Halil Matoshi: Fjala – figurë alegorike
Ni Poet – Ni Poezi (22.)
Lulzim Tafa: “Kohët”
1.
Poezia e Lulzim Tafës është parabolë dhe paradoks postmodern, që spikatë realitetin që përplaset me mënyrën e kundrimit të gjânavet nga mendësia (edhe poezia) tradicionale.
Tafa në poezinë “Kohët” dëshmon hymjen në ni epokë të re, postmodernë, ku askush nuk ndalet me i lexu observimet romantike e epike, sepse të gjithë ngarendin dikah, koha âsht dinamizu dhe rregullat kanë ndryshu, askush mâ nuk ka durim për qasjet idilike e të ngéshme, jo vetëm të traditës, por edhe të vet poezisë.
Trevargëshi “Kohët” e shfaq ni gjendje në të cilen moderna âsht shpenzu e çka mas, nuk âsht konstituue ende.
Kjo âsht gjendje e decentrume e botës, ku mënyra tradicionale e t’jetuemit si edhe vet arti poetik klasik, po dekompozohet para syve tanë.
Prandej Tafa krijon vargun minimalist, që e dominon alegoris e ni morali të ri, njâjt si ecjake pelegrinësh si alegori e udhëtimit shpirtnor, varg që i japin fuqi shpreh’se tropet, e që i gét kohës dhe botës në lëvizje dhe ndryshim permanent.
2.
Me poezinë “Kohët” poeti sikur do me na diftue se nuk ka poezi të madhe e të vogël, po ka vetëm vargje të mëdha, si ky trevargësh impresiv, që ia nxjerr rrâjën katrore ‘psikosomatikës së frymës së kohës’ (Sloterdijk) tue i dhânë kuptim semantik ndërveprimit njeri-kohë.
Njeriu ka ndryshu life-style, por vetëm thojtë janë po ata të stërgjyshnavet, që përgjakun kohët, për çka poeti thërret të nesërmen post-post, që presupozojmë se kish me qenë shpëtimtare!
Në poetikën e këtij autori, ky shpëtim âdht estetik, pra vetëm e bukura munet me e shpëtu botën!?
3.
Poeti krijon ni univers të veçantë, në të cilin thonjtë janë paradigma që e e identifikon realitetin e rapirtit historik të njrriut me kohën: Përgjakje!
Ky trevargësh âsht dritëhije që ndanē të vjetrën nga e reja, të djeshnën nga e sotshmja. erosin nga tanatosi, agun nga mjesi, muzgun nga prâmja, paqen nga lufta. Klasikēn nga modernja.
Thjeshtë, poezia e Tafës âsht kufini ndarës mes estetikës dhe profanës mondane.
Tafa e bân risemantizimin e mitit të kronosit me gjuhën e tij lakonike dhe me mjetet vetanake shprehëse.
Tafa nuk flet, ai krijon imazhe, i ngatrron ato qëllimshëm, që lexuesi t’ rivendosë si në ni mozaik ‘puzzle’, tu e bâ secilën fjalë poetikisht figurë në vete, ngjarje…
Tuebâmje.
—————-
Kohët
Vetëm thonjtë mbetën thonj
ditë e neserme na sill diçka të re
se me të vjetrën u përgjakëm
31. 05. 2020.
Please follow and like us: