Albspirit

Media/News/Publishing

Lucian Gruia: LULZIM TAFA DHE DRITA E BEKUAR E SHPIRTIT SHQIPTAR

 

Lulzim Tafa e kundron botën si një dhuratë të bekuar dhe të përjetshme. Ai shkruan me një admirim të veçantë për Dardaninë e zemrave tona. Poeti di ta deshifrojë dritën e brendshme të fjalëve. Fjalët e tij bëjnë dritë, sepse ato janë drita e përjetshme e shpirtit shqiptar. Lulzim Tafa i jep prioritet elegenacës së ligjërimit poetik. Poeti është pronar i përjetimeve shpirtërore në kontekstin e ndjenjave që manifestohen. Autori të befason me thellësinë e përshkrimit të momenteve dhe përjetimeve. Vargjet e tij duken si do perla neoromantike me vlera postmoderniste që nuk e anashkalojnë gjininë hijerëndë të variantës klasike. Herë-herë, revolta e poetit është e provokuar nga manifestimi i egër dhe i pamëshirshëm i kapitalizmit të xhunglës që shkon duke pluhurosur vlera tradicionale, morale dhe normale.

Në një kohë kur skribomanët dhe grafomanët marrin hov dhe sëmudja e autorllëkut bën kërdinë, rezervimi dhe shqetësimi i poetit konfirmon një përgjegjësi të madhe ndaj tekstit ku dallgëzojnë drithma lirike me të cilat përpiqet të çajë mburojën riguroze dhe të akullt të jetës dhe ekzistencës. Paralelisht me vargjet e dashurisë, ballafaqohemi edhe me një valë zhgënjimesh që vijnë në kohën e tranzicionit tronditës, ndërsa poeti me mjeshtërinë që i ka hije rrëfehet: “Për çdo ditë më thahen/ frytet e imagjinatës”. Apo: “E vesha/ dhe çvesha/ lëkurën e lisave”. Ose:  “Harta e dhimbjes/ e skalitur mbi buzë”. Dhe më tej: “Trishtimin/ do ta vëmë të gjallë/ në arkivol// shtegtarit/…/ do t’ia marrim/ bagazhin e dhimbjeve”.

Lulzim Tafa është poeti i lazdërimit leksikal, duke krasitur që nga starti, qoftë përmes një germe të vetme, atë që dukej se mund të na zbavisë, derisa, faktikisht, përmes humorit largpamës, gjithçka duket aq e rëndë, saqë vetëm vetëm nëpërmjet të papriturave dhe përmbysjeve ludike, ndikon që ta freskojmë dhe zbusim shqetsimin, duke ia thithur ajrin ndërmjet fjalëve, deri në heshtjen e bekuar. Shumica e poemave janë meditime, të tjerat, definicione të thjeshta, thuajse të shkëputura nga thesari i vlerave shqiptare të cilin Lulzim Tafa e ka akumuluar gjatë ekzistencës së tij, sidomos nga brigjet e vendlindjes, e ngarkuar me tradita që predisponojnë refleksione nëpërmjet vlerës së tyre fundamentalisht etike të këtij autori të pajisur me dhunti, por edhe me një pregaditje solide letrare, universitare, akademike dhe shkencore të nivelit të lartë.

Autori ka rastin të eksperimentojë jo vetëm përkufizimet, por edhe mundësitë vetjake duke u koresponduar vetë gjendjeve dhe etapave të tij. Poezia e tij duket si një ditar personal nga shënimet e të cilit mund të rikonstituosh një jetë të tërë me përrallën e saj. Mprehtësia e mendjes dhe spontaneiteti kalojnë ndërkaq në vendin e parë, duke i dhuruar poezisë diç nga misteri dhe magjia. Por, në anën tjetër, poeti me një dashuri të pakufishme ndaj jetës, e harron këtë në prezencën e idesë. Dashuria ndërmjet idesë dhe Lulzim Tafës është e vetëtimshme dhe e pashpartalluar, ndërsa kjo e ka edhe misterin dhe magjinë e saj. Ai e sakrifikon trupin, mëndjen dhe emocionin. Po qe se e pyet, të përgjigjet shkurt e shqip se meriton të flijohesh për një ideal të lartë.

Vëllimi “Ekspozitë me ëndrra” mund të lexohet në më shumë mënyra ngase është një libër i hapur për të gjitha shijet, për të padjallëzuar, për të pasionuar, për humoristë, mendimtarë, melankolikë, realistë e kështu me rradhë. Çdo faqe është një provokim që të fton t’i afrohesh poetit dhe t’ia zhvillosh idenë, t’ia kërkosh nënshtresën, të shpleksish kuptimet e poemës, t’i përgjigjesh menjëherë, atypëraty, apo të derdhesh duke qeshur për lojërat e papritura poetike që të joshin. Libri i Lulzim Tafës është një vëllim vargjesh me një tingull të lehtë konfensiv, që përfshin poezi të shkruara gjatë një proces/prodhimi, thuajse ritualik, lucid, të tendosur, i mbikëqyrur me kujdes. Revelacioni i diskursit është, nga ky motiv, po aq i çliruar nga tensionet, ndërsa poemat, të shkarkuara nga rraskapitja metaforike, komunikojnë diskret, mbi  një ton personalizimi të natyrshëm e të thellë, duke mbajtur indikacionet e një moderniteti të mprehur.

________

Autori i këtij reçensioni është poet dhe eseist. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.

Please follow and like us: