e një udhëtimi që ka bërë shkrimtari në këte vend, në vitin 1967, në kulmin e Revolucionit Kulturor. Ai vetë ka marrë pjesë në një banket, ku ishin të pranishëm Mao Ce Duni, gruaja e tij Çian Çin dhe Lin Biaoja. Kështu, ai pati rastin t’i shihte me sytë e tij aktorët e faqeve më tragjike të “Koncertit…”.
Delegacioni, ku ai bënte pjesë në këtë udhëtim, shkon në Shangai, në një kohë kur mbahej ende në këmbë seksioni i fundit i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kinës. Ai pa atje agoninë e literaturës: Servantesi, Shekspiri, të gjithë ata shkrimtarë, aq të dashur për të, ishin të ndaluar. Ai do të marrë pjesë në disa shfaqje, ku nëpërmjet simboleve jepeshin mesazhe enigmatike dhe kujton një frazë të Çu En Lait: “Ju doni të kuptoni politikën e jashtme të Kinës? Shkoni në operën e Pekinit”!
Për këtë veper, Kadareja thotë se ai është “pa dyshim, romani im më i lirë”. Aty flitet për botën komuniste pa bërë maskime nëpërmjet alegorive. Akoma dhe një herë, armiqësia e Tiranës kundrejt një gjiganti të botës komuniste i lejon shkrimtarit të shkruajë me një liri të papritur, nën një regjim të tillë. Duke marrë në shënjestër Kinën “armike”, nëpërmjet personazheve si kritiku Zija Shkurti, Kadareja sulmon përvojat politike, të cilat u përpoq t’i vinte në jetë Shqipëria në ditët e saj më dogmatike, siç ishin ato të vitit 1967, kur intelektualët u çuan nëpër fshatra për të qenë afër me popullin.
“Koncert në fund të dimrit” edhe më shumë se “Dimri i vetmisë së madhe”, duke përfituar nga një liri relative e lejuar në fund të viteve shtatëdhjetë, kur ai u shkrua, është një libër kundër vetë thelbit të totalitarizmit. Aty janë përmendur metodat e përgjimit, krijimi i njeriut të ri mitik (kinezi Lej Fen, të cilin nxënësit shqiptarë e mësonin nëpër shkolla në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë, kinse “ditari” i famshëm i tij, i fabrikuar fund e krye), frika që mbretëronte në shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare, si tek anëtarët e PPSH-së, ashtu dhe te të deklasuarit.
Ashtu sikurse në “Dimrin e vetmisë së madhe”, Kadareja bën portretin e një tirani, por këtë radhë ai mundi të fusë në mendimet e tij mendimet dhe kimerat që dëshiron: Maoja transformohet në një qenie hibride, qenie që ka pjesë nga Xhengis Khani e nga Zeusi, dhe që ëndërron në të njëjtën kohë të shtjerë në dorë Europën dhe të modifikojë racën njerëzore.
Ndërtimi i “Koncertit…” është më kompleks se ai i “Dimrit…”. Në të kemi një roman me disa nivele. Në thurjen e tij janë futur disa novela në formën e sinopseve, të skicuara prej personazhit të shkrimtarit Skënder Bermema. Në mend na vjen ndërtimi i “Don Kishotit”, në brendësi të të cilit gjejmë novela që të largojnë për një çast nga filli i tregimit, por që e kapin atë përsëri më pas. Kjo lojë pasqyrash s’ka qëllim tjetër, veçse të ndriçojë romanin me një dritë të re dhe t’i japë atij një mbështetje më të gjerë.
Pesë tekste të tilla janë futur kështu në roman. Por ajo që spikat më shumë në arkitekturën e “Koncertit…” është nocioni i kohës. Ngjarjet që rrjedhin në periudhën e marrëdhënieve kino-shqiptare gjatë shtatë vjetëve, nga 1971-1978, janë mbledhur në disa muaj. Romani fillon me vjeshtën e vitit 1971, kur amerikanët janë duke përgatitur udhëtimin historik të Niksonit në Pekin (fund shkurti i vitit 1972). Aty do të gjejmë të bashkuar në disa muaj ngjarje të tilla, si: vdekja e Çu En Lait (janar 1976), ndërprerja e ndihmave kineze, si dhe largimi i pothuajse pesëqind specialistëve kinezë nga Shqipëria (korrik 1978).
Preket, gjithashtu, vjeshta e vitit 1978: ” Parashikohet që papa i ardhshëm të jetë një polak”.
Tkurrja e kohës së historisë është një orvatje e kundërt me atë që Kadareja ka bërë në vitet gjashtëdhjetë me romanin “Përbindëshi”, ku dhjetë vjetët e rrethimit të Trojës kanë një elasticitet të tillë që përhapen në tre mijë vjet, duke arritur deri në epokën tonë.
“Koncerti…” paraqitet kështu si një libër me shumë përmasa: tragjike, komike, onirike, madje fantastike, falë një personazhi që, i ndodhur në stacionin e Polit, kap bisedat e gjithë rruzullit.
Në faqet e romanit jo më kot është cituar “Finnegan’s Wake” i Xhojsit. Sikurse ai, nëpërmjet shkrimit, Kadareja përpiqet të rigjejë kujtesën e botës. Në çdo rast, këtë qëllim ka vëzhguesi i Polit, i cili ndihet i aftë të shkruajë “librin e botës” ose, më saktë, “delirin e botës”.
Sikurse “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncerti…” është një homazh për Shekspirin, por këtë radhë edhe për Servantesin. Te “Ftesë në studio”, Kadareja hedh idenë e rishkrimit të një vepre të madhe, siç është rasti i “Don Kishotit”. Te “Koncerti…”, ai bën piketimin e një projekti të ngjashëm me “Makbethin”, ashtu sikurse do të bëjë te “Stinë e mërzitshme në Olymp”, për të rigjetur unazat e humbura të trilogjisë që Eskili i ka kushtuar Prometeut.
Kështu, ai heq një vijë paralele midis rivalitetit Dunkan-Makbeth dhe atij Lin Biao-Mao, ku në rolin e Ledi Makbethit do të jetë Çian Çini. Ashtu si te Shekspiri, lexuesi i ndjek ngjarjet te “Koncerti…” në dy përmasa, në atë të të gjallëve e në atë të fantazmave (Koçi Xoxe, Van Meji, hijeve kineze, që u bëhet thirrje). Së fundi, “Koncerti” është një roman me tri kate: sipërfaqja tokësore, qielli (avioni i Lin Biaos, i Gjergj Dibrës apo i Bermemës, zogjtë shtegtues, antenat dhe satelitët) dhe nëntoka e botës: varret e Ana Krasniqit e të Van Mejit, shpella ku Maoja futet për të medituar mbi projektet e tij të “kinezërimit” të Europës.
Duke iu rikthyer përsëri venës romaneske, të cilën regjimi kishte dashur t’ia ndërpriste pas botimit të “Dimrit…”, Ismail Kadareja krijoi veprën e tij më komplekse, më të guximshme, si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja dhe, ndoshta, më të përafërtën me “romanin total” ideal, të cilin çdo shkrimtar ëndërron një ditë ta bëjë.
—————-
Shënim: Titulli redaksional. Artikulli i studiuesit të veprës së Ismail Kadaresë në gjuhën frënge, është parafjalë për botimin në shqipe të romanit “Koncert në fund të dimrit”.
Koncert në fund të dimrit
Ismail Kadare
Botues Onufri
Roman, 474 faqe, 1000 Lekë
Romani “Koncert në fund të dimrit”, i shkruar në vitet 1980-1981, nuk e pa dritën e botimit, veç pas shumë vitesh. Një raport sekret i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, i vitit 1983, duke e cilësuar romanin si vepër antisocialiste, që satirizonte komunizmin shqiptar dhe atë botëror, ka qenë fatal për fatin e tij. Romani u botua më 1988, në prag të rënies së komunizmit. Ky botim nuk ka ndryshim nga versioni fillestar.
Please follow and like us: