Albspirit

Media/News/Publishing

Irsa Ruçi: Pse na duhet një ministri për gjuhën shqipe?

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë. Po ju drejtohem juve me anë të një letre publike, jo vetëm si autoriteti më i lartë për të reflektuar përmbajtjen e këtij shkrimi, por mbi të gjitha, duke qenë i pari ministër që guxoi të refuzonte shkresa të cilat i vinin shabllon si letra bakalli, ku shqipja çalonte nga neglizhenca dhe rënkimin e saj shumë pak syresh kishin ndjeshmërinë ta përjetonin. Në një vend që “luftonte për bukën e gojës” shihej luks i tepruar të nxitej diskutimi për fjalën që nxirrej prej gojës; ashtu si nuk hante askënd meraku për gjurmën që do mbetej në kujtesën e gjatë, të mbuluar me dritëhije, të administratës sonëlehtësisht të rishkrueshme me fragmente kohore 4- vjeçare. Pluhuri i padijes dhe mosdashjes për të dalë prej qorrsokakut gjuhësor, kushedi sa shkronja ka ngrënë ndër vite, me idenë se nuk kemi për çfarë të investojmë, kur gjuhën e nënës gjithsesi nuk do e harrojmë.

Por, a do kemi mjaftueshëm paterica për ta mbajtur në këmbë, ndërsa ndjejmë se si na plaket para syve? Shohim si na shket nga këmbët ai taban që e ndjenim të sigurt, por përgjigjja që vjen prej institucioneve përgjegjëse, të cilat për momentin nuk e ndjejnë të arsyeshme të zgjohen nga gjumi, është heshtja. Ka shumë zyra shteti, ojf e ojq, Albanologji e Akademi Shkencash, BibliotekëKombëtare e lloj – soj organizmashqë kanë detyrën të punojnë me gjuhën shqipe dhe ta mirëmbajnë atë, duke u përkujdesur. E vërteta është që po punojnë ndarazi mes tyre, të pakoordinuar, secili dikaster për hesap të vet, duke lënë një boshllëk të madh në thelbin që i bashkon: ta ngjisin shqipen në piedestalin që meriton, jo ta dërgojnë dalëngadalë në greminën e harresës, me pretekstin që asgjë s’po i ndodh. Po ndodh më e rënda: Shqipja po humbet dinjitetin me të cilin është trashëguar në breza. Po humb bukurinë fjala e Naimit, Fan Nolit, Migjenit, Fishtës e Konicës, po vret shpresën shpirti i saj energjik, ai mekanizëm i pashtershëm që sot na dhurohet si pasuri, po shteret tek një grusht njerëzish, tëcilët nuk paskan fuqinë qëtëvetëm t’i japin grushtin atij muri indiference, por si Don Kishotë luftojnë me idealizëm dhe punojnë me fanatizëm për gjuhën amëtare.

Nuk më shqetësojnë fjalët e huaja që secili prej nesh mund t’i ketë pjesë të fjalorit të përditshmërisë dhe ky pohim është i pashmangshëm sado të kujdsshëm të tregohemi. As shkurtesat, ngrënia e ë-ve aty ku nuk duhen vendosur dhe vënia e tyre si bisht ku nuk është e rëndësishme. Natyrisht që sa më shumë dashuri të kemi për shqipen, aq më e lehtë do jetë ta përçojmë atë të pacënuar. Mëshumë mëshqetëson fakti se çfarëpo bëjnë institucionet përgjegjëse për të “edukuar” me themele të qëndrueshme gjithë këto mangësi që vijnë nga përditshmëria.

Ka shumë libra që kapërcejnë pragun e Bibliotekës Kombëtare, por në to gjen gabime drejtshkrimore, aq sa ka dhe faqe libri. Ama, ai material gjuhësor mbetet në fondin e pasurisë më të madhe që kemi trashëguar, edhe i pavlerë, i cunguar, me shqipen e përdhunuar dashakeqësisht: Sepse shtëpitë botuese në emër të fitimit mbyllin sytë dhe i kapërdijnë ato letra pa formë e përmbajtje, e ky zinxhir së keqeje do një dorë që ta presë. Por, duhet  një dorë shtetërore. Një autoritet përgjegjës për të koordinuar punën mes instancave të ndryshme, por që të jetë shtyllë qëndrese për të mos toleruar grykësi. Një dritë që vëzhgon nga lart dhe rregullon mangësitë.

Duhet të jetë detyrim ligjor që shtëpitë botuese të kenë redaktorin letrar, e as një libër që kalon provën e cilësisë, nuk mund ta shohi dritën e botimin pa kaluar nëpër filtrat e vëzhgimit të drejtshkrimit. Përkthimet e teksteve shkollore, apo dhe letërsisë artistike sado të paçmueshme të jenë nga pesha e dijes që përçojnë, nuk mund të jenë fjali tëshqiptuara përbinshëm në përmbajtje, por duhet të shqipërohen dhe mbi të gjitha, të shqiptarizohen. T’i ndjejmë si lëkurë tonën, jo si zhguall mbi kurriz.

 Biblioteka Kombëtare nuk duhet të japë asnjë ISBN pa pasur kontrollin e saj mbi cilësinë, teknikisht së paku, të faqeve që hidhen për konsum në treg.

Albanologjia duhet jo vetëm të nxjerrë tirazhe librash si sufllaqe sa për të mbushur barkun, por lipset t’i japë vlerë memories gjuhësore që koleksionon. Ndërsa Akademia e Shkencave, duhet të kthehet nga një vend ngrënie farash prej “garroqesh politike”, nënjë hapësirënjerëzish që frymëzojnë dhe japin shpresë për të nesërmen shkencore të këtij vendi.

Me shumë modesti do u propozoja krijimin e Ministrisë së Gjuhësisë, apo çdo formë të ngjashme që institucionalizon shqipen dhe vendos dorën shtetërore mbi hallkat përgjegjëse për t’u kujdesur për të dhe për të bashkëvepruar punën. Mund të jetë agjenci, mund të qëndrojë si strukturë pa portofol më vete, mund të bashkohet me Ministrinë e Kulturës, sepse shqipja është mbi të gjitha kultura jonë e përbashkët, trashëgimia më domethënëse që ruajmë. Përmes saj pasurohet në vlerë gjithë memoria jonë kombëtare, e po përmes shqipes do mundemi të përcjellim kopshtin e bukur të trashëgimisë sonë tek pasardhësit tanë.

Një Ministri Gjuhësie është edhe më e dobishme se Ministria e Mbrojtjes. Në kohën që jetojmë, nuk është e nevojshme “të marrim pushkën të dalim malit, të luftojmë për atdhe”, por lufta e vërtetëdo jetë mbrojtja e thesareve, të cilat na veçojnësi shoqëri, nëepokën e përzierjeve kulturore prej “fshatit global” ku jetojmë, duke i lulëzuar me të njëjtën elegancëqëkanë ardhur deri në ditën tonë.

Askush nuk më bind se është kosto për buxhetin e shtetit një ministri më tepër. As pesëdhjetë ministri nuk janë rëndesë për shtetin. Sepse e keqja nuk vjen nga strukturat shtetërore dhe gjithçka ndodh në dritë të diellit, por nga linjat e nëndheshme që lidhin hallka të ndryshme shtetit me botën e krimit, të cilat janë të pamundura shpesh të luftohen dhe kthehen në kancer për shoqërinë. Ndodh në çdo vend, edhe në shoqëri moderne. Vetëm se reagimi i vendeve të përparuara ekonomikisht është që ecin paralelisht me të mirën që mund të ngjizë zhvillim. Dhe e mira merr gjithnjë më tepër peshë e domethënie.

I kemi borxh paraardhësve tanë të mbrojmë shqipen që na e lanë duke nusëruar, për ta veshur me dinjitetin që meriton, jo me rrecka të huazuara në emër të kulturalizmit. Shqipja meriton të qëndrojë në piedestal të identitetit tonë shoqëror e shtetëror, ndaj lipset të kemi vullnetin t’i përgjigjemi me përulësi e shumë vëmendje.

Z. Rama, ju mund të jeni i vetmi kryeministër që do e shihnit seriozisht propozimin për t’i dhënë dinjitet gjuhës shqipe, sepse njëherë e thyet atë barrierë që e nënvlerësonte peshën e fjalës. U takon ta thyeni sërish, sepse është ndër ato investime që kurrë nuk do e humbasin vlerën, pavarësisht pluhurit të viteve.

Please follow and like us: