FJALIMI I VIKTOR HYGO PARA ASAMBLESË KOMBËTARE FRANCEZE ME 15 SHTATOR 1848: “UNË VOTOJ SHFUQIZMIN E PLOTË, TË THJESHTË DHE PËRFUNDIMTAR TË DËNIMIT ME VDEKJE”
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Prill 2021
“Le Moniteur Universel” ka botuar, të shtunën 16 shtatorit 1848, në faqen n°10, fjalimin e Victor Hugo para Asamblesë Kombëtare franceze në lidhje me shfuqizimin e dënimit me vdekje, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Asambleja Kombëtare
Seanca e së premtes, 15 shtator 1848.
Zotërinj, si raportuesi i nderuar i komisionit tuaj, nuk prisja të flisja për këtë çështje të rëndë dhe të rëndësishme. Më vjen keq që kjo çështje, mbase e para nga të gjitha, mbërrin në mes të diskutimeve tuaja pothuajse papritmas dhe surprizon oratorët e papërgatitur. Sa për mua, do të them pak fjalë, por ato e kanë zanafillën nga ndjenja e një bindjeje të thellë dhe të vjetër.
Sapo keni shenjtëruar paprekshmërinë e shtëpisë (vatrës), ne kërkojmë nga ju që të shenjtëroni një paprekshmëri më të lartë dhe më të shenjtë, paprekshmërinë e jetës njerëzore.
Zotërinj, një kushtetutë dhe mbi të gjitha një kushtetutë e bërë nga Franca dhe për Francën, është domosdoshmërisht një hap për civilizimin. Nëse nuk është një hap për civilizimin, nuk është asgjë. (Shumë mirë, shumë mirë)!
Epo, mendoni pak, çfarë është dënimi me vdekje? Dënimi me vdekje është shenja e veçantë dhe e përjetshme e barbarisë. (Lëvizje.) Kudo që dënohet me vdekje, dominon barbaria; kudo që dënimi me vdekje është i rrallë, mbretëron civilizimi. (Sensacion.)
Zotërinj, këto janë fakte të padiskutueshme.
Zbutja e dënimit është një hap i madh dhe serioz progresi. Shekulli i tetëmbëdhjetë ndaloi torturat dhe kjo është lavdia e tij; shekulli i nëntëmbëdhjetë do të shfuqizojë dënimin me vdekje. (Brohoritje! Po! Po)!
Ju ndoshta nuk ta shfuqizoni sot; por, të mos keni dyshim, nesër do ta shfuqizoni ose pasardhësit tuaj do ta shfuqizojnë atë. (Ne do ta shfuqizojmë atë! Agjitacion).
Ju shkruani në krye të preambulës së kushtetutës suaj “Në prani të Zotit” dhe do të fillonit duke i vjedhur atij, po këtij Zoti, këtë të drejtë që i takon vetëm atij, të drejtën e jetës dhe vdekjes. (Shumë mirë, shumë mirë)!
Zotërinj, ekzistojnë tri gjëra që i përkasin Zotit dhe që nuk i përkasin njeriut: e parevokueshmja, e pariparueshmja, e pazgjidhshmja. Mjerë njeriu nëse i fut ato në ligjet e tij! (Lëvizje.) Herët ose vonë, ato bëjnë që shoqëria të përkulet nën peshën e tyre, ato prishin ekuilibrin e nevojshëm të ligjeve dhe zakoneve, ato privojnë drejtësinë njerëzore nga përmasat e saj; dhe pastaj ndodh kjo, mendoni për të, zotërinj, që ligji tmerron ndërgjegjen. (Sensacion.)
Unë kam ardhur në këtë tribunë për t’ju thënë vetëm një fjalë, një fjalë vendimtare, sipas meje; kjo fjalë, ja cila është. (Dëgjoni! Dëgjoni!)
Pas shkurtit, populli pati një mendim të madh, të nesërmen pasi kishte djegur fronin, ai donte të digjte tribunën (vendin ku ekzekutoheshin të dënuarit). (Shumë mirë! – Zëra të tjerë: Shumë keq)!
Ata që vepronin në mendjen e tij atëherë nuk ishin, dhe për këtë pendohem thellë, në lartësinë e zemrës së tij të madhe. (Në të majtë: Shumë mirë!) E ndaluan të realizonte këtë ide sublime.
Epo, në nenin e parë të kushtetutës që votoni, sapo keni shenjtëruar (kushtuar) mendimin e parë të popullit, ju keni rrëzuar fronin. Tani shenjtëroni (kushtoni) tjetrin, përmbysni tribunën. (Duartrokitje në të majtë. Protesta në të djathtë).
Unë votoj shfuqizmin e plotë, të thjeshtë dhe përfundimtar të dënimit me vdekje.