Fritz RADOVANI: In memoriam, Pjetër Meshkalla (21)
“E, dyert e ferrit nuk kanë”…
Kaluen pak muej pranë asaj peme ku rrinte Pader Mëshkalla dhe njëditë, papritë, aty pranë ndalohet një xhips. Zbresin dy xhelatë dhe drejtohen nga oficeri i rojës për me ditë se cili asht Pader Mëshkalla, i flasin dishka në një anë dhe drejtohën nga Patri (mbasi kështu e thirrnin policët), dhe e marrin me vete… Ku e çuen? Çfarë kishte ndodhë? -Askush nuk mori gja vesht deri në darkë kur u kthyen të burgosunit nga puna… Kishin hy në zyrën e drejtorit te kampit dhe kishin kërkue nga Padër Mëshkalla mos me shkue ma në punë tek kryporia, por me u angazhue me përkthime në një dhomë të veçantë, sigurisht mbrenda kampit. Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjërmane dhe do t’i sillej nga Tirana. Bahej fjalë për veprat origjinale të materializmit… Por P. Mëshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, nuk i le me vazhdue bisedën tue ua ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me këte punë mbasi nuk i jap as rinisë, as pleqëve, të përkthyem me dorën teme helmin e marksizëm – leninizmit, atë helm kundër të cilit jam kenë gjithë jetën teme”!
Atëherë, ata e pyesin: “Çfarë punët tjetër di me ba ti?” –Ai u përgjegjët: “Vetëm Meshtar!”. Ata prap ngulin kambë: “Po tjetër punë shka di?” – Pader Mëshkalla u përgjegjët: “Vetëm me thanë Meshë!”. –Po mirë, mbas meshet, me shka je marrë në shtëpine tande? –Vazhdojnë ta pyesin ata. “Jam marrë me lule” – u pergjegjet Mëshkalla. He pra, sa mirë !..- i thonë ata, – Këtu para kampit ke me ba një lulishtë. Punët e randa do t’i bajnë tjerët, ti vetëm ke me u kujdesë për lulët, ndërsa, në kohën e drekës dhe të darkës ke me shpërnda në tavolinat e mencës rriskat e bukës për të burgosunit.., një punë e lehtë, por që Pader Mëshkallën e kalonte pothuej puntorë pranë mencës së kampit. Qé misteri! Sigurisht… ishte Zoja që po vepronte, e që Ai kishte aq devocion në Té.
Tashti edhe Ganxhja, kushrina e Tij, nuk mund ta ndiqte ma, ishte shumë plakë e shkreta dhe nuk mund të merrte ma rrugët e gjata, të largëta, të vështira, me shpenzime e plot strapaca, që mund t’i përshkruente vetëm nana eme. Ajo i ka provue të gjitha tue shkue ndër kampe anë e kand Shqipnisë, prej derës së burgut të Kuvendit të Fretënve në 1946 e deri në të famëshmin Spaç, në 1977.
Kur erdhi nga kampi i Vlonës, nana ishte e gëzueme se kishte pa Pader Mëshkallën tek lulishta para kampit, dhe e kishte përshëndetë dhe ishte dukë mirë me shëndet. Ai i kishte tregue mbas telave me gjema se merrej me lule.., dhe nuk shkonte ma ndër kanale e punë të randa… Polici e kishte lejue me folë këto pak fjalë.., mbasi Atij nuk kishte kush t’i shkonte ma atje me e pa, sepse tashti nuk guxonte ma asnjëri me iu afrue atij vendi… Asht vështirë sot me u kuptue nga ata që nuk e kanë provue në sofren e vet, fjalen “lufta e kllasave”…
Një ditë, kur Pader Mëshkalla po merrëj me lule, kishte shkue në Vlonë drejtori i burgjeve të Shqipnisë. Ishte afrue tek Mëshkalla dhe e kishte pyetë: “Pse punon kaq bukur, pra, ti edhe nuk na don aspak né?!” – Pader Mëshkalla iu përgjegj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak, por më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me lavdue punën e armiqve tuej!” Cila kulshedër komuniste mund të priste këto fjalë?
Ai mbështetej mbi atë parim për të cilin edhe kujtohej prej shumë qytetarëve, të cilët dikur besoj e kishin dëgjue zanin e fuqishëm të Tij, tue ushtue prej predikatorës së jezuitëve t’ asaj kohë: “.., E dyert e ferrit nuk kanë me fitue.., nuk kanë me fitue .., e pra, nuk kanë me fitue!..”
Kushedi, sa herë e përsëriste këte shprehje të At Meshkallës, i nderuemi Gjovalin Prendi, i cili ndër shumë kujtime të Tij imitonte zanin e fortë dhe mimikën e Tij, ashtu si e kishte pa e dëgjue në predikatorën e Kishës së Jezuitëve, kur ky ishte kenë student në gjimnazin e tyne në Shkoder.
Koha me të vertetë që ecte e merrte me vete shumë kujtime…
Dukej se gjithshka shkon drejt humnerës së harresës, por jo!
Edukatorët e Rinisë Shqiptare dijtën me daltue në Shpirtin e saj dashuninë per Atdhe, dije dhe kulturë Europjane, po mbi të gjitha virtytet e pashlyeshme në kujtesën e Tyne, mbetën të paharrueshem daltuesit dhe edukatorët e perjetshëm!
Melbourne, 18 Maji 2021.