Ermal Mulosmani: Stefan Gajo, simboli i Televizionit Shqiptar
Këto ditë ishte 60 vjetori i Televizionit Shqiptar. Pashë mjaft postime e foto interesante nga figura të njohura në vite dhe më kaploi një ndjenjë nostalgjie. Fëmijë-burra të paveshur mirë, kapërthime hekurash artizani që prodhonin dritë, kamera të mëdha si bina që duheshin dy burra për t’i zhvendosur. Por dhe vajza të bukura e të veshura me shije. Shquhej në ato pamje Zerina Kuke, ylli televiziv i viteve të para, me një bukuri aziatike që edhe sot rrezaton. Fotot ishin ruajtur prej 50 vitesh nga Pali Kuke, operatori dhe regjisori që fiksoi në celuloid një nga perlat e kinematografisë shqiptare, filmin “Udha e Shkronjave” (për të veçuar një) por edhe me mijëra orë film e spektakël, dokumentarë të paharrueshëm si ai për Angelin Prelocajn apo Inva Mulën.
Duke pa ato postime po mendoja, çfarë është Televizioni Shqiptar për mua? Si e njoha unë gjigandin e propagandës dhe institucionin që ishte ekskluzivitet i të përzgjedhurve të nomenklaturës?
Kisha vetëm një qëllim, të përpiqem të fitoj zemrat e njerëzve që do gjej aty përmes ruajtjes së një profili të ulët. Mbaj mend se ndihesha fajtor, shumë fajtor pse jam në atë pozitë. Ulja kokën nga turpi… Çfarë kisha meritë unë të isha aty?! Por paga e lartë e një sërë përfitimesh të tjera bënë që ta pëlqeja çdo ditë e më shumë detyrën. Fillova të njihesha me institucionin, njerëzit…
Ndoshta kjo njohje edhe më çliroi. Njerëzit që punonin në atë gjigand ishin një konglomerat (përzierje) e gjithfarë tipash e karakteresh. Ishte përplot me pijanecë, dembelë, servilë, spiunë e thashethemexhi. Të vjetërve iu ishin shtuar edhe të rinj që përveçse të paaftë ishin edhe të dëmshëm. Shihnin pas çdo artisti apo programi një vjedhje. Gëlonin gjyqet, “armiqtë po vjedhin” dhe ne duhet t’i zëmë. Një situatë absurde, tipike për kohë ndërrimesh epokale…
Gjithçka ishte Departamenti i Informacionit, në atë kohë një zyrë e propagandës së Berishës. Dalngadalë po kuptoja që mbledhjet e mëngjesit të Drejtorisë, të cilat unë i merrja me shumë seriozitet kishin vetëm 30 minutat e para serioze e pastaj ishin një gallatë pa produktivitet. Kur më shihnin që mbaja shënime apo porosi, me siguri nënqeshnin me mua. Mekanizmi ecte me ritmin e gërdallës. Të mos punoje ishe në rregull, të punoje kishe mbrapa gjithë poteren e Dilës (më duket se kështu quhej banakierja e kafes së vogël brenda Televizionit). Vetëm dy aktivitete ishin të detyruara atë kohë: Koncerti i fundvitit dhe Festivali i Këngës. Për fat të keq të dyja këto aktivitete zhvilloheshin në fund të vitit dhe krijonin një farë fryme pune në vjeshtën e vonë. Gjithkushi kishte një ide për Natën e Vitit të Ri. Dikush një film televiziv, një tjetër dokumentar, një tjetër klip. Një sallatë pa ide lidhëse.
Ditët e para të Janarit bëhej rezymeja. Ca shkonin te Dila, ca te kafe “Pergola” e catë tjerë nëpër kafet pak më larg. Pijanecët kishin të vetat. Gërdalla ecte për inerci. Gjatë asaj kohe punonte vetëm Grabocka. Të tjerët e shanin atë. Kryesisht pse punonte. Kisha filluar të zhgënjehesha totalisht, ky nuk ishte institucioni ku punohej natë e ditë për të nxjerrë në eter krijimtari, ky ishte më tepër një institucion thashethemesh e dembelësh. Kështu mendoja deri sa njoha Naçin, operatorin dhe Drejtorin e Fotografisë Stefan Gajo.
Naçi kishte zyrë të veten. Ishte nga fundi i një korridori të gjatë e të errët që lidhte dy godinat, në krah të majtë. Të gjithë kujdeseshin kur flisnin për Naçin, edhe më fjalëshumtët matnin fjalët. Naçi ishte institucioni i ndershmërisë, seriozitetit, punës. Ai punonte çdo ditë, i pavarur nga të tjerët, në ishullin e vet. Kërkesat artistike i kishte si asnjë, skrupulozitetin në punë gjithashtu. Ai kurrë nuk u afrohej atyre që kishin ndonjë ofiq në administratë, ruante për ta veç një përshëndetje formale. Ai nuk ishte dakort me mënyrën sesi funksiononte televizioni, kronikat servile, emisionet mediokre, dembelizmin që kishte mbështjellë gjithçka. Përtej seriozitetit, ndonjëherë lëshonte romuze që shoqëroheshin me të qeshurën e tij karakteristike të zhurmshme. Të gjithë kameramanët, e gjithë teknika, zëri, prapapavija shihnin tek Naçi simbolin e të drejtit, të ndershmit, punëtorit. Shihnin Artistin me A të madhe!
Sa herë që halli do të detyronte dikë për ndonjë borxh dihej kush ishte shpëtimi. Kurrë nuk ktheu dikë duarbosh. Ai burrë i heshtur kur punonte por me mjaft humor e batuta kur ishte vendi për të tilla, do të kompensonte gjithë atë zhgënjim që më dha ai ambient. Pasi e njoha përpiqesha në mënyrë të vazhdueshme për të ndenjur me të, për të folur me të. Kishte moshën e baabit tim por më trajtoi si mik të vetin. U ndjeva i privilegjuar atëherë, ndjehem po ashtu edhe sot.
Të punoje me Naçin nuk ishte e lehtë. Arben Çeku dhe Arben Milo dy nxënësit e tij të kameras e dinë se sa vështirë ishte të pranohej një punë nga Naçi, të merrnin komplimentat e tij. Me kamera në krah vraponte në majë të malit, në zgrip të rënies, në zheg apo në të ftohtë. Dubla pafund deri sa besonte që kishte marrë pamjet e duhura. Pastaj montazhi me po të njëjtat skrupuj deri sa dilte produkti. Kur na ftonte në studio të montazhit mbeteshim pafjalë!
Tashmë Naçi është 77 vjeç. Kam kohë pa e takuar, jeta të ndan. Por jam i sigurtë që do jetë duke punuar në shtëpinë e tij me parafabrikat, atje në “Alidem”, duke sistemuar materiale nga arkiva personale… Kurrë nuk i kursen këshillat për të rinjtë. Vazhdon të ruajë profilin e ulët, të njohë për vlerë punën, ndershmërinë, artin e vërtetë. Nuk i do fanfarat, falenderimet me zë në transmetim televiziv, skuqet si adoleshent nga të tillat. Ai është bash nderi i Televizionit Shqiptar. Të paktën kështu e pashë unë.