Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “Kur malli bëhet mal”

Vjersha nga Bixhili i fshatit të gurtë
Ja që ka edhe vjershëtorë të dashuruar me fjalën, si Leonard Bixhili, i cili nuk pretendon se është poet, po megjithatë nuk i largohet vjershërimit, si të ishte një pasion i shenjtëruar aty, ne vendiin e 40 kishave, në fshatin e gurtë të Dhërmiut. Me tre libra të shkruara me nostalgji për këtë ‘Kështjellë’ natyrore, mbi gurë të rrokullisur nga Mali i Çikës dhe nga Mali i Vetëtimave! Po, nëse në librin e parë të tij ‘Val’ e Bregut, Valë’ shprehet për valët e detit që lagin e thërmojnë gurët atje poshtë bregut, në të dytin ‘Pentagramet e shpirtit tim’ merret ma atë ndjenjë poetike që i ka lindur po atje, ku shkëmbinjtë mitologjikë mbajnë mbi supet e tyre fshatin më të bukur të Shqipërisë, ndërsa në librin e tretë ‘Kur malli bëhet mal’ është e gjithë dashuria e tij, e kthyer në nostalgjinë e një mërgimtari, që e ka ndërtuar edhe ai konakun e vet mbi këta gurë e shkëmbinjë të rrokullisur e mbetur po aty nga shekujt, si në një ‘ballkon’ të lakmuar, mbi detin e paanë të Jonit blu, bregut të të cilit shtrihet qyteza e plazhit më piktoreskë e më të lakmuar për gjithë sa vijnë aty, nga brënda e nga jashtë…
Pinjolli i Bixhilajve…
Do të ishte e pamundur që në këto libra, Leonard Bixhili, të mos kishte vjersha, para së gjithash, për Petro Markon e mëvetshëm, të madhin e letrave shqipe, që lindi e prehet, po mbi këta gurë, sikundër qe edhe dëshira e tij, për ta rrahur erërat e malit e të detit, trazuar me aromën e agrumeve aty, jo shumë largë ‘Shpellës së Piratëve’!… Diku, edhe në afërsi të këmbanores, që i pret vetëtimat. Aty ku edhe ‘shtrihen’ të parët, kapedanët e detit e të steresë, me kokalle të patretura, rrëzë këtyre gurëve…
Po ky njeri i thjesht që shkruan vjersha, si t’i nxirrte po nga gurët edhe ato, s’ka si mos të krenohet edhe për të parët e tij Bixhilaj, që ishin nga ‘Dera e Parë’ e Drimades (Dhërmiu i sotshëm), të pushkës e të dijes e që 300 vjet më përpara shquheshin për mëndjen e tyre të ndritur në përpjekjet e gjithanshme, për ta patur përjetësisht të lirë e të mëvetshme krahinën e Himarës. Patriotë, me bëma dhe me karta të shkruara nëpër kancelari të Europës e të Rusisë së Largët, ngado që mund të vinin edhe armët e mbrojtjes së vatanit. Në librin e autorit grek Kostas Haxhiantoniu ‘Himara, kështjella e pamposhtur…” v, 2002 faqe 61 shkruhet se “në vitin 1759 kapedanët e përfaqësuesit e Himarës nënshkruajnë një letër të re për Careshën Ruse Elisabetë dhe dërgojnë si përfaqësues të tyre Arkimandritin Anthimo Vasiliko dhe Kapedan Pano Spiro Bixhili, që gjendej në shërbim të Venetikut, sepse,-shkruhet aty, ata e e kanë prejardhjen nga familje të mëdha e të pasura , si edhe dinë të flasin gjuhë të huaja”. Po në vitin 1790, përsëritet e njëjta gjë. Dhe në grupimin e atyre himariotëve që i shkruanin letër Careshës Ruse Elisabeta Petrovna, për mbështetje e armë, qe përsëri edhe Pano Bixhili, i cili ishte me gradën e oficerit të ushtrisë ruse, ashtu sikundër qe edhe Kostandin Gjika nga Qeparoi, i cili u shqua si komandant i një reparti të ushtrisë ruse në luftën ruso-turke, po edhe si piqerasioti Kostandin Mikele në ushtrinë e Mbretit të Napolit. Me anë të Pano Bixhilit nga Dhërmiu qe e fliste dhe e shkruante gjuhen ruse, (sikundër dëshmon edhe studiuesi nga Shën Vasili, Minella Gjoni në librin e tij “Se jam nga Bregdeti…”, v, 2004 faqe74), bregetasit i shkuanin Careshës Ruse Katerinë, që të ndihmonin kapedanët himariotë, në luftën kundër turkut, duke i thene se mund të mblidheshin edhe 20,000 trima luftëtarë, kundër Portës së Lartë, jo vetëm për të rezistuar, po edhe për të ruajtur autoniminë e Himarës. Për fatin e keq, Caresha Ruse, si e lexoi letrën e tyre, dërgoi , jo armë, po vetëm një këmbanë kishe, e cila u vendos në Kishën e Kudhësit. Dhe vjershëtori popullor i asaj kohe do te shkruante: “Ç’u përpoqnë natë e ditë/Por na errdhën kakërdhitë…/Careshë bijë e Lanetit,/ S’ta pat borxh Bregu i detit…”. Po Pano Bixhili, megjithatë , mori kontakt edhe me admiralin e flotës ruse, qe ndodhej në ujrat grek, Aleksej Orlovin, po për këtë mbështetje patriotike që ishte ngarkuar me mision nga bregdetasit e tij… Nuk qe i rastit edhe emërimi i Pano Bixhilit si Konsull Rus në Arta, duke përfshirë Himarën e gjithë Shqipërinë (sipas një dokumenti të Arkivavës Ruse (“Rusia dhe Pashallëqet e Shqipërisë -1759-1831). Po në këtë dokument (f. 26) shkruhet se  “në vitin 1806, për herë të parë, në Historinë e Shqipërisë u themelua në tokën e saj, në Vlorë, Konsullata Ruse. Si konsull u emërua Zaharia Bixhili, shqiptar-himariot, pasardhës i një familjeje të njohur, e cila i shërbeu oborrit rus, në kohën e luftës ruso-turke (1768-1774).
Leonard Bixhili, pinjoll i kësaj familjeje me ‘rrënjë’ Dhërminjase, nga këta gurë e shkëmbinjë s’ka si mos të krenohet, për vete e për fshanë, që të parët e tyre ditën të bëjnë edhe histori të patretshme, nga kohët që do të vinin…
Nostalgjia
Dhe sot, ky djalë i Bixhilajve, i duhet të lërë fshanë e të marrë kurbetin. Dhe shkruan libra. I prekur nga malli e nostalgjia për këta gurë! Ja si e nis poeti mallin nostalgjik për Dhërmiun: “Shtëpi të stisura njëra mbi tjetrën,/kush i projektoi vallë?/Gërshetim epokash, e reja me të vjetrën/dhe shkëmbinj të thepisur që bien thikë mbi det./Mali i Çikës të rri kurorë mbi kokë,/ullinj, agrume me rrënjët mbi gurë…/për ty gjithmonë do ndjej dhembje dhe mall,/për ty njëmijë herë do lindem/dhe njëmijë herë do vdes…”! Ai thotë më tej se shkruan vargje, pa qenë poet, se në veshët e tij vijnë zëra, tinguj, melodi të hershme që e bëjnë të këndoj e të shkruaj vargje pikëlluese, sepse e ‘treti meraku’ në mërgim, ëndërra e djalërisë ‘e djegur’, në fshatin e lënë shkretë, ku edhe ‘vdekja vjen e ëmbël’, me një kortezh përcjellës ‘sikur të kesh qënë mbret’! Me një realitet të ndryshuar, midis së mirës e së keqes, po këtë herë ‘midis armiqëve imagjinarë, që s’erdhën kurrë në shteg’,-dreqi ta marrë,-thekson ai, pa u mbyllur të gjitha plagët… në një fshat tashmë ‘të vdekur’, mbetur në vetmin e tij të gjatë në dimër, kur edhe kalldrëmet e sokaku marrin hijen e zymtë të braktisjes! Poetin e pështjell, hera-herës, pesimizmi i asgjësë, largimi i së ëmës nga jeta e mbrapsht e i duket sikur edhe ai ka vajtur pranë saj. “Përsëri kokën mbi gur do ta ketë”,-thotë ai… Ndërkohë që porsa ka filluar të ndjejë se, edhe ‘vaji i kandilit (për të) është sosur’! Në këtë realitet tjetër shoqëror që ka trokitur edhe tek ne!
Vihet re një rënie shpirtërore, mpleksur me mallin e largimit. Ja merë shpirtin nostalgjia e vendlindjes… E merrë tmerrësisht malli këtë njeri tek e sheh veten syrgjyn! “Se edhe nata n’ato vënde ngjan tjetër natë,/hëna , xixëllonjat dhe yjet ndriçojnë,/këtu qiellin e mbulojnë oxhqet e lartë,/këtu yjet dhe xixëllonjat nuk ekzistojnë”! Nostalgjia që e rrëmben pa pre, e bëjnë t’i ndjejë gjërat deri në intimitetet e tyre më të qënësishme, kur shprehet se “Opingat dhe tërkuzën do mbaj nga gratë e bregut kujtim,/fustanellën dhe ogranë e gjyshërve që historinë pranë të ndjej…”, për ta kthyer në “muze” gjithëçka përreth tij…! “Më sillni një copë shkëmb,-thërret ai/nga ai që rreh dallga, /të llafosem me të/sa t’më zërë darka…”, sepse “më plaku vetmia”,-përfudon dhimbjen e tij…Mirëpo kjo vetmi bëhet dhe më tragjike, kur poeti kthehet e i ngjan vetja si i huaj në fshatin e til. “S’u mbaj mëri sokakëve që s’më njohin,/kanë të drejtë, e quaj,/shkuan vite që “rallë e për mall”më shohin,/u bëra i huaj!,,,/Për të gjithë nuk jam më gjallë, ndaj dhe s’pyesin/Për të gjithë kam vdekur dhe po më mbushin procesin,/O Zot na ruaj!” Dhe do ta shohë veten nën rrënojat e gurrëve të kështjellave të lashta, ku “nëntoka fsheh heshta dhe eshtra kali”! Vizioni poetik bëhet më transparent dhe ai shehë “Si dridheshin gurët, kur shkonin kapedanët,/kaluar në kuaj të gjithë me shalë,armët në sup, në mes varur gjerdanët,/fustanella e bardhë shpalosur palë-palë”. Po përmëndet përseri e merrë sokaket e boshatisura , mëtëlartë fshatit të tij, ku dë gjejë vetëm “dyer të mbyllura, tek tuk ndonjë plakë,,/ngrirë si bust, duke pritur në shkallë…”.
Erotika
Po, si në gjithë poetet e Bregut, që nga Neço Muko, Andrea Varfi, Aleks Çaci, Petro Marko, Llambro Ruci, Nase Beni, Lefter Çipa (me të birin e të nipin), Ilirjan Zhupa, Agim Mato, Stefan Martiko, Llambi Gjikuli, Lefter Vogli, Viktor Qurku, Vasil Gjivogli, Odise Goro, Robert Gore, Koço Mërtiri (me të bijën Margaritë), Petraq Pali e me rradhe, ku më shumë e ku më pak, është edhe ajo ndijesi që u lehtëson vargun e i jep frrymëmarrjen lirike poezisë së tyre: EROTIKA! E kështu, do t’i harrojë edhe dertet!
Polemika
Mirëpo poetët, asnjëherë nuk janë të njëanshëm,indiferentë dhe sehirxinjë të jetës. Janë dhe mbeten qytetarë të vëndit të tyre, që u dhëmb shpirti për gjithëçka ndodhë aty, përreth tyre. E nuk mund të mos e thonë edhe ata fjalën e tyre. Ai shikon e ndjenë se, jo gjithëçka është e shkon mirë, kur nis e këndon: “O Himarë, legjendë e tërë,/histori më vete bërë”.Ai thotë më tejë se, hallet e tij në jetë, janë kaq të shumta… Si “tepsi me ruaza shumë, shumë herë pa bereqet”!, ku i është dashur të bëjë edhe “Luftë me njerëz e me kafshë,/me drejtorë e sekretarë,/brigadjerë e shefa bashkë,/trupin lodhur, shpirtin vrarë./Mora brinjët me zvarritje,/se armiqtë m’u bënë ferrë,/u mësova të bëj qitje,/në transhe e bunkerë./I prita , por s’errdhën kurrë/këta armiq imagjinarë,/sot i bëmë miq, more burrë,/ta marre dreqi ta marrë!”. Por ai thote më mbrapa se: “Lufta vazhdon e ashpër nga të dyja palët,/populli fukara bën sehir rivalët, …/ku kemi parë, ç’më thoni ju, të tillë shtet,/krimineli dhe hajduti të zgjidhen deputetë!” e, më tejë, shprehet për djegien e mandateve nga opozita, braktisjen e parlamentit, “bisedat e saj” me bomba “Molotov”! I papajtueshm me asnjë lloj dhune..”Në viset e mia,-shkruan ai,-janë ringjallurr legjendat,/janë dukur përsëri tek- tuk piratë,/që s’vijnë nga deti me anije me vela,/por vijnë nga stereja me fouristradë,/…Presin pemë e shkulin ullinj shekullorë/që të parët i kanë ngritur me djersë,/eh, të ishte gjallë Petro Marko i gjorë,/të shkruante tek “Shpella e piratëve” një shtesë,/për këta piratë të steresë”. Në një tjetër vjershe qe ai e quan “Moj Demokraci” thotë se i është mbledhur një “lëmsh në grykë”, kur sheh tregëtarët e drogës dhe të rinjë që vdesin për ditë prej saj, kur shtrihet “rrjeti” i fukarenjëve, aqsa nuk arijnë të blejne ilaçet e të paguajnë edhe dritat, , se vidhen ose shpërdorohen miljona, se vriten qindra të tjerë e kriminelët zhduken, se hidhen në det përditë rrjetat për kapjen e “peshqëve te mëdhenje”e kapen vetëm cironka!,Dhe polemika e poetit shkon ca më përtej vëndit të tij, tek “të mëdhenjtë e globit që “merrni vendime me dyer të mbyllura!”. Dhe kërkest e tij janë njerëzore, kur aq thjeshtë kërkon “të jetoj si njeri” në vendin e tij.
Kredo
Bela me poetët! Nuk ka ‘receta’ për ta, as vërejtje e sugjerime nuk u bënë dot! Sepse ai shprehet si do vetë, me ato qe i’a thotë shpirti, pa rregulla të metrikës së vjershërimit. Aty ai vendos shpirtin e i’a thotë këngës. I dashuruar me tepër, me vargëzimet e rimuara të traditës popullore, Leonard Bixhili nuk vete më përtej tyre.. Vende-vende gjenjë ‘shtigje’ të poezisë qytetare e reflekton ca më tepër, me një shije, hera-herës të hollë, bile ngjeshur edhe me matafota shprehëse. Që në titullin aq domethënës, kur mallin e kundron si një mal të lartë, brenda shpirtit te tij, kur ‘yjet i zbret nga qielli’ në krahasime të panumërta, kur ‘rrënjët e gurëve’ i mbush me histori, si edhe kur vdekjen nuk e sheh vetem tek nje njeri po tek ‘i tëri një fshat, i braktisur si mos me keq! Ai nuk e fsheh ndjeshmerinë e tij kristiane, sidomos për kishën e Shën Thansit që pati peripecitë e saj të habitshme, që në Mesjetë, kur aty erdhi e u strehua një murg basilian që dinte shqip e donte bile te ngrinte aty edhe një shkollëz të shqipes, Dhe pozicioni i poetit vëndas ishte në respsktin e te dyja besimeve, edhe për te mos e prekur kishen e Shën Thanasit, po as edhe atë punë të vyer të murgut basilian, që aty vdiq edhe ai për diçka të shenjtëruar! Që, të mos ishte mangut ‘pengu’ i 39 shënjtorëve të tjerë, as ai i misionarit fisnik arbëresh që erdhi e mbeti aty, me gërmat e një gjuhe po kaq të shënjtëruar, që Bixhili i ri, e përfytyron tani, në trajtën e një obelisku…
Por, poeti Leonard Bixhili, do të ngjitet me një frymë deri në Allonja, atje ku e ka varroshin ‘Nderi i Kombit’ Petro Marko, që ai e quan me fisnikëri ‘shtëpinë e re’ të tij… “Të ulem pak, nën hijen e rrapit të rrimë,/të flasësh ti dhe unë në heshtje të dëgjoj./Të zbrisin retë nga mali i Çikës,/të puthin bregun dhe shkëmbinjtë shekullorë/…O “Shkrimtari ynë i magjishëm dhe rebel!”/ Tani prehesh i qetë këtu, në vëndlindje,/përball kaltërsisë së pafundme të Jonit,/me shikimin tutje nga parcelat e ullinjve,/mes bukurive të Bregut dhe aromës së limoni”.
Është nga vlerat më të bukura të librit, kjo vajtje përgjëruase e poetit të ri të Dhërmiut, tek ‘streha e përjetshme’ e Barba Petros, -si e quan ai me respekt e dashuri të paanë. Po, duke shfletuar edhe faqen 161 të këtij libri, do të të vijë në mëdje edhe ajo këshillë që u jepte Barba Petrua, më të rinjëve: Për t’iu larguar ‘manive’ të futjes së gjithçkaje nga jeta e bota përreth në librat e tyre! Historia, vatani, atdhedashuria, erotika, mërgimi dhe politika,-nuk mund t’i mbledhësh e t’i “hedhësh në një qyp, trazuar. Edhe pse, është i mundur sintetizimi e ngjeshja, kur e ke pervojën dhe talentin, për t’a mënjanuar ‘thesin e përgjithshëm’!… Se, vjershëtorët e rinjë edhe e harrojnë që, e veçanta, intimja, detaji artistik, metafora e vizioni që hap fjala, e rezatojnë dhe e dritësojne shpirtin e njeriut e te lexuesit. Pra, edhe Bixhili ynë, nuk u ka shpëtuar këtyre “manive” në të tria librat e tij. Po, gjithsesi, në ato faqe, është e mbetet portreti i Dhërmiut, në ditët e mira të tij, po edhe kur del hëna netëve, ashu si është, i madhërishm e i bukur, po aty ku e ka vendosur vetë Perëndia, mbi shkëmbin shekullorë.
Shkruar në Athinë, më 15 maj 2021
Please follow and like us: