Albspirit

Media/News/Publishing

Pirro FOTIADHI: JEHONA EMOCIONALE E PENTAGRAMEVE SHPËRTHYESE, NËN MAESTRINË DIRIGJUESE TË EDMOND DOKOS!

 


Portret i paautorizuar në Përvjetorin e Ditëlindjes të Artistit dhe Dirigjentit të spikatur, Edmond Doko.

 

Në vend të prologut…

 

Arti muzikor në thelbin e vetë ekzistencial është një pjesëz jetike e vetë jetës dhe kushteve sociale të një shoqërie. Gjithçka që ndodh në një shoqëri, krijon kushtet respektive dhe prodhon një frymëzim përkatës për krijuesit. Vetë muzika është një gjini shumëkomplekse, me mite dhe sekrete, sa që shpesh herë, edhe rrugëtimi i gjatë i një jete njerëzore, nuk mjafton për të zhbiruar dhe depërtuar në atë botë të mistershme plot magji të saj.

Në përsiatjet dhe portretizimin e një artisti me karakter dinamik si edhe një kryemaestroje dirigjent, përballesh me sfida dhe vështirësi reale, për të mundësuar detajet e angazhimit dhe mesazhit koherent muzikor që përcjell cilido individ me statusin e një muzikanti. Individë pasionantë, simbioza jetësore e të cilëve u ravijëzua në misionin e angazhimit artistik, duke u shndërruar në figura simbole në rrugëtimin e tyre jetësor dhe profesional. Qenie emocionale të vërteta dhe aktive, me vizione dhe ëndrra, me fuqi emocionale, me një gjallëri të madhe, që me praninë sistematike si protagonistë të jetës muzikore, motivi i tyre jetësor u shndërrua dhe lartësua në rolin e dirigjentit dhe drejtuesit muzikor.

Si një personalitet i tillë, ku me startin e një vogëlushi talent, në rrugëtimin e tij të suksesshëm artistik, për afro 3 dekada, falë punës sistematike këmbëngulëse, të veçohej dhe spikaste si një prej artistëve të shquar bashkëkohorë në artin muzikor shqiptar.Bëhet fjalë për koncertmaestrin, Edmond Doko, simbioza dhe një ndër përfaqësuesit kryesorë të plejadës së artistëve maestro, në fushën e dirigjimit me një karrierë të pasur dhe brilante. Një prej muzikantëve me një performancë brilante dhe të bekuar, që ndonëse u përball me vështirësi të panumërta dhe barriera përçudnuese, mundi përmes një frymëzimi autentik, të mishërojë dhe realizojë praktikisht një art muzikor shprehës dhe emocional, një stil novator dhe bashkëkohor, përmes bagetës së tij interpretuese dhe drejtuese.

Kontributdhënia ndër dekada, madje jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por edhe jashtë saj, e botës së magjishme muzikore të koncertmaestrit Edmond Doko, natyrisht që u admirua, duke dëshmuar virtuozitetin, ndjeshmërinë dhe shpirtin e një muzikanti kërkues, por njëherazi edhe me shije të holla estetike.

Me elegancën e bagetës së tij drejtuese, me mjeshtërinë ekspresive dhe finesën, me njohuritë e një kryemaestroje me përvojë, magjia e muzikës së tij udhëton e shpenguar, duke u perceptuar me ndjeshmëri,me ngarkesa emocionale, me vlera krejt të papërsëritshme në artin e tij dirizhor.

Edmond Doko, ndër të rrallët dirigjentë, të skenave të përjetshme triumfale muzikore shqiptare dhe atyre greke, i cili asnjëherë nuk mjaftohet me arritjet dhe sukseset e famës së tij. Edhe pse përjeton epokën e pjekurisë së tij interpretuese e krijuese, ende vijon të kërkoj, të vëzhgoj, të eksperimentoj dhe vazhdimisht të mësoj detaje të reja, me shqetësimin emocional të një artisti autentik, për të arritur në nivele të reja cilësore.

Edmond Doko, dirigjenti dhe muzikanti i shquar, pa asnjë mëdyshje, u përket këtyre krijesave të bekuara. Përmes modestisë së jetës së tij, njëkohësisht me përulësinë e një artisti të përkorë e madhor, dëshmon vlerat e jashtëzakonshme dhe vizionet e tij të spikatura të ngjizura me frymëzimin enigmatik të një muzikanti sqimatar.

Tek maestroja Edmond Doko, si një person i veçantë, por edhe si një personalitet i larmishëm, në madhështinë e tij ekzistenciale, në magjinë e notave muzikore që ai performon me kthjelltësi dhe profesionalizëm, vlerësohen qasjet arketipale të një imagjinate shumëdimensionale. Ashtu sikundër edhe qenësia e tij tejet e suksesshme profesionale, në hapësirat e brishta të universit muzikor shqiptar.

Rrugëtimi jetësor dhe karriera artistike…

 

Edmond Doko erdhi në jetë, në një ditë të ngrohtë vere, shumë mote më parë, teksa kalendari shënonte 3 Qershor të vitit 1959, në qytetin e Lushnjës. Si pinjoll në një familje me tradita të spikatura intelektuale dhe patriotike. Ati i tij me origjinë nga Sopiku i trevës minoritare greke të Pogonit, ndërsa e ëma e tij, bijë e një familjeje të njohur dhe aristokrate të Himarës, e oxhakut të Milajve, të njohur anekënd.

Vitet e brishta të fëmijërisë i kalon në vendlindjen e tij, në Lushnjë, teksa edhe starton dhe hedh hapat e para të shkollimit. Dukshëm binte në sy, qysh në moshën parashkollore interesimi dhe perceptimi i tij për universin e jashtëzakonshëm të muzikës. Falë talentit dhe prirjeve të tija individuale, vogëlushi Edmond, si një fëmijë i magjepsur, vijon qysh në moshën 6-vjeçare, duke shkelur hapat e para të mësimeve fillestare për violinë. Përfundon në vitin 1974 me rezultate të larta mësimet e shkollës 8-vjeçare artistike të qytetit të Lushnjës dhe përzgjidhet në konkursin respektiv, si talent, pranë shkollës së Mesme Artistike «Onufri» të qytetit të Elbasanit ,për të vijuar mësimet në veglën e kontrabasit. Duke kontaktuar në shkollën e mesme me një tjetër specialitet, siç ishte kontrabasi, krejt e natyrshme që të zgjerohej horizonti muzikor së bashku me dëshirat dhe predispozitat për të vijuar në thellësitë e artit magjik muzikor. Në vitin 1979 përfundon me rezultate të larta shkollën e Mesme Artistike «Onufri» të qytetit të Elbasanit dhe konkurron për të vijuar studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve-sot Akademia e Muzikës. Shpallet fitues në degën e dirizhimit, ku starton studimet në klasën e dirigjentit të njohur dhe pedagogut sqimatar Mustafa Krantja, duke përfunduar në vitin 1983 me rezultate të shkëlqyera studimet pranë këtij Instituti. Gjatë kësaj periudhe kohore, Edmond Doko, shquhet rishtaz për talentin e spikatur si edhe prirjet individuale të botës së tij shpirtërore duke pasur si qasje muzikën instrumentale-simfonike. Diplomohet si dirigjent në 1984, duke mbrojtur diplomën me Koncertin respektiv në drejtimin e Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operas e Baletit, me vlerësimin unanim Shkëlqyeshëm.

Pas diplomimit si Dirigjent, Edmond Doko emërohet si Koncert maestër në vendlindjen e tij, qytetin e Lushnjës, ku hedh hapat e para në rrugëtimin e tij artistik profesional, duke drejtuar me sukses anën muzikore të trupave artistike lushnjare. Paralelisht me angazhimin e tij artistik, Edmond Doko, duke e perceptuar si një mision, si një qëllim të jetës së tij, angazhimin me muzikën dhe artin,me seriozitet dhe mënyrë energjike, përpos misionit të tij si dirigjent, por njëherazi edhe si krijues dhe kompozitor,duke spikatur në veprimtari të tilla të karakterit kombëtar si Festivalin e Pranverës, në Anketat Muzikore të Radio Tiranës, ashtu sikundër edhe në festivalet e këngëve në rrethe për të rritur dhe fëmijë, duke kompozuar këngë, romanca, tablo muzikore, si edhe një sërë përpunime e muzikë për teatër etj. Duke dëshmuar kësisoj një harmoni, një profesionalizëm, një entuziazëm emocional dhe ideor,e ndikuar duke luajtur një rol jetik dhe si katalizator, në gjallërimin e jetës kulturore artistike të këtij qyteti. Për këto arritje dhe kontribute, Edmond Doko në vitin1987 pranohet si anëtar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e vetmja organizatë artistike ku debutonin artistët dhe krijuesit e kohës.

Viti 1991 krijon për Edmond Dokon, premisa respektive dhe çel hapësirën e përballjes me realitetin evropian dhe artistik me karrierë brilante, duke iu mundësuar bashkëpunimi dhe specializimi pranë personalitetit të shquar, dirigjentit të njohur grek, Vyron Fidexhis.

Si një artist entuziast,krejt i palodhur,me ëndrra dhe vizione, jo rastësisht, Edmond Dokos, në vitin 1991, i besohet drejtimi në rolin e Dirigjentit të Orkestrës Simfonike si edhe Korit të Bashkisë së Korfuzit në Greqi.

Në periudhën kohore deri në vitin 1999, koncertmaestri me një potencial të jashtëzakonshëm muzikor, Edmond Doko, përpos aftësive të tij profesionale, ofroi një kontributdhënie tepër admiruese, duke ngjitur me shumë sukses në skenat e Ishullit grek, operat respektive të mirënjohura në repertorin klasik botëror si «Norma», «Cavaleria Rusticana», por edhe prej repertorit të muzikës greke si «I Martis» apo Opereta «Baftistikos». Po ashtu, duke organizuar dhe formatuar një sërë koncertesh instrumentale muzikore si edhe të veprave të ndryshme simfonike apo edhe të natyrës vokale simfonike, të cilat u mirëpritën për nivelin e lartë, për stilin si edhe mesazhet që ato përçonin, por natyrisht edhe për komunikimin perfekt si edhe drejtimin brilant e të shkëlqyeshëm të koncertmaestrit, dirigjentit Edmond Doko.

Paralelisht me angazhimet e tij si Koncertmaestër me formacionet muzikore të Bashkisë së Korfuzit, Edmond Doko shpalos profesionalizmin e tij të thellë si edhe larmishmërinë e individualitetin të tij si muzikant dhe dirigjent, duke kontribuar si pedagog pranë konservatorit «Ionio Odio», të Korfuzit. Si një personalitet i padiskutueshëm, si një pedagog autoritar, mendjemprehtë e vizionar, Edmond Doko materializon dhe formaton përgatitjen e duhur shkencore të talenteve dhe brezit të ri të muzikantëve të ishullit grek të Korfuzit, duke ofruar një ndihmesë të jashtëzakonshme në jetën arsimore edukative muzikore.

Falë vullnetit dhe punës sistematike këmbëngulëse, i ngjizur me magjinë çudibërëse të kulturës muzikore dhe artit të dirigjimit, Edmond Doko, si një muzikant protagonist, në harkun kohor të viteve 1994 – 1999, angazhohet dhe spikat edhe në rolin e Kryedirigjentit të Filarmonisë Muzikore «Spiro Samara» të Korfuzit, me të cilën promovon dhe realizon një sërë koncertesh jo vetëm në kufijtë e ishullit të Korfuzit, por edhe gjetkë, në qytete të ndryshme të Greqisë. Falë performancës intelektuale dhe artistike,ashtu sikundër edhe madhështisë së tij në aspektin e dirigjimit dhe organizimit të projekteve muzikore por edhe promovimit të tyre, Edmond Doko drejtoi me sukses trupa dhe formacione të ndryshme në Festivalin Muzikor të Korfuzit, ashtu sikundër edhe në veprimtari të tilla artistike si Festivali «Pranvera Muzikore» që zhvilloheshin në Francë në qytetet respektive si Toulon, Sanari, Antibes, apo në Festivalin «Athens Polifonia», e në të tjera festivale apo koncerte të zhvilluara në Athinë, Pire, Prevezë, Lefkadha, Zakintho, Rodos, Patra e Janinë, duke spikatur dhe dëshmuar aftësitë e tij interpretative dhe teknike, po ashtu edhe ato organizatore.

Dirigjenti Edmond Doko, i joshur me magjinë e suksesit në skenat greke e ato evropiane, në vitin 2000 rikthehet në Shqipëri, duke u emëruar si Dirigjent principal në Teatrin e Operës dhe Baletit, krahas kolegëve të tij si Oleg Arapi apo Dritan Lumshi. Në këtë sfidë të re jetësore, dirigjenti Edmond Doko, me përkushtimin e veprimtarinë e tij misionare aktive, me sigurinë dhe vetëbesimin e një profesionisti muzikant skrupuloz, performon një mentalitet dhe konceptim krejt të ri bashkëkohor në zhvillimet dhe evoluimin e jetës kulturore muzikore shqiptare. Me ambiciet e tij artistike, me ndjeshmërinë e veçantë, me përvojën e madhe të fituar në Evropë, Edmond Doko në rolin drejtues të Koncertmaestros dhe dirigjentit, si një inspirues dhe frymëzues për gjithë formacionin orkestral,promovon dhe ravijëzon përsosmërisë së pakonceptueshme të një formacioni orkestral perfekt, një lojë entuziaste dhe impenjuese të do instrumenti, një interpretim me një nivel të lartë profesional. Ngjitja në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit,nën drejtimin mjeshtëror dirigjues të Edmond Dokos, të veprave të spikatura si kryevepra nga repertori i huaj si operat «Die Fledermaus», «Carmen», «Flauti magjik», «La Traviata Tur», «La Sylphide», «Madame Batterfly», «I Capuleti e Montecchi», «Le nozze di Figaro» «Turandot», «Manon Lescaut»,«Andrea Chenier», «Porgy e Bess» «Traviata»,«Trovatore»,«Norma», Opera «La Serva Padrona», Operetës greke «Vaftistikos» apo operës greke «I Martis», Opera «Kavaleria Rustikana», «L’incoronazione di Poppea». «Orfeo dhe Euridice», «Puccin in Love» nën interpretimin e solistëve si sopranot, e para soprano Eva Golemi, Inva Mula, mezzo-sopranot Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Nina Muho, Renisa Laçka, Ramona Tullumani, tenorit Josif Gjipali, apo baritonët si Ylber Gjini, Armando Likaj, Gëzim Myshketa, Armaldo Kllogjeri, Xhieldo Hyseni, Dion Gjinika etj. Të cilët kanë dëshmuar për një lidhje perfekte të lojës impulsive të orkestrës, me jehonën e një melodie dhe tingulli të ndritshëm, të harmonizuara me interpretimet e nivelit të lartë të solistëve, duke krijuar emocione të vërteta tek publiku artdashës.

Ashtu sikundër edhe performancat e bukura dhe të arrira të shfaqjes së baleteve respektive si «Zhizel», «Zorba», «Carmina Burana», «Liqeni i Mjelmave», «Arrëthyesi», «Francesca da Rimini», «Don Kishoti», «Zhizel», jo vetëm ndikon në zgjerimin e repertorit por edhe të hapësirës dhe frymëmarrjes koreografike interpretative,duke nxjerrë në pah dhe evidentuar vlera origjinale gjithëpërfshirëse ashtu sikundër edhe emocionuese të artit muzikor shqiptar.

I ngjizur me talentin si edhe dashurinë e pakufishme për muzikën, e cila jo vetëm ka shërbyer si udhërrëfyese e jetës dhe karrierës artistike të dirigjentit Edmond Doko, por edhe ka ndikur në përçimin e njohurive dhe përvojës së tij të suksesshme artistike. Ai është tepër aktiv edhe në përmbushjen e misionit të tij si Pedagog i Klasës së Operas, pranë Fakultetit të Muzikës, të Universitetit të Arteve në Tiranë, por edhe si Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës gjatë viteve 2011- 2015. Në këtë kontekst lipset të përmendet edhe aspekti aktiv i veprimtarisë studimore, ku veçon studimi «Historia e krijimit dhe standartet bashkëkohore të orkestrave frymore», pa përmendur botimet e panumërta e sistematike në shtypin periodik,në gazeta dhe periodikë të ndryshëm.

Përpos meritave dhe kontributeve si dirigjent, Edmond Doko spikat dhe ka merita të jashtëzakonshme edhe në aspektin e inicimit apo dhe të promovimit të organizmit dhe bashkëdrejton Edicionin e I dhe të II- të Akademisë Muzikore Verore (seminare, masterclasses, workshop, në ndihmë të instrumentistëve të rinj, në instrumentat frymore) në periudhën kohore ndërmjet viteve 2010 – 2015. Ashtu sikundër roli aktiv, duke e pasur muzikën, si një prej pjesëzave të rëndësishme të jetës së tij ekzistenciale, Edmond Doko ravijëzohet edhe si një figure dinjitoze edhe në rolin e Drejtorit Artistik të Festivalit të Orkestrave frymore në të gjashtë edicionet e tij, ku gjithashtu drejton si dirigjent dhe Koncertet Gala përmbyllëse të tij, në periudhën kohore ndërmjet viteve 2006 – 2011.

Kurrësesi nuk mund të anashkalohet roli dhe kontributi i Edmond Dokos në harkun kohor 2005 – 2011, lidhur me organizimin si edhe formatimin e Klubit Kombëtar të Orkestrave frymore, ku përpos faktit si anëtar themelues, ai zgjidhet edhe si Kryetar i këtij klubi.

 

Në vend të epilogut…

 

Edmond Doko, simbioza e një muzikanti të ngjizur me talent të jashtëzakonshëm, me personalitetin dinjitoz dhe mirësinë e lindur, me performancën e nevojshme, me intuitë ashtu sikundër edhe me aftësitë për të frymëzuar respekt përmes një karriere të suksesshme në rrugëtimin e tij mahnitës në udhëkryqet e botës magjike muzikore.

Edmond Doko-muzikanti dirigjent, shëmbëlltyra e vlerave më të mira, që në art koncertet e tij magjepsëse, si një dirigjent i vërtetë me përmasa madhore, mundësoi dhe skaliti larg stereotipave, jehonën e një muzike me emocione, ndjeshmëri dhe art të vërtetë, me vlera universale krejt të papërsëritshme shpirtërore.

Dirigjenti Edmond Doko, një emër i njohur pasionant, me shkopin e artë të dirigjimit, ka performuar edhe me orkestra simfonike të njohura dhe me reputacion në edicionin artistik muzikor të viteve 2004 -2006, si Orkestrën Shtetërore të Athinës (KOA), duke u paraqitur në Sallën e koncerteve «Benakis» në Athinë. Po ashtu tepër mbresëlënëse janë edhe koncertet e performuara në sallat e koncerteve të Janinës dhe Korfuzit duke drejtuar si koncertmaestro Orkestrën Simfonike të RTSH-së, në dy turne koncertore, duke mahnitur dhe entuziazmuar shikuesit dhe admiruesit e panumërt.

Një person-qytetar aktiv, me rëndësinë e punës së tij si artist krijues, Edmond Doko, në rolin e një Maestroje brilant, të një prej figurave më të spikatura karakteristike të skenës, për afro 3 dekada, ritmikisht me bagetën e tij, me një karrierë marramendëse plot sfida të suksesshme dhe shkëlqim. Me një impenjim impresionues, ka performuar duke përshkruar kilometra të pambarimta me nota dhe melodi muzikore, në shërbim të gjallërimit të lëvizjes muzikore dhe artistike në Shqipëri dhe në Greqi.

Duke dëshmuar si një dirigjent i zoti, pjekurinë e tij artistike, me filozofinë e tij magjike, me aftësitë dirigjuese, skrupulozitetin, korrektesën ashtu sikundër edhe shijet me nivel të lartë artistik, në aspektet e drejtimit dhe funksionimit artistik dhe muzikor të ansambleve dhe grupeve që ai me kompetencë profesionale e gjithë frymëzim drejtoi.

Dirigjenti, kompozitori, instrumentisti, Edmond Doko, si një personalitet i shquar i artit muzikor dhe kulturës shqiptare, me një kontributdhënie shumëdimensionale, lartësohet dhe shkëlqen në piedestalin e panteonit muzikor, si një prej ambasadorëve dhe misionarëve të përkushtuar të artit muzikor bashkëkohor.

Shprehim mirënjohjen tonë për Edmond Dokon, artistin dhe njeriun mendjendritur, dirigjentin me një fokusim shpirtëror brilant, për intelektualin me integritet edhe me moral të shkëlqyeshëm.

Si bashkëkohës, si dashamirës e artdashës, përulemi me respekt të thellë, duke përcjellë njëherazi falënderime të ngrohta e të përzemërta për gjithçka ai ofroi dhe kontribuoi.

Gëzuar Përvjetorin e Ditëlindjes. Maestro Edmond Doko!

Edhe 100 vite plot Shëndet, plot lumturi, plot harmoni, plot frymëzim e suksese mjeshtër!

 

Please follow and like us: