Shtypi francez: ‘Festa e luleve’ që i kushtohej Gjergj Kastriotit
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2021
Revista franceze “Mon bonheur” ka botuar, me 10 korrik 1910, një shkrim në lidhje me “festën e luleve” në Shqipëri për nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Për nder të një heroi kombëtar
Festa e Luleve në Shqipëri
Léon Charpentier
Festa e Luleve, për nder të Skënderbeut, zhvillohet në fillim të Bajramit, d.m.th. Pashkëve myslimane. Ka këtë karakter të veçantë, e festuar nga shqiptarët, të cilët janë muhamedanë (myslimanë) dhe të lidhur me Turqinë, për të festuar kujtimin dhe bëmat e heroit të madh kombëtar që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqve.
Një natë para Festës së Luleve, burrat e Shqipërisë, të gjithë luftëtarë, mblidhen së bashku dhe pleqtë u tregojnë të rinjve historinë e Skënderbeut, e cila është përcjellë nga brezi në brez.
Emri i vërtetë i heroit është Aleksandër Gergj Kastrioti. Babai i tij ishte një nga zotërit epirotë të cilët u nënshtruan nga Sulltan Amurati II ose Murati II; dhe ai u detyrua t’ia dorëzonte të birin pushtuesit si një premtim të besnikërisë së tij. Kastrioti u rrit në fenë myslimane, në oborrin e Muratit. Trimëria e tij dhe gjeniu i hershëm ushtarak e mahnitën Sulltanin, aq sa ai ia besoi, kur ishte vetëm njëzet vjeç, një ushtri të fuqishme për të shkuar dhe pushtuar Serbinë. Ishte rreth vitit 1424. Por papritmas babai i tij vdiq. Dhe, me nxitjen e shqiptarëve, Kastrioti braktisi turqit dhe u kthye për ta vendosur veten në krye të shqiptarëve; Në fillim ai kishte vetëm treqind ushtarë.
Një rapsodi shumë e vjetër tregon se si ai shpiku një mënyrë për të marrë Krujën, kryeqytetin e Shqipërisë, të mbajtur nga turqit. Të gjitha shtëpitë, gjatë Festës së Luleve, kumbojnë me këto tinguj heroikë.
“Djali i ri dhe i lavdishëm i Shqipërisë hyn me guxim te sekretari i tiranit.
— Çfarë dëshiron, Skënderbe i lavdishëm? thërret shërbëtori i Muratit.
— Më thërrit Kastriot shqiptari! tha i riu me krenari. Tani e tutje nuk do të kem tjetër titull dhe emër.
— Mos vallë je i dehur për herë të parë?
— Jam i dehur nga hakmarrja, dhe kam etje për liri!
— Ti je më shumë se i dehur: ti je i çmendur!
— Ulu qetësisht para tavolinës, sekretar me mendje të rëndë. Shkruaj një urdhër për guvernatorin e Krujës dhe rekomandoji atij të dorëzojë kryeqytetin e Shqipërisë në duart e mia përndryshe do të dënohet me vdekje.
— Kurrë!
— Po, menjëherë. Ja! ky është tehu i shpatës sime kundër fytit tënd. A e ndjen të ftohtin vdekjeprurës? A e di se kjo shpatë nuk heziton kurrë? Shkruaj! Shkruaj urdhrin.
Tani, me urdhrin e shkruar, Kastrioti rend me galop drejt Krujës së shtrenjtë, qytetit, nënës dhe atdheut të tij.
— Hej! guvernator! A di të lexosh”?
Në mbrëmje, Kastrioti dhe treqind shqiptarë kishin shfarosur garnizonin turk.
Kjo ndodhi në 1443. Ali Pasha erdhi, me një ushtri prej dyzet mijë burrash, për të rimarrë qytetin; pothuajse të gjithë turqit u masakruan. Disa herë vetë Sulltani e rrethoi Krujën; dhe gjithmonë Kastrioti asgjësoi ushtritë e tij. Kastrioti vdiq në 1467 dhe Shqipëria u rikthye në një anarki e cila përsëri ishte fatale për lirinë e saj.
Pasi luftëtarët kanë kaluar natën duke kënduar lavdinë e heroit kombëtar, gratë në agim ngjiten në tarracat e shtëpive. Ato mbajnë në duar shporta plot lule dhe simbolikisht i hedhin ato, si drejt tokës ashtu edhe drejt Lindjes.
Midis këngëve antike, të cilat ekzistojnë me bollëk në Shqipëri dhe Maqedoni, ka një që shpjegon këtë simbolikë poetike.
Gratë këndojnë, duke hedhur lule:
“Ti ishe i ri si trëndafilat dhe i bukur si agimi, o hero, kur ti u shfaqe fitimtar para vajzave dhe nënave të Shqipërisë, ti ishe i sinqertë si vesa dhe i fuqishëm si dielli që lind.
Ti ndriçove natën ku gjithçka ishte zhytur. Djepet dridheshin nga gëzimi, fëmijët e vegjël belbëzonin këngët e çlirimit, varret dridheshin nga shpresa.
Sot djepet gjallërojnë dhe varret janë përgjithmonë në gjumë, lule, bieni butësisht në zemrën e Shqipërisë, në zemrën e heroit”!
Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën e saj të luleve Kastriotit. Lule vërtet bien, por ato thahen dhe, sa herë që popujt e tjerë ballkanikë ngrihen kundër turqve, shqiptarët do të radhiten përkrah shtypësit.
Megjithatë një pasardhës i princërve të Shqipërisë po formon, atje, disa komitete sekrete për një rilindje kombëtare. A do të ketë sukses? Lulet bien dhe ato thahen.