Albspirit

Media/News/Publishing

DY KRUSHAT E RAHOVECIT QË BETOHEN “PËR BESË, PËR ATDHE, PËR FLAMUR”

Reportazh

 

 

(Shënime nga Rahoveci i Kosovës dardane, më 26 Mars 2021, në pjesëmarrjen e shoqatës “Vëllezërit Frashëri” në një nderim e vlerësim miqësor në Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, në një përbashkim vëllazëror të shoqatave me qendër në Përmet dhe me qendër në Rahovec, të dy shteteve shqiptare në trojet arbërore mijravjeçarë…

 

Sami VELÇANI dhe Flamur HASIMI

 

Ne, vizitorët nga Përmeti i luleve shkuam në Rahovec në një ditë të veçantë, në vlerësimin  me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Rahovec të Kryetarit i Shoqatës “Atdhetare Kulturore “Vëllezërit Frashëri“. Në këtë ditë përkujtohej edhe masakra e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël, genocidi serb kundër banorëve civilë, krejt të pafajshëm e të pambrojtur të kësaj treve me traditë të shquar atdhetarie. Me ftesë të kryetarit të komunës  Rahovecit zotit Smajl Latifi grupi nga Përmeti, përshtatur me rrethanat e kohës së pandemisë nuk i kalonte dhjetë persona: Alma Hoxha-kryetare e Bashkisë, Anila Mihali-kryetare e Këshillit Bashkiak, Aulona Meshini-nënkryetare e Bashkisë, Tomor Kotorri-kryetari i shoqatës atdhetare kulturore “Vëllezërit Frashëri”, Lumo Kolleshi-kryetar i bordit drejtues të shoqatës “Vëllezërve Frashëri”, Sami Velçani-Avokat i shoqatës si dhe Kristjana Ibrahimi-këshilltare në Bashkinë e Përmetit.

Duke udhëtuar për në Rahovec, për ne që e kishim për herë të parë, kryetari i shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, Tomorr Kotorri, mik i hershëm i rahovecasve, na shpjegoi se “ai si një amfiteatër natyral me përmasa të stërmëdha, bashkë me rrethinat është një nga qëndrat më të lashta  e cila shtrihet në jugperëndim të Kosovës me  pasuri e potenciale historike kulturore e me traditë të spikatur, i dokumentuar në gjysmën e shekullit të XIV, në vitin 1348 si një vendbanim  i lashtë antik, arkeologjik  i cili i përket periudhës së hershme iliro-romake. Komuna Rahovec, është një qendër me kulturë dhe traditë sa të lashtë po aq edhe të më vonëshme. Me turizëm rekreativ si kanionet e Luginës së Drinit të Bardhë. Në qendër të qytetit dhe në rrethinat e tij ka monumente historike arkeologjike dhe etnografike të vjetra e të ndërtuara mbi 400 vite më parë. Turizmi kulturor është bazuar kryesisht në trashëgiminë antike, arkeologjike, etnografike si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1791 dhe disa objektete si shtëpi tradicionale, shpella dhe ndërtesa të kulteve fetare të cilat janë të shekullit  XIV dhe të shekullit  XVI, si dhe  të veçanta për nga rëndësia,  janë dhe depot e mëdha të verës, në qendër të qytetit”.

Sapo para nesh u shfaq qyteti, ato ç’na tregoi bashkudhëtari ynë, morën përmasa reale, lugina e bukur me një natyrë mahnitëse, me maja alpine  e mbuluar me kurorën e vreshtave pa fund duke na dhënë një peizazh të një pamjeje magjepse. Në këtë qendër të lashtë dhe të rëndësishme të Kosovës, me arsim, kulturë dhe bujqësi të zhvilluar, banorët e saj janë puntorë dhe mikëpritësa, të dashur dhe të respektuar, të cilët çmojnë vendlindjen dhe atdheun, janë shembull në punimin e tokës bujqësore, në kultivimin e hardhisë dhe prodhimeve të verërave, dallohet në rajon dhe është ballkoni vreshtarisë për Kosovën. Të gjithë po na mundonte ankthi për t’u njohur me këtë realitet që është pjesa e bukur e trupit tonë, mohuar nga padrejtësitë e kohës. Kushdo që shkel në tokën dardane e ndjen peshën e kësaj dite mbushur me emocione, duke pritur të shihnim me sy atë urrejtje makabre që nxit popujt barbarë, të cilët si lukuni ujqërish zaptojnë trojet e lumturinë e më të pambrojturve, nëpërmjet genocidit shekullor sllav.

Mikpritësit, fillimisht Kryetari Shoqatës “Zëri Dardan” Rahovec, zoti Bekim Kelmendi, më pas krysuesin e Asamblesë së Kuvendit Komunal Afrim Dino, Qemal Krasniqi etj, bënë gjithçka që ne të ndiheshim sa më mirë, duke na ofruar çiltërsinë e tyre dhe ofruan njëherazi shlodhje në këtë mjedis ku syri të rrokte kudo diçka që dukej jotja. Ndjeheshe si në një shtëpi të ngrohtë, si një familje ku kujdesi i të gjithve ishim ne, të ardhur nga ana tjetër e kufirit të vendosur nga padrejtësia.

Mbasdite, Kryetari i Komunës Rahovec, zoti Smajl Latifi dhe stafi tij, pritën plot bujari e fisnikëri në ambjentet e komunës miqtë përmetarë, ku natyrisht gostitën me verë e raki të Rahovecit, të njohura në gjithë Kosovën, por edhe më gjerë. Është produkt i tokës kosovare të Rahovecit. Kryetari Smajl Latifi, në fjalën e tij, vlerësoi lart këtë bashkëpunim të frytshëm, këtë respekt të ndërsjelltë e dashuri vëllazërore e atdhetare. Fjalë zemre për miq zemre. Natyrisht këtu e mori fjalën edhe kryetarja e Bashkisë Përmet, zonja Alma Hoxha, në fjalën e saj vlerësoi aktivitetet e tilla, promovuese të vlerave, të një domosdoshmërisë për shtrirjen në gjithë fushat e aspektet e jetës të marrëdhënieve, duke përçuar traditat e kulturën e trevave të tyre bujare, mikpritëse dhe që rezatojnë fisnikëri. Ajo me modesti, tregoi zellin e amvisave të Përmetit me gliko arre, e veçantë e me shije e aromë karakteristike. Çdo folës në këtë aktivitet solli në këtë ambjent të ngrohtë vlera, mundësi të reja bashkëpunimi. Më vonë, kur muzgu po ulej i magjishëm në peizazhin e veçantë rahovecian, të gjithë ulën siparin, duke pritur mëngjesin e nesërm, ceremoninë e dorëzimit të vlerësimit të lartë “Qytetar Nderi” për kryetarin e shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, zotin Tomorr Kotorri. Kështu mikpritësit tashmë kishin një qytetar më shumë, një qytetar nderi ndërsa ne, të ardhurit, një antar dërgate më pak. Na e kishin ‘përvetësuar’ Rahovecarët.

Mëngjesi i 26 Marsit ishte tejet i mbushur me diell, që në horizont shpaloseshin vreshtat, të rregulluara me magjinë duarartë të vreshtarëve me emër të njohur të kësaj zone, që edhe pse natyra nuk u ka derdhur ende gjelbërim të plotë rrezet shndritëse të diellit u japin një kolor tejet interesant.

Ceremonia ishte sa e thjeshtë aq e domethënëse, sepse promovoi bashkëpunimin e dy njësive administrative që nga të dy anët e kufirit, kishin ç’ti jipnin njëra-tjetrës, shpirtin atdhedashës, kulturën e gjerë, fjalën e të madhit Naim Frashëri, filozofinë e dijen tejet të thellë të Samiut e politikën pa kompromis në mbrojtjen e interesave kombëtare të ideologut atdhetar Avdyl Frashërit. Në fjalën  e tij përshëndetëse  të kryetarit të shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, Tomor  Kotorri kishte fjalë zemre.

Përveç falenderimeve për komunën e Rahovecit për kuvendin e saj, për organizimin domethënës ai tha: “Me dëshirën e mirë u kam  sjellë aromë nga vendlindja e vëllezërve Frashëri, freskinë e ujit të bredhave të Hotovës dhe shumëllojshmërinë e trëndafilave të qytetit të Përmetit. Dhënia e ketij çmimi është një nder i madh  i cili te jep gëzim dhe të fal emocion për këtë çmim dhe vlerësim, por është dhe një nderim për mua, që e vlerësoj si nderim që Rahoveci i bën shoqatës ‘Vëllezërit Frashëri’ dhe mbarë Përmetit historik”.

Kryetari i shoqatës atdhetare kulturore ‘Vëllezërit Frashëri’ tha se: “Komuna Frashër, shoqata atdhetare kulturore ‘Vëllezërit Frashëri’,  Bashkia Përmet, Kryegjyshata botërore Bektashiane kanë organizuar në vatrën Naimiane 19 veprimtari kombëtare dhe konferenca shkencore duke filluar nga 18 qershori i vitit 2004 dhe deri tek aktiviteti i netëve naimjane në fund të tetorit 2020.  Ndërsa me ju Rahovecianët kemi punuar dhe bashkëpunuar për 15 vite rresht nga 25 Maj 2008 e në vazhdimësi, ku një ndihmesë për këto veprimtari ka dhënë edhe kryetari i komunës suaj, zoti Smaj Latifi, si dhe mësuesi  i përkushtuar Bekim Kelmendi, i ndjeri Miftar Thaçi, nxënësit e shkollës ‘Mustaf Ibishi’, stafi juaj i komunës dhe në veçanti Qemajl Krasniqi. Ky titull i përket meritave të veçanta në ruajtjen e afirmimin e kulturës mbarëkombëtare. Ishin nxënësit e Rahovecit, Prizrenit dhe të Suharekës atje në prehër të maleve, në vendlindjen e vëllezërve  Frashëri, recituar bukur dhe me pasion për bilbilin e gjuhës shqipe, për poetin tonë kombëtar Naim Frashëri, Ymer  Prizrenin, Avdyli Frashërin-ideologun  e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për filozofin dhe shkencëtarin Sami Frashërin, për atdhetarin At Gjergj Fishtën, Feim Zavalani, Ali Podrimën, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiun, Jorgo Bulo dhe për shumë atdhetarë të tjerë. Këto veprimtari dhe konferenca shkencore nuk u bënë vetëm për të lartësuar këto figura madhore të kombit, por edhe për të kontribuar dhe investuar, për t’i tërhequr vëmendjen të dy qeverive shqiptare, që Frashërin tonë,  kjo Mekë  e shqiparizmës ku falet gjithë populli ynë i nderuar ta kthejmë në një qendër të rëndësishme historiko-muzeale.

Ne vlerësuam shumë interesant grupin simpatik të orkestrës së Rahovecit, me djem e vajza të reja, pasionantë e të palodhur si tepër virtuozë. Mbasi u krye me sukses të plotë ky event, u drejtuam për në Krushën e Madhe, aty ku pritej të vinin edhe Kryeministri i sapozgjedhur Albin Kurti, Presidentia Vjosa Osmani, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj si dhe udhëheqës të pushtetit qëndror e vendor të zonës.

Të shkoje në Krushë do të thoshte të ‘takoje’ luftën dhe luftëtarët, ata që derdhën gjakun për lirinë e tokës shqiptare të Kosovës. Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ishte lufta për liri dhe pavarësi, ishte një luftë që i hapi faqe të re në historinë e saj të përgjakur. Ishin bijtë e saj që rrokën armët për liri dhe pavarësi, ishin këta të rinj dhe të reja dhe gjithë populli i Kosovës, që sakrifikuan gjithçka, edhe veten, që Kosova të çlirohej dhe të fitonte Pavarësinë. Dëshmorët ranë në luftë që të mos u grabisnin vatanin e të parëve. Veçanërisht fjalët e Tomorrit të dekoruar tashmë “Dëshmorët dhe heronjtë nuk ranë për këngë, por u bënë kënga e luftës për liri.  Për lirinë e atdheut është nder të japësh gjënë më të shtrenjtë, jetën. Gjithë këta të rënë, gjithë ky gjak, gjithë këto vuajtje të popullit tonë, dëshmojnë se sa shtrenjtë e paguam lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sonë të dashur”, më krijuan një ndjesi sa festive, aq të dhimbshme, veçanërisht kur u gjetën ambjentin e varreve, ku do të prehen 113 burra e djem të Krushës Vogël, të cilët u mblodhën në një vend, u ekzekutuan, kufomat u dogjën, ndërsa mbetjet e tyre u dërguan në drejtim të paditur që vetëm një logjikë kriminale, sllave, mund ta bënte. Fatmirësisht, gjashtë prej tyre, arritën të dilnin nga ferri serb, duke mbijetuar për të treuar botës një nga aktet më çnjerëzor të pastrimit etnik serb në shekullin e XX. Vrasja e njerëzve të pambrojtur e të pafajshëm, mes të cilëve fëmijë, sanksionuar në konventën mbi të drejtat e fëmijve, të Nju Jorkut, më 20 Nëntor 1989, trajtimi i tyre çnjerëzor, mbi të gjitha ishte një genocid i pastër, shkelje flagrante e konventave ndërkombëtare, të pranuara edhe nga shteti serb. Po ashtu, në mesin e të vrarëve pati edhe njerëz me aftësi të kufizuar, duke shkelur një parim bazë njerëzor dhe duke treguar urrejtjen dhe hakmarrjen shekullore serbe kundër popullsisë autoktone shqiptare. Çka thotë kujtesa e tyre historike vetëm të shurdhërit nuk e kanë dëgjuar, vetëm të verbërit nuk e kanë parë. Kjo hakmarrje racore i ngjante kryqëzatave të mesjetës, ku përveç zhdukjes së njerëzve, që nuk ishin sllavë, shkatërrohej çdo gjë që mundësonte jetën fizike të atyreve që ishin të dënuar të jetonin, pas zbatimit të urrejtjes dhe hakmarrjes shekullore sllave. Flamujt kombëtarë, buqetat me lule, qytetarët e panumërt në sytë e të cilëve lexohej heshtja dhe dhimbja, varret e porsa çelur mbuluar me petalet e kësaj protopranvere ishte trendi i këtyre orëve homazhi, ku secili në subkoshiencën e tij ravijëzonte homazhe e ngjallte kujtime, duke gdhendur në zemër shqipen me dy krerë, simbolin krenar të shqiptarëve në trevat shqipfolëse. Kjo masakër makabre është plaga që rrjedh gjak dhe betimi ynë solemn.

Ne, të ardhurit nga ana Përmeti i luleve përtej kufirit shqiptaro-shqiptar, jemi pjesë e kësaj dhimbje, e kësaj kujtese historike, e këtij apeli për jetën në luftë me të keqen, në luftë me urrejtjen shekullore sllavo-serbe, që është njëherazi primitivizëm anakronik, turpi i botës moderne që na përket. Këto pamje rrëqethëse, këta lotë të hidhur në sytë e Krushës së Vogël, në sytë e Kosovës e kudo në trojet natyrale të kombit tonë, janë betimi ynë solemn për të ruajtur idetitetin tonë, atdheun tonë, flamurin tonë. Veçanërisht i domosdoshëm është që këtë makiavelizëm serb ta gdhendim në kujtesën e kombit. Krimet nuk mplaken, gjaku dhe torturat çnjerëzore nuk harrohen, ato do të jetojnë në kujtesën e shqiptarve si një dhimbje, aq sa do të jetojnë si një njollë turpi në ndërgjegjen e atyre që i shkaktuan. Kur në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” kryetarit të “Vëllezërve Frashëri”, Tomorr Kotorri u përmendën fakte nga bashkëpunimi shumëvjeçar mes Komunës Rahovec dhe ish-Komunës Frashër në Përmet, ajo që më gëzoi më shumë ishte përkujdesja që ky bashkëpunim të shtrihej edhe në binjakëzimin e shkollave, aty ku mbillet fidanishtja e ardhmërisë së kombit shqiptar. Prandaj duhet lavdëruar dhe përhapur masivisht kjo ekperiencë për të kultivuar në botën e fëmijëve tanë të ardhmen, dashurinë e pashoqe për atë që jemi, për traditën e mikpritjes, por edhe urrejtjen për të keqen, për sjelljen barbare e vulgare të fqinjve.

Kur në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël erdhën udhëheqësit e lartë kosovarë, Kryeministri Albin Kurti e Znj. Vjosa Osmani, dërgata nga Përmeti mori vëmendjen e duhur e u nderua prej tyre. Të gjithë e ndjemë veten në familjen tone, në shtëpinë tonë, në dhimbjen e përbashkët. Ashtu pakuptuar kaluan orët. Ne do të na duhej të udhëtonim, mikpritësve të vazhdonin përditësinë e tyre. Ky vlerësim maksimal, kjo ditë përkujtimore solli mesazhin e tyre në ndërgjegjen e secilit prej nesh, mesazhin e Krushës së Madhe e të Krushës së Vogël, të Kosovës martire, në emër të gjakut të derdhur për liri, të betimin për Atdhe e për Flamur. Binte muzgu me një cipë të hollë mjegulle, gati transparente, kur kaluam kufirin e makinat tona u tretën brenda vjollcës së perëndimit. Atdheu ynë i bukur, në dy shtete ndarë me një tra që nuk duhet të jetë në sytë tanë, në trupin e tij që i ka falur Zoti. Dy Krushat e makiavelizmi serb si kryqëzatë mesjetare do të mbeten gjatë brenda nesh dhe kjo ditë që e ngroh dielli i mikpritjes së Rahovecit. Ndaj u mbushëm me një krenari të ligjshme, me një shpresë që mori flatra, me një dhimbje që është betimi për Besë, për Atdhe e për Flamur, për ne e për çdo shqiptar që bukës i thotë “bukë” e ujit i thotë “ujë”. Ne jemi të bindur se Rahoveci dhe Përmeti do ta vijojnë këtë traditë të bukur të miqësisë dhe traditës së lidhjeve dhe bashkëpunimit të shumtë ndërmjet tyre.

 

 

 

Please follow and like us: