Albspirit

Media/News/Publishing

Pierfranco Bruni: Është e pamundur t’i shpëtosh Dantes… në 700-vjetorin e vdekjes

Ismail Kadare shkruan: “Planeti ynë është shumë i vogël që t’ia lejojë vetes që të mos e marrë në konsideratë Dante Alighierin. T’i shpëtosh Dantes është e pamundur, njëlloj sikur t’i shpëtosh ndërgjegjies tënde. Asnjë krijimtari tjetër letrare nuk e vendos në këtë pikë ndërgjegjen njerëzore, apo më mirë rëniet e saj në epiqendrën e vet”.

Kadareja ngre një problem disi kulturor dhe të gjerë përveç një vizioni letrar. Dantja në qendër të një Rilindjeje dhe e konsideron si ithtarin e një dimensioni të ri të mendimit europian që arriti ta sintetizojë Perëndimin dhe Lindjen.

Njeri mesoburrë, jo vetëm në këtë plan, por është mendimi në mesin e një shekulli që paraljamëron modernitetin dhe i paraprin kronikës çështjen e thellë të një identiteti mbi të gjitha në çastin kur iku në mërgim.

Kadareja e sjell në jetën e vet dhe jeton me të si shok rruge, në çastin kur edhe ai pësoi dramën e largimit nga vendi i tij. Shqipëria bëhet një ferr për shkrimtarin shqiptar, ashtu si Firencja për Danten.

“Nuk përjashtohet, mes të tjerash, se Firencja ishte zemra e ferrit të tij”, thotë Kadareja duke menduar për Danten. Po ku qëndron pikëtakimi? Të dish ta lexosh Danten jo vetëm përmes analizës së Komedisë, por edhe në tragjedinë që gjendet në shkrimin apokaliptik të një Danteje që e jeton kontradiktën e mërgimit, duke mos e parashikuar atë. E megjithatë Dantja konsiderohet një profet.

Kadareja e lexon Danten si një pararendës të Gjergj Kastriotit, me një komponent të fortë kristian dhe mbrojtës i Perëndimit që përfshin trashëgiminë e Mesdheut dhe të Lindjes. Por si nuk e parashikon mërgimin, duke qënë një njeri politikan me aftësi të forta intuite, pikërisht në përplasjen mes Guelfëve dhe Gibelinëve? E njëjta gjë mund të thuhet për Kadarenë, i cili ka qënë një luftëtar fortë i komunizmit në fillim, por më pas u bë një heretic, shumë kritik aq sa u detyrua të ikte në Francë.

Duke iu referuar vargjeve që Dantja shkroi për Muhametin, Kadareja nënvizoi:”Ndalimi i shkrimit që do ta shoqëronte Danten deri në Ballkan ishte barriera më e sigurtë që mund të ngrinin kundër tij”.

Dantja është i dashur në Ballkan dhe mbi të gjitha në Shqipëri. Një prej studiuesve më të mëdhenj shqiptarë të Dantes mbetet Ernes Koliqi, edhe ky mërgoi dhe jetoi në Romë ku dhe ndërroi jetë. Jo vetëm e solli Danten në Shqipëri me një forcë shpirtërore impresionuese, por e përktheu dhe e komentoi në disa raste.

Dantja është gjithmonë identitar si referim. Koliqi theksoi se për Shqiptarët Dantja ishte shumë familjar edhe në planin gjuhësor dhe analogjitë e Koliqit u bënë kaq themeltare për letërsinë e Rilindjes së re shqiptare. Duke e vendosur si një pararendës i metaforës së udhëtimit midis dy të njohurve Pound dhe Joyce, në një kapërcim që shikon Eliotin në qendër. Me një fjali të vetme, krijon një hark që shkon nga Dantja te moderniteti.

Kadareja e shëmbëllen si një grek që lundron në Mesdhe, duke e konsideruar vetë Shqipërinë pjesë përbërëse të krejt Mesdheut. Fut në mozaikun e kulturës greke ballafaqimin midis Seferisit dhe Dantes, duke shpresuar Itakën e Kavafisit që është toka e gjeografisë së shpirtit. Por Firencja u bë e tillë për Danten. Komedia është udhëtimi i gjatë që të mbërrish në një mërgim të vdekjes, të largimit, të nostalgjisë së fortë.

Edhe Kadareja e ka Beatriçen e vet në Shqipëri që e braktisi. Alegoria e lojës letrare në të cilën nuk është vetëm Ovidi, por i gjithë ndërveprimi mes profecisë së Komedisë dhe braktisjes së atdheut.

Do të thotë akoma Kadareja, ndoshta në ndryshim nga Koliqi, se Dantja

“Duke treguar udhëtimin e tij të vetmuar në botën e të vdekurve, u zbulon bashkëvëllezërve të vet poetë – qofshin rusë, shqiptarë, balltikë apo kinezë – se gjendja e natyrshme e një shkrimtari të madh konsiston pikërisht në udhëtimin i gjallë mes të vdekurve”.

Këtu ndodhet çelësi që e bën të pavdekshëm edhe në historinë kulturore dhe qytetare të Shqipërisë. Mes dyshimeve të politikës del një e vertetë e vetme që është ajo e poezisë, ose e letërsisë me të cilën është e mundur të kapësh planet që duken të panjohura dhe sekrete. Një skalitje që e bëri Danten dhe e bën atë mjeshtërin e së vërtetës.

Qoftë Kadareja, apo Koliqi e konsideruan të tillë. Varrosen të vdekurit që t’i bëjnë të gjallë në udhëtimin e gjallë të Dantes, profeti i kontradiktave politike që e bëjnë letërsinë e Dantes të përjetëshme. Dantja identitar? Sigurisht, Dantja konsiderohet si shenja e një force të përjetshme identitare.

Përktheu Arjan Kallço

Please follow and like us: