Albspirit

Media/News/Publishing

Ukshin Hoti: Atdheu mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe

Mendime të Ukshin Hotit

…Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.

…Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.

…Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.

…Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.

—————————-

Ukshin Hoti u lind më 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore (tetë vjet) e mbaroi në fshatin e tij, ndërsa Shkollën Normale (pesë vjet) e kreu në Prizren edhe në Prishtinë. Më pas vazhdoi studimet në Zagreb në Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ato pasuniversitare në Beograd, drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare. Pasi jep dorëheqjen nga posti i Ministrit të Jashtëm të Kosovës shkon në SHBA, për t‘u specializuar në Universitetin e Çikagos, të Harvardit në Kembrixh-Boston dhe në Uashington D.C. Që nga fillimi i viteve ‘70 e gjer në rënien e tij në burg 1981, ka ushtruar disa funksione me peshë të veçantë politike e arsimore. Ka qenë anëtar i të gjitha forumeve federale të Jugosllavisë që merreshin me politikë ndërkombëtare. Në Kosovë, përpos funksioneve politike, ka qenë edhe ligjërues në Fakultetin Juridik e Sociologjik. Ishte i pari politikan që vuri themelet e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me SHBA-të, me Shqipërinë e me vende të tjera perëndimore. Në vitin 1981, ishte i vetmi që e përkrahu hapur Republikën e Kosovës, edhe si politikan edhe si intelektual. Qëndrimi i tij kombëtar e demokratik në vitin 1981 ishte një shembull i papërsëritshëm për proceset demokratike në hapësirën e Evropës Lindore komuniste. Në atë kohë, Kosova bashkë me Poloninë filloi të lëvizte drejt dritës, drejt një të ardhmeje të natyrshme demokratike që u takonte edhe popujve të kësaj pjese të Evropës. Por shteti komunist jugosllav, me ndihmën e pakursyer të ish-establishmentit të atëhershëm të Kosovës nuk ngurroi ta dënojë Unkshin Hotin me nëntë vjet burg. Pas daljes nga burgu, shteti komunist e izolon plotësisht. Ndonëse ishte i braktisur prej të gjithëve, sulmi ndaj tij filloi edhe në pikën më të ndjeshme të njeriut. I shkatërrojnë pa mëshirë familjen. Natyrisht, ky ishte një mësim i kursit të famshëm dhe të pashembullt të shtetit të kuq sllavë ku nuk mungonin as shqiptarët e mjerë. I lodhur më 1990, Ukshin Hoti vendos të shkojë në Lubjanë. Atje punon në revistën “Alternativa”, “Republika” etj. Më vonë nxjerr revistën “Demokracia autentike” të cilën e drejton vetë. Por pas një kohe të shkurtër i bllokojnë revistën me metoda financiare. I papunë kthehet në Kosovë. Nën trysninë e studentëve të Universitetit të Prishtinës, pranohet më në fund në fakultet, ku kishte qenë edhe më parë. Më 1993 e kryen edhe dënimin e dytë për shkak se e kishte thyer kordonin e policisë speciale serbe te Bërryli i Nagafcit me disa qindra bashkatdhetarë. Policia speciale serbe nuk kishte dashur t‘i lejonte ata që t‘u bënin homazhe dëshmorëve të demokracisë të rënë më 27 janar 1990 në Brestofc. Në prag të zgjedhjes së tij kryetar i UNIKOMB-it arrestohet sërish, e kësaj radhe dënohet me pesë vjet burg, gjithnjë me arsyetime tashmë të njohura të shtetit kriminal serb. Lufta në Kosovë e zë Ukshin Hotin në burg. Më 16 maj të vitit 1999 ai është parë për herë të fundit nga shokët e burgut në Dubravë dhe po këtë ditë, pra, një ditë përpara se të përfundojë vuajtjen e dënimit, një ditë përpara se të mbushë pesë vjet burg. Ukshin Hoti është nxjerrë prej andej me dy përcjellës. Që nga 16 maji askush nuk di asgjë për fatin e këtij njeriu të madh…

Please follow and like us: