Albspirit

Media/News/Publishing

Blerina Ruka: Në mos ka qenë krim, qeveria ka kryer një neglizhencë të pafalshme

Socialistët mundën të ruanin të njëjtën sasi votash si në zgjedhjet e 2017, ndërsa Partia Demokratike shënoi rritje, por jo aq sa për të përmbysur mazhorancën qeverisëse. Kështu u pa se partitë e vogla patën terren të papërfillshëm karshi PS dhe PD, ku këto të fundit dolën më të fuqishme nga këto zgjedhje. Në zgjedhjet e së dielës votuan mbi 1.75 milionë shqiptarë ose 51 mijë votues më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2017 por kjo nuk mjaftoi për ta shënuar si zgjedhje me kuotë të ulët pjesëmarrjeje në historinë e pluralizmit me 46.3%.

Por si ndodhi që PS e thelloi rezultatin?
Në zhargonin politik Partia Socialiste ishte pushtet “dalës”, pra pushtet në fuqi, paralelisht Partia Demokratike ishte pretendente pushteti. Në pothuajse të gjitha zgjedhjet, ka një tendencë të rritjes së numrit të votuesve, e cila për inerci shkon në favor të pushtetit pretendues. Dhe nga përvoja, kjo rritje e e votuesve shkon në kahun e opozitës për t’i ndryshuar drejtimin, për ti dhënë mundësinë e qeverisjes. Statukuoja nuk ka nevojë për mobilizim të jashtëzakonshëm. Konkretisht në zgjedhjet e 25 prillit, kjo masë e re votuesish ishin për opozitën (në shumicë). Përfshirja në masë, mbetet një tentativë për ndryshim e cila është më e madhe se mobilizimi për statukuo. Është kjo një nga kryearsyet që pushtetet “dalëse” (aktuale) mundohen gjithmonë ta pengojnë pjesëmarrjen e lartë.

Kjo u vu re me moslejimet për votim të mijëra votuesve të porsambërritur në territorin e Shqipërisë nga vendet fqinje, me preteksin e karantinës së detyrueshme. Po ashtu, të nesërmen e paszgjedhjeve u denoncua një zhvlerësim në  masë i fletëve të votimit, si një formë e qëllimshme e devijimt të vullnetit të zgjedhësve, shkurt tjetërsim ose vjedhje. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njohu pothuaj 85000 vota të pavlefshme, duke konfirmuar kështu jo thjesht një skandal në vetvete, por një maskaradë të mirëorkestruar elektorale. Të akuzuar nga të gjitha anët janë pikërisht komisonerët e numëruesit e partisë në pushtet (Partia Socialiste). Dhe përgjegjësia për zgjedhje të lira e të ndershme, ku nuk tjetërsohet vullneti i sovranit, i takon plotësisht qeverisë.

Në mos ka qenë krim i vetëdijshëm, mund të cilësohet me plot gojë si një neglizhencë e pafalshme e qeverisë.

A duhet të dorëhiqet Basha?
“Shuplaka” elektorale ndaj PD-së, duhet të çojë në reflektimin  e nevojës për reformim te thellë të kësaj partie. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike duhet të nisë një proces zgjedhor, nisur nga baza për të përfunduar me ristrukturimin e forumeve drejtuese apo kryetarit të ri, nëse ekziston vullneti i mirë që PD të mos mbetet spektatore e fitoreve të të majtëve. Është shume e rëndësishme që marrja sinqerisht e përgjegjësive per humbjen të filloje së pari nga kryesia dhe më pas të shtrihet vertikalisht tek çdo individ. Është me rëndësi miratimi dhe rishikimi i një statuti te ri demokatik ku të ketë konkurencë të hapur apo autonomi të nevojshme të strukturave lokale! Partia Demokratike mbetet aset publik ndaj duhet të sillet si e tillë!

Please follow and like us: