Carl Bild: Ç’duhet të bëjmë me Rripin e Gazës?
Gaza ka qenë prej kohësh një nga ato problemet gjeopolitike, që të gjithë dëshirojnë që të zhduket sa më parë. Sigurisht, Izraeli do të preferonte të izolonte enklavën palestineze – si nga territori i tij, po ashtu edhe ta fshinte nga mendja e izraelitëve.
Dhe pavarësisht nga shprehjet e herëpashershme për të kundërtën, edhe Egjipti priret të ketë të njëjtën ndjesi. Sa herë që flitet sërish për përpjekjen për të rivendosur paqen në rajon, Gaza është thuajse gjithmonë çështja që lihet më shumë pas dore.
Është e vërtetë që agjencitë dhe organizata humanitare, bëjnë rregullisht publike raporte të hollësishme rreth kushteve të vështira me të cilat përballen 2 milionë banorët e Gazës. Ata janë bllokuar në një nga vendet më të mbipopulluara, por me më pak burime në botë.
Por vëmendja ndaj tyre tenton që të zbehet sa herë që shfaqet ndonjë krizë e re humanitare diku tjetër dhe që e dikton vëmendjen e botës. Një zgjidhje e qëndrueshme për gjendjen e mjerueshme të Gazës, mbetet kësisoj jashtë prioriteteve të politikës ndërkombëtare.
Edhe shpërthimi aktual i dhunës, po ndjek një model të njohur: Hamasi dhe aleatët e tij po hedhin qindra raketa mbi Izrael, i cili po kundërpërgjigjet me valë të mëdha sulmesh ajrore.
Pas çdo konflikti të tillë – i fundit më i madh ishte në vitin 2014 – situata rikthehet në statuskuo-në që ishte prishur për pak javë.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar iu rikthehet punëve të zakonshme, situata humanitare në Gaza përkeqësohet gjithnjë e më shumë, dhe në fund ky cikël përsëritet nga e para pas disa vitesh. Kur vizitova Gazën në fillim të vitit 2009, sapo kishte mbaruar një nga valët e dhunës.
Militantët ekstremistë por edhe shumë civilë të pafajshëm ishin vrarë në Gaza, ndërsa civilët e pafajshëm kishin rënë pre e sulmeve me raketa në Izrael. Kur isha atje, pashë shkatërrimet e shkaktuara në pjesët më të goditura të Rripit të Gazës, bisedova me udhëheqësit palestinezë të biznesit, të cilët ishin përpjekur t’u ofronin banorëve shpresë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me partnerët e tyre në Izrael.
Kotësia e këtyre konflikteve ciklike ishte aq e qartë atëherë ashtu siç është edhe tani. Këtë herë unë shpresoj që pasi të kenë pushuar goditjet me raketa dhe sulmet ajrore, të ketë paqebërës të guximshëm të cilët nuk do të hezitojnë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të thyer modelin e mungesës së shpresës.
Por kjo do të kërkojë shumë më tepër sesa një armëpushim tjetër. Duhet që të ketë një proces, përmes të cilit të punohet për arritjen e paqes, dhe për të gjetur një zgjidhje politike të zbatueshme. Izraeli ka vendosur një bllokadë të fortë tokësore, ajrore dhe detare ndaj Gazës që nga viti 2007, me synim dhënien fund të sundimit të Hamasit atje.
Ky objektiv është i lavdërueshëm, por metodat kanë qenë kundërproduktive dhe politika në përgjithësi ka dështuar. Hamasi sundon ende në Gaza, dhe ka arritur të sigurojë mijëra raketa. Gaza është sot një terren pjellor për terroristët, shumë prej të cilëve mund të mos shohin asnjë mundësi tjetër.
Natyrisht përgatitja e një zgjidhjeje praktike të konfliktit nuk do të jetë e lehtë. Por unë besoj se kjo gjë është e mundur, nëpërmjet një procesi afatgjatë të bazuar në 4 parime. Qëllimi kryesor duhet të jetë një marrëveshje që të ndalojë si gjuajtjet me raketa, bombardime ajrore, përdorimin e tuneleve për veprime të paligjshme, por edhe të hedhë themelet për një marrëveshje më të plotë të paqes në të ardhmen.
Për këtë qëllim, parimi i parë është të marrë sa më shpejt fund bllokada ndaj Gazës. Kjo politikë e ka shkatërruar ekonominë e Gazës. Në kushtet kur tregtia e jashtme është e pamundur, kjo zonë është bërë e ndërvarur nga kontrabanda, dhe këto operacione ilegale kontrollohen natyrshëm nga Hamasi.
Kontrabanda i ka mbushur plot me para arkat e Hamasit, dhe i ka dhënë mundësi këtij grupimi radikal që të blejë shumicën e mallrave që është përpjekur të bllokojë Izraeli, mes tyre edhe raketa.
Së dyti, duhet të adresohen shqetësimet legjitime të sigurisë së Izraelit. Tek e fundit, asnjë vend nuk mund të tolerojë që t’iu nënshtrohet sulmeve raketore pa asnjë dallim. Por ndërkohë Izraeli duhet ta pranojë se ka dështuar politika e tij e mbrojtjes së paepur.
Ai duhet të jetë më i hapur ndaj përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare – përkatësisht, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara – për të krijuar një mjedis më të mirë për adresimin e interesave të tij legjitimë të sigurisë.
Së treti, Gaza duhet të bëhet pjesë e administratës palestineze të njohur ndërkombëtarisht. Çdo paketë ndihmash dhe fondesh për rindërtimin pas përfundimit të luftimeve, duhet të kushtëzohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Së fundmi, qëndrueshmëria e një zgjidhjeje afatgjatë, kërkon garancinë e përdorimit të Gazës nga shteti i ardhshëm i Palestinës si një trampolinë për të pasur qasje në Detin Mesdhe, dhe që do të jetë në fakt porta e saj kryesore me botën jashtë.
Prandaj, Gaza do të ketë nevojë për portin dhe aeroportin e saj, si dhe një lidhje me Bregun Perëndimor (të rregulluar në mënyrë të tillë që të mos kërcënojë sigurinë e Izraelit). Pjesa më e madhe e debatit sot është fokusuar te përcaktimi i fajtorit për valën e fundit të dhunës dhe vuajtjeve.
Por një qasje më konstruktive, edhe pse e vështirë, do të ishte të pranohet se të dyja palët kanë të drejtë në aspekte të rëndësishme. Kjo do t’iu jepte mundësi të gjitha palëve të nisin të përqendrohen te synimi i arritjes së një marrëveshjeje afatgjatë, të bazuar në katër parimet e përshkruara më sipër.
Përmes tyre, lufta e fundit e panevojshme e Gazës mund të çojë më në fund në një paqe të domosdoshme. Unë shpresoj që të rikthehem një ditë në Gaza dhe të shoh sipërmarrës që ndërtojnë biznese dhe ura bashkëpunimi me ekonominë botërore, duke hapur vende të reja pune për të rinjtë, që përndryshe nuk shohin asnjë alternativë ndaj ekstremizmit. Palestinezët dhe izraelitët nuk meritojnë më pak sesa kaq.
Carl Bildt ka qenë ministër i Jashtëm i Suedisë në vitet 2006-2014 dhe kryeministër në vitet 1991–1994. Ai është bashkëdrejtues i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.