Albspirit

Media/News/Publishing

“Open Doors”: Tregu i punës, ky kalvar cfilitës për të rinjtë në Shqipëri

Një studim i organizatës “Open Doors” rendit arsyet e vështirësive të të gjeturit punë

TREGU I PUNËS, KY KALVAR CFILITËS PËR TË RINJTË

Nga mungesa e informacionit tek zgjedhjet e gabuara të studimeve

Arsen Dalipi

 

 

Fenomeni i punësimit apo papunësia e të rinjve në Shqipëri është sot një problematikë komplekse dhe uluritëse. Gjithçka në këtë drejtim mbetet e paorganizuar, e koklavitur, kaotike dhe e rastësishme. Statistikat e papunësisë së të rinjve në Shqipëri janë çdo vit kontradiktore dhe të paazhornuara me realitetin, ndërsa shifrat variojnë në mënyra të paqarta nga një studim në tjetrin.

Nëse në raportet e fundit kombëtare “Rinia në Shqipëri“ 2018, 2019, 2020 të përgatitura dhe të konsultuara nga  ekspertët më të mirë të fushës,shifrat e papunësisë kanë shfaqur gjithnjë debate, INSTAT jep trende uljejeje të papunësisë nga viti në vit në statistikat e dyshimta të tij. Kështu nëse ky institucion e deklaron papunësinë e të rinjve në masën 21.7%, një tjetër studim e nxjerr këtë statistikë në rreth 51% të të rinjve që vuajnë papunësinë në vendin tonë. Referuar të dhënave të INSTAT, duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor gjatë 2020, rreth 14.4% e të rinjve me arsim të mesëm janë të papunë, ndërsa 12.3% e të rinjve me arsim të lartë vuajnë këtë fenomen.

Por në një punim të fundit të realizuar në kuadër të projektit 3 vjeçar “EU-Impact WB“ të finacuar nga Bashkimi Europian janë kryer hulumtime, anketime dhe studime për raportet e të rinjve me tregun e punës në 5 shtete të Ballkanit Perëndimor përfshi edhe Shqipërinë. Nga këto studime e hulumtime dalin të reja interesante. Kështu nga një punim që Organizata “Open Doors“ ka kryer për një periudhë 3 vjeçare kohe rezulton se situata e punësimit të të rinjve në Shqipëri është e errët, me problematika të theksuara dhe me specifika të ndryshme nga ato të vendeve të tjera të rajonit.

Nga përfundimet e këtij punimi të “Open Doors“ rezulton se tregu shqiptar i punësimit vijon të mbetet një mision i vështirë për të rinjtë shqiptarë. Me hapësira të kufizuara, me rregulla të deformuara dhe të paunifikuara, me emërime nepotike dhe me mungesë meritokracie një treg i tillë është kthyer, në mos armiqësor, kaotik dhe tërësisht indiferent përballë dëshirës së të rinjve për t‘u bërë pjesë e tij. Në kushte të tilla të një ‘lufte‘ të pashpallur, të rinjtë duhet të bëjnë një sforco shumë të lartë, jo vetëm për të qenë më të kujdesshëm dhe vigjilentë ndaj pozicioneve të ndryshme, por edhe të përgatitur me aftësi sociale dhe individuale të zhvilluara për të qenë konkurues përballë dinamikave dhe luhatjeve të vazhdueshme të tregut të profesioneve dhe të zanateve.

Ekspertët e Organizatës “Open Doors“ kanë vërejtur se aresyet se përse të rinjtë hasin sot vështrësi të shumta në tregun e punës janë nga më të ndryshmet. Sipas tyre përpara se ata të mbërrijnë në universitet nuk kanë një program informues se cilat janë ato degë të cilat ofrojnë më shumë mundësi punësimi. “Gjatë studimeve, -thekson ekspertja e punësimit Romina Radoshniqi,-mungojnë praktika të mirëfillta profesionale në institucionet publike apo bizneset private“. Sipas saj, por edhe sipas shumë studiuesve të tjerë të tregut të punës tranzicioni nga shkolla në punë është shumë i vështirë dhe të sapodiplomuarit nuk kanë mundësi punësimi duke qenë se iu mungon eksperienca. Një tjetër problematikë e thekshme vënë re studiuesit është edhe mungesa e barazisë në tregun e punës. Ai shpesh nuk thith të rinjtë që kanë të njëjtat shance për t‘u punësuar, kjo për faktin se mënyra se si zihen vendet e punës në Shqipëri ndërtohet mbi disa mekanizma të deformuar. Ndërkohë gjatë anketimeve që u bënë në kuadër të studimit të realizuar nga “Open Doors“ u pa se të rinjtë që dalin nga bankat e shkollës nuk e njohin sa duhet realitetin dhe kulturën e punës edhe pse ata janë të përgatitur mirë në nivelet teorike. Por nga ana tjetër edhe kompanitë shqiptare kërkojnë të punësojnë persona me ekperiencë dhe shpesh nuk e marrin në konsideratë potencialin e të rinjve.

Parashikimet nuk janë gjithsesi rozë. Përfundimet e punimit bëjnë me dije se të rinjtë shqiptarë do të vijojnë të jenë të ekspozuar nga rreziku relativisht i lartë i të prekurit nga papunësia siç e tregojnë statistikat apo të dhënat e fundit.

Please follow and like us: