Letra e shkrimtarit të madh Ismail Kadare dërguar delegacionit shqiptar në Rambuje
Në pamundësi t’ju them gojarisht disa mendime të miat për atë çka po ndodh e çka po pret gjithë kombi shqiptar prej jush, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër të shkurtër. Një shqetësim i orëve të fundit u bë nxitje për këtë letër, e sidomos deklarata e Madeleine Albright se:
a) nëse të dy palët nuk bien dakord nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi,
b) nëse shkas për dështim bëhen shqiptarët, ndihma ndaj tyre do të pritet.
Besoj se jam në gjendje të dalloj deklaratat që bëhen për arsye presioni nga ato që shprehin një të vërtetë më të thellë. Nga njoftimet që kam dhe nga një intuitë alarmuese, kam bindjen se deklarata e Sekretares së Shtetit të SHBA duhet marrë me seriozitetin më të madh.
Në të dy rastet, pra edhe sikur të dyja palët, serbe e shqiptare, të mos bien dakord, e sidomos në rastin e dytë, sikur faji t’u mbetet shqiptarëve, serbët dalin të fituar. Dhe në të dy rastet, shqiptarët dalin të humbur. Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t’i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë dhe vetë të dalë e larë. Serbët s’kanë ç’kërkojnë më shumë nga kjo konferencë. Për ata do të jetë fitore e madhe. Mendoj se kjo është e mjaftë për të kuptuar se kurrsesi delegacioni shqiptar nuk duhet të bjerë në grackë.
Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vitesh?
Mendoj se tani për tani mund të mbetemi me kaq. Mendoj se vështirë se mund të arrihej më shumë nga një fazë kalimtare. Ky është një shans i madh përpara popullit shqiptar të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Historia shumë herë e ka treguar se jo çdo luftë, sado heroike të jetë, e sjell një shans të tillë. Dhe shanset nuk përsëriten kaq lehtë. Kam bindjen se këtij shansi kurrsesi nuk i duhet rënë me shkelm.
Bindja ime bazohet në faktin se interesimi botëror për Kosovën ka arritur në pikën maksimale. Kurrë më në të ardhmen nuk mund që ky interesim, ky preokupim, ky seriozitet të përsëdytet. Qysh tani ky interesim ka filluar të quhet i tepruar dhe ka zgjuar xhelozinë e disa vendeve dhe popujve. Rrjedhimisht, pas harxhimit të kësaj vëmendjeje, masakra edhe më të mëdha në Kosovë do të zgjojnë vëmendje shumë më të vogël. Bota do ta quajë ndërgjegjen e lartë dhe kjo do të jetë fatale për Kosovën. Jam i sigurt se serbët presin me padurim “jo”-në shqiptare.
Dhuratë më të madhe nuk mund të ketë për ta. Në këto kushte mendoj që të merret ajo që mund të merret dhe të mos kërkohet tani për tani e pamundura. Një konferencë tjetër për Kosovën pas tre vitesh e lë portën e lirisë të hapur. Unë e kuptoj ndjenjën tuaj të përgjegjësisë, e kuptoj drojën se mos bëni ndonjë lëshim që s’duhet bërë. Në këtë rast, më lejoni t’jua kujtoj se unë si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t’jua jepja këtë këshillë, sikur të kisha unë vetë drojën më të vogël se po bëja një faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time. Duke iu drejtuar këtë letër, jam i gatshëm t’i mbroj mendimet e mia publikisht, përpara kujtdo e bashkë me të, të mbroja gjer në fund vendimin tuaj. Ju përfaqësoni sot popullin shqiptar të Kosovës në momentin më delikat.
Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se, të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrokagjoksat e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, bashkë me shpresën se do të më kuptoni drejt.
25 Shkurt 1999.